Si të mbroheni nga vjedhja e parave në bankomate (ATM) ? - Business Magazine Albania

Si të mbroheni nga vjedhja e parave në bankomate (ATM) ?


Mendoni se jeni të sigurt sa herë që tërhiqni para në një bankomat?! Kujdes! Disa këshilla të thjeshta si të ruani që karta juaj të mos klonohet dhe paratë tuaja të mos vidhen…

Krimi kibernetik tenton të jetë gjithmonë një hap përpara teknologjisë që shfrytëzohet për pagesat online, tërheqjet cash apo pagesat në pikat e shitjeve. Ndërkohë që siguria e pagesave online dhe ato në pikat e shitjeve janë një temë shumë e gjerë që kërkon hapësirën e vet të diskutimit, në këtë artikull po trajtojmë vetëm sigurinë fizike të ATM-ve dhe ruajtjen nga metodat e vjedhjes së informacionit të kartave të klientëve dhe kodit PIN.

Sipas të dhënave të Skuadrës Europiane për Sigurinë ATM (EAST) botuar në IBS Intelligence, sulmet me eksploziv ndaj ATM-ve në rajonin e Europës janë rritur me 80% në gjashtëmujorin e parë të 2016 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015. Janë raportuar rreth 492 raste sulmesh të tilla krahasuar me 273 në vitin 2015. Ndërkohë që shumica e rasteve kanë qenë sulme në gaz eksploziv, në 110 raste shpërthimi është shkaktuar nga eksploziv i ngurtë.

Megjithatë, sulmet me eksploziv apo ato fizike ndaj ATM-ve janë vetëm një pjesë e sulmeve që shkaktojnë humbje si për Bankat, ashtu edhe për klientët. Sulmet “e heshtura” përmes “skimming” (vjedhjes së të dhënave të kartës dhe PIN) janë ato më të përhapurat dhe shkaktojnë impakt financiar, por edhe induktojnë një ndjesi frike dhe mosbesimi te klientët në lidhje me shfrytëzimin e kartave, ATM-ve dhe POS.

Si mund të dallohet një ATM në të cilin janë vendosur “skimming devices”?

Për një klient të zakonshëm nuk është e lehtë të dallojë ndryshimet në pamjen e komponentëve të ATM-së. Duke konsideruar faktin që ATM-të në tregun shqiptar dhe atë ndërkombëtar janë të markave të ndryshme dhe të versioneve të ndryshme, për klientët është disi e vështirë të konstatojnë ndryshimet që mund të pësojë një ATM kur në të vendosen pajisjet përgjuese (skimming devices). Këto të fundit janë gjithmonë e më tepër pothuajse të padallueshme nga pjesët origjinale të vetë ATM-së.

Tastiera përgjuese që mbivendoset në tastierën e ATM-së nuk ka pothuaj asnjë ndryshim me këtë të fundit. Ajo mbledh të dhënat e PIN-eve të kartave të klientëve dhe ia transmeton ato keqbërësit. Vetëm stafi i kualifikuar, që njeh ATM-në, mund të vërë re ndryshimet e menjëhershme në komponentët e saj.

Një tjetër komponent që mund të mbivendoset si një pajisje përgjuese është lexuesi i kartës (card reader).

Për një staf të kualifikuar nuk është e vështirë të dallohet ndryshimi i dritës që shkakton mbivendosja e pajisjes përgjuese në lexuesin e kartës dhe ndryshimi në mënyrën se si lexuesi tërheq kartën në fole.

Si funksionon përgjimi?
Lexuesi deshifron të dhënat e shkruara në shiritin magnetik (magnetic stripe) të kartës dhe ia transmeton ato keqbërësit me anë të një sinjali GPRS apo duke i ruajtur në një cip të inkorporuar në pajisjen përgjegjëse, që më pas keqbërësi i tërheq bashkë me pajisjen, duke humbur kështu edhe gjurmët e këtij procesi.

Një kombinim i të dhënave të grumbulluara nga lexuesi i kartës me ato të tastierës përgjuese të ATM-së, i japin keqbërësit informacion të mjaftueshëm për prodhimin e kartave “klon”, të cilat mund të përdoren më pas në çdo ATM apo pikë shitje (POS apo online) njësoj sikur në përdorim të tyre të ishte vetë klienti.

Ndodh shpesh që në vend të zëvendësimit të tastierës, keqbërësit vendosin kamera në ATM për të regjistruar kodin PIN sa herë që një përdorues kryen një veprim në ATM.

Kamera furnizohet me bateri, ka një kartë memorie e cila mund të regjistrojë imazhe ose video për një kohë relativisht të gjatë e më pas të zëvendësohet me një kartë tjetër për të zgjatur kohën e regjistrimit.

Kamera është vendosur në një kuti mbajtëse në ngjyrën e veshjes së pjesës së jashtme të ATM-së, duke u bërë pothuaj e padukshme për një sy të pastërvitur.

Si të mbrohemi nga këto pajisje përgjuese?

Mbrojtja e terminaleve ATM dhe mbrojtja e klientëve nga përgjimi i të dhënave fillon me masat që merr Banka për të parandaluar fenomene të tilla. Pozicionimi i ATM-ve në një ambient të mbrojtur, mbikëqyrja me kamerat e sigurisë dhe ndjekja e proceseve në ATM me kamera që regjistrojnë veprimin e klientit janë hapi i parë që tenton të minimizojë sulmet fizike dhe vendosjen e pajisjeve përgjuese në ATM. Për të shmangur përgjimin e kodit PIN përmes kamerave, prodhuesit e ATM-ve kanë hedhur në treg aksesorë që mundësojnë mbulimin e pamjes gjatë kohës së shtypjes së kodit PIN në tastierë.

Në mungesë të tyre, përdoruesit këshillohen të mbulojnë tastierën me njërën dorë, ndërkohë që me dorën tjetër shtypin kodin PIN.

Asgjë nuk duhet anashkaluar.
-Asnjë person i paautorizuar nuk duhet të ketë akses në zonën private të ATM-së.
Nëse ATM-ja reflekton ndryshime fizike të çfarëdo lloji, për të cilat nuk ka një komunikim zyrtar, duhet raportuar menjëherë në departamentet përkatëse. E parë në këndvështrimin e klientit, çdo klient që operon në një ATM:
-Duhet të jetë i vëmendshëm dhe të mos bëjë publik kodin PIN
-Të mos veprojë në ATM publike, nëse nuk ka të garantuar një nivel të kënaqshëm të privatësisë. E thënë ndryshe, nuk duhet të veprojë në ATM nëse personat rreth tij nuk ruajnë largësinë e nevojshme nga ATM që do t’i garantonte klientit privatësi gjatë kryerjes së veprimeve.
-Të verifikojë ATM-të në të cilat vepron për kamera të pazakonta, apo komponentë që nuk kanë përputhje solide me ATM-në.

Burimi: Shkruar nga Irena Rushaj, Drejtore IT e Union Bank dhe publikuar në monitor.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0