"Rinora" - Startup-i shqiptar që po prodhon sfungjerë, të cilët synon t'i tregtojë në tregun global - Business Magazine Albania

“Rinora” – Startup-i shqiptar që po prodhon sfungjerë, të cilët synon t’i tregtojë në tregun global

Rinora

Rinora është një start-up që nisi si projekt në vitin 2020, pas një udhëtimi pune në Azi, ku Rakip Belishaku u njoh me sfungjerin luffa, një produkt ekologjik që ofronte një zgjidhje fantastike për lëkurën dhe një alternativë ekologjike ndaj sfungjerëve sintetikë. Kjo ide e nxiti Rakipin të mendonte për kultivimin komercial të luffës në Shqipëri. Pasi siguroi 1000 farat e para, ekipi i Rinoras filloi kultivimin në tre parcela të ndryshme me një sipërfaqe totale prej 4000 m2. Fillimi ishte sfidues, por pas një pune të palodhur, Rinora fitoi Konkursin e Ideve të Gjelbërta në nivel kombëtar dhe rajonal, gjë që mundësoi nxjerrjen e produkteve të para në treg.

Një nga arritjet më të mëdha të Rinoras është ngritja e një plantacioni të sfungjerit luffa në Shqipëri. Fibra e sfungjerit që prodhohet nga Rinora është ndër më të mirat në botë, si rezultat i kërkimit shkencor të kryer për përmirësimin gjenetik të bimës luffa, duke kryqëzuar varietete të ndryshme. Produktet finale të Rinoras janë tepër cilësore dhe higjenike, dhe kjo ka ndihmuar në krijimin e një brandi “Proudly Made in Albania,” i cili tashmë është pozicionuar në tregun vendas dhe po zgjerohet në tregjet ndërkombëtare.

Gjatë zhvillimit të Rinoras, sfidat teknike ishin të shumta. Duke qenë një bimë e re për Shqipërinë, mungesa e njohurive specifike për rritjen e saj krijoi pengesa fillestare. Me ndihmën e agronomëve dhe përpjekjeve të ekipit për të dizenjuar pajisje specifike për përpunimin e fibrës, Rinora arriti të kapërcejë këto sfida. Një tjetër sfidë ishte edukimi i konsumatorit për këtë produkt të ri, por marketingu digjital në rrjetet sociale ka luajtur një rol kyç në tejkalimin e kësaj sfide.

Lexo edhe:Hapen aplikimet për Circular City Labs – Shkodra

Në pesë vitet e ardhshme, Rinora synon të pozicionohet fuqishëm në tregun global, duke shtuar sipërfaqen e kultivuar përmes bashkëpunimit me fermerë të tjerë. Në Shqipëri, ndarja e tokës bujqësore në ngastra e bën të vështirë krijimin e fermave të mëdha, por Rinora ka një plan të qartë për të kapërcyer këtë sfidë dhe për të vazhduar zgjerimin e saj.

Një moment kyç në zhvillimin e Rinoras ka qenë bashkëpunimi me një kompani gjermane, për të cilën Rinora prodhon sfungjer luffa për brendin e tyre, duke rritur besimin në cilësinë e produkteve dhe hapur horizonte të reja për kompaninë. Objektivi afatgjatë i Rinoras është të krijojë kompaninë më të madhe në Evropë për prodhimin e sfungjerit bimor luffa dhe të jetë lider global në cilësinë e produkteve të kësaj kategorie. Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim është lançimi i produkteve të tyre në Amazon, që do të sjellë një njohje më të gjerë dhe një prani më të fortë në tregun global.

Rinora është një shembull frymëzues i asaj që mund të arrihet kur një ide inovative bashkohet me punë të palodhur dhe përkushtim. Me një vizion të qartë dhe një përkushtim ndaj cilësisë, Rinora është në rrugën e duhur për të ndryshuar industrinë e produkteve ekologjike në Shqipëri dhe më gjerë.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0