Ka përfunduar me sukses finalja e Demo Day e programit RISE (Inkubatori Rajonal për Sipërmarrësit Socialë) me 14 Shkurt, një program rajonal për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe që zbatohet në Shqipëri nga Yunus Social Business Balkans. Aktiviteti u realzua në ambientet e Coolab, ku u shpallën 2 ekipe fituese, secili fitoi nga 2500 euro. Ato do të kenë edhe mundësinë për të vazhduar më tej me mbështetje të mëtejshme dhe rrjetëzim me kompani të ngjashme në Ballkan, pjesë të programi.
Programi RISE beson se të rinjtë e Ballkanit Perëndimor janë të talentuar, plot ide novatore dhe të etur për t’i arritur ato. Kjo është arsyeja pse duan të mbështesin idetë e biznesit social që do ta bëjnë rajonin një vend më të mirë. RISE fokusohet në bashkëpunimin, shkëmbimin e ideve dhe të mësuarit nga bashkëmoshatarët.
Sipërmarrja sociale është një mjet i shkëlqyer për të fuqizuar krijuesit e ndryshimeve dhe për t’i sjellë ata në veprim. RISE krijon një rrjet rajonal Risers, sipërmarrës të rinj socialë dhe i mbështet ata në realizimin e ideve të tyre. RISE mbështet krijuesit e rinj në zhvillimin e ideve të tyre me ndikim në biznese sociale të qëndrueshme. Programi mbështetës i personalizuar, RISE Journey, po zbatohet nga 6 inkubatorë lokalë nga vende të ndryshme të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Ai zhvillohet dhe monitorohet nga Konsorciumi i përbërë nga RYCO, GROUPE SOS Pulse, SEEYN, Institut français dhe Zyra Rinore Franko-Gjermane (FGYO), si dhe zbatohet nga ARNO, Balkan Green Foundation, Nesto Vise, Smart Kolektiv, IEC Tehnopolis dhe në Shqipëri nga Yunus Social Business Balkans.
DemoDay u drejtua nga organizatorët e programit për Shqipërinë, Z.Shkelzen Marku, Drejtor Menaxhues i YSB Balkans dhe Znj. Ardita Bonatti, Menaxhere Programi në RYCO.
Dy startup-et fituese që u përzgjodhën për të marrë secili nga një grant prej 2500 Euro, do të vazhdojnë fazën tjetër të inkubimit rajonal. Ato janë Real Escapers Albania dhe StarNuts Albania.
Ekipi i “StarNuts Albania” përbëhet nga tre të rinj, Musa Coha, Donada Rata dhe Mariglen Coha. Ideja konsiston në krijimin e një plantacioni lajthie, varietetin vendas, i cili do të prodhohet në zonën e Llixhës (fshati Shilbater), pjesë e Elbasanit dhe do të tregtohet në tregun lokal e më pas në atë kombëtar, kryesisht për njerëzit që duan të konsumojnë produkte natyrale.
Pas Covid 19, njerëzit kanë filluan të konsumojnë produkte të shëndetshme dhe sipas INSTAT më shumë se 80% e lajthive importohet, por këto produkte kanë cilësi të ulët. StarNuts Albania do të ofrojë produkte natyrale, jo të konsevuara, lajthi të plota dhe të qëruara.
Ndikimi social i StarNuts konsiston në punësimin e grave të fshatit, orientimin e tyre në investimin tek toka dhe lajthitë.
Ekipi i “Real Escapers Albania” përbëhet nga dy të rinj nga Vlora, Ornold Bazaj dhe Lekmir Shametaj.
Për shkak të disa mungesave në treg, shumë turistë të apasionuar pas natyrës dhe sporteve në natyrë nuk e gjejnë mundësinë për të mbushur kohën e qëndrimit në Vlorë. Real Escapers Albania sjell shërbime të reja si hiking, kayaking, vëzhgimin e shpendëve dhe kampingun, siguron një eksperiencë të re të lidhur ngushtë me identitetin tradicional të zonave.
Ndikimi social konsiston në ndihmën për familjet nga të cilat do të merret shërbimi i akomodimit, ushqimi dhe orientimi, duke sjellë për to të ardhura ekonomike. Promovimi i vlerave tradicionale, por edhe ruajtja e mjedisit për të mundësuar turizmin e qëndrueshëm.
Idetë e tjera janë “Travel with the stars”, një startup i iniciuar nga dy të rinjtë nga Librazhdi (Lytfi Alliu dhe Gëzimi Shuli). Ata operojnë në treg për gati një vit. Start-up-i konsiston në organizimin e tureve në Parkun Kombëtar të Shebenik-Jabllanicës me fokus kryesor organizimin e astroturizmit në këtë zonë. Sipas tyre astroturizmi është një mënyrë për t’u rilidhur me botën natyrore gjatë një kohe kur kalojmë pjesën më të madhe të ditës duke u ndërlidhur me teknologjinë. Është një shkëputje nga bota e zhurmshme dhe ajo virtuale dhe një mënyrë për t’u lidhur sërish me natyrën dhe inteligjencën e universit. Dëshira për të gjetur dhe humbur veten tonë.
“Dandelion Children’s Center”, një startup që konsiston në krijimin e një mjedisi mësimor për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara në të nxënë. Fëmijët e moshës 6 deri në 12 vjeç marrin ndihmë dhe trajtim për sfidat e tyre. Ekipi përbëhet nga punonjësja sociale Klodjana Prenci, psikologia Kristina Lleshi, dhe Egzontina Kamberi, mësuese. Qendra Dandelion përdor arsimin joformal dhe gjithëpërfshirës, siguron zhvillimin e aftësive të fëmijëve, vlerëson dhe trajton fëmijët me nevoja të veçanta, përmirëson jetën e prindërve të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe ndihmon prindërit në karrierë.
“TEO Trajnim dhe Punësim”, kjo ide konsiston në krijimin e një zyre punësimi dhe trajnimi professional, në qarkun e Gjirokastrës. Misioni i Teo është të ndihmojë të rinjtë, studentët dhe personat me aftësi të kufizuara për të përmirësuar të ardhurat e tyre. Vizioni është të krijimi i modeleve të reja dhe sjellja e një fryme të re pune. Pjesë e ekipit janë Ledjana Calleku dhe Arjela Dhuli.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.