Zak Topuzi është, kreu i Shoqatës së Operatorëve Turistikë. Prej vitesh themelues dhe pronar i një prej hoteleve më të frekuentuara në qytetin e Tiranës “Mondial”. Dukshëm, turizmi si sektor është ndër më të rëndësishmit për zhvillimin e një vendi. Në gjykimin e z. Topuzi, Shqipëria është një xhevahir i fshehur, i cili duhet të zbulohet dhe vlerësohet nga të gjithë.
Ai e nisi karrirën e tij si sipërmarrës vite më parë, ku gjithçka nisi nga një bar-kafene e vogël, por që më pas rezultoi e sukseshme për t’i hapur rrugën një sipërmarrje si Mondial. Sipas tij, ky hotel nuk është vetem një hotel, por mirëpret klientët për t’i bërë ata të ndihen si në familje.
Turizmi dje dhe sot , çfarë ka ndryshuar?
Rajoni ynë ka pasur gjithnjë zhvillim të madh turistik. Ka pasur njerëz të përgatitur profesionalisht, të cilët e kanë treguar këtë me anë të sipërmarrjeve që kanë bërë. Kryesisht, vendi ynë ka qenë i kufizuar dhe me standarde minimale, por koha ndryshoi dhe sot shohim një vend të zhvilluar në këtë aspekt.
Në vitin 1995, Tirana kishte vetëm dy hotele private, ishte Hoteli Mondial dhe Diplomat. Kishte edhe tre hotele me pronarë të huaj. Pas viteve 1995, filloi të zhvillohej industria turistike dhe u ndërtuan hotele, qoftë në Tiranë edhe në Durrës. Kjo është panorama e Shqipërisë së viteve ”90. Unë vetë e kam nisur me vetëm një lokal të vogël.
Si lindi kjo konkretisht idea e themelimit të biznesit tuaj?
Idea lindi sepse e kisha këtë gjë trashëgimi nga familja. Babai im ishte tregtar, por nuk kishte pasur mundësi të tjera financiare. Pasi nisi të bashkëpunojë me njerëz, të cilët merreshin me ndërtim, ai filloi t’a zotëronte këtë gjë. Ndërkohë që në Shqipëri u hodh idea per t’u liberalizuar vendi dhe mund të hapeshin biznese të vogla, por edhe shtëpi . Brenda vitit ’91, ndërtova një bar restorant të vogël me idenë që kati i dytë të ishte shtëpi . Ky ishte fillimi. Pra, vendimi për të lënë punën në shtet dhe për të bërë biznes privat. Nga një bar, i cili ishte bari i parë në Shqipëri, në 25 Dhjetor 1991 unë e ktheva në restorant, si restorantin e tretë në Tiranë dhe më pas e ktheva në hotel. Si inxhinier ndërtimi që jam përdora një stil neo klasik, për të qenë rezistent ndaj kohës gjithnjë.
A është shërbimi sektor sfidues?
Sherbimi është një sektor shumë i vështirë dhe kërkon njerëz që të jenë me dinjitet, të lumtur dhe të gëzuar për t’a përcjellë këtë gjë edhe tek të tjerët . Dita nis me një ritëm sfidues. Pavarësisht që hoteli në fakt menaxhohet nga unë, bashkëshortja dhe djali im i vogël jemi kujdesur që edhe nëse nuk jemi, të gjendet një mënyrë që gjërat të shkojnë mirë.
Hoteli ynë nuk është vetëm hotel, por është pikë e zonës që shërben edhe për trajnime e biseda pune.
A është turizmi industria që lëviz botën?
Mua më është dashur që prej punës të kem mundësi të lëviz shumë nëpër botë. Mund t’a them me bindje që është një industri gjigande dhe lëvizëse. Është një mënyrë e fuqishme jetese. Ne jemi një vend i ri me struktura të reja dhe ka vetëm 10-të vite që ka ndërtuar infrastrukturën e duhur. Mali i Zi është një nga konkurrentët potencial, i cili në një formë apo në një tjetër ka hedhur hapa përpara në këtë drejtim. Turizmi i rërës dhe detit është shumë i rëndësishëm, sepse frekuentohet nga të gjithë njerëzit. Ndaj Mali i zi është në Top Listë.
Po nëse flasim për nivelin europian si lëviz kjo industri?
Une dua t’i referohem Mesdheut dhe në gjykimin tim është një hapësirë e mirë për pushime luksi. Shqipëria është bërë i rëndësishëm në turizëm me hotele dinjitoze. Edhe vendi ynë si shumë vende të tjera me det, e ka sektor primar. Shumica e turistëve, mbi 60% e tyre vijnë në Shqipëri gjatë sezonit të verës. Hoteli ynë punon kryesisht me klientë të përhershëm nga e gjithë bota, por edhe vendas të cilët janë biznesmenë. Ne si hotel kemi klientë potencialë dhe njerëz të rëndësishëm.
A mund të veçosh një ose disa klientë që sipas teje janë të veçantë për ju ?
Nuk do të përmend emra, por dua të them që personalitetet e zgjedhin hotelin tonë. Që tek tenorët edhe deri tek artistët me famë botërore. Politikanët gjithashtu shënojnë në agjendë hotelin “Mondial “.
Çfarë duhet të vlerësojmë në turizmin Shqiptar?
Gjithë vija bregdetare e jona është një aset natyror që duhet vlerësuar. Me planifikimet e reja urbane apo zhvillimore patjetër që do të kemi një zhvillim edhe me të madh. Vlora është një perlë e natyrës shqiptare që mendoj se me ndërtimin e aeroportit do të marrë një tjetër hov dhe zhvillim. Por, Shqipëria nuk është vetëm bregdeti. Alpet janë gjithashtu një tjetër xhevahir. Mund të them me bindje që në jetën e natës në Tiranë mund të shohësh me shumë të huaj se vendas. Do të veçoja qytetin e Korçës si një qytet gjithëvjetor, që turistët e duan në çdo stinë. Saranda me antikitetin e saj gjithashtu jep një impakt të bukur. Në Shqipëri ke mundësinë të kontaktosh vendasit çka e bën edhe më tërheqëse për turistët.
Nata e vitit të ri në Tiranë, si pritet të jetë ?
Tani po mbyllen regjistrimet, të cilat kanë nisur një muaj më parë. Gjithçka gjallërohet në fundin e vitit sepse njerëzit mezi e presin të jenë pranë familjeve. Kjo gjë ndodh deri në orën 00:00, sepse më pas të rinjtë dalin dhe dëfrehen në jetën e bukur të natës që Tirana ka.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.