Si është e vendosur Shqipëria në marrëdhëniet e Ballkanit Perëndimor? - Business Magazine Albania

Si është e vendosur Shqipëria në marrëdhëniet e Ballkanit Perëndimor?

Ballkani Perëndimor

Armela Toska

Ballkani ka qenë gjithmonë një zonë e trazuar. Në këtë pjesë të botës, në çerekun e parë të shekullit ka pasur mosmarrëveshje, trazira dhe konflikte të shumta. Por, pas përfundimit të luftërave, filloi faza e bisedimeve dhe negociatave mes vendeve. Tani duket se po jetojmë në kohën e perspektivave të mëdha për Ballkanin. Megjithatë, ende duhet t’i mbajmë sytë hapur për të shmangur sfidat me të cilat jemi përballur në historinë tonë. Për fat të keq, kemi qenë dëshmitarë, më shumë se një herë, se çdo gjë e keqe që ndodh në Ballkan, mund të përhapet lehtësisht në të gjithë rajonin.

Roli i Shqipërisë në rajon shpeshherë është vlerësuar si neutral dhe larg interesave të saj kombëtare dhe vetëm vitet e fundit ka një qasje më të fokusuar dhe artikuluar drejt hapësirave mbarëkombëtare. Neutraliteti i Shqipërisë në lidhje me marrëdhëniet me shtetet e tjera të Ballkanit tregohet në mënyrën se si Shqipëria u reziston me sukses presioneve për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të vendeve fqinje. Por pas viteve 2014 shohim një ndryshim në politikat e ndërrmarra nga qeveria shqiptare kundrejt vendeve ballkanike, duke rritur ndikimin e saj në rajonet shqipfolëse si dhe duke institucionalizuar bashkëpunimin me vendet fqinje.

Shqipëria dhe politikat e reja të bashkëpunimit ballkanik gjatë viteve 2010-2020

Mbrojtja e interesave kombëtare, forcimi i rolit dhe i ndikimit të politikës së jashtme shqiptare në rajon po artikulohet si një bosht i rëndësishëm, i cili përshkruan të gjitha politikat dhe vendimarrjet e ndërmarra nga Tirana zyrtare në lidhje me politikat e jashtme mbi Ballkanin. Kjo përbën një nga prioritetet kryesore dhe po gërshetohet me objektivat dhe përparësitë kombëtare të angazhimit tonë në NATO dhe anëtarësimit në BE.

Zhvillimi i bashkëpunimit rajonal midis vendeve të Ballkanit është kyç për integrimin europian dhe zhvillimin ekonomik të tyre. Gjatë viteve marrëdhëniet e Shqipërisë me shtetet e rajonit kanë ndryshuar ndjeshëm.

Kosovë

Kosova e nis nga marrëveshjet e firmosura për bashkpunim politik dhe ekonomik deri te mbështetja e Shqipërisë në njohjen e Kosovës si një shtet i pavarur nga vendet e tjera të Ballkanit. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë vëllazërore. Bashkëpunimi dypalësh udhëhiqet nga interesi kombëtar për të thelluar ndërveprimin politik, ekonomik, social dhe kulturor dhe për të avancuar procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, si projekt themelor përbashkues i hapësirës shqiptare në shërbim të paqes, stabilitetit dhe begatisë së saj. Shqipëria ka qenë një mbështetëse e bisedimeve Prishtinë-Beograd dhe të marrëveshjes së Brukselit.

Për sa i përket ekonomisë, të dy vendet kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh ekonomike me qëllim konsolidimin e mëtejshëm të lidhjeve të tyre ekonomike dhe krijimin e kushteve të nevojshme për krijimin e një tregu të përbashkët në të ardhmen. Në kontekstin rajonal, Shqipëria ka nënshkruar disa marrëveshje ekonomike dhe memorandume mirëkuptimi me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë drejtim, Kosova zë peshën më të madhe me tetë marrëveshje të nënshkruara. Këto marrëveshje janë të fokusuara në fusha të ndryshme, si:
– Përafrimi gradual i legjislacionit dhe standarteve në fushën e sigurisë ushqimore.
– Përafrimi i legjislacionit të importit.
– Përafrimi i legjislacionit në kuadër të pronësisë intelektuale.
-Përshpejtimi i masave të ndërmarra nga organizmat akredituese të dy vendeve për nënshkrimin e Marrëveshjes Shumëpalëshe me Organizatën Europiane të Akreditimit fillimisht në laboratorët e testimit, dhe më tej në të gjitha fushat e tjera.
– Shkëmbimi i informacionit mes zyrave doganore.
– Përafrimi dhe thjeshtimi i procedurave të tranzitit.

Lexo: Çfarë do të financojë BE-ja në Ballkanin Perëndimor?

Greqi

Marrëdhënia bilaterale Greqi-Shqipëri karakterizohet si një marrëdhënie dashuri –urrejtje, karakteristikë e vendeve ballkanike. Për shkak të pranisë së emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe pakicës greke në Shqipëri, lidhjeve historike dhe kulturore, si dhe kontakteve të shpeshta të nivelit të lartë midis qeverive të Shqipërisë dhe Greqisë, të dyja vendet sot mbajnë marrëdhënie të forta diplomatike, por ndonjëherë të ndërlikuara. Ndërkohë është edhe çështja e kufirit detar. Shpeshherë, ajo vendoset në qendër të situatave konfliktuale midis dy shteteve. Interesat e dyanshme për eksplorime të mundshme të puseve të naftës nga firmat amerikane dhe kanadeze në ujrat e Detit Jon e bën çështjen akoma më urgjente për palët.

Mbi çështjen e antarësimit të Shqipërisë në BE, anëtarësia e Greqisë në BE është një mundësi për aspiratat e integrimit të vendeve fqinje. Përgjatë rrugës së Shqipërisë drejt integrimit në BE, Greqia ka qenë një partner i rëndësishëm edhe pse jo gjithmonë konstant në mbështetjen e tij.

Një tjetër pikë konflikti mes dy vendeve është edhe çështja çame. Edhe pse Greqia këmbëngul që çështja çame nuk ekziston dhe për pasojë i referohet asaj si një ‘jo-çështje’, në Shqipëri konsideratat politike në lidhje më këtë çështje kanë ardhur në rritje. Kauza tashmë po advokohet nga forca të ndryshme politike që përfaqësojnë këtë komunitet.

Greqia është investitori më i madh i huaj në Shqipëri dhe partneri kryesor tregtar. Bashkëpunimi midis dy qeverive dhe sektorit të biznesit ekziston në fusha të shumta si tregu, energjia, ushtria, turizmi dhe kultura, me projekte të mëdha në dy vendet si Gazsjellësi Trans-Adriatik dhe hidrocentralet që po ndërtohen.

Serbia

Serbia dhe Shqipëria janë të dyja vende zyrtare kandidate për pranimin në BE. Sidoqoftë, përkundër kësaj marrëdhënieje, të dyja vendet, në përgjithësi, kanë pasur një konfrontim shumë të tensionuar, për shkak të çështjeve si: mosmarrëveshjes së Kosovës, masakrave historike të shqiptarëve nga ushtria serbe dhe përfshirja e shqiptarëve në Luftën Jugosllave. Megjithëse Serbia dhe Shqipëria po përpiqen shumë në dekadën e fundit të përmirësojnë marrëdhënien e tyre, marrëdhëniet mbeten ende të brishta. Raporti mes Serbisë dhe Shqipërisë ka qenë prej kohësh i varfër dhe u përkeqësua ndjeshëm në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, të cilën Serbia nuk e njeh. Beogradi dhe Tirana janë përpjekur të hedhin pas krahëve dallimet dhe të përmirësojnë bashkëpunimin rajonal në kuadër të nxitjeve diplomatike të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Një përpjekje e ndershme nga Serbia për të përmirësuar marrëdhëniet me Shqipërinë do të sillte përfitime reale për të dyja vendet. Por një marrëdhënie e mirë Shqipëri-Serbi shihet nga shumë persona në Kosovë si një tradhti e çështjes së Kosovës; ata mendojnë se marrëdhëniet e mira Serbi-Shqipëri mund të dëmtojnë Kosovën.

Maqedonia e Veriut

Shqipëria, duke njohur sovranitetin e Maqedonisë si një vend i pavaruar në 1993 ka vendosur nisjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Pas këtij akti, është vijuar me nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe për nxitjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë. Të dyja vendet janë anëtare të plota të Këshillit të Europës dhe të NATO-s. Të dyja vendet janë në negociata për pranimin në BE. Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, në tërësinë e tyre, kosiderohen si shumë të mira në aspektin politik. Mes dy vendeve ka patur shkëmbime intensive vizitash politike të të gjitha niveleve, çka përbën një bazë solide për zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit në shumë sfera të tjera të bashkëpunimit dypalësh, rajonal e më gjerë, për çështje me interes të ndërsjelltë. Një gjë që duhet theksuar është se Shqipëria është akuzuar më shumë se një herë si penguese për Maqedoninë e Veriut për marrjen e statusit si kandidat në BE duke qenë se të dyja vendet krahasohen dhe lidhen shpeshherë me njëra-tjetrën. Ato kanë të drejtë sepse, dështimet e një vendi bëhen shtysë në mosmarrjen e negociatave të një vendi tjetër dhe rrugëtimi ynë në BE është i përbashkët.

Mali I Zi

Marrëdhëniet midis Malit të Zi dhe Shqipërisë janë të mira, kjo si pasojë e numrit të lartë të  shqiptarëve në territorin e Malit të Zi. Dy vendet bregdetare kanë paketa dhe marrëveshje të përbashkta ekonomike mbi turizmin dhe tregtinë.

Një tjetër faktor që ndikon në marrëdhëniet e mira të dy vendeve është edhe fakti që gjuha shqipe është gjuha e dytë zyrtare në Malin e Zi, gjë që po kërkohet edhe nga minoriteti shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Rumania

Marrëdheniet politike midis dy vendeve mund të konsiderohen në momentin e tyre më të mirë. Ky vlerësim i atribuohet nivelit të dialogut politik edhe pse bashkëpunimet midis Rumanisë dhe vendit tonë nuk janë të shumta, Shqipëria dhe Rumania janë anëtare në të gjitha nismat rajonale dhe në shumë organizata e organizma ndërkombëtare.

Të dy vendet ndajnë vlerësimin se bashkëpunimi rajonal është një shtyllë e rëndësishme në politikën e tyre të jashtme dhe me impakt të drejtpërdrejt në zhvillimin dhe prosperitetin e brendshëm. Rumania, si vend anëtar i BE dhe Shqipëria, si vend kandidat në BE, konsiderojnë si thelbësore për rajonin integrimin europian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Nga pikëpamja ekonomike, rritja dhe diversifikim i shkëmbimeve tregtare, rritja e investimeve rumune në fushën e prodhimit të energjisë elektrike, ndërtimin e infrastrukturës në energji , industrinë e erës, industrinë kimike, tekstile, agro-biznes, etj, janë një pikë e rëndësishme e bashkëpunimit të dy vendeve.

Bullgaria

Marrëdhëniet politike ndërmjet Shqipërisë dhe Bullgarisë kanë qenë dhe vijojnë të jenë shumë të mira. Ndërmjet dy vendeve ka patur në vijimësi shkëmbim vizitash politike të nivelit të lartë si President, Kryetar Parlamenti, Kryeministër, Ministër i Jashtëm, etj.

Të dy palët kanë shprehur interesin për plotësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor me marrëveshje të reja në fushat të identifikuara së fundi në Takimin e 6-të të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar për Bashkëpunimin Ekonomik, Teknik e Shkencor, të cilat paraqesin interes reciprok për të dy vendet. Ky fakt, dëshmon për nivelin e lartë të bashkëpunimit shqiptaro-bullgar, si dhe për dëshirën dhe vullnetin e zgjerimit në vijimësi të bashkëpunimit.

Ndër fushat kryesore të aktiviteteve dhe bashkëpunimit ekonomiko-tregtar ndërmjet dy vendeve përmendim bashkëpunimin në fushën e nxitjes së biznesit, bashkëpunimin në sektorin e hidrokarbureve, sektorin minerar, në fushën e transportit, bashkëpunimi në fushën e financave, tatimeve dhe doganave.

Kroacia

Marrëdhëniet mes Kroacisë dhe Shqipërisë tradicionalisht kanë qenë të mira dhe miqësore. Kroacia dhe Shqipëria ndajnë një prioritet të përbashkët të politikës së jashtme – duke kontribuar në stabilitetin, paqen dhe prosperitetit ekonomik të rajonit. Të dy vendet e shikojnë të ardhmen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Kroacia mbështet procesin euro-integrues të Shqipërisë në institucionet e BE-së.

Bosnja dhe Hercegovina

Marrëdhëniet midis vendeve nuk janë edhe aq të mira sa dhe vendeve të tjera në ballkan kjo vjen si pasojë e mosnjohjes së Kosovës nga ana e Bosnje dhe Hercegovinës. Presidenca e Bosnjë dhe Hercegovinës është organi me tre anëtarë që shërben kolektivisht si kryetar i shtetit të Bosnjë dhe Hercegovinës, antarët boshnjak dhe kroat të Presidencës duan të njohin Kosovën, por antarët serb refuzojnë. Kjo është arsyeja kryesore e mosmarrëveshjeve të Tiranës zyrtare dhe Sarajevës zyrtare. Një tjetër arsye pse marrëdhëniet e dy vendeve nuk janë të mira është edhe mungesa e aktivitetit politik si dhe marrëveshjeve politike mes dy vendeve. Kjo gjë vihet re edhe në sektorin e ekonomisë, ku marrëveshjet ekonomike midis dy shteteve janë pothuajse zero.

Sllovenia

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Slloveninë konsiderohen shumë të mira, të qëndrueshme dhe pa asnjë çështje të hapur. Midis palëve është zhvilluar një dialog politik konstruktiv, si në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe ashtu edhe për situatën në rajon dhe më gjerë. Sllovenia ka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Edhe Sllovenia ka ofruar mbështetje gjatë të gjitha etapave të proçesit të integrimit, si për marrjen e statusit të vendit kandidat, ashtu dhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Pavarësisht marrëdhënieve të mira midis dy shteteve nuk është arritur që të të ketë një bashkëpunim ekonomik.

Si përfundim

Edhe pse Shqipëria nuk është më aq neutrale dhe është e përfshirë në disa çështje të tensionuara dhe mosmarrëveshje në Ballkan, ajo ende ndodhet në një pozicion të mirë kundrejt shteteve të tjera. Por nuk duhet të mashtrohemi me një qetësi fallco midis politikave të vendit, sepse ekziston ende një propagandë urrejtje midis vendeve dhe midis politikanëve dhe popullit të tyre si dhe midis popujve, ku shohim që çdo ditë edhe më shumë përmenden mesazhe urrejtje ose gjuhë bullizuese kundrejt një populate, jo sepse njerëzit në Ballkan janë natyrë e vështirë, por sepse historia gjithmonë është ndryshuar, dhe jo gjithmonë për mirë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0