Shkollat pas pandemisë së Covid-19: nga një kulturë të mësuari në një kulturë të nxëni - Business Magazine Albania

Shkollat pas pandemisë së Covid-19: nga një kulturë të mësuari në një kulturë të nxëni

Evis Plaku*- Përpara se sa pandemia e Covid-19 të ndërpriste rrjedhën e zakonshme të jetës dhe t’i detyronte nxënësit të mësonin nga shtëpia, dita e parë e shkollës ishte një ritual i veçantë për cilindo shënjonte fillimin e një udhëtimi sa të gjatë aq edhe sistematik, që ndiqte të njëjtën formë dhe ritëm brez pas brezi. Nga kopshti, deri në klasën e 12, e më tej në Universitet, klasa, pavarësisht vendndodhjes fizike, është një mjedis i ngjashëm ku mësuesi zhvillon leksionet e tij deri në përfundim të orës mësimore. Në mënyrë periodike dhe të përcaktuar, mësuesi pas një cikli mësimesh, harton teste, i korrigjon ato dhe nxjerr rezultate të cilat gëzojnë, zhgënjejnë, surprizojnë nxënësit, apo prindërit e tyre.

Kjo metodologji standarde e mësimdhënies, ku e njëjta masë u përshtatet të gjithëve, ka ekzistuar për dhjetëra apo disa qindra vite. Tani, megjithatë, ndryshimet e pësuara janë rrënjësore, dhe jo vetëm për shkak të Covid-19. Metodat alternative të mësimdhënies, të implementuara kryesisht për shkak të pandemisë, tregojnë se përdorimi i duhur i teknologjisë është një potencial i lartë për të transformuar mënyrën se si mësojmë dhe se si nxëmë. Kjo nxitje për ndryshim të metodave tradicionale të mësimdhënies ka nisur, megjithatë, përpara pandemisë dhe do të vazhdojë edhe pas saj.

Të rimendojmë procesin e të nxënit

Ndërsa masat shtrënguese fillojnë të zbuten dhe shkollat planifikojnë të rifillojnë mësimin, është tejet e rëndësishme të marrim kohën e duhur për të rimodeluar të ardhmen e procesit të edukimit. Fëmijët që tani nisin vitin shkollor, do të rriten për të qenë punonjës, apo drejtues, në një botë kryesisht digjitale që detyrimisht kërkon aftësi të reja dhe mënyra të reja të menduari. Për të pasur sukses në punë, apo më gjerë, ata do të kenë nevojë për mbështetje sociale, emocionale dhe akademike të cilën mund t’a marrin përmes eksperiencave fleksible të mësimdhënies / të të nxënit të cilat do të ndryshojnë rrënjësisht nga ato të prindërve të tyre.

Tre shtyllat kryesore të edukimit tradicional, pra të lexuarit, të shkruarit dhe matematika do të duhet detyrimisht të bashkë-shoqërohen nga një tjetër përbërës po aq i rëndësishëm: të menduarit. Teknologjitë inovative ofrojnë mundësi të cilat nuk kanë ekzistuar më parë për të transformuar praktikat, strukturat, madje edhe kulturat e mësimdhënies në shkollë. Teknologjia, edhe pse ka ndryshuar rrënjësisht shumë aspekte të jetës, nuk ka ndikuar sa dhe si duhet në strukturën e mësimdhënies. Ajo ka potencialin për të zhvilluar njohuri dhe aftësi të reja, ndaj duhet menduar seriozisht se si mund të përdoret për të rikonceptuar procesin e edukimit.

Institucionet publike përgjegjëse, institucionet arsimore, nxënësit, prindërit, punëdhënësit duhet të zhvendosen nga një kulturë e të mësuarit në një kulturë të të nxënit. Shkollat e dominuara nga mësuesit veprojnë të orientuara në mënyrë hierarkike ku kryesisht ka një shpërndarës të njohurisë (mësuesi) dhe dhjetra përfitues të saj (nxënësit). Mësimi i fokusuar në të nxënit është horizontal, ndërveprues, i integruar dhe direkt. Ai përfitohet kryesisht përmes mësimit, studimit dhe veçanërisht eksperiencës personale. Të dhëna në kohë reale, teknologji inovative të mbështetura në inteligjencën artificiale, një gamë e gjerë mjetesh teknologjike në dispozicion duhet të përdoren për të transformuar rolin e mësuesit, nxënësve dhe prindërve Nxënësit duhet të fuqizohen për të mësuar në mënyrë të pavarur në mjedise fleksibël, bashkëpunues, brenda dhe jashtë strukturës shkollore, përmes një ritmi të përshtatshëm për ta. Nxënësit duhet të jenë në gjendje të ndjekin në mënyrë të dedikuar lëndët e tyre dhe të sfidohen vazhdimisht përgjatë procesit të të nxënit. Mësimi, nuk është i tillë, nëse nuk është i vështirë.

Mësuesit duhet të kenë akses në të dhëna të individualizuara , në kohë reale, për të identifikuar progresin e secilit nxënës: në aspektin akademik, por edhe social dhe emocional – me qëllim që të mund të ndërmarrim veprime specifike për të mbështetur, sfiduar dhe ndihmuar secilin nxënës për të ecur përpara. Prindërit duhet të jenë më të ndërlidhur dhe më të përfshirë në procesin e edukimit të fëmijëve, e për këtë qëllim duhet të kenë informacion të plotë, të detajuar, të sigurtë dhe konfidencial. Klasa tradicionale duhet të transformohet gradualisht në laboratorë të dijes dhe të të nxënit.

Në dekadat e fundit, fokusi kryesor i mësimdhënies është mbështetur brenda katër mureve të shkollës. Këto modele janë tashmë të vjetruar. Shkollat duhet të ndërtojnë themele të reja ku mjediset janë gjithëpërfshirës, të aftë për t’u përshtatur, të orientuar nga të dhënat, të pakufizuar nga ndërtesat fizike dhe që nxisin procese të nxëni interaktive. Nuk jemi më të kufizuar nga distancat fizike, të cilat kërkojnë që rreth 30 nxënës të qëndrojnë gjithmonë pranë njeri-tjetrin, në të njëjtin mjedis, me një mësues që i drejton.

Përtej mureve të shkollës

Modeli tradicional duhet rimenduar. Fëmijët kanë nevojë për të pasur mjedise ku mund të lëvizin përgjatë procesit mësimor. Jo detyrimisht duhet të bëjnë të gjithë të njëjtën gjë në të njëjtën kohë. Teknologjia duhet të përdoret për të sjellë këtë ndryshim. Edhe pse roli tradicional i shkollës nuk mund të hidhet kurrsesi poshtë, pasi është një vend i sigurtë dhe efektiv për nxënësit, mësuesit dhe prindërit, ai duhet detyrimisht të rimodelohet për t’iu përgjigjur sfidave të epokës digjitale

Mësim i orientuar drejt nxënësit dhe të nxënit

Impakti kryesor i teknologjisë duhet të jetë “mësimi i personalizuar”, ku çdo student gëzon vëmendje individuale nga mësuesi, i cili ka akses në të dhënat e tij, progresin dhe problematikat që shfaq. Informacioni i plotë, i detajuar dhe individual mbi ecjen e çdo nxënësi mund dhe duhet të luajë një rol thelbësor në zhvillimin e tyre edukativ. Teknologjia mund të luajë rolin e mësuesve shtesë, duke ofruar akses në të dhëna të personalizuara për ecurinë e çdo nxënësi. Të dhënat në kohë reale, mund të transformojnë rrënjësisht rrjedhën ciklike të “leksioneve dhe testeve”.

Testimi është në thelb një fotografi e dijeve të nxënësit në një çast të caktuar. E megjithatë, sa herë që testimi konstaton problematika, mund të jetë shumë vonë për t’i përmirësuar ato. Në të kundërt, në rast të të dhënave të plota, në kohë reale, për progresin e secilit nxënës, mësuesi do të kishte mundësinë të adresonte problematikat sapo ato shfaqen. Nxënësi gjithashtu do të mund të vetë-korrigjonte gabimet e tij.

Mësuesit duhet të mësojnë bashkë me nxënësit

Mësuesi nuk duhet të jetë vetëm shpërndarës i dijes. Ky model është tashmë i vjetruar. Përkundrazi, ai duhet të jetë shembull që tregon se si mund të mësohet. Mësuesi duhet të mësojë bashkë me nxënësit. Nuk mund dhe nuk duhet të dijë gjithçka, por duhet të dijë të tregojë se si mund të mësosh njohuri apo aftësi të panjohura më parë. Pra, duhet të dijë të frymëzojë nxënësit për një jetë të gjatë ku duhet të nxënë në çdo kohë. Ky ndryshim thelbësor i metodologjisë së të mësuarit dhe të nxënit ka sfida të shumta për hartuesit e politikave dhe implementuesit e tyre, për mësuesit dhe për vetë nxënësit. Aftësia për t’u përshtatur, për të përdorur teknologjitë inovative dhe për të ndryshuar do të jetë thelbësore për të formësuar brezin e ri.

Struktura fikse e klasave, apo orëve të mësimit 45 minutëshe, kufizuar brenda mureve të shkollës, lidhur ngushtësisht me një kurrikul të standardizuar, nuk është mënyra e duhur për të zgjeruar potencialin e çdo nxënësi. Kriza e shkaktuar nga pandemia e Covid-19, mund të përdoret për të stimuluar një proces të ri mësimdhënie, të fokusuar në të nxënit, të menduarit dhe inovacionin.

*Autori është pedagog i shkencave kompjuterike në Institutin Kanadez të Teknologjisë, i specializuar në Inteligjencë Artificiale dhe Robotikë

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0