Çfarë do të financojë BE-ja në Ballkanin Perëndimor?

Çfarë do të financojë BE-ja në Ballkanin Perëndimor?

Ballkanin Perëndimor

Bazuar në draft-planin për investime në Ballkanin Perëndimor, Komisioni Evropian synon të investojë deri në 20 miliardë euro në këtë rajon.

Në një dokument të ndarë, Komisioni ka prezantuar projektet në të cilat synon të investojë deri në fund të mandatit më 2024. Për këto projekte janë ndarë nëntë miliardë euro.

Investimet e BE-së janë të orientuara në dhjetë sektorë, duke përfshirë infrastrukturën rrugore, energjinë, mbrojtjen e ambientit, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe digjitalizimin. Një program special është dedikuar për të rinjtë.

Lidhja e Lindjes me Veriun

Në katër vitet e ardhshme janë planifikuar investime të mëdha në katër rrugë të mëdha në trafikun Lindje-Perëndim -autostrada, hekurudha dhe linjat lundruese:

Përfundimi i ‘Autostradës së Paqes” Nish (Serbi) –Prishtinë (Kosovë). (Financimi i këtij projekti është përmendur edhe në marrëveshjen për normalizimin ekonomik ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të nënshkruar më 4 shtator në Uashington, me mbështetjen e SHBA-së).

Modernizimi i pjesës juglindore të hekurudhës së Korridorit 10 (nga Hungaria, përmes Ballkanit Perëndimor në Bullgari, Greqi dhe më tutje). Është planifikuar përfundimi i bypass-it të Nishit, modernizimi i rrugës ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë dhe përmirësimi i lidhjes hekurudhore me Maqedoninë e Veriut.

Përshpejtimin e punimeve në hekurudhën e Korridorit 8 ndërmjet Shkupit dhe kufirit me Bullgarinë, në mënyrë që të lidhë më mirë Shkupin dhe Sofjen.

Punimet në linjat lundruese – largimi i minave nga lumi Sava dhe pastrimi i grykës së Danubit, në mënyrë që të përmirësohet rrjeti trans-evropian i transportit.

Lidhja e Veriut me Jugun

Deri në vitin 2024, është planifikuar përfundimi ose përparimi në rindërtimin e lidhjeve kryesore të trafikut në rrugën Veri – Jug:

Pritet që të përfundohen tri të katërtat e korridorit veri-jug. Kjo autostradë do të lidhë kryeqytetet e Evropës Qendrore, përmes Sarajevës në Bosnjë dhe Hercegovinë, me portin e Ploçes në bregdetin e Adriatikut. Planifikohet gjithashtu modernizimi i hekurudhës përgjatë të njëjtit korridor.

Rinovimi i plotë i linjës hekurudhore Beograd – Podgoricë – Porti i Barit në Mal të Zi, nga kufiri me Serbinë, deri në det. Është planifikuar gjithashtu të modernizohet rruga në të njëjtin korridor dhe të ndërtohet një bypass rreth Podgoricës.

Modernizimi i rrugëve midis dy kryeqyteteve – Sarajevë dhe Podgoricë dhe ndërtimi i rrugëve në Bosnjë dhe Hercegovinë për t’u lidhur më mirë me fqinjët.

Fillimi i punimeve në linjën hekurudhore që lidh Beogradin me Prishtinën. (V.j. financimi i këtij projekti përmendet gjithashtu në marrëveshjen për normalizimin ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës, e cila u nënshkrua më 4 shtator në Uashington me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara).

Lidhja e rajoneve bregdetare

Një nga projektet kryesore në këtë sektor investimesh është “Rruga Hekurudhore 2”, e cila lidh kryeqytetet e Malit të Zi dhe Shqipërisë – Podgoricën dhe Tiranën – dhe vazhdon në portin e Durrësit në Shqipëri. Është planifikuar po ashtu të rehabilitohen 120 kilometra hekurudhë në Shqipëri drejt kufirit me Malin e Zi.

Do të ndërmerren hapa të rëndësishëm për të përfunduar “Autostradën Blu” përgjatë bregdetit – nga Kroacia në Greqi. Planifikohet edhe kompletimi i bypass-it përreth Tiranës dhe dy seksione të tjera në Shqipëri, si dhe një rindërtim i rëndësishëm i rrugës afër Budvës në Mal të Zi.

Lidhja e rajoneve bregdetare

Të tre kapitujt e investimeve kanë të bëjnë me sektorin e energjisë – investimet në burimet e ripërtërishme të energjisë, kalimi nga qymyri në burimet e gjelbra dhe investimet në projekte efikase të energjisë në infrastrukturë.

Burimet e energjisë së ripërtërishme

Në kuadër të këtij plani investues, mund të mbështeten disa projekte specifike:

Përfundimi i rehabilitimit të hidrocentralit të Fierzës në Shqipëri dhe përparimi në ndërtimin e hidrocentralit Skavica, për të rritur potencialin e energjisë elektrike të Shqipërisë dhe rajonit, me synimin për të rritur eksportet e energjisë së “pastër” elektrike.

Sistemi hidroenergjetik i Pivës në Mal të Zi do të zgjerohet me fillimin e ndërtimit të hidrocentralit Komarnica.

Do të përshpejtohen përgatitjet për ndërtimin e fazës së dytë të sistemit të Kanalit të Ibrit, të ndërmarrjes Ibër-Lepenc në Kosovë.

Investimet e konsiderueshme në panelet solare dhe me erë në Maqedoninë e Veriut që do të shërbejnë si shembull për investimet në të ardhmen në burimet e ripërtërishme të energjisë në rajon.

Kalimi nga varësia e qymyrit, në burimet e gjelbra

Nëse rajoni përmbush detyrimet e tij sipas Marrëveshjes së Parisit, Komisioni Evropian planifikon të financojë projekte që do të mundësonin kalimin nga qymyri, i cili është një ndotës i madh, në burime shumë më të qëndrueshme dhe të gjelbra të energjisë – tubacionet moderne të gazit dhe rrjetet inteligjente për përdorimin e shtuar të burimeve të ripërtërishme të energjisë, në përputhje me potencialet e rajonit.

Projektet kryesore që pritet të mbështeten deri në vitin 2024:

Si pjesë e tubacionit Trans-Adriatik, do të përfundojë ndërtimi i tubacionit të gazit Fier-Vlorë në Shqipëri, dhe tubacioni i gazit Jon-Adriatik përgjatë bregdetit do të jetë përparësi, për të mundësuar një diversifikim më të madh të burimeve të furnizimit me gaz për Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.

Përfundimi i inter-koneksionit të gazit Bosnje dhe Hercegovinë – Kroaci, me qëllim diversifikimin e sistemit të shpërndarjes së gazit.

Fillimi i ndërtimit të inter-koneksionit të gazit Maqedoni e Veriut – Kosovë dhe zgjerimi i investimeve në inter-koneksionin Maqedoni e Veriut – Greqi.

Përgatitjet për fillimin e ndërtimit të ndërlidhjes Maqedoni e Veriut – Serbi.

Përfundimi i Korridorit Trans-Ballkanik të Transmisionit të Energjisë Elektrike në Serbi, si pjesë e ndërlidhjes midis Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës. Ky sistem i transmisionit të energjisë elektrike duhet të jetë “shtylla kurrizore për shpërndarjen” e energjisë elektrike në të gjithë rajonin dhe më tej në Bashkimin Evropian.

Vala e rinovimit

Komisioni Evropian po propozon që “Vala e Ripërtëritjes së BE-së” të zgjerohet në Ballkanin Perëndimor deri në vitin 2024 – për të rinovuar ndërtesat publike dhe private në mënyrë që të zvogëlohen emetimet e gazeve serë, sepse sektori i ndërtimit ka një pjesëmarrje prej 40% në konsumin e energjisë.

BE ka në plan të mbështesë, së bashku me institucionet financiare ndërkombëtare, përpjekjet në Ballkanin Perëndimor për të trefishuar normën aktuale të rinovimit të ndërtesave ekzistuese dhe kursimeve të energjisë dhe për të arritur “standardin zero” (pa emetuar energji të dëmshme) në ndërtesat e reja.

Menaxhimi i mbeturinave dhe ujërave të zeza

Planifikohet që deri në vitin 2024, Bashkimi Evropian do të mbështesë disa projekte të mëdha në fushën e furnizimit me ujë, menaxhimin e ujërave të ndotura dhe asgjësimin e mbeturinave:

Përfundimi i ndërtimit të impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura në Shkup dhe Prishtinë.

Zbatimi i programit të investimeve mjedisore në Serbi, i cili përfshin modernizimin e sistemit të trajtimit të ujërave të ndotura në qytete të mëdha dhe të mesme.

Vendosja e sistemeve të integruara rajonale të menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi, së bashku me mbylljen e deponive që nuk plotësojnë kërkesat mjedisore. Investime të ngjashme në rajon duhet të mbështeten gjithashtu në të ardhmen, duke përfshirë menaxhim më të mirë të mbetjeve në zonat ndërkufitare.

Mbështetja e krijimit të sistemeve të përshtatshme për parandalimin dhe monitorimin e ndotjes së ajrit dhe ujit./REL

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0