Si po i “lexon” Inteligjenca Artificiale mendimet tona? - Business Magazine Albania

Si po i “lexon” Inteligjenca Artificiale mendimet tona?

Për shumë vite, aktiviteti elektrik i trurit është dukur si një zhurmë e pakuptueshme, impulse të panumërta që lëvizin me shpejtësi dhe që shkenca mezi arrinte t’i interpretonte. Sot, falë Inteligjencës Artificiale (AI), kjo po ndryshon me ritme të shpejta.

Një nga rastet më domethënëse është ai i një gruaje 52-vjeçare, e paralizuar prej gati dy dekadash pas një goditjeje në tru. Ajo nuk mund të fliste qartë. Megjithatë, falë një pajisjeje të vogël me elektroda të vendosura në tru dhe një sistemi të fuqizuar nga AI, mendimet e saj – fjalët që ajo imagjinonte t’i thoshte, u shfaqën në ekran në formë teksti. Ishte hera më e afërt që shkenca i është afruar asaj që dikur quhej “lexim mendimesh”.

Çfarë janë ndërfaqet tru-kompjuter?

Këto teknologji njihen si Brain-Computer Interfaces (BCI), ndërfaqe tru-kompjuter. Ato funksionojnë duke vendosur elektroda shumë të vogla në sipërfaqen e trurit, të cilat regjistrojnë sinjalet elektrike të neuroneve. Më pas, algoritme të avancuara të AI analizojnë modelet e këtyre sinjaleve dhe i përkthejnë në fjalë, tekst apo edhe zë. Prej dekadash, BCI-të janë përdorur për të ndihmuar pacientë të kontrollojnë proteza ose kursore në ekran. Por përkthimi i mendimeve në gjuhë ka qenë shumë më i ndërlikuar. Gjuha nuk është vetëm lëvizje muskujsh – ajo përfshin procese të thella mendore.

Nga përpjekja për të folur te “zëri i brendshëm”

Fillimisht, sistemet funksiononin vetëm nëse pacienti përpiqej të fliste fizikisht, edhe pse nuk mund ta bënte realisht. Elektrodat zakonisht vendoseshin në zonën motorike të trurit, që kontrollon lëvizjet. Por studiuesit kanë bërë një hap më tej: ata kanë testuar nëse mund të kapet edhe “fjalimi i brendshëm”, pra zëri që dëgjojmë në mendjen tonë kur mendojmë. Rezultatet treguan se kjo është e mundur, megjithëse me saktësi më të ulët. Në disa detyra të strukturuara, sistemi arriti deri në 74% saktësi në kohë reale. Megjithatë, në raste më spontane – si kur një person mendon lirshëm për një film të preferuar, rezultatet ishin ende të paqarta. Pra, teknologjia nuk është ende në gjendje të “lexojë” mendimet tona të pakontrolluara apo intime.

Lexo edhe:Si po bllokohet euro digjitale nga disa ligjvënës europianë

Përtej tekstit: emocioni dhe intonacioni

Një zhvillim tjetër i rëndësishëm është përpjekja për të rikthyer jo vetëm fjalët, por edhe mënyrën si thuhen ato, intonacionin, ritmin dhe theksin. Një laborator në SHBA arriti të prodhojë zë të sintetizuar që pasqyronte tonin emocional të pacientit, madje edhe kur ai përpiqej të këndonte. Kjo është thelbësore, sepse komunikimi njerëzor nuk është vetëm tekst. Mënyra si flasim shpesh përcjell më shumë se vetë fjalët. AI po përdoret gjithashtu për të rindërtuar imazhe apo tinguj bazuar në skanime të trurit (si fMRI). Studiuesit kanë arritur të krijojnë versione të përafërta të imazheve që një person ka parë, duke analizuar aktivitetin në zona të ndryshme të trurit. Në mënyrë të ngjashme, janë bërë përpjekje për të rikrijuar muzikë që një person po dëgjon. Këto teknika po ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë më mirë si truri përpunon informacionin vizual dhe dëgjimor, dhe në të ardhmen mund të përdoren për të studiuar ëndrrat apo halucinacionet.

Çfarë do të thotë kjo për të ardhmen?

Shumë ekspertë besojnë se në vitet e ardhshme këto teknologji do të komercializohen. Kompani si Neuralink po punojnë për ta nxjerrë këtë teknologji nga laboratorët dhe për ta bërë të përdorshme në jetën reale. Për momentin, fokusi kryesor mbetet ndihma për personat që nuk mund të komunikojnë, i pacientët me ALS apo viktimat e goditjeve në tru. Por në një horizont më të largët, mund të imagjinohen forma të reja ndërveprimi mes njeriut dhe teknologjisë, madje edhe komunikim direkt tru-më-tru.

Megjithatë, bashkë me entuziazmin lindin edhe pyetje etike:
Sa private janë mendimet tona?
Kush do të ketë akses në këto të dhëna?
Si do të mbrohen të drejtat e individit?

Për momentin, “leximi i mendimeve” mbetet i kufizuar dhe larg përsosmërisë. Por një gjë është e qartë: Inteligjenca Artificiale po na jep një dritare të re për të kuptuar trurin – dhe ndoshta, një ditë, për të dëgjuar edhe atë që deri tani ka qenë vetëm zëri ynë i brendshëm.

 

BBC

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0