SleepFM, modeli i ri me AI që parashikon rrezikun e +130 sëmundjeve gjatë gjumit - Business Magazine Albania

SleepFM, modeli i ri me AI që parashikon rrezikun e +130 sëmundjeve gjatë gjumit

Studiuesit e Stanford University kanë prezantuar SleepFM, një model të ri të inteligjencës artificiale që mund të parashikojë mbi 130 gjendje shëndetësore, përfshirë demencën, atakun në zemër dhe sëmundjen e Parkinsonit, duke u bazuar vetëm në të dhënat e një nate gjumi.

Modeli është trajnuar mbi rreth 600 mijë orë të dhëna klinike të gjumit, të mbledhura nga afërsisht 65 mijë pjesëmarrës. Ai analizon sinjale të ndryshme të trupit që regjistrohen gjatë studimeve të gjumit me polisomnografi, përfshirë valët e trurit, aktivitetin e zemrës, ritmin e frymëmarrjes dhe sinjalet muskulore.

SleepFM funksionon duke identifikuar raste kur këto sinjale biologjike nuk janë në harmoni mes tyre. Për shembull, nëse truri hyn në fazën e gjumit të thellë ndërkohë që zemra mbetet tepër aktive, sistemi e konsideron këtë si një sinjal paralajmërues të hershëm për rreziqe të mundshme shëndetësore.

Lexo edhe:A e dinit se ekzistojnë shtete pa kryeqytet? Dy raste unike që sfidojnë rregullin botëror

Për të testuar saktësinë e modelit, studiuesit lidhën të dhënat e gjumit me 25 vite të dhëna mjekësore nga Klinika e Gjumit e Stanford-it, duke vlerësuar aftësinë parashikuese të sistemit në më shumë se 1.000 kategori sëmundjesh.

Rezultatet e testimeve janë mbresëlënëse:

  • Sëmundja e Parkinsonit u parashikua me 89% saktësi,
  • Demenca me 85%,
  • Ataku në zemër me 81%,
  • ndërsa rreziku i përgjithshëm i vdekshmërisë me 84% saktësi.

Studiuesit theksojnë se SleepFM nuk është një mjet diagnostik, por një instrument parashikues që tregon se edhe vetëm një natë gjumi mund të zbulojë rreziqe afatgjata për shëndetin.

Me përmirësimin e vazhdueshëm të teknologjive të gjumit dhe pajisjeve “wearable”, modele të tilla mund të hapin rrugën që zbulimi i hershëm i rreziqeve shëndetësore të dalë përtej laboratorëve të specializuar dhe të bëhet pjesë e monitorimit të përditshëm të shëndetit.

Studimi i plotë është publikuar në revistën shkencore Nature Medicine dhe mund të lexohet këtu:
https://www.nature.com/articles/s41591-025-04133-4

SM

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0