Sejko takim me FMN dhe BB: Shqipëria po përballet me sfidat globale me stabilitet - Business Magazine Albania

Sejko takim me FMN dhe BB: Shqipëria po përballet me sfidat globale me stabilitet

~7 minuta lexim

Në datat 21 – 26 prill 2025, në Uashington, u zhvilluan Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB). Në këto mbledhje marrin pjesë ministrat e financave të vendeve anëtare, guvernatorë të bankave qendrore, drejtues të lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare, si dhe përfaqësues të botës akademike, biznesit dhe shoqërisë civile.

Në deklaratën për shtyp të Kryetarit të Komitetit Ndërkombëtar Monetar Financiar të FMN-së konstatohet se: “Ekonomia botërore ndodhet në një pikë kthese vendimtare. Pas disa viteve me shqetësime në rritje lidhur me tregtinë, presionet tregtare janë përshkallëzuar papritur, duke nxitur pasigurinë, paqëndrueshmërinë e tregut dhe rreziqet ndaj rritjes ekonomike dhe stabilitetit financiar. Rritja në afatshkurtër parashikohet të vijë duke u ngadalësuar, ndërkohë që dezinflacioni pritet të vazhdojë, por me një ritëm më të ngadaltë. Perspektiva ekonomike mbizotërohet nga intensifikimi i rreziqeve të kahut të poshtëm, në një kontekst tashmë sfidues, ku rritja ekonomike është e dobët dhe borxhi publik i lartë. Luftërat dhe konfliktet kanë sjellë pasoja të rënda ekonomike dhe njerëzore. Forcat shndërruese, të tilla si digjitalizimi/inteligjenca artificiale, ndryshimet demografike dhe tranzicionet klimatike kanë krijuar mundësi të reja, por edhe sfida.

Banka e Shqipërisë u përfaqësua në këto takime me një delegacion të nivelit të lartë, të kryesuar nga Guvernatori, z. Gent Sejko.

Me këtë rast, Guvernatori Sejko zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitete të njohura të fushës financiare ndërkombëtare, ndër të cilët veçojmë: Drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN, z. Riccardo Ercoli; Drejtorin e Departamentit Evropian në FMN, z. Alfred Kammer; Asistentedrejtore e Departamentit Monetar dhe Tregjeve Kapitale, zj. Jennifer Elliott; Shefen e Misionit të FMN-së zj. Anke Weber, Zëvendëspresidenten për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore në BB, zj. Antonella Bassani; Drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë në BB, z. Matteo Bugamelli, Drejtoren Rajonale për Ballkanin Perëndimor në BB, zj. Xiaoqing Yu.

Gjatë këtyre takimeve u diskutuan zhvillimet më të fundit makroekonomike dhe financiare në Shqipëri, politikat makroekonomike, si dhe zhvillimet në sektorin financiar e atë bankar. Në fokus të bisedimeve ishin dhe qëndrueshmëria e rritjes ekonomike, kontrolli i inflacionit, konsolidimi fiskal, reformat strukturore dhe politikat monetare të ndjekura nga Banka e Shqipërisë.

Gjatë prezantimit të zhvillimeve ekonomike, Guvernatori Sejko theksoi stabilitetin makroekonomik të Shqipërisë, e cila vazhdon të konfirmojë rritjen ekonomike të qëndrueshme, të mbështetur nga kërkesa e fortë e brendshme dhe sektorët që po rriten, veçanërisht turizmi dhe konsumi privat.

Guvernatori nënvizoi përmirësimin e ndjeshëm të shëndetit financiar të sektorit bankar, duke vënë në dukje se bankat mbeten të mirëkapitalizuara, likuide dhe fitimprurëse, me një nivel të ulët të kredive me probleme. Sipas të dhënave, trendet pozitive në performancën financiare dhe zgjerimi i kreditimit dëshmojnë për besimin në sistemin financiar dhe në aftësinë e tij për të mbështetur rritjen ekonomike të qëndrueshme.

Në lidhje me inflacionin, Shqipëria ka arritur të ketë një inflacion të ulët si rezultat i politikave të qëndrueshme monetare të ndjekura nga Banka e Shqipërisë dhe përmirësimit të kushteve financiare. Aktualisht, inflacioni në vendin tonë është më i ulët krahasuar me vendet e rajonit dhe ato të Bashkimit Evropian.

Në lidhje me perspektivat e ardhshme, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e reformave strukturore, si një mundësi kyçe për përparimin e Shqipërisë. U vu theksi veçanërisht te nevoja për të forcuar transparencën, për të reduktuar nivelin e informalitetit në ekonomi dhe për të përgatitur vendin për fazat e ardhshme të integrimit në Bashkimin Evropian.

Guvernatori vlerësoi mbështetjen dhe angazhimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në  zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Shqipërisë dhe rikonfirmoi gatishmërinë e Bankës së Shqipërisë për të ruajtur stabilitetin financiar të vendit dhe për të adresuar sfidat e mundshme në të ardhmen.

Vlerësimet e përgjithshme ishin pozitive, duke evidentuar se ekonomia shqiptare po ruan një trajektore të qëndrueshme me rritje vjetore prej 3.5% – 4%, inflacion të ulët rreth 2%, i cili pritet të kthehet në objektiv gjatë vitit 2026, borxh publik dhe të jashtëm në rënie, si dhe rezerva valutore në rritje.

Lexo edhe: Shqipëria humb terren në Rajon, produktet vendase po bëhen jokonkurruese

Gjithashtu gjatë takimeve u theksua performanca e mirë e sistemit bankar, i cili mbetet likuid, me tregues të shëndetshëm financiarë dhe me një nivel të ulët të kredive me probleme (NPL), që ka rënë nga 25% në vitin 2014, në 4% në 2025. Sistemi bankar ka vijuar të mbështesë kreditimin e ekonomisë, me një kornizë rregullatore të përforcuar dhe përputhshmëri me standardet ndërkombëtare.

Përfaqësuesit e FMN-BB përgëzuan Bankën e Shqipërisë dhe autoritetet përkatëse për punën e shkëlqyer që çoi në anëtarësimin e suksesshëm të Shqipërisë në SEPA (Tregun Unik të Pagesave në Euro), si dhe ndjekjen e hapave të mëtejshëm për zbatim e standardeve të SEPA në praktikë dhe finalizimin me sukses të transaksioneve të para në tetor 2025. Ky sukses përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të integrimit financiar të vendit tonë me tregun evropian dhe hap perspektiva të reja për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e besimit ndërkombëtar ndaj Shqipërisë.

Shqipëria po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një histori suksesi në rajon, falë reformave ekonomike dhe politikave të kujdesshme të ndjekura nga autoritetet dhe Banka e Shqipërisë. Në një periudhë globale sfiduese, vendi ka treguar stabilitet makroekonomik, rritje të qëndrueshme dhe përmirësim të klimës së biznesit. Një ndër faktorët kyç të këtij suksesi ka qenë politika e kujdesshme monetare, e ndjekur me një qasje të balancuar nga Banka e Shqipërisë, e cila ka arritur të ruajë stabilitetin e çmimeve, duke mbështetur njëkohësisht rritjen ekonomike. Normat e interesit janë mbajtur në nivele që stimulojnë kreditimin, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e investimeve private dhe konsumit.

Në përfundim të takimeve, Guvernatori Sejko vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë dhe të vazhdueshëm me FMN-në dhe Bankën Botërore, duke nënvizuar rolin e tyre kyç në mbështetjen e reformave ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë.

Në kuadër të këtyre mbledhjeve, Guvernatori Sejko mori pjesë edhe në seancën plenare të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së, si dhe në Komitetin e Zhvillimit të BB-së.

Guvernatori Sejko ishte gjithashtu i ftuar në një mëngjes pune me ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore, të organizuar nga Drejtori i Departamentit Evropian pranë FMN-së, z. Alfred Kammer, gjatë të cilit ai prezantoi zhvillimet makroekonomike në Shqipëri, sektorët kryesorë të zhvillimit, si dhe potencialin që ajo paraqet për investitorët e huaj.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Rritja profesionale vjen nga sfidat që pranon, jo nga ato që shmangesh.”
— Sheryl Sandberg
Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0