Si të përfitoni grantet nga thirrja për Startupet dhe Lehtësuesit?
Në këtë artikull kemi bërë një përmbledhje të shkurtër ku kemi paraqitur qartësisht kriteret e nevojshme për aplikuesit për grante si startup apo lehtësues. Në këtë mënyrë mendojmë se do ta bëjmë më të lehtë për secilin që ka një ide biznesi dhe dëshiron ta zhvillojë atë me mbështetjen e parave që mund të përfitohen nga granti i vënë në dispozicion nga Ministria për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.
Nëse keni një ide inovatore, ose dëshironi të mbështesni startup-et, Ministrja Bilali ka publikuar në faqen e saj zyrtare thirrjen e parë për aplikime për mbështetje financiare për startup-et dhe lehtësuesit. Afati i fundit për aplikimet tuaja është deri më 5 Qershor 2022.(thirrja është shtyrë deri më 10 Qershor)
Granti i vënë në dispozicion ka për qëllim mbështetjen e startup-eve dhe lehtësuesve të startupeve, të cilët zhvillojnë projekte inovative në fusha prioritare për zhvillimin e vendit, mbështetje për iniciativa që kanë impakt pozitiv mjedisor, fuqizimi i rinisë, fuqizimi i vajzave dhe grave sipërmarrëse, fuqizimi i përfshirjes sociale, diversiteti dhe impakti social dhe prioritete të tjera, sipas urdhrit të Ministres së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.
Granti për mbështetjen e startup-eve dhe lehtësuesve të startup-eve ka një impakt të rëndësishëm në lehtësimin e krijimit, hyrjes në treg dhe ushtrimit të veprimtarisë së startupeve. Objektivi i kësaj iniciative është të ndihmojë në krijimin e një klime të favorshme për tërheqjen, përfshirjen dhe mbajtjen e talentit dhe burimeve njerëzore, lehtësimin dhe mbështetjen në aksesimin e burimeve financiare dhe përfshirjen sociale dhe diversitetin në mbrojtje të vlerave demokratike, nxitjen dhe futjen e inovacionit në sektorët ekonomikë.
Nga ky grant pritet të përfitojnë startup-et që i përkasin tre kategorive kryesore si: startup-et në fazën fillestare, në fazën e rritjes dhe në fazën e zgjerimit dhe gjithashtu lehtësuesit e startupeve të kategorive si akademia, e cila përfshin universitete private dhe publike, bashki, arsim i mesëm dhe profesional, inkubatorë dhe përshpejtues, hapësira pune, të cilat përfshijnë ofruesit e ambienteve dhe pajisjeve të punës dhe organizues eventesh për startup-et.
Ky grant do të mbështesë 2 kategori aplikuesish siç janë startup-et dhe lehtësuesit e startupeve.
Për startup-et:
- Startup-et në fazën fillestare;
- Startup-et në fazën e rritjes;
- Startup-et në fazën e zgjerimit.
Për lehtësuesit e startup-eve:
- Akademia, e cila përfshin universitetet publike dhe private;
- Lehtësuesit, si inkubatorët dhe përshpejtuesit;
- Hapësirat e përbashkëta të punës, të cilat përfshijnë ofruesit e ambienteve dhe pajisjeve të punës;
- Bashkitë, përveç Bashkisë së Tiranës;
- Organizuesit e eventeve;
- Arsimi parauniversitar, i cili përfshin shkollat e mesme dhe shkollat profesionale publike dhe private.
Granti do të mbështesë financiarisht projektet aplikuese që përmbushin kriteret, deri në nivelet maksimale të përcaktuara më poshtë:
Për Startup-et:
- Startup-et në fazën fillestare përfitojnë mbështetje financiare deri maksimalisht në masën 1,500,000 (një milion e pesëqind mijë) lekë për projekt dhe mbulohen maksimalisht 80% të kostove të pranueshme dhe të miratuara.
- Startup-et në fazën e rritjes përfitojnë mbështetje financiare deri maksimalisht në masën 3,000,000 (tre milion) lekë për projekt dhe mbulohen maksimalisht 80% të kostove të pranueshme dhe të miratuara.
- Startup-et në fazën e zgjerimit përfitojnë mbështetje financiare deri maksimalisht në masën 5,000,000 (pesë milion) lekë për projekt dhe mbulohen maksimalisht 80% të kostove të pranueshme dhe të miratuara.
Për Lehtësuesit:
- Akademia, e cila përfshin universitetet publike dhe private, përfiton mbështetje financiare deri maksimalisht në masën 10,000,000 (dhjetë milion) lekë për projekt dhe mbulohen maksimalisht 90% të kostove të pranueshme dhe të miratuara.
- Lehtësuesit si inkubatorët dhe përshpejtuesit, përfitojnë mbështetje financiare deri maksimalisht në masën 10, 000, 000 (dhjetë milion) lekë për projekt dhe mbulohen maksimalisht 80% të kostove të pranueshme dhe të miratuara.
- Hapësirat e punës përfitojnë mbështetje financiare deri maksimalisht në masën 10, 000, 000 (dhjetë milion) lekë për projekt dhe mbulohen maksimalisht 80% të kostove të pranueshme dhe të miratuara.
- Bashkitë, përveç Bashkisë së Tiranës, përfitojnë mbështetje financiare deri maksimalisht në masën 20, 000, 000 (njëzet milion) lekë për projekt dhe mbulohen maksimalisht 90% të kostove të pranueshme dhe të miratuara.
- Organizuesit e eventeve, përfitojnë mbështetje financiare deri maksimalisht në masën 10, 000, 000 (dhjetë milion) lekë për projekt dhe mbulohen maksimalisht 80% të kostove të pranueshme dhe të miratuara.
- Arsimi parauniversitar, i cili përfshin shkollat e mesme dhe shkollat profesionale publike dhe private, përfiton mbështetje financiare deri maksimalisht në masën 10, 000, 000 (dhjetë milion) lekë për projekt dhe mbulohen maksimalisht 90% të kostove të pranueshme dhe të miratuara.
KRITERET E PËRGJITHSHME DHE SPECIFIKE PËR STARTUP-ET
Startup-et që do të mbështeten financiarisht nga ky grant, duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:
- Të kenë përfunduar vetëdeklarimin në regjistrin elektronik të startup-eve dhe të jenë pajisur me pasaportën e startup-it; linku i regjistrit të startup-eve https://ealbania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=14900
- Startup-et në fazën fillestare duhet të kenë përfunduar ose të jenë duke ndjekur një program inkubimi/përshpejtimi gjatë periudhës së aplikimit për mbështetje financiare me grant;
- Startup-et në fazën e rritjes duhet të jenë të regjistruar në regjistrin tregtar nga 0 – 1 vit;
- Startup-et në fazën e zgjerimit duhet të jenë të regjistruar në regjistrin tregtar nga 1 – 5 vite;
- Të jenë Individ, person fizik ose juridik, vendas ose i huaj, përfshirë nomadin digjital, i cili kryen aktivitet në Shqipëri;
- Të kenë përmbushur shlyerjen e detyrimeve tatimore në momentin e aplikimit;
- Një aplikues nuk mund të aplikojë më shumë se një herë për këtë thirrje.
Lexo: Edona Bilali: Kanë aplikuar 400 startup-e për pasaportën e startup-it. Aplikimi për pasaportë deri me 3 qershor
DOKUMENTACIONI I KËRKUAR PËR STARTUP-ET
Startup-et që aplikojnë për mbështetje financiare nga ky grant, duhet të dorëzojnë, gjatë aplikimit, dokumentacionin sipas listës së mëposhtme:
- Formularin e aplikimit të plotësuar;
- Formatin e buxhetit të plotësuar;
- Pasaportën e startup-it;
- Dëshmi e përfundimit ose ndjekjes në proces të një programi inkubimi ose përshpejtimi;
- Dokumenti i regjistrimit në organin tatimor (NIPT) në rastin e personave fizikë ose juridikë të regjistruar në regjistrin tregtar;
- Bilanci i vitit paraardhës për aplikuesin person fizik ose juridik të regjistruar mbi 1 vit në regjistrin tregtar;
- CV-të e anëtarëve të grupit të punës, përgjegjës për zbatimin e aktiviteteve të aplikimit;
- Vërtetim për pagim detyrimesh, i marrë nëpërmjet portalit e-albania;
- Dëshmi penaliteti e aplikuesit, i marrë nëpërmjet portalit e-albania.
- Çdo dokument tjetër shoqërues që në vlerësimin e aplikuesit mbështet aplikimin e tij/saj.
I gjithë dokumentacioni i kërkuar duhet të jetë në gjuhën shqipe.
KRITERET E PËRGJITHSHME DHE SPECIFIKE PËR LEHTËSUESIT
Lehtësuesit e Startup-eve që do të mbështeten financiarisht nga ky grant, duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:
- Të kenë përfunduar vetëdeklarimin në regjistrin elektronik të lehtësuesve dhe të jenë pajisur me pasaportën e lehtësuesit; linku i regjistrit të lehtësuesve https://ealbania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=14901
- Të jenë persona fizikë ose juridikë të regjistruar, përfshirë dhe organizatat jo fitimprurëse;
- Të kenë fushë kryesore të veprimtarisë së tyre trajnimin, këshillimin ose dhënien e mbështetjes nëpërmjet formave të ndryshme në fushën e inovacionit dhe/ose të teknologjisë, ose në fusha të ngjashme me to;
- Të kenë përvojë për ofrimin e shërbimeve për mbështetjen e startup-eve, të cilat mund të përfshijnë: ofrimin e ambienteve dhe hapësirave të punës, duke mundësuar regjistrimin e selive ligjore dhe ushtrimin e veprimtarive të biznesit në favor të startup-eve; ofrimin e mjeteve dhe pajisjeve të punës, si dhe shërbimeve të biznesit, të tilla si zyra, ambiente dhe pajisje pune, kancelari, shërbime interneti me bandë ultra të gjerë, furnizim me energji dhe ujë; administrimin ose drejtimin nga persona me kompetenca dhe përvojë në biznes dhe inovacion; marrëdhënie të rregullta me institucione të arsimit të lartë, qendra kërkimoreshkencore apo partnerë financiarë që kryejnë aktivitete dhe projekte në lidhje me startup-et; ofrimin e programeve të inkubimit dhe/ose përshpejtimit, duke ofruar mentorim dhe këshillim për realizimin dhe zhvillimin e ideve të biznesit, trajnim nëpërmjet ekspertësh të kualifikuar.
- Aplikuesi duhet të jetë person fizik ose person juridik i regjistruar në regjistrin tregtar të Republikës së Shqipërisë, ose në gjykatë në rastin e ojf-ve; ose “Lehtësues të startupeve” persona fizikë dhe juridikë që ofrojnë programe dhe shërbime mbështetëse për startup-et.
- Të kenë përmbushur shlyerjen e detyrimeve tatimore në momentin e aplikimit.
- Të kenë të përfshirë në projekt-aplikim të paktën një element ndërkombëtar (si p.sh: trajner, mentor, aktivitet, program për startup-et).
- Një aplikues nuk mund të aplikojë më shumë se një herë për këtë thirrje.
DOKUMENTACIONI I KËRKUAR PËR LEHTËSUESIT
Lehtësuesit e startup-eve që aplikojnë për mbështetje financiare nga ky grant, duhet të dorëzojnë, gjatë aplikimit, dokumentacionin sipas listës së mëposhtme:
- Formularin e aplikimit të plotësuar;
- Pasaportën e lehtësuesit;
- Certifikata e regjistrimit në organin tatimor (NIPT);
- Ekstrakti i QKB;
- Akt themelimi dhe statut;
- CV-të e anëtarëve të grupit të punës, përgjegjës për zbatimin e projektit;
- Vërtetim nga Drejtoria e Tatim Taksave që aplikuesi, nuk ka detyrime të pashlyera për sa i përket kontributeve për sigurimet shoqërore, sigurimet shëndetësore dhe tatimtaksat;
- Kopje të ID të aplikuesit;
- Dëshmi Penaliteti e Drejtuesit Ekzekutiv ose Administratorit;
- Çdo dokument tjetër shoqërues që në vlerësimin e aplikuesit mbështet aplikimin e tij/saj.
I gjithë dokumentacioni i kërkuar duhet të jetë në gjuhën shqipe.
Thirrja për aplikime është shpallur në datën 16 maj 2022 dhe do të qëndrojë e hapur deri në datën 5 qershor 2022. Shpallja e fituesve do të bëhet brenda datës 20 qershor 2022 dhe nënshkrimi i marrëveshjes e fillimi i zbatimit të projektit brenda datës 15 korrik 2022.
Aplikimi për mbështetje me grant do të kryhet online nëpërmjet faqes dhe adresës elektronike të Ministrisë përgjegjëse për sipërmarrjen.
- Formatet e aplikimit do të shkarkohen në linkun: https://sipermarrja.gov.al/dokumentet-e-aplikimit/
- Formatet e aplikimit do të plotësohen nga aplikuesi dhe së bashku me dokumentacionin e kërkuar do të dërgohen me e-mail në adresën: startup@sipërmarrja.gov.al.
- Formatet e aplikimit dhe dokumentacioni i kërkuar duhet të jenë në formatin pdf.
- Dokumentacioni i kërkuar duhet të jetë kopje e skanuar nga origjinali.
- Subjekti i e-mailit duhet të jetë: aplikim startup/lehtësues.
- Pas dërgimit me e-mail të aplikimit, aplikuesi do të marrë përgjigje nëpërmjet një emaili automatik, i cili do të konfirmojë marrjen e aplikimit.
- Njësia menaxhuese e grantit pranë Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes është e detyruar të marrë në dorëzim dhe shqyrtim çdo aplikim të paraqitur, i cili plotëson kriteret e kësaj rregulloreje.
- Pas shkarkimit të dokumentacionit të aplikimit, njësia menaxhuese hap një dosje aplikimi për aplikuesin dhe bën regjistrimin e aplikimit, i cili do të pajiset me një numër të dedikuar aplikimi.
- Pas mbylljes së thirrjes, aplikimi do të merret në dorëzim nga njësia menaxhuese e grantit, e cila duhet të analizojë aplikimin për t’u siguruar në lidhje me plotësimin siç duhet të kritereve dhe dokumentacionit të kërkuar. Pas këtij shqyrtimi, Menaxheri i grantit informon dhe ia paraqet për vlerësim Komisionit të vlerësimit.
- Nëse aplikuesi has paqartësi dhe vështirësi gjatë procesit të aplikimit, ai do të ndihmohet dhe këshillohet nga njësia përgjegjëse pranë Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.
Në qoftë se keni pyetje, ose dëshironi të diskutoni mbi detaje të tjera të këtij granti, mjafton të klikoni te linku http://calendly.com/keshillues dhe prenotoni menjëherë takimin tuaj personalisht ose në platformën online Google Meet.
Si dhe për më shumë informacion klikoni në linkun: https://sipermarrja.gov.al/dokumentet-e-aplikimit/
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.