Sipërmarrjet shqiptare mund të përfitojnë nga përvoja e ekspertëve gjermanë - Business Magazine Albania

Sipërmarrjet shqiptare mund të përfitojnë nga përvoja e ekspertëve gjermanë


Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme shqiptare, por edhe institucionet arsimore, administrata publike, sektori i shëndetësisë, por edhe organizatat jofitimprurëse mund të përfitojnë për nevojat e tyre nga përvoja gjermane e ekspertëve të cilët janë në pension apo në prag pensioni. Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA), si dhe përfaqësues të Shërbimit të Ekspertëve Senior (SES) prezantuan projektin e ekspertëve gjermanë.

Gjatë fjalës së saj, ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schutz, tha se ky projekt, deri tani, ka realizuar rreth 140 misione në Shqipëri dhe se duhet të shfrytëzohet nga aktorë të ndryshëm në fusha të tilla si artizanati, teknologjia, tregtia dhe shitjet, shëndetësia e punët sociale, por edhe shkenca dhe administrimi.

Ndërsa drejtori administrativ i DIHA-s, Hartmut Jaroch, tha se shërbimi që ofrojnë ekspertët gjermanë në pension ose në prag pensioni është këshillues si dhe në ofrimin e përvojave të tyre. Për përfaqësuesen e projektit SES-së, Anja Wesely, ekspertët gjermanë kanë një sërë avantazhesh, kanë përvojë të gjatë, janë fleksibël dhe të orientuar nga praktika dhe i kryejnë misionet e tyre në formë vullnetare dhe të pavarur.

Regjistri i ekspertëve numëron rreth 12,000 persona, të cilët janë të profilizuar dhe detyrat e tyre kryesore kanë të bëjnë me kualifikimin e specialistëve, zhvillimin e strategjive të marketingut, optimizimin e proceseve të punës, menaxhimin e cilësisë etj.

Përzgjedhja e tyre kalon nëpërmes një procesi, ku rëndësi i jepet aplikimit të saktë dhe të detajuar nga ana e kompanive apo përfaqësive shqiptare. Këta të fundit duhet të paraqesin detaje në lidhje me nevojat e tyre dhe sektorin ku ata duan të përqendrojnë asistencën e ekspertëve gjermanë. Kjo ekspertizë ofrohet falas, por pala shqiptare duhet të mbulojë të gjitha kostot lokale, që përfshijnë: dieta ditore, kosto udhëtimi, akomodimi, kosto të përpunimi të projektit, etj.

Eksperti mund të qëndrojë në Shqipëri për një periudhë nga 4-6 javë, por bashkëpunimi i tij me kompaninë shqiptare vazhdon edhe pas përfundimit të misionit, për të cilin jepen rekomandime të qarta me shkrim.

SES në Shqipëri është prezent që nga viti 2009, fillimisht me vetëm pak misione, por me kalimin e viteve numri i tyre u rrit. Për vitin 2016, janë realizuar deri në fund të tetorit 15 misione ekspertësh. Ndër më të suksesshmet mund të përmenden ato që janë ofruar në furra buke, në ferma, në fabrika të nënprodukteve të mishit për të përmirësuar teknologjinë e prodhimit, në hotele për të përmirësuar shërbimin etj. Znj. Wesely tha se ka edhe shumë më tepër potencial për biznese dhe sektorë të tjerë në Shqipëri që mund të përfitojnë nga kjo mundësi.

Angazhimi i një eksperti nga SES kalon në disa faza, që janë: kontakti i parë, kërkesa, vlerësimi i projektit, kërkimi dhe sugjerimi i ekspertit, konfirmimi nga kompania i kërkesës, përgatitja e misionit, misioni, vlerësimi, aktivitete dhe misione pasuese.

Burimi: monitor.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0