Shqipëria kërkon një ministre të AI-së, por a mund të qeverisë një chatbot? - Business Magazine Albania

Shqipëria kërkon një ministre të AI-së, por a mund të qeverisë një chatbot?

Shqipëria ka hedhur idenë e përdorimit të një chatbot-i të inteligjencës artificiale, të quajtur “Diella”, si “shërbëtore e prokurimeve publike”.

Nëse zbatohet, kjo do të ishte hera e parë që një qeveri në botë i jep një funksion politik një inteligjence artificiale.

Megjithëse AI nuk mund të marrë ryshfete, pyetja që ngrihet është nëse Diella do të ketë aftësinë të mbajë përgjegjësi të plotë për vendimmarrjet apo thjesht do të ndihmojë qeverinë aktuale. Shqipëria renditet e 80-ta nga 180 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International.

Fillimisht, në vitin 2024, Diella ishte thjesht një mjet Pyetje-Përgjigje në platformën e-Albania, që u jepte qytetarëve informacion për dokumente, taksa dhe leje.

Në fillim të vitit 2025, u lançua Diella 2.0, e cila u shoqërua me një avatar për ndërveprim zanor e vizual, duke ndihmuar qytetarët më pak të aftë digjitalisht të përdornin shërbimet publike. Deri në mesin e vitit, shqiptarët mund të rinovonin kartën e identitetit vetëm me anë të komunikimit zanor, pa pasur nevojë të plotësonin formularë.

Lexo edhe: Globalizimi ka vdekur, por planetarizimi ende s’ka lindur!

Në aspektin teknik, Diella funksionon përmes Microsoft Azure OpenAI. Kryeministri Edi Rama e sheh këtë si një mënyrë për të kapërcyer burokracinë që ka rënduar historikisht administratën shqiptare.

Në një fjalim, Rama përdori një metaforë sportive për të shpjeguar fleksibilitetin që kërkon integrimi i teknologjisë në politikë:
“Një trajner basketbolli bën zëvendësime të vazhdueshme, ndërsa një trajner futbolli ka vetëm tre. Qeveria jonë duhet të luajë basketboll, jo futboll.”

Mandati i Diellës do të përfshinte menaxhimin e prokurimeve publike, nga infrastruktura e deri te furnizimet mjekësore dhe kontratat e IT-së, me premtimin për 100% transparencë dhe llogaridhënie.

Tradicionalisht, një ministër duhet të betohet para presidentit. Por si do ta bëjë këtë një chatbot? A do të japë betimin një avatar me zë sintetik? Dhe a do ta lidhë kushtetueshmëria një akt të tillë?

Ndoshta Diella duhet parë më shumë si një zyrtar teknik, me njerëz në prapaskenë që marrin vendimet reale. Por nëse AI gabon në një proces prokurimi, kush do të mbajë përgjegjësi: Rama, ekipi teknik apo vetë Microsoft?

Një gjë është e sigurt: nëse presidenti Bajram Begaj jep dritën jeshile, do të mbetet për t’u parë nëse qytetarët shqiptarë do të kenë të drejtën të shprehin pakënaqësi apo “ta shkarkojnë” një ministre AI – apo thjesht do të mbeten duke bërtitur para një ekrani që nuk u përgjigjet.

Cybernews

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0