Ministrja Bilali jep njoftimin: “Startupet deklarohen në E-Albania. Më pas fillon inkubimi dy vjeçar” - Business Magazine Albania

Ministrja Bilali jep njoftimin: “Startupet deklarohen në E-Albania. Më pas fillon inkubimi dy vjeçar”

Ministrja për Sipërmarjen, Edona Bilali ka dhënë një njoftim të rëndësishëm sa i përket ekosistemit të start-upeve. Sipas Bilalit në mbledhjen e fundit të qeverisë janë kaluar pesë Vendime të Këshillit të Ministrave që plotësojnë kuadrin ligjor për mbështetjen e start-upeve.

“Kaluam në mbledhje 5 VKM që plotësojnë kuadrin ligjor për mbështetje të start-upeve. Këto VKM do i hapin rrugën financimit të dy kategorive, start-upeve dhe lehtësuesve. Në VKM janë përcaktuar qartë kriteret, fashat e përcaktimit të start-upeve, si dhe përcaktohet momenti, nga i cili nisin të gjithë lehtësirat që do të vendosen në suport të start-upeve. Nis me deklarimin online në E-Albania pa pagesë dhe menjëherë gjenerohet pasaporta e start-upit. Nga ky moment nis pjesa 24 mujore e shërbimit “One Stop Shop”, ku përveç mbështetjes financiare, start-upet do të marrin edhe këshillim. Jam e kënaqur që me start-upet nisim një nivel tjetër bashkëpunimi.” – tha ministrja gjatë prezantimit të vendimeve të këshillit të ministrave.

Lexo edhe: Start-upet do mbështeten me ligj, Bilali jep njoftimin: “Këshillim, fonde dhe mbështetje falas për sipërmarrësit”

Ligji për start-upet u miratua në parlament në muajin mars dhe në të parashikohet që bizneset e regjistuara si ‘Start Up’, të kenë mundësi të përfitojnë këshillim pa pagesë, të përjashtohen nga taksat vendore, taksat e pasurisë së paluajtshme, të ndërtesës si dhe nga tatimi mbi fitimin për dy vite rresht.

Nga Buxheti i Shtetit janë ndarë 10 milionë euro për këtë kategori biznesesh dhe financimin e tyre në hapat e parë.

Vendime Këshillit të Ministrave

PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE TË HOLLËSISHME PËR ORGANIZIMIN, FUNKSIONIMIN, PËRBËRJEN, KRITERET DHE PROCEDURËN E PËRZGJEDHJES, SI DHE SHPËRBLIMIN E ANËTARËVE TË KËSHILLIT TË START UP-EVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 8, të ligjit nr.25/2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e start up-eve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Objekt i këtij vendimi është përcaktimi i rregullave të organizimit e funksionimit të Këshillit të Start up-eve pranë ministrit përgjegjës për sipërmarrjen, përcaktimi i kritereve, procedurës së përzgjedhjes dhe rasteve të mbarimit të mandatit dhe të shkarkimit të anëtarëve, si dhe të masës së shpërblimit financiar të anëtarëve.

2. Këshilli i Start up-eve ngrihet pranë ministrit përgjegjës për sipërmarrjen dhe ushtron detyrat dhe kompetencat në nxitjen e zhvillimit të start up-eve, në përputhje me ligjin nr.25/2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e start up-eve”, dhe me dispozitat e këtij vendimi.

II. PËRBËRJA E KËSHILLIT TË START UP-EVE, KRITERET DHE PROCEDURA E PËRZGJEDHJES SË ANËTARËVE

3. Këshilli i Start up-eve kryesohet nga ministri përgjegjës për sipërmarrjen dhe përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë të tjerë të zgjedhur nga institucione të lidhura me shërbimet e ofruara për biznesin dhe start up-et me mandat për një periudhë 1-vjeçare, me të drejtë rizgjedhjeje, si më poshtë vijon:

a) Një anëtar i caktuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, i cili mbulon fushën e sipërmarrjes;
b) Një anëtar i caktuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), i cili mbulon fushën e sipërmarrjes dhe inovacionit;
c) Një anëtar i caktuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, i cili mbulon fushën e start up-eve dhe inovacionit (AKSHI);
ç) Një anëtar i caktuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI);
d) Një anëtar i caktuar nga GIZ Albania, i cili mbulon zhvillimin dhe promovimin e start up-eve dhe të ekosistemit.

4. Mandati i anëtarit të Këshillit të Start up-eve përfundon në rastet e mëposhtme:

a) Dorëheqje;
b) Përfundim i mandatit të qëndrimit në detyrë;
c) Mbushje e moshës së pensionit të pleqërisë;
ç) Shkarkim;
d) Vdekje e anëtarit.

5. Anëtari i Këshillit të start up-eve shkarkohet nga detyra në rastet e mëposhtme:

a) Ndërprerje e marrëdhënies së punës me institucionin që përfaqëson;
b) Dënim me vendim penal të formës së prerë;
c) Kur bëhet i paaftë mendërisht ose fizikisht për të ushtruar detyrën;
ç) Mospjesëmarrje në mbledhjet e Këshillit të Start up-eve për më shumë se 1 (një) herë;
d) Kur, me veprimet e tij, dëmton veprimtarinë e Këshillit të Start up-eve dhe imazhin e institucionit që përfaqëson dhe të institucionit përgjegjës për funksionimin e Këshillit.

6. Në rast vakance në pozicionin e anëtarit të Këshillit të Start up-eve, ministri përgjegjës për sipërmarrjen, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga konstatimi i vakancës, njofton institucionin përkatës për propozimin e anëtarit të ri.

Institucioni propozues duhet të zgjedhë anëtarin e ri brenda 10 (dhjetë) ditëve nga marrja e njoftimit të ministrit.

III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I KËSHILLIT TË START UP-EVE

7. Këshilli i Start up-eve mblidhet, si rregull, çdo 4 (katër) muaj, si dhe sa herë që kërkohet nga kryetari, sipas nevojave të veprimtarisë në fushën e mbështetjes së start up-eve.

8. Mbledhja e Këshillit të Start up-eve është e vlefshme nëse në të janë të pranishëm, të paktën, 5 (pesë) anëtarë.

9. Mbledhja e Këshillit të start up-eve drejtohet nga kryetari.

10. Këshilli i Start up-eve, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij, asistohet nga sekretariati teknik, i përbërë nga 2 (dy) anëtarë të kabinetit të ministrit përgjegjës për sipërmarrjen.

IV. KOMPETENCAT E KËSHILLIT TË START UP-EVE

11. Këshilli i start up-eve ushtron këto kompetenca:

a) Jep kontribut nëpërmjet diskutimit dhe dhënies së mendimeve për politikat ekzistuese në nxitjen e zhvillimit të start up-eve dhe ekosistemit;
b) Dialogon dhe shkëmben pikëpamje për rritjen e ndërgjegjësimit publik për fushën e veprimtarisë së start up-eve, si objektiv i këtij këshilli;
c) Identifikon dhe analizon pengesat kryesore në zhvillimin e start up-eve, sipas sektorëve të ndryshëm të ekonomisë dhe ofron zgjidhje për reduktimin e këtyre pengesave;
ç) Analizon dhe përzgjedh praktikat më të mira kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare, të cilat do të rekomandohen për zbatim në procesin e përmirësimit dhe zhvillimit të ekosistemit të start up-eve;
d) Lehtëson bashkëpunimin “triple helix” nëpërmjet dialogut konstruktiv dhe shkëmbimit të pikëpamjeve ndërmjet qeverisë, biznesit (start up) dhe akademisë;
dh) Diskuton dhe konsulton çështje të tjera sipas rendit të ditës ose sipas propozimit të kryetarit;
e) Diskuton prioritete të përgjithshme të fushës së mbështetjes së start up-eve dhe ekosistemit të start up-eve në Shqipëri, parashikuar në shkronjën “e”, të nenit 14, të ligjit nr.25/2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e start up-eve”.

12. Në varësi të çështjeve që do të diskutohen, në mbledhjet e Këshillit të Start up-eve ftohen pjesëmarrës nga ekosistemi i start up-eve, për të dëgjuar diskutimet e anëtarëve të Këshillit të Start Up-eve.

V. MASA E SHPËRBLIMIT

13. Shpërblimi i kryetarit dhe e anëtarëve të Këshillit është në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë për mbledhje, por jo më shumë se 12 (dymbëdhjetë) pagesa në vit.

14. Anëtari i GIZ Albania-s përjashtohet nga masa e shpërblimit të parashikuar në pikën 13, të këtij vendimi.

15. Shpenzimet për shpërblimin e kryetarit dhe të anëtarëve të Këshillit të Start up-eve vërtetohen kundrejt dokumentit të pjesëmarrjes në mbledhje.

VI. DISPOZITA TË FUNDIT

16. Funksionimi i Këshillit të Start up-eve u nënshtrohet rregullave të parashikuara në legjislacionin për organet kolegjiale të administratës shtetërore, për çështjet që nuk janë të rregulluara posaçërisht në këtë vendim.

17. Ngarkohen ministri përgjegjës për sipërmarrjen dhe institucionet e listuara në pikën 3 për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

MIRATIMIN E RREGULLAVE TË HOLLËSISHME PËR PËRBËRJEN E KOMISIONIT TË VLERËSIMIT, SI DHE TË KRITEREVE, PROCEDURËS SË PËRZGJEDHJES DHE SHPËRBLIMIT TË ANËTARËVE TË TIJ

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 14, të ligjit nr.25/2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e start up-eve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Ngritjen e Komisionit të Vlerësimit të Dhënies së Granteve për Mbështetjen e start up-eve (në vijim, komisioni i vlerësimit), si organ vlerësues për kërkesat e start up-eve dhe lehtësuesve për mbështetje me grant.

2. Objekt i këtij vendimi është përcaktimi i rregullave të organizimit e funksionimit të komisionit të vlerësimit, përcaktimi i kritereve, procedurës së përzgjedhjes, rasteve të mbarimit të mandatit dhe të shkarkimit të anëtarëve, si dhe të masës së shpërblimit financiar të tyre.

II. PËRBËRJA E KOMISIONIT TË VLERËSIMIT

3. Komisioni i vlerësimit të dhënies së grantit për mbështetjen e start up-eve dhe lehtësuesve kryesohet nga ministri përgjegjës për sipërmarrjen dhe përbëhet nga 4 (katër) anëtarë të tjerë të zgjedhur me mandat për periudhën e disbursimit të grantit maj – dhjetor 2022, me të drejtë rizgjedhjeje,, si më poshtë vijon:

a) Një anëtar i caktuar nga ministri përgjegjës për sipërmarrjen;
b) Një anëtar i caktuar nga ministri përgjegjës për rininë dhe fëmijët;
c) Një anëtar i caktuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (Albanian–American Development Foundation), nga sektori i sipërmarrjes që mbulon tematikën e start up-eve dhe ekosistemit;
ç) Një anëtar ekspert nga ekosistemi i start up-eve.

4. Anëtari ekspert i ekosistemit, parashikuar në shkronjën “ç”, të pikës 3, të këtij vendimi, do të përzgjidhet mbi bazën e një procesi transparent konkurrimi, pas shpalljes së thirrjes për ekspertë të publikuar në faqen e ministrisë përgjegjëse për sipërmarrjen.

Ministri përgjegjës për sipërmarrjen ngarkohet të hartojë termat e referencës, afatin e aplikimit dhe kriteret e thirrjes për ekspert, si dhe të menaxhojnë procesin e konkurrimit e të përzgjedhjes së ekspertit të parashikuar shkronjën “ç”, të pikës 3, të këtij vendimi.

Ministri përgjegjës për sipërmarrjen shpall fitues 2 (dy) aplikantët e vlerësuar me pikët më të larta nga konkurrimi, fituesin e parë në cilësinë e anëtarit të komisionit të vlerësimit dhe fituesin e renditur i dyti në cilësinë e zëvendësuesit, në rastin e krijimit të vakancës nga eksperti i parë.

5. Mandati i anëtarit të komisionit të vlerësimit mbaron në rastet e mëposhtme:

a) Dorëheqje;
b) Përfundim i mandatit të qëndrimit në detyrë;
c) Mbushje e moshës së pensionit të pleqërisë;
ç) Shkarkim;
d) Vdekje e anëtarit.

6. Anëtari i komisionit të vlerësimit shkarkohet nga detyra në rastet e mëposhtme:

a) Ndërprerje e marrëdhënies së punës me institucionin që përfaqëson;
b) Dënim me vendim penal të formës së prerë;
c) Kur bëhet i paaftë mendërisht ose fizikisht për të ushtruar detyrën;
ç) Kur, me veprimet e tij, dëmton veprimtarinë e komisionit të vlerësimit dhe imazhin e institucionit përgjegjës për funksionimin e këtij komisioni.

7. Në rast vakance në pozicionin e anëtarit të komisionit të vlerësimit, ministri përgjegjës për sipërmarrjen njofton menjëherë institucionin përkatës për propozimin e anëtarit të ri.

Institucioni propozues duhet të zgjedhë dhe të komunikojë anëtarin e ri brenda 5 (pesë) ditëve nga njoftimi i ministrit.

Në rastin e vakancës së krijuar nga anëtari ekspert i ekosistemit, ministri përgjegjës për sipërmarrjen cakton anëtar të komisionit të vlerësimit fituesin e renditur i dyti, parashikuar në shkronjën “b”, të pikës 4, të këtij vendimi.

III. ORGANIZIMI I MBLEDHJEVE TË KOMISIONIT TË VLERËSIMIT

8. Komisioni i vlerësimit mblidhet jo më vonë se 5 (pesë) ditë pas mbylljes së thirrjes për aplikime nga start up-e dhe lehtësues të start up-eve.

9. Mbledhja e komisionit të vlerësimit është e vlefshme nëse në të janë të pranishëm të paktën 3 (tre) anëtarë.

10. Mbledhja e komisionit të vlerësimit drejtohet nga kryetari.

11. Vendimet merren me shumicë të anëtarëve të komisionit të vlerësimit të pranishëm në mbledhje. Në rastet kur rezultati i votimit është i barabartë, vota e kryetarit është vendimtare.

Procesverbali i mbledhjes u komunikohet të gjithë anëtarëve pjesëmarrës në mbledhje dhe nënshkruhet prej tyre.

12. Komisioni i vlerësimit ushtron detyrat e parashikuara në nenin 14, të ligjit nr.25/2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e start up-eve”, dhe në aktin nënligjor të miratuar në zbatim të pikës 3, të tij.

IV. KOMPETENCAT E KOMISIONIT TË VLERËSIMIT

13. Komisioni i vlerësimit ushtron këto detyra dhe kompetenca:

a) Shqyrton dhe vlerëson të gjitha aplikimet e mbërritura nga start up-et dhe lehtësuesit;
b) Kërkon informacione ose dokumentacion shtesë nga aplikantët, atëherë kur gjykohet e domosdoshme për vendimmarrjen, nëpërmjet njësisë përgjegjëse për menaxhimin e grantit, pranë ministrit përgjegjës për sipërmarrjen;
c) Plotëson raportin vlerësues për çdo aplikim dhe anëtarët e tij japin pikët individuale;
ç) Miraton nivelin e grantit për përfituesit start up ose lehtësues të start up-eve, bazuar në pikëzimin dhe vendimmarrjen e anëtarëve të komisionit të vlerësimit;
d) Merr në shqyrtim rastet problematike të aplikimit, me kërkesë të njësisë përgjegjëse pranë ministrit përgjegjës për sipërmarrjen.

V. MASA E SHPËRBLIMIT

14. Shpërblimi i kryetarit dhe i anëtarëve të komisionit të vlerësimit është në masën 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë për mbledhje, por jo më shumë se 12 (dymbëdhjetë) pagesa në vit.

15. Shpenzimet për shpërblimin e kryetarit dhe të anëtarëve vërtetohen kundrejt dokumentit të pjesëmarrjes në mbledhje.

VI. DISPOZITA TË FUNDIT

16. Ngarkohen institucionet e përmendura në pikën 3, të këtij vendimi, të caktojnë dhe të komunikojnë anëtarin e tyre pranë ministrit përgjegjës për sipërmarrjen, brenda 5 (pesë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

17. Funksionimi i komisionit të vlerësimit u nënshtrohet rregullave të parashikuara në legjislacionin për organet kolegjiale të administratës shtetërore për çështjet që nuk janë të rregulluara posaçërisht në këtë vendim.

18. Ngarkohen ministri përgjegjës për sipërmarrjen dhe institucionet e listuara në pikën 3 për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE TË HOLLËSISHME PËR PËRMBAJTJEN E REGJISTRIT TË STARTUP-EVE DHE LEHTËSUESVE, MËNYRËN E FUNKSIONIMIT DHE NDËRLIDHJEN E TIJ ME PORTALIN QEVERITAR “E-ALBANIA”, SI DHE PËR DOKUMENTET ELEKTRONIKE – PASAPORTA E STARTUP-EVE DHE PASAPORTA E LEHTËSUESVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5, të nenit 11, të ligjit nr.25, datë 31.3.2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve”, dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Krijimin e regjistrit të startup-eve dhe lehtësuesve për mbajtjen e të dhënave të startup-eve dhe të lehtësuesve të vetëdeklaruar për kërkuesit dhe përfituesit e granteve e të masave mbështetëse nga ministri përgjegjës për sipërmarrjen.

2. Regjistri i startup-eve dhe lehtësuesve, si bazë të dhënash, funksionon, administrohet dhe ndërvepron me bazat e tjera të të dhënave, në përputhje me rregullat e legjislacionit në fuqi për bazat e të dhënave shtetërore.

II. PËRMBAJTJA E REGJISTRIT

1. Të dhënat, që përmban regjistri i startup-eve, ndahen në të dhëna parësore dhe dytësore, si më poshtë vijon:

a) Të dhëna parësore për startup-et do të konsiderohen:

i. Numri unik i identifikimit;
ii. Emri i startup-it;
iii. Emri dhe mbiemri i sipërmarrësit;
iv. Numri i pjesëtarëve të startup-it;
v. Fusha ku operon;
vi. Faza në të cilën ndodhet startup-i;
vii. Përshkrimi i startup-it.

b) Të dhëna dytësore për startup-et konsiderohen këto të dhëna:

i. Gjenealitetet e individit (për startup-et nisura nga individë);
ii. Të dhënat e regjistrit tregtar për datën e regjistrimit të subjektit, emrin e subjektit/shoqërisë tregtare, numrin unik të identifikimit të subjektit, llojin e shoqërisë tregtare (formën e organizimit të saj), fushën e veprimtarisë dhe misionin e tij/saj, statusin e tij për startup-et e nisura nga shoqëri tregtare apo persona fizikë tregtarë;
iii. Kontakte.

2. Të dhënat, që përmban regjistri i lehtësuesve të startup-eve, ndahen në të dhëna parësore dhe dytësore, si më poshtë vijon:

a) Të dhënat parësore për lehtësuesit konsiderohen:

i. Numri unik i identifikimit;
ii. Emri i lehtësuesit;
iii. Të dhënat e përfaqësuesit ligjor;
iv. Data e themelimit;
v. Fusha e veprimtarisë;
vi. Kontakte.

b) Të dhëna dytësore për lehtësuesit konsiderohen, si më poshtë vijon:

i. Gjenealitetet e përfaqësuesit ligjor;
ii. Të dhënat e regjistrit të organizatave jofitimprurëse/subjektit tregtar/lehtësuesve, data e regjistrimit të organizatës/subjektit, emri i organizatës/subjektit, forma e organizimit të saj/tij, fusha e veprimtarisë dhe misioni i saj/tij, statusi i saj/tij;
iii. Selia/vendndodhja;
iv. Të dhënat e identifikimit të themeluesve;
v. Përshkrimi i shërbimeve që ofron.

III. NDËRLIDHJA ME BAZËN E TË DHËNAVE

1. Mbrojtja dhe përpunimi i të dhënave të grumbulluara bazohet në:

a) parimin e ndershmërisë, të drejtësisë dhe të ligjshmërisë;
b) grumbullimin për qëllime specifike, të përcaktuara qartë dhe në përputhje me këto qëllime;
c) saktësinë nga ana faktike dhe, kur është e nevojshme, përditësimin e kryerjen e çdo veprimi për të siguruar që të dhënat e pasakta të ndryshohen ose të rregullohen;
ç) garantimin e masave teknike dhe organizative të përshtatshme për të mbrojtur të dhënat personale nga shkatërrime të paligjshme, humbje aksidentale, për të mbrojtur aksesin ose përhapjen nga persona të paautorizuar, veçanërisht kur përpunimi i të dhënave bëhet në rrjet, si dhe nga çdo formë tjetër e paligjshme përpunimi;
d) kryerjen e çdo veprimi në sistem lidhur me aksesin, ndryshimin, korrigjimin, përhapjen e të dhënave etj., duke lënë gjurmë me qëllim garantimin e sigurisë dhe konfidencialitetin e të dhënave.

2. Të dhënat e mbledhura nga regjistri mund të përdoren për kërkime shkencore e statistikore, analiza, vlerësime apo projekte të ndryshme, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

3. Të dhënat e regjistrit përditësohen periodikisht nga struktura përgjegjëse, sa herë është e nevojshme, apo ka ndryshime të këtyre të dhënave.

4. Përdoruesit e bazës së të dhënave janë të përcaktuar në 4 nivele:

a) Lexues;
b) Redaktues;
c) Administrator;
ç) Auditues.

5. Subjektet e interesuara për bazën e të dhënave do t’i nënshtrohen nivelit të aksesimit si lexues, sipas ndarjes në shkronjën “a”, të pikës 4, të këtij kreu. Rolet e “redaktuesit”, “administratorit” dhe “audituesit”, ushtrohen nga struktura përgjegjëse pranë ministrit përgjegjës për sipërmarrjen, në përputhje me manualin e përdorimit të regjistrit që miratohet, sipas pikës 1, të kreut V, të këtij vendimi.

6. Struktura përgjegjëse pranë ministrit përgjegjës për sipërmarrjen do të jetë dhënësi i informacionit për subjektet e interesuara, në pikën 5, të këtij kreu.

7. Baza e të dhënave të regjistrit të startup-eve dhe lehtësuesve ndërvepron nëpërmjet shkëmbimit elektronik të të dhënave me:

a) bazën e të dhënave shtetërore të regjistrit tregtar;
b) bazën e të dhënave të regjistrit elektronik të organizatave jofitimprurëse/lehtësuesve;
c) bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile.

IV. DOKUMENTET ELEKTRONIKE

1. Dokumenti elektronik i pasaportës së startup-it gjenerohet nga portali qeveritar “e-Albania”, pas plotësimit të formularit të vetëdeklarimit dhe përmban të dhënat, si më poshtë vijon:

a) Numrin unik të identifikimit të startup-it;
b) Emrin e startup-it;
c) Numrin personal të startup-it, gjeneruar nga plotësimi i formularit të vetëdeklarimit në regjistrin e startup-eve;
ç) Vlefshmërinë.

2. Dokumenti elektronik i pasaportës së lehtësuesit gjenerohet nga portali qeveritar “e-Albania”, pas plotësimit të formularit të vetëdeklarimit dhe përmban të dhënat, si më poshtë vijon:

a) Numrin unik të identifikimit të lehtësuesit;
b) Emrin e lehtësuesit;
c) Numrin personal të lehtësuesit, gjeneruar nga plotësimi i formularit të vetëdeklarimit ne regjistrin e lehtësuesve;
ç) Vitin e krijimit.

V. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Ministri përgjegjës për sipërmarrjen është përgjegjës për menaxhimin e regjistrit dhe krijimin e manualit të përdorimit të regjistrit.

2. Ngarkohen ministri përgjegjës për sipërmarrjen dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE TË HOLLËSISHME PËR VEPRIMTARINË DHE MËNYRËN E OFRIMIT TË SHËRBIMIT START UP ONE-STOP-SHOP, SI DHE SHËRBIMEVE PËR TË CILAT APLIKOHET TARIFA ZERO PËR MBËSHTETJEN E START UP-EVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 9, shkronja “a”, e 12, pika 3, të ligjit nr.25/2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e start up-eve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Objekt i këtij vendimi është përcaktimi i rregullave të hollësishme për veprimtarinë dhe mënyrën e ofrimit të shërbimit start up one-stop-shop, pranë ministrit përgjegjës për sipërmarrjen, si dhe përcaktimi i shërbimeve për mbështetjen e start up-eve, për të cilat do të aplikohet tarifa zero.

2. Qëllimi i këtij vendimi është nxitja e zhvillimit dhe e rritjes së start up-eve përmes përcaktimit të rregullave për shërbimin start up one-stop-shop, si një mekanizëm për mbështetjen e tyre, në përputhje me parimin pa letër dhe tarifa zero në ofrimin e shërbimeve të përcaktuara në këtë vendim.

II. MËNYRA E OFRIMIT TË SHËRBIMIT START UP ONE-STOP-SHOP

3. Shërbimi start up one-stop-shop ofrohet pranë ministrit përgjegjës për sipërmarrjen dhe në bashkëpunim me institucione të tjera publike, si më poshtë vijon:

a) Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB);
b) Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA);
c) Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI);
ç) Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI);
d) Drejtoria e të Drejtave të Autorit pranë Ministrisë së Kulturës;
dh) Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA);
e) Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore;
ë) Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve;
f) Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.

4. Struktura përgjegjëse për ofrimin e shërbimit start up one-stop-shop pranë ministrit përgjegjës për sipërmarrjen bashkëpunon me institucionet publike të përmendura në pikën 3, të këtij vendimi. Për ofrimin e shërbimit start up one-stop-shop ndiqet procedura, si më poshtë vijon:

a) Struktura përgjegjëse për ofrimin e shërbimit start up one-stop-shop u përgjigjet nevojave të start up-eve për shërbime dhe informacion bazuar në parimin “pa letër dhe tarifa zero”, për shërbimet e përcaktuara në pikën 7, të këtij vendimi;
b) Struktura përgjegjëse për ofrimin e shërbimit start up one-stop-shop mban kontakte të vazhdueshme me institucionet për të asistuar start up-et për fushën e tyre të përgjegjësisë dhe kompetencave;
c) Start up-i dhe kërkesa e tij asistohet e ndiqet nga struktura përgjegjëse për ofrimin e shërbimit start up one-stop-shop, deri në përmbushjen e saj nga institucionet, brenda fushës së përgjegjësisë dhe kompetencave të tyre;
ç) Struktura përgjegjëse për ofrimin e shërbimit start up one-stop-shop bashkëpunon me institucionet për ndërgjegjësimin e start up-eve, sipas fushës së përgjegjësisë dhe kompetencave të tyre;
d) Institucionet japin informacion sipas kërkesës së komisionit të vlerësimit për projektet aplikuese për përfitim nga granti për start up-et dhe lehtësuesit, për fushën e tyre të përgjegjësisë dhe kompetencave.

5. Struktura përgjegjëse për ofrimin e shërbimit start up one-stop-shop përgjigjet dhe informon për procedurën e kriteret e aplikimit në skemën e grantit, të parashikuar në nenin 14, të ligjit nr.25/2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e start up-eve”, dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.

6. Struktura përgjegjëse për ofrimin e shërbimit start up one-stop-shop monitoron periodikisht start up-et dhe lehtësuesit e start up-eve, që kanë përfituar masë mbështetëse nëpërmjet granteve, me qëllim verifikimin e përputhshmërisë së zbatimit të pikës 1, të nenit 15, të ligjit nr.25/ 2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e start up-eve”.

III. SHËRBIMET PËR TË CILAT APLIKOHET TARIFA ZERO

7. Shërbimet për të cilat aplikohet parimi i tarifës zero gjatë procesit të mbështetjes dhe zhvillimit të start up-eve të vetëdeklaruara në regjistrin e start up-eve janë, si më poshtë vijon:

a) Dhënie informacioni dhe këshillim për kuadrin ligjor rregullator në fuqi për start up-et dhe personat fizikë e juridikë;
b) Dhënie informacioni dhe këshillim për detyrimet lidhur me marrëdhëniet e punës, sigurinë dhe shëndetin në punë;
c) Dhënie informacioni dhe këshillim për detyrimin për regjistrimin në regjistrin tregtar, në përputhje me legjislacionin për tregtarët dhe shoqëritë tregtare;
ç) Dhënie informacioni dhe këshillim për detyrimet fiskale dhe detyrime të tjera që rrjedhin nga regjistrimi në regjistrin tregtar dhe atë të vetëdeklarimit si start up;
d) Vetëdeklarimi në regjistrin e start up-eve, të parashikuar në nenin 11, të ligjit nr.25/2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e start up-eve”;
dh) Dhënie informacioni dhe këshillim për regjistrimin dhe mbrojtjen e pronësisë intelektuale;
e) Dhënie informacioni dhe këshillim për investimet strategjike bazuar në legjislacionin në fuqi për investimet;
ë) Dhënie informacioni, këshillim dhe mundësi rrjetëzimi me investitorë të huaj, strategjikë, engjëj biznesi, fonde të mbledhura;
f) Dhënie informacioni, këshillim dhe gjetje partneritetesh, duke mundësuar kontaktet dhe lidhjen me rrjete ndërkombëtare për ndërmarrjet, start up-et dhe investitorët;
g) Mbështetje, informacion dhe këshillim për grantet, fondet dhe masat e tjera mbështetëse të vëna në dispozicion nga qeveria;
gj) Mbështetje, informacion dhe këshillim për grantet ose fondet e donatorëve të tjerë të huaj dhe vendas në Shqipëri.

8. Parimi i tarifës zero për shërbimet e përcaktuara në pikën 7, të këtij vendimi, aplikohet vetëm gjatë periudhës 24-mujore të inkubimit të përcaktuar në pikën 2, të nenit 10, të ligjit nr.25/ 2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e start up-eve”.

IV. DISPOZITA TË FUNDIT

9. Për sa nuk është parashikuar shprehimisht në këtë vendim dhe nuk bie në kundërshtim me të, zbatohen rregullat e përcaktuara me vendimin nr.867, datë 10.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e bashkëpunimit në institucionet e administratës shtetërore”, të ndryshuar.

10. Ngarkohen ministri përgjegjës për sipërmarrjen dhe institucionet e përmendura në pikën 3 për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E KËRKESAVE DHE KRITEREVE QË DUHET TË PLOTËSOJNË STARTUP-ET DHE LEHTËSUESIT E STARTUP-EVE, SI DHE MIRATIMIN E PROCEDURAVE DHE AFATEVE TË THIRRJES PËR PËRFITIMIN E GRANTEVE DHE MASAVE MBËSHTETËSE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 14, të ligjit nr.25, datë 31.3.2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Ky vendim ka si objekt përcaktimin e rregullave për mbështetjen me grant të startup-eve dhe lehtësuesve të startup-eve, të cilët zhvillojnë projekte inovative në fusha prioritare për zhvillimin e vendit, si:

a) Mbështetja e inovacionit në fusha prioritare për zhvillimin e vendit;
b) Mbështetja e iniciativave që kanë impakt pozitiv mjedisor;
c) Fuqizimi i rinisë;
ç) Fuqizimi i vajzave dhe grave sipërmarrëse;
d) Fuqizimi i përfshirjes sociale, diversiteti dhe impakti social;
dh) Prioritete të tjera, sipas urdhrit të ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.

2. Nga kjo mbështetje me grant mund të përfitojnë startup-et dhe lehtësuesit e startup-eve të vetëdeklaruar në regjistrin elektronik, sipas nenit 11, të ligjit nr.25, datë 31.3.2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve”.

3. Përfitimi i startup-eve ose lehtësuesve të startup-eve nga mbështetja e programeve apo projekteve nga donatorët apo institucione financiare kombëtare dhe ndërkombëtare për mbulimin e shpenzimeve të projektit, të cilat janë kontribut i vetë kërkuesit dhe nuk mbulohen nga ky grant, nuk përbën pengesë për përfitimin e grantit, për të njëjtin projekt.

II. KËRKESAT DHE KRITERET PËR PËRFITIMIN E GRANTIT

1. Përfitojnë mbështetje me grant startup-t, sipas klasifikimit të mëposhtëm:

a) Startup-et në fazën fillestare;
b) Startup-et në fazën e rritjes;
c) Startup-et në fazën e zgjerimit.

2. Mbështeten me grant startup-et që plotësojnë kriteret e mëposhtme:

a) Startup-et në fazën fillestare, që kanë përfunduar ose janë duke ndjekur një program inkubimi/përshpejtimi;
b) Startup-et në fazën e rritjes, që janë të regjistruar në regjistrin tregtar nga 0-1 vit;
c) Startup-et në fazën e zgjerimit, që janë të regjistruar në regjistrin tregtar nga 1-5 vite.

3. Aktivitetet e lejuara në projektet e startup-eve, që do të përfitojnë mbështetjen me grant ,përfshijnë, si më poshtë vijon:

a) Pjesëmarrje në aktivitete, konkurse, panaire ndërkombëtare;
b) Pjesëmarrje në programe ndërkombëtare inkubimi deri në 3 (tre) muaj;
c) Rritje aftësish/kapacitetesh teknike;
ç) Blerje makinerie dhe/ose pajisjeje pune;
d) Zhvillimi i tregtisë elektronike dhe/ose software;
dh) Patenta dhe licenca;
e) Lëndë e parë dhe ambalazhim/etiketim produkti.

4. Përfitojnë mbështetje me grant lehtësuesit e startup-eve, sipas klasifikimit të mëposhtëm:

a) Akademia, e cila përfshin universitetet publike dhe private;
b) Lehtësuesit, si inkubatorët dhe përshpejtuesit;
c) Hapësirat e punës, të cilat përfshijnë ofruesit e ambienteve dhe pajisjeve të punës;
ç) Bashkitë, përveç Bashkisë së Tiranës;
d) Organizuesit e eventeve;
dh) Arsimi parauniversitar, i cili përfshin shkollat e mesme dhe shkollat profesionale publike dhe private.

5. Mbështeten me grant lehtësuesit e startup-eve, që plotësojnë kriteret e mëposhtme:

a) Duhet të jenë persona fizikë ose juridikë të regjistruar, përfshirë dhe organizatat jofitimprurëse;
b) Kanë fushë kryesore të veprimtarisë së tyre trajnimin, këshillimin ose dhënien e mbështetjes, nëpërmjet formave të ndryshme në fushën e inovacionit dhe/ose të teknologjisë ose në fusha të ngjashme me to;
c) Duhet të kenë përvojë në ofrimin e shërbimeve për mbështetjen e startup-eve, të cilat mund të përfshijnë:

i. ofrimin e ambienteve dhe hapësirave të punës, duke mundësuar regjistrimin e selive ligjore dhe ushtrimin e veprimtarive të biznesit në favor të startup-eve;
ii. ofrimin e mjeteve dhe pajisjeve të punës, si dhe shërbimeve të biznesit, të tilla si, zyra, ambiente dhe pajisje pune, kancelari, shërbime interneti me bandë ultra të gjerë, furnizim me energji dhe ujë;
iii. administrimin ose drejtimin nga persona me kompetenca dhe përvojë në biznes dhe inovacion;
iv. marrëdhënie të rregullta me institucione të arsimit të lartë, qendra kërkimore-shkencore apo partnerë financiarë, që kryejnë aktivitete dhe projekte në lidhje me startup-et;
v. ofrimin e programeve të inkubimit dhe/ose përshpejtimit, duke ofruar mentorim dhe këshillim, për realizimin dhe zhvillimin e ideve të biznesit, trajnim nëpërmjet ekspertësh të kualifikuar.

6. Aktivitetet e lejuara në projektet e lehtësuesve të startup-eve, që do të përfitojnë mbështetjen me grant, përfshijnë, si më poshtë vijon:

a) Infrastrukturë për krijimin e ambienteve dhe programeve të inkubatorëve;
b) Rritje kapacitetesh për stafin e universiteteve;
c) Hapësirë e përbashkët pune, e mbyllur me sistem rezervimi on-line;
ç) Konkurse kombëtare për startup-et (të përshkallëzuar nga kombëtarë në ndërkombëtarë);
d) Evente trajnimi/ndërgjegjësimi për startup-et me shtrirje kombëtare, në bashkëpunim me të paktën një partner ndërkombëtar;
dh) Shërbime mbështetëse, ekspertizë, shkëmbim njohurish për startup-et nga ekspertë ndërkombëtarë;
e) Evente ndërkombëtare në hapësirën e përbashkët të punës, me një audiencë me më shumë se 100 (njëqind) persona;
f) Akademi inovacioni për të rinjtë dhe bizneset (njohjen me teknikat e projektimit, gjenerimit të idesë, teknologjitë e reja dhe aplikimin e tyre në biznes).

III. PROCEDURAT DHE AFATET PËR PËRFITIMIN E GRANTIT

1. Kërkesa për mbështetje me grant do të kryhet on-line, nëpërmjet faqes dhe adresës elektronike të ministrisë përgjegjëse për sipërmarrjen.

2. Kërkesat i nënshtrohen procesit të vlerësimit nga ana e komisionit të vlerësimit, siç parashikohet në pikën 4, të nenit 14, të ligjit nr.25, datë 31.3.2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve”.

3. Miratimi i dhënies së grantit merret me vendim të Këshillit të Ministrave, pas propozimit nga ana e ministrit përgjegjës për sipërmarrjen të vendimit të komisionit të vlerësimit, bazuar në pikën 7, të nenit 14, të ligjit nr.25, datë 31.3.2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve”.

4. Projektet e shpallura fituese duhet të zbatohen në një afat maksimal 5 (pesë)-mujor nga data e nënshkrimit të marrëveshjes së fitimit të grantit, midis përfituesit dhe ministrit përgjegjës për sipërmarrjen.

5. Disbursimi i grantit për projektet e shpallura fituese bëhet deri në 3 këste, pas përfundimit të periudhës së mbylljes së çdo faze të projektit, kundrejt dorëzimit të faturës/ave të shpenzimeve të kryera dhe dokumentacionit të kërkuar, sipas procedurave dhe kritereve të përcaktuara në “Rregulloren e funksionimit grantit”.

IV. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Në ushtrimin e detyrave, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, dhe të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.25, datë 31.3.2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve”, ministri përgjegjës për sipërmarrjen mbështetet nga sekretariati teknik i Këshillit Ekonomik Kombëtar.

2. Ngarkohen ministri përgjegjës për sipërmarrjen dhe sekretariati teknik i Këshillit Ekonomik Kombëtar për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0