Seria e trajnimeve të BERZH “Grow Your Consulting Business” është një paketë me kurse trajnuese të cilat i ofrohen komunitetit të konsulentëve me qëllim rritjen e kapaciteteve të tyre, zgjerimin e gamës së shërbimeve të ofruara si dhe aplikimin dhe zbatimin e praktikave më të mira ndërkombëtare të menaxhimit të projekteve si dhe vetë biznesit të konsulencës. Kjo paketë përfshin gjashtë kurse: Nisja e një biznesi konsulence, Bazat e konsulencës për menaxhim, Menaxhimi i një biznesi konsulence, Marketingu dhe shitja e shërbimeve të Konsulencës, Diagnostikim biznesi për konsulencë dhe Menaxhimi i projektit të konsulencës.
Kjo seri trajnimesh prek një diapazon të gjerë të aspekteve të profesionit të konsulentit duke filluar nga diagnostikimi se çfarë i nevojitet një biznesi deri tek zotërimi aftësive për përgatitjen e një propozimi fitues drejt një klienti potencial. Trajnimet janë konceptuar për të rritur aftësitë që i nevojiten konsulentëve për të filluar, t’u zhvilluar profesionalisht dhe krijuar një biznes konsulence fitimprurës.
2. Kush mund të marrë pjesë në këtë trajnim? Cilat janë përfitimet kryesore që do të kenë pjesëmarrësit?
Seria e trajnimeve “Rrisni Biznesin tuaj të Konsulencës” janë konceptuar të jenë gjithëpërfshirëse me qëllimin për të ndihmuar konsulentë të cilët ndodhen në faza të ndryshme të zhvillimit të karrierës së tyre. Cilido qoftë niveli i përvojës dhe ekspertizës së një konsulenti, kurset trajnuese ofrojnë instrumentat më të mirë të këshillimit për t’i ndihmuar që të progresojnë profesionalisht dhe të krijojnë një biznes konsulence të qëndrueshëm. Pra, nëse një ekspert kërkon të zgjeroje njohuritë për t’u bërë një konsulent profesional, apo një konsulent i ri që kërkon të zhvillojë me tej aftësitë e tij, të mësojë rreth specializimeve të reja, ose një administrator i një biznesi konsulence që kërkon të përmirësojë modelin e drejtimit të biznesit të tij të konsulencës, të gjithë kanë mundësinë të zgjedhin trajnimin e dëshiruar. Konsulentët janë të lirë të zgjedhin kursin që i përshtatet më mirë dhe të marrin pjesë në më shumë se një të tillë. Falë mbështetjes së donatoreve tanë, kurset ofrohen duke aplikuar një tarifë të reduktuar për pjesëmarrje.
3. Kush janë trajnerë të trajnimeve? Në çfarë formati mbahen kurset?
Trajnerët selektohen nga ekipi ynë në Londër nëpërmjet një proçesi shumë konukurues dhe përzgjedhës. Ky proçes është i hapur dhe transparent ku një numër i madh aplikuesish nga vende të ndryshme shprehin interesin e tyre për të qenë pjesë e serisë së trajnimeve. Selektimi i trajnerëve realizohet në disa faza të cilat përfshijnë dhe intervistimin direkt të kandidatëve. Kriteret kryesore të përzgjedhjes lidhen me eksperiencën në organizimin e trajnimeve për SME si dhe për konsulentë, si dhe referencave për projekte të ngjashme të implementuara në të kaluarën.
4. Ky trajnim është pjesë e një pakete prej 6 kursesh për të zhvilluar një biznes konsulence. A janë ofruar kurset e tjera apo priten të jepen në të ardhmen?
Kurset e kësaj pakete trajnimesh kanë filluar të ofrohen për komunitetin e konsulentëve në Shqipëri që në vitin 2014. Te gjitha trajnimet janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me Albanian Consulting Network (ACN) e cila është shoqata e vetme në Shqipëri e cila përfaqëson interesat e kompanive të konsulencës. Që nga 2014 deri me sot, BERZH ka ofruar 5 nga gjashtë kurset e kësaj pakete duke filluar nga Bazat e konsulencës për menaxhim, Menaxhimi i një biznesi konsulence, Marketingu dhe shitja e shërbimeve të konsulencës, Diagnostikim biznesi për konsulencë dhe Menaxhimi i projektit të konsulencës. Ndërsa, tani në datat 26-27 Tetor 2016, ne do të organizojmë trajnimin “Nisja e një biznesi konsulence” (Starting a Consulting Business), financuar nga Bashkimi Evropian, me trajnere Janet P. Poot nga JPCorporate International BV, e cila do të na sjellë eksperiencën e saj jo vetëm në organizimin e trajnimeve të tilla por dhe se si ka krijuar kompaninë e saj të konsulencës.
5. Sa i njohin bizneset shqiptare shërbimet e konsulencës? Çfarë i ofrojnë këto shërbime biznesit shqiptar?
Këshilla për Bizneset e Vogla në Shqipëri i BERZH ndihmon bizneset e vogla dhe të mesme të marrin njohuritë e nevojshme për t’u zhvilluar, për t’u bërë më konkurruese dhe për t’u rritur, duke angazhuar këshilltarë lokalë dhe ndërkombëtarë të cilët mund të transformojnë bizneset e tyre. Këto njohuri, të cilat mbulojnë çështje që fillojnë nga menaxhimi i cilësisë deri tek strategjia, marketingu, eksportet, menaxhimi i burimeve njerëzore, efiçenca e energjisë e më tej, shërbejnë për të rritur konkurrueshmërinë e SME-ve, kapacitetin për inovacion dhe aftësinë për të përthithur e ndërrmarrë investime. BERZH ka mbi një dekadë që po operon me programet e këshillimit dedikuar SME-ve dhe gjatë kësaj periudhe ndërgjegjësimi mbi vlerën e shtuar që sjellin shërbimet e konsulencës në një kompani është rritur dhe bizneset janë më të prirura të orientohen drejt shërbimeve profesionale të konsulencës.
6. Si BERZH mbështet shërbimet e konsulencës për mbarëvajtjen e sipërmarrjeve shqiptare?
Mbështetja që ofrojmë është një model i cili ka garantuar sukses. Bizneset qofshin ato të vogla apo të mesme, që i përkasin fushave të ndryshme mund të kontaktojnë me zyrën tonë dhe të aplikojnë. Natyrisht ka disa kritere që duhen respektuar. Ne punojmë me kompani që operojnë në treg për të paktën dy vjet, që janë në pronësi shqiptare në aksione mazhoritare (+51%). Por, ajo që është më e rëndësishme ka të bëjë me faktin se ekipi ynë punon bashkë me kompaninë, identifikon nevojat dhe prioritetet e saj dhe më pas arrihet një marrëveshje për objektivat që do të arrihen përmes programit të konsulencës. Çdo projekt këshillimi përshtatet me fushën dhe me tipin e kompanisë dhe mesatarja e kohëzgjatjes është 3-4 muaj. Në këtë mënyrë arrihet që të bëhen ndërhyrje të shpejta dhe me rezultate konkrete dhe në kohën më të shkurtër të mundshme. Por, jo vetëm kaq. Programi ofron edhe për kompani më të mëdha (mbi 50 punëtorë) mbështetje me këshilltarë të huaj. Edhe në këtë rast stafi ynë kontakton një numër të madh kompanish që ne i konsiderojmë të pershtatshme për mbështetje, i identifikon, punon me to për të përcaktuar objektivat strategjikë, plane për investime dhe mbi bazën e sektorit ofrohet mbështetja nëpërmjet ekspertizës së huaj. Në këtë rast programi i këshillimit mund të zgjasë më tepër në kohë, rreth një vit apo një vit e gjysmë. Gjatë kësaj kohe këshilltari i huaj gjendet pranë kompanisë në periudha të ndryshme sipas programit të përcaktuar qartë dhe objektivave.
Natyrisht përveç mbështetjes për përmirësimin e aktivitetit të kompanisë, ne ndihmojmë që ajo të bëhet sa më e kreditueshme nga sistemi bankar, qoftë me financim direkt, qoftë me linjat që ka BERZH me bankat lokale apo me institucionet e mikrokredisë për të bërë të mundur që ato të rriten edhe përmes financimit.
Programi, po mbështet në mënyrë të veçantë edhe gratë në biznes. Bëhet fjalë për një paketë ku gërshetohet konsulenca me mjetet e financimit. Ne kemi filluar tashmë me këshillimin dhe financimin me linjën e kreditimit për biznese që menaxhohen nga gratë.
7. A do t’ia këshillonit të rinjve specializimin në fushën e konsulencës? Përveç pjesëmarrjes në këto kurse, çfarë do t’i këshillonit të rinjve për të thelluar njohuritë në këtë fushë të re për tregun shqiptar?
Konsulenca është një fushë mjaft interesante që tashmë ka marrë formën e një profesioni edhe në Shqipëri. Kuptohet që si çdo profesion ka vështirësitë, sfidat dhe motivacionet e veta. Duke qënë se është relativisht e re në tregun Shqiptar patjetër që ofron potenciale zhvillimi dhe mundësi për rritje. Si profesion veç njohurive të thella që kërkon duhet dhe eksperiencë e mjaftueshme për të nisur biznesin e konsulencës. Të rinjtë që aspirojnë këtë lloj profesioni duhet të mësojnë të analizojnë dhe diagnostikojnë problemet e biznesit dhe të japin zgjidhje përkatëse. Është mjaft e rëndësishme të jesh sa më konkret dhe praktik në ofrimin e zgjidhjeve të qëndrueshme për bizneset.
Nëse dëshironi trajnim për këtë mund të shikoni këtu.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.