Studimi: 41% e të rinjve në botë po përballen me sfida të mëdha të shëndetit mendor - Business Magazine Albania

Studimi: 41% e të rinjve në botë po përballen me sfida të mëdha të shëndetit mendor

Rreth 41% e të rinjve në mbarë botën po përballen me sfida më të theksuara të shëndetit mendor dhe të jetës së përditshme krahasuar me brezat më të vjetër. Ky është përfundimi i një studimi të realizuar përmes sondazheve online nga Sapien Labs, një organizatë jofitimprurëse me bazë në Shtetet e Bashkuara.

Të dhënat e studimit tregojnë se Europa paraqet një performancë më të dobët në krahasim me kontinentet e tjera sa i përket mirëqenies mendore të të rinjve. Hulumtimi identifikon katër faktorë kryesorë që lidhen me përkeqësimin e gjendjes mendore: marrëdhënie të dobëta familjare, nivel i ulët i spiritualitetit, ekspozim i hershëm ndaj smartphonëve dhe konsum i lartë i ushqimeve ultra të përpunuara.

Të rinjtë e anketuar raportojnë vështirësi në kontrollin e emocioneve, në menaxhimin e marrëdhënieve ndërpersonale si dhe në përqendrim. Këto sfida shfaqen dukshëm më të theksuara tek grupmosha 18–34 vjeç, e cila rezulton me një mesatare prej vetëm 36 pikësh në indeksin e mirëqenies mendore. Për më tepër, 41% e kësaj grupmoshe raportojnë probleme të konsiderueshme të shëndetit mendor.

Lexo edhe: AmCham themelon Komitetin e të “Rinjve, sipërmarrjes dhe inovacionit”

Në kontrast të fortë me këtë panoramë, të rriturit mbi 55 vjeç ruajnë një mesatare pranë nivelit normal prej 100 pikësh, ndërsa vetëm 10% e tyre raportojnë vështirësi të lidhura me shëndetin mendor.

Sipas ekspertëve, kriza e shëndetit mendor tek të rinjtë nuk është një fenomen i përkohshëm, por një prirje që është thelluar nga brezi në brez dhe që u përshpejtua ndjeshëm gjatë pandemisë së COVID-19. Pavarësisht kalimit të fazës akute të pandemisë, shenjat e rikuperimit të plotë ende mungojnë.

Studimi thekson gjithashtu diferenca të dukshme mes vendeve. Disa shtete evropiane renditen ndër më të dobëtat në nivel global për mirëqenien mendore të të rinjve. Italia paraqitet si vendi evropian me performancën më të mirë, duke u renditur e 20-ta mes 84 shteteve të analizuara, ndërsa Irlanda, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar shfaqin rezultatet më të dobëta në Europë.

Në tërësi, të dhënat sinjalizojnë nevojën për politika më të forta parandaluese dhe ndërhyrje të qëndrueshme që adresojnë jo vetëm simptomat, por edhe faktorët strukturorë që ndikojnë në mirëqenien mendore të brezave të rinj.

Materiale të tjera:

Global Mind Health Report 2025

Associated Data Tables

 

sapien labs

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
1
My Cart

Subtotal: 450.00L

View cartCheckout

1