Suela Bala: "Junior Achievement of Albania, rruga drejt krijimit të sipërmarrësve të së nesërmes" - Business Magazine Albania

Suela Bala: “Junior Achievement of Albania, rruga drejt krijimit të sipërmarrësve të së nesërmes”


Suela Bala është CEO e Junior Achievement of Albania, me një eksperiencë të gjatë në industrinë e menaxhimit dhe edukimit, ajo është diplomuar në lidershipin human, fokusuar në artet liberale dhe shkencat.

BusinessMag zhvilloi një intervistë me të për t’u njohur më shumë me Junior Achievement of Albania, qëllimin dhe rolin që ka në edukimin e sipërmarrjes nëpër shkolla dhe më shumë.

Junior Achievement (JA) është një program shkollor, i cili me metodologjinë e tij praktike u përcjell të rinjve njohuri mbi sipërmarrjen, edukimin financiar, këshillimin e karrierës, i përgatit dhe i frymëzon ata për të qenë të suksesshëm në tregun e ekonomisë globale. Ky program u mëson të rinjve si të krijojnë biznese, të cilat gjenerojnë vende të reja pune. Të rinjtë investojnë kështu në krijimin e vlerave, aftësive, qëndrimeve, tepër të domosdoshme për të siguruar, rritur dhe menaxhuar të ardhurat e tyre.

“Misioni i Junior Achievement of Albania është të nxisë dhe të mbështesë edukimin ekonomik dhe sipërmarrjen tek të rinjtë shqiptarë dhe me projektin e ndërmarrë me shkollat e mesme duket se po e arrin këtë,” shprehet Suela për BusinessMag.

Zbatimi i programit Junior Achievement në Shqipëri mundësohet si një investim i drejtperdrejtë i Fondacionit Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim (AADF). Falë mbështetjes strategjike të AADF dhe bashkëpunimit institucional me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, programi është në vitin e shtatë të zbatimit.

Si një shembull unik midis 122 vendeve, të cilët zbatojnë programin JA në shkolla, mbështetja e JA në Shqipëri siguron përfshirjen cilësore të programit në kurrikulën arsimore, ngritjen e kapaciteteve të stafit mësimdhënës dhe përfshirjen e vazhdueshme të komunitetit të biznesit në jetën shkollore.

Duke fuqizuar dhe rritur cilësinë dhe plotësinë e edukimit ekonomik në shkollë të mesme si pjesë përbërëse e aftësive themelore për jetën, në linjë të plotë me reformën e kurrikulës aktuale, nga Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë programet JA janë përfshirë, si kapitull i integruar në lëndën e Qytetarisë, për ciklin 9-vjeçar edhe në bërthamën e shkollës së mesme si pjesë e Ekonomisë, lëndë në klasën e 12-të.

Gjithashtu modulet JA janë pjesë e lëndëve me zgjedhje për shkollat e mesme. Programi përfshin 93 shkolla dhe më shumë se 150 klasa, në të cilat zhvillohen dy modulet më të njohura të JA ‘’Drejtues për një Ditë’’ & Kompanitë e Nxënësve’’.

DREJTUES PËR NJË DITË, përmbush nevojat e një grupi të rinjsh në shkollat e mesme, duke u mundësuar angazhimin, pasurimin akademik dhe mësimin me anë të eksperiencës praktike me veprimtaritë e biznesit me fokus tek lidershipi. Moduli promovon dhe drejton të rinjtë të mendojnë dhe të gjykojnë mbi vlerat e lidershipit dhe vendimarrjes etike në biznes. Në përfundim të modulit me anë të një thirrje të hapur, bazuar në meritë, nxënësit aplikojnë për të shoqëruar në një ditë punë drejtues të lartë, CEO/ sipërmarrës, të afirmuar të sektorit publik dhe privat.

Lexoni: Junior Achievement of Albania sjell eventin “Leader for a day”

SHOQËRITË E NXËNËSVE, është programi më i suksesshëm i paketës së Junior Achievement. Me mbështetjen e vullnetarëve në klasë nga komuniteti i biznesit, programi Shoqëritë e Nxënësve, pajis nxënësit e shkollave të mesme me bazat e të drejtuarit të një biznesi. Duke qenë pjesë e një shoqërie biznesi të krijuar në klasë, nxënësit jo vetëm që mësojnë se si funksionon një sipërmarrje/shoqëri, por në të njëjtën kohë mësojnë sistemin, strukturën, funksionimin dhe veprimtarinë e saj. Shoqëritë e Nxënësve ndihmojnë të rinjtë të vlerësojnë dhe kuptojnë më së miri rolin e biznesit në shoqërinë dhe kontekstin shqiptar, promovon konkurrencën dhe idetë e zgjuara për biznes përmes sipërmarrjeve të krijuara. Moduli u mundëson nxënësve një eksperiencë të plotë sipërmarrëse duke filluar nga krijimi i kompanisë së biznesit, krijimi dhe zhvillimi i produktit, përgatitja e biznes-planit, planit financiar, planit të marketingut, shitjes, menaxhimit të buxhetit, ndarjes së dividentit dhe mbylljes/ likuidimit të biznesit.

Moduli finalizohet duke sjellë bashkë në një garë shoqëritë më të mira të nxënësve JA, të cilat konkurrojnë mes tyre për titullin “Shoqëria më e mirë e vitit” – e cila përfaqëson Shqipërinë në konkursin Europian për të njëjtin çmim në Konkursin Europian të Shoqërive të Nxënësve.

Për t’u sjellë nxënësve në klasë përvojën e tyre si përfaqësues të sektorit të biznesit, organizata JA of Albania, kërkon mbështetjen e bizneseve, institucioneve financiare, korporatave, etj, duke angazhuar vullnetarë, të cilët kanë një profil të caktuar në fushat e ekonomisë, financave, marketingut, burimeve njerëzore etj, për të ndihmuar nxënësit, të cilët kanë zgjedhur të punojnë me dy modulet e sipërpërmendura. Prania e vullnetarëve në klasë është vlerë e shtuar e programeve të JA, pasi në këtë mënyrë nxënësit kuptojnë dhe përvetësojnë administrimin e shoqërisë së biznesit të krijuar prej tyre gjatë vitit akademik si dhe edukimin e tyre me gatishmëri për punë.

E pyetur për idetë e prezantuara dhe fushat se ku orientohen më shumë të rinjtë për të sjellë ide Suela na përgjigjet: “Idetë e biznesit të prezantuara nga nxënësit janë të ndryshme dhe bazohen mbi nevojat që nxënësit vlerësojnë vetë si pjesë e përcaktimit dhe zhvillimit të produktit. Është për t’u theksuar se në vite zgjedhjet e nxënësve kanë kaluar nga kompani kryesisht shërbimesh në dy vitet e para, në kompani fokusuar në produkte dixhitale. Ka kompani që kanë produkt turistik, artizanal apo artistik. Duke qenë se nxënësit nuk kanë dhe nuk u ofrohet kapital fillestar për fillimin e kompanisë, por nxiten ta gjejnë vetë atë, ka kompani të cilat kanë gjetur mënyra për të fituar para nga shërbime për moshatarët e tyre si për shembull kanë shfaqur filma në një kinema të improvizuar dhe kanë shitur bileta për këtë dhe me paratë e fituara kanë investuar në zhvillimin e produktit kryesor të kompanisë. Moduli i JA synon t’i aftësojë nxënësit që të gjejnë zgjidhje kreative në mungesë të mundësive dhe mjeteve.”

Lexoni: Maturantët e shkollës Don Bosko realizojnë filmin “Ana tjetër”

Suela thotë se ky modul është lënë qëllimisht me zgjedhje të lirë, pasi JA beson fort tek sipërmarrja e lirë dhe tek liria e individit për të zgjedhur. “Nuk mund të detyrosh dikë të ndërtojë një biznes. Nxënësit e zgjedhin vetë këtë modul dhe e shijojnë atë në të gjitha fazat. Është ndjesi e jashtëzakonshme të shohësh sesi ata përpiqen, gjejnë mundësi financimi nga prindër, të afërm apo vetë shokët e tyre duke u dhënë aksione dhe i shkojnë deri në fund të gjithë procesit duke punuar jo vetëm në shkollë, por edhe jashtë shkolle me shumë durim e pasion. Pa dyshim, mbështetësit më të mëdhenj janë mësuesit që prej vitesh zgjedhin të drejtojnë një lëndë të tillë, krejtësisht të ndryshme nga përditshmëria e tyre.”

E pyetur nëse Junior Achievement ka nxjerrë sipërmarrës që janë të suksesshëm sot, të cilët e kanë marrë edukimin që në bankat e shkollës Suela thotë, “JA ka vetëm 7 vite në treg dhe nxënësit e saj janë akoma në universitet. Gjithsesi mund të themi me krenari që kemi identifikuar disa shembuj që kanë vazhduar me idenë e tyre dhe provojnë vazhdimisht të gjejnë financime për të përmirësuar ofertën e tyre”.

“Edukimi për sipërmarrjen nuk është proces i të mësuarit,” thotë ajo. “Sipërmarrja është proces i të mundësuarit të të rinjve të zhvillojnë aftësitë e tyre kreative, të punuarit në grup, të mësuarit duke eksperimentuar, të drejtuarit, të identifikimit dhe zgjdhjes së problemeve. Sipërmarrja ka aplikim të gjerë në çdo fushë të jetës. Ne kemi nevojë për individë që marrin përsipër rrisqe, risi dhe punojnë fort për arritje dhe kjo aplikohet në çdo fushë të jetës pavarësisht nëse dikush vendos të ndërtojë një biznes apo të jetë nëpunës administrate. Shqipëria sot ka nevojë për mendësi sipërmarrëse dhe sa më herët aq më mirë”.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0