Startup-i shqiptar Hajde fiton 1 milionë dollarë investim. Erli Çupi tregon për planet e zgjerimit dhe implementimit të kriptomonedhave - Business Magazine Albania

Startup-i shqiptar Hajde fiton 1 milionë dollarë investim. Erli Çupi tregon për planet e zgjerimit dhe implementimit të kriptomonedhave

Startup-i shqiptar Hajde

Dikur futbollist, me një të ardhme të imagjinuar jashtë Shqipërisë, sot Erli Çupi është bashkëthemelues i një ndër aplikacioneve më të reja të dërgesave në Shqipëri dhe Kosovë. Ndërsa bota perballej me përhapjen me shpejtësi të pandemisë, Erli dhe vëllai i tij, Geri Çupi punuan për të sjellë në treg në vitin 2021 “Hajde App”. 

Hajde App është një aplikacion i cili ofron dërgesa të shpejta të ushqimit kudo ku ndodheni, brenda një ore. “Hajde” filloi të operonte me dërgesa në prill 2021 në tregun shqiptar dhe u zgjerua në Kosovë në tetor 2021.

Në një intervistë për Businessmag, Erli tregon si nisi gjithçka dhe planet në vijim,

Na trego pak se si erdhi gjithë ideja dhe si u krijua “Hajde”?

Shkëndija e parë ka lindur në vitin 2013. Dikur kam luajtur futboll në Turqi dhe meqë ka shumë barriera për gjuhën e folur, fillova të përdor “Get Here”. “Get Here” ka shumë popullaritet në Turqi. Më pëlqente si funksiononte, më largonte mundimin për të hyrë në supermarkete dhe porosia thjesht vinte shpejt. 

Artikulli u publikua më parë në faqen 18 të numrit 28 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 28 të saj.

E krijova si ide dhe ia propozova bashkëthemeluesit tim, vëllait tim. Atëherë menduam të bëjmë diçka tjetër, pasi nuk ishte koha e duhur. Në vitin 2021 menduam që erdhi koha, jo për shkak të pandemisë, por se u krijuan kushtet që Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia të kishin një aplikacion të tillë. 

Njerëzit filluan të ishin më shumë të fokusuar te teknologjia dhe ishte ndoshta momenti që restorantet e kishin edukuar paksa tregun, ndërsa për produktet e supermarketeve ne do të ishim të parët. Siç e shohim, njerëzve po u marrin kohë aktivitete të tjera dhe janë më të zënë.

Lexo: Ai filloi karrierën e tij sipërmarrëse në moshën 16-vjeçare. Tani është themelues i një startup-i prej 400 milionë dollarësh të E-Sports

Pra, jetova në Turqi një periudhë kohe dhe duke parë si funksionon dhe vendosa ta krijoja në Shqipëri, duke patur dhe fuqinë e teknologjisë. Që në fillime e kishim planifikuar që do të shtriheshim në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni. Patëm një impakt pozitiv dhe në nëntor të vitit të shkuar u zgjeruam në Kosovë. Gjithashtu, Kosova pati reagim pozitiv, një rritje shumë e shpejtë e kompanisë që solli dhe pjesën e investimit. Tani jemi në prag zgjerimi, pasi për një muaj e gjysëm do të zgjerohemi edhe në Maqedoni. 

Cilat janë planet tuaja, krahas zgjerimit, për t’i shpenzuar këto para?

Më i rëndësishëm është zgjerimi, përpos Shqipëri, Kosovë, Maqedoni do të shohim nëse ka hapësirë në rajonet pranë tyre. Hapi i dytë është rritja e logjistikës, shpejtësia e shërbimit dhe rritja e stafit.

A mendoni të përfshini produkte ose shërbime të tjera që mund të ofrohen?

Ne aktualisht ofrojmë dërgesa edhe nga restorantet, të cilat nuk ishin planifikuar në filim, por erdhi si kërkesë e partnerëve. Kishte raste ku pronarët e restoranteve bënin porosi të produkteve nga supermarketet dhe na parashtruan kërkesën për të përfshirë dhe restorantet.

Dëshironi të krijoni një treg online për të gjitha kategoritë e produkteve dhe shërbimeve, pra të gjitha në një aplikacion, ndoshta në të ardhmen?

Kemi në plan të shtojmë edhe farmacinë, pasi kemi përdorues të përshtatshëm për këtë, por besoj deri aty do të arrijmë. Duhet të qëndrojmë në një linjë me tregun, sepse shohim një treg shumë të ndjeshëm ndaj pranimit të gjithçkaje që shitet online. 

Shihet me më shumë interes nga përdorues në Kosovë apo në Shqipëri?

Padyshim që kemi më shumë në Shqipëri, pasi ka nisur pak më herët, por Kosova prej nga periudha e fillimit, prej pak muajsh po ecën me hapa shumë të shpejtë.  

Nga vjen më shumë kërkesë? Mosha mbi 50 mund të mos jenë të përditësuar me teknologjinë dhe përdorimin e një aplikacioni dhe a ka skeptikë në blerjet online?

Si kërkesë mund të ketë më shumë Kosova, sepse, mesa kam vënë re, mosha mesatare është pak më e ulët sesa në Shqipëri. Por, mënyra se si është ndërtuar aplikacioni është për një moshë pak më të madhe dhe janë ata që bëjnë blerje më së shumti. Ka një kërkesë të dukshme nga mosha 30-35 vjeç, të cilët bëhen prindër dhe bëhen detyrimisht përdorues të aplikacionit. 

Por, aplikacioni është menduar të jetë shumë bazik, sa më i thjeshtë për të përfunduar gjithë procesin e kryerjes së një porosie. Aktualisht jemi duke bërë rregullime në procesin e hyrjes në aplikacion. Kemi vënë re se hyrja me password është pak e besdisshme, pasi tani çdo faqe apo aplikacion kërkon një password për të hyrë. 

Si është marrëdhënia juaj me konkurrencën? Aktualisht tregu mund të ketë dhe aplikacione të tjera të ngjashme me ju.

Nuk besoj se jemi pjesë e konkurrencës në treg, pasi ofrojmë disa shërbime të ndryshme. Besoj fort se “Hajde” do të ketë klientët e saj, ashtu si çdo platformë tjetër. Në fund të ditës, mbetet zgjedhja e klientëve për të vendosur kush e ofron shërbimin më të mirë. Teksa zgjerohemi edhe me restorantet kuptojmë që te kjo pjesë do të ofrojmë të njëjtën gjë dhe mbetet vetëm çështje e zgjedhjes së klientëve, pra kush e ka cilësinë e shërbimit.

Meqë kohët e fundit kompanitë më të mëdha kanë implementuar teknologjinë Blockchain, ose të paktën kanë marrë parasysh dhe përfshirjen e kriptomonedhave në pagesë, a e keni menduar diçka të tillë?

Në fakt, kemi diçka pak më ekskluzive. Kemi një “campaign” që do të bëjmë me kriptomonedha dhe do të jetë për herë të parë në Shqipëri dhe në Kosovë. Fillimisht, kemi vendosur të testohet në Kosovë dhe më pas në Shqipëri. Duke parë se dhe trendi po shkon drejt kriptomonedhave edhe ne do ta bëjmë diçka të tillë. Problemi është që shumica e bankave dhe njerëzit që përdorin kriptomonedha i kanë paratë në banka ose i tërheqin cash, pasi legjislacioni shqiptar ende nuk e ka krijuar mirëfilli një ligj për këtë. 

Në përditshmëri ju duket se është rritur më shumë ndërgjegjësimi për përdorimin e kartave?

Kemi pasur së fundi një takim në Maqedoni dhe po diskutonim që sipas statistikave të fundit është rritur shumë përdorimi i pagesave me kartë gjatë periudhës së pandemisë dhe pas. Një nga arsyet përse nuk e kemi përfshirë në aplikacion blerjen me kartë është fakti që ekziston mundësia që supermarketet të kenë mungesë të produkteve. 

Një nga supermarketet që kemi ne, Spar po bën një ndryshim për t’i shërbyer kësaj pike dhe besoj se me të do të jetë një test për të implementuar më pas edhe pagesat me kartë, sepse do të kemi informacione mbi inventarin në kohë reale. 

Mund të na shpjegosh shkurt si ndodh i gjithë procesi juaj i punës në momentin që vjen një porosi në “Hajde”?

Ti bën një porosi në “Hajde” dhe ne kemi punonjës që dërgojnë porositë. Fillimisht ti konfirmon porosinë, personi shkon në supermarket, e zgjedh vetë produktin sepse ne kemi politika të tilla ku mbajmë përgjegjësi për çdo produkt, duke filluar nga data e skadencës, cilësia, etj. Nëse ka probleme të tilla ne i rimbursojmë klientët dhe kemi një kohë mesatare rreth 35 minuta për çdo porosi që bëhet nga aplikacioni. 

Në syrin tënd si duket ekosistemi i startup-eve në Shqipëri krahasuar me ekosisteme të tjera. Ka patur zhvillimin e duhur, ka premisa për më shumë?

Unë kam qenë pjesë ë ICT Awards, kam parë që po rritet dhe dëshira e njerëzve po bëhet pak më e madhe. Duket sikur ka një pengesë, pasi si treg i vogël, interesi i investitorëve është më i ulët se sa mund të jetë diku tjetër. Por, mendoj që po rritet, mendoj që ka një shtysë shumë të madhe nga shteti shqiptar, i cili po i mbështet dita ditës startup-et.

Meqë preke pak pjesën e investitorëve, Hajde është një shembull për fitimin e një investimi shumë të mirë, Geri Çupi me Twig gjithashtu pak kohë më parë fitoi një investim të mirë. Çfarë mendon se u mungon startup-eve të tjerë për të gjetur sadopak mbështetje?

Ne, tek “Hajde” kishim shifra shumë të forta dhe duhet parë dhe pjesa e ideve që janë “trending”. Nëse investitorëve nuk u pëlqen ideja, është e pamundur të marrësh investim.

Cilat janë planet e tua afatgjata?

Zgjerimi i Hajde është kryesor dhe të bëhemi lider në rajon. Ky është plani për rreth 5 vite. 

Krahas Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, po shikojmë dhe disa shtete të tjera, brenda Ballkanit. Por, zgjerimi duhet të jetë pak i kujdesshëm, sepse ne duam të gjejmë hapësirën e duhur në treg për të hyrë.

Në Europë konkurrenca është shumë më e madhe, kemi platforma që kanë marrë investime shumë të mëdha dhe buxheti është shumë i rëndësishëm në këto lloj biznesesh. Ka shumë treg dhe ne do të kishim një rrjet përdoruesish tepër të vogël për t’u përballur me ta. 

Cila do të ishte këshilla apo sugjerimi yt për ata që duan të realizojnë idenë e tyre dhe nuk e marrin këtë hap momentalisht?

Si individ do u thoja që nuk duhet të dorëzohen kurrë, ndërsa si themelues kompanie do t’u thoja se duhet të lexojnë shumë dhe të rriten dita-ditës së bashku me startup-in e tyre. Normalisht që jo të gjitha gjërat që lexon funksionojnë, por duhet të gjesh atë që funksionon për ty. 

Artikulli u publikua më parë në faqen 18 të numrit 28 të revistës Business Magazine AlbaniaBusiness Magazine Albania është revista e parë digjitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 28 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0