Në edicionin më të fundit të Growpreneur, një nga startup-et më me përfitim ishte Stampisti, një platformë që ofron personalizim produktesh përmes një kombinimi të kreativitetit dhe teknologjisë. Ky sukses i papritur nuk është rezultat i rastësisë, por i punës së palodhur dhe dedikimit të themelueses, Elena Velaj, e cila së bashku me ekipin e saj ka sjellë një ide të re dhe inovative për tregun shqiptar dhe më gjerë.
Stampisti mori një ofertë për investim prej 20,000 €, mentorim dhe mbështetje strategjike nga Rezart Lahi, Kozma Seferaj dhe Grant Van Cleve.
Business Magazine pati mundësinë të bisedojë me Elena Velaj-n dhe Rezart Lahi-n, për të kuptuar më shumë rreth rrugëtimit të Stampisti dhe se si ky projekt mund të bëhet një histori suksesi edhe në nivel ndërkombëtar.
Lexo gjithashtu: Demo Day e Growpreneur dëshmon se startup-et shqiptare janë gati për tregun global
Për Stampisti-n, ky çmim përfaqëson më shumë sesa një mbështetje financiare. Është një moment kyç që konfirmon punën, dedikimin dhe guximin për të sjellë një ide të re në treg.
“Shumë të nderuar njëherë për të gjithë besimin dhe mundësinë që na është dhënë! E lexoj si shpërblim të gjithë punës që kam bërë gjatë këtyre muajve dhe dedikimit të ekipit ndaj kësaj ideje që po e zhvillojmë,” – tregon themeluesja e Stampisti-t.
Ideja e saj nisi si një mënyrë për të ofruar personalizim në produkte artizanale, por përgjatë fazave të Growpreneur, vizioni u zgjerua ndjeshëm.
Për çdo sipërmarrës, ka një pikë ku ideja duhet të përballet me realitetin. Për Stampisti-n, ky moment ishte prezantimi i produktit minimal të vlefshëm (MVP).
“Momenti kritik dhe i frytshëm njëkohësisht ka qenë dita kur duhet të paraqisnim MVP-në e idesë që kishim prezantuar në fillim. Aty ishte çasti vendimtar, për të ecur përpara ose për t’u tërhequr. Falë ekipit, Kristinës dhe Geivit veçanërisht, jemi këtu! E prezantuam, na vlerësuan dhe fituam.”
Pyetur për ndihmën më të nevojshme në këtë fazë, përfaqësuesja e startup-it thekson vlerën e kombinimit mes kapitalit dhe përvojës.
“Unë personalisht besoj që këshillat dhe rrjeti janë mundësia më e mirë që mund t’i vijë një start-up-i, në çfarëdo lloj faze që të jetë. Por normalisht që edhe kapitali është mbështetje që na ndihmon për të ecur përpara me idenë, për ta zhvilluar më tepër dhe për të rritur biznesin.”
Pjesëmarrja në Growpreneur solli edhe një nivel të ri përgjegjësie – besimi i një investitori të mirënjohur si Rezart Lahi dhe i rrjetit ndërkombëtar Keiretsu Forum.
“Shumë, po shumë të lumtur dhe të nderuar! Rezarti është një shembull për t’u ndjekur dhe besimi që ka vendosur tek ne dhe biznesi ynë do të thotë shumë! Pse jo, një ditë të kemi dhe ne suksesin e tij. Keiretsu Forum pastaj është një nivel tjetër mundësie mundësi e artë mund të them. Do e përdorim me shumë inteligjencë dhe mençuri këtë mundësi.”
Stampisti operon në një fushë ku ndërthuren kreativiteti dhe teknologjia. Si ia del ekipi të ruajë këtë ekuilibër?
“Unë mendoj dhe besoj që kreativiteti dhe logjika mund të shkojnë shumë mirë me njëra-tjetrën për të bërë një biznes të suksesshëm.”
Në përfundim, pyetur për hapin e radhës pas këtij suksesi të parë, Stampisti shpreh vendosmërinë për të shkuar më larg se ç’mund të imagjinohej më parë.
“Deri dje më dukej e paarritshme mbështetja që mund të të jepte dikush që kishte një biznes. Fakti që mora besimin e tre personave për të bërë të mundur një investim në biznesin tim, që mora një mundësi nga Keiretsu Forum dhe isha e para për çmim nga investitorët, më kanë bërë të mendoj që gjithçka mund të arrihet me punë dhe përkushtim. Me diturinë dhe besimin e tyre, do të arrijmë të përmirësojmë produktin që kemi krijuar dhe ta çojmë përpara. Hapi i radhës… mbetet për t’u parë ;)”
Tek Stampisti, nuk ishte thjesht teknologjia apo tregu që tërhiqte vëmendjen, por prezenca e themelueses dhe mënyra si e transmetonte pasionin për projektin e saj. Ajo çfarë i tërhoqi më shumë vëmendjen Rezart Lahit ishte potenciali i zhvillimit të kësaj ideje në një platformë shumë më të madhe.
Sipas tij, Stampisti nuk është vetëm një ide interesante, por një nismë që mund të zgjerohet shumë, duke u kthyer në një marketplace për të gjithë krijuesit që prodhojnë dizajne dhe për punishtet që merren me procesin e stampimit.
“Në tregun lokal ka disa alternativa, por nëse investimet, mentorimi dhe lidhjet fokusohen tek një platformë që i bashkon të gjitha palët, atëherë bëhet më e lehtë që për çdo dhuratë apo personalizim, të ketë një adresë të përbashkët në rajon,” – thotë Rezarti.
Për ta shndërruar këtë projekt në një histori suksesi globale, ai thekson se më parë duhet të ndërtohet një bazë e fortë në tregun vendas. Sipas tij, shumë startup-e nxitohen të dalin jashtë pa ndërtuar fillimisht një model funksional e fitimprurës në vendin e tyre.
“Zgjerimi ndërkombëtar duhet të vijë vetëm pasi kompania ka ndërtuar një metodologji të suksesshme dhe sisteme të forta operacionale,” – shpjegon ai.
Në aspektin praktik, Lahi sheh si hapa të rëndësishëm krijimin e lidhjeve me partnerë strategjikë për prodhimin dhe incentivimin e dizenjuesve përmes përqindjeve mbi shitje. Ai sugjeron që Stampisti të zgjerojë gamën e produkteve në qindra artikuj të personalizueshëm si telajo, çanta, këpucë, çadra, puzzle, etj., dhe të punojë me teknologji të ndryshme si UV printing, qepje, emboss, deboss apo gdhendje.
Për më tepër, ai sheh potencial në futjen e personalizimeve premium,nga çanta luksoze deri te xhaketa cilësore, duke i dhënë përdoruesve mundësinë të krijojnë brendet e tyre personale.
“Kjo është mënyra si një ide e thjeshtë mund të kthehet në një marketplace rajonal për industrinë e personalizimit,” – përfundon ai. “Por ideja është vetëm fillimi. Ekzekutimi është ajo që bën diferencën dhe kërkon një ekip të fuqishëm në marketing, shitje, partneritete dhe menaxhim financiar. Tani është momenti për të krijuar kompani të mëdha nga ide të thjeshta, por praktike.”
Por çfarë e bën një startup të spikasë në një Demo Day? Shkëlzen Marku nga Growpreneur, një nga figurat më me ndikim në mbështetjen e sipërmarrjes inovative në rajon, ndan 10 elementët kyç që mund të bëjnë diferencën mes një prezantimi të zakonshëm dhe një rasti real për investim. Me përvojën e tij në vlerësimin e dhjetëra projekteve premtuese, ai sjell një guidë praktike dhe të domosdoshme për çdo themelues startup-i që synon të tërheqë vëmendjen e investitorëve në një nga skenat më sfiduese, Demo Day.
1. Zgjidhje e qartë e një problemi real: Startup-i duhet të tregojë se ka një zgjidhje reale dhe të testuar (MVP ose produkt në treg) per nje problem real
2. Narrativë e fortë dhe prezantim bindës: Pitch-i duhet të ketë rrjedhë logjike dhe emocionuese.
3. Tregues të qartë të progresit (traksion): Të dhëna reale mbi përdoruesit, të ardhurat, bashkëpunimet, etj.
4. Model biznesi i qëndrueshëm dhe i kuptueshëm: Duhet të jetë i qartë si startup-i fiton para, plcilat jan planet e monetizimit dh kostot, dhe si mund të rritet.
5. Ekip i besueshëm dhe i kompletuar: Investitorët duan të shohin se ekipi ka kapacitete për të realizuar vizionin.
6. Potencial për rritje dhe shkallëzim (scalability): Të shpjegohet pse ky startup mund të zgjerohet përtej tregut lokal, avantazhet konkurruese duhet të theksohen qartë.
7. Kërkesë specifike dhe qartesi se do te përdoren fondeve qe kerkohen: Duhet të artikulohet qartë sa financim kërkohet dhe për çfarë do përdoret.
8. Pjesëmarrje aktive në sesionet e pyetjeve dhe përgjigjeve: Sipermarresit duhet të jenë të përgatitur për të dhënë përgjigje të qarta dhe të sakta. Kjo rrit besimin te investitorët dhe pjesëmarrësit.
9. Prezantim vizual i pastër dhe profesional: Slides të dizajnuara mirë, pa mbingarkesa. Video të shkurtra apo demo të produktit ndihmojnë për ta bërë prezantimin më të gjallë.
10. Mbresë e fortë dhe thirrje për veprim: Pitch-i duhet të mbyllet me një mesazh të fortë dhe thirrje të qartë për bashkëpunim, investim apo mbështetje.
Historia e Stampisti tregon se si një ide e thjeshtë, e lindur nga pasioni dhe kreativiteti, mund të bëhet një histori suksesi ndërkombëtare. Me mbështetje nga investitorë të njohur dhe mentorë të fuqishëm, ky startup shqiptar ka të gjitha mundësitë për të transformuar industrinë e personalizimit dhe për të sfiduar tregun global. Për më tepër, ky është vetëm fillimi, Stampisti është gati për të shkruar kapitujt më të mëdhenj të suksesit të tij.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.