Maturantët e shkollës Don Bosko realizojnë filmin "Ana tjetër" - Business Magazine Albania

Maturantët e shkollës Don Bosko realizojnë filmin “Ana tjetër”


Kush tha që një grup 18 vjeçarësh, të bërë bashkë, me pasionin dhe dëshirën e madhe nuk mund të ecin përpara dhe të krijojnë gjëra të bukura. Ashtu si këta gjimnazistë, të cilët kanë prodhuar një film me një tematikë mjaft të ndjeshme për kombin shqiptar.

Tashmë prej 7 vitesh në disa shkolla të mesme në kurrikulën e klasës së 12 zhvillohet lënda “Shoqëritë e nxënësve – Bëhu Sipërmarrës” nga Organizata Junior Achievement of Albania. Në kuadër të këtij programi, matura e shkollës Don Bosko ka menduar të krijojë dhe menaxhojë kompaninë e quajtur “Young Skills”. Young Skills është iniciativa që ka për qëllim prodhimin dhe realizimin e një filmi.

“Ana tjetër” është një film me metrazh të shkurtër, që trajton një temë sociale aktuale, konkretisht fenomenin e gjakmarrjes të parë nga këndvështrimi i një të riu.

Në një intervistë për BusinessMag, Sara Hoxha, presidente e Young Skills tregon se “Sot kur trajtimi i çështjeve sociale nga të rinjtë rrallë herë merr një rëndësi të veçantë, ne si “Young Skills” donim pikërisht të trajtonim ato çështje sociale, të cilat e dëmtojnë shumë shoqërinë tonë. Zgjodhëm temën e gjakmarrjes, pasi ky fenomen vazhdon të ekzistojë edhe sot, në shekullin e 21, në vendin tonë duke shkaktuar pasoja shumë të rënda tek individët, familjet dhe shoqërinë që prek.”

Aktualisht ekipi i Young Skills është në fazën e post-production dhe premiera e filmit “Ana tjetër” do të mbahet në datën 10 Prill, ora 18:00 në ambientet e Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi.

Lexoni: “Ana tjetër” Film me metrazh të shkurtër – Premiera

Synimi për Sarën dhe ekipin e saj është që ky film të kthehet në një vlerë të rëndësishme kulturore dhe artistike si dhe në një mjet për sensibilizim e brezave të ardhshëm për fenomemin e gjakmarrjes, ndaj pyetjes që a do të vazhdojë kjo nismë përtej kurrikulës ajo i përgjigjet me PO.

Young Skills është biznesi i të gjithë maturës Don Bosko dhe në këtë projekt janë të përfshirë 25 persona, të ndarë në drejtuesë dhe deparatamente, pra një strukturë e vërtetë biznesi. Struktura drejtuese përbëhet nga Presidentja Sara Hoxha, Drejtori i Departamentit të Marrëdhenieve Publike Emiljano Beka, Drejtori i Marketingut Mateo Shkurti, Drejtoresha e Departamentit të Financës Klevisa Kulemani, Drejtoresha e Departamentit të Burimeve Njerëzore Kasandra Haxhiu dhe Drejtori i Departamentit të Prodhimit Aleksandre Imerati.

“Kemi ndarë grupet e punës sipas departamenteve ku secili nga ne mendonte se do të japë më të mirën e tij dhe kështu filluam rrugëtimin tonë,” thotë Sara.

Në këtë rrugëtim grupi i 18 vjeçarëve nuk ka qenë vetëm, përveç mësueses së lëndës Orilda Kalami, ata kanë patur ndihmën e shumë personazheve të filmit, si regjisori Kujtim Çashku, regjisorja Elma Doresi. Gjithashtu edhe vetë ekipi i nxënësve ka qenë pjesë e roleve në film. Në këtë film të gjithë do të kenë mundësinë të shijojnë pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të aktore dhe regjisores së mirënjohur Suela Bako.

Sara thotë se “Tashmë që jemi drejt përfundimit të këtij programi, mund të pohojmë me bindje të plotë se ka qenë një nga përvojat më të bukura dhe argëtuese të jetës sonë. Nëpërmjet kësaj lënde, ne jo vetëm mësuam njohuri praktike në lidhje me botën e biznesit, por mësuam dhe sesi të punojmë në ekip, si të jemi inovatorë dhe sipërmarrës. U kënaqëm shumë në çdo moment dhe takuam mjaft njerëz të rinj, të cilët duke bashkëndarë me ne eksperiencën dhe dijet e tyre na e bënë rrugëtimin dhe më të bukur. E gjithë kjo nuk do të ishte e mundur pa Junior Achievement, të cilët kanë qenë pranë nesh në çdo moment nëpërmjet mentores Edlira Mali, pedagoge pranë universitetit Bedër, e cila na ka këshilluar dhe ofruar këtë eksperiencë të mrekullueshme.”

Sigurisht, ashtu si çdo rol tjetër, të bëhesh sipërmarrës kërkon një përgjegjësi shumë të madhe. Kjo përgjegjësi dyfishohet në momentin që bëhen sipërmarrës një grup 18 vjeçarësh. Ashtu si çdo biznes, dhe grupi i Young Skills është hasur me disa problem, por megjithatë, me anë të kësaj eksperience arritën të konkretizonin të gjitha njohuritë teorike që mësuan në lidhje me sipërmarrjen, mësuan të vepronim në ekip, të dëgjonin, të vlerësonin çdo ide të njëri-tjetrit. “Kjo eksperiencë na afroi më shumë me botën e biznesit, duke nxitur brenda nesh frymën sipërmarrëse, gjë që jam e sigurtë do të na shoqërojë tashmë përgjatë gjithë jetës sonë,” mbyll intervistën e saj Sara.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0