Nga Nini Mano
Respektimi i standardeve dhe investimi i përhershëm për të përmbushur kërkesat e bashkëpunëtorëve ndërkombëtarë e kanë bërë kompaninë “Rejsi Farma” që të jetë sot partnere e besueshme e firmave të mëdha botërore në tregun e prodhimit të produkteve farmaceutike.
Merita Sheqi, administratore e kompanisë, pohon fort, se: “Rejsi Farma” është bërë një markë e besueshme për shqiptarët dhe të huajt duke sjellë barna me standard të Bashkimit Europian, por edhe markat më të njohura farmaceutike ndërkombëtare”. Kontratat që kompania ka me marka të njohura ndërkombëtare kanë tërhequr vëmendjen e medias gjermane, duke e zgjedhur dhe duke e bërë të njohur për lexuesin gjerman kompaninë shqiptare “Rejsi Farma”.
Në një intervistë ekskluzive para pak kohe, për Rubrikën speciale “Albania Global FDI”, në gazetën e njohur gjermane “Die Welt”, drejtuesja e “Rejsi Farma”, Merita Sheqi, mes të tjerave tregon pozicionin që zë kompania në tregun shqiptar farmaceutik: “Vit pas viti, rritja e cilësisë e përsosmërisë së kompanisë, rriti vizionin e drejtueses së saj për investime, duke iu përmbajtur rregullave të Europës dhe për t’u ofruar shqiptarëve barna me cilësi si europianët”.
“Ne kemi investuar në një sistem administrimi të kompanisë farmaceutike, që në mënyrë të veçantë, na lejon të përqendrohemi te gjurmueshmëria. Kemi investuar në IT dhe automatizimin e sistemit tonë të shpërndarjes, që lejojnë kontrollin në shpërndarjen e barnave. Përveç përqendrimit në automatizim, sistemet informatike janë të ndërlikuara, ndaj për të operuar me këto standarde, kemi zbatuar modele moderne të trajnimit më të mirë të personelit.
Gjithashtu janë aplikuar sisteme të modernizuara të larta të monitorimit të temperaturës dhe zbulimit të zjarrit. Në përgjithësi, ‘Rejsi Farma’, jo vetëm është kompania farmaceutike më e madhe në Shqipëri me të gjitha standardet e aplikuara në BE, por ka kaluar me sukses të gjitha auditimet ndërkombëtare”, shpjegon Merita Sheqi.
Çdo vit, “Rejsi Farma” sipas objektivit që ka, kontrakton kompani të reja në tregun botëror për bashkëpunim, të cilat tërhiqen pikërisht nga performanca e saj në respektimin e standardeve rregullatore të BE-së. “Rejsi Farma” zbatoi që në nisje të aktivitetit standardet e cilësisë të BE-së, shumë kohë para se t’i kërkonte ligji shqiptar. Pikërisht përafrimi i procesit të punës me auditimin e brendshëm të tregut të BE-së, mbetet arma e fortë e garancisë, që “Rejsi Farma” ofron për kompanitë e huaja në bashkëpunime afatgjata.
Për këtë arsye, sot ajo shërben si shembull i përsosmërisë së korporatave në Shqipëri dhe si e para kompani, që ka respektuar standardet e BE-së, fillimisht në mënyrë vullnetare. Zbatimi i këtyre parimeve dhe partneriteti shumëvjeçar me partnerët e huaj i ka mundësuar kompanisë rritje të qëndrueshme vit pas viti.
Merita Sheqi ndihet krenare përballë sfidave, me të cilat u përball: “Ishte shumë e vështirë në fillim, sepse mjedisi rregullator dhe tregu ishin ndryshe. Por qëndrueshmëria jonë u shlye për shkak të performancës dhe respektimit të vazhdueshëm të standardeve të larta. Sot, emri ynë, jo vetëm që funksionon për ne, por konsiderohet një emër marke në Shqipëri. Farmacitë dhe pacientët i besojnë emrit tonë dhe jemi shumë krenarë për këtë”.
Lexo: COVAX, Shqipëria merr 141 mijë e 600 doza të AstraZeneca
Pjesë e standardeve është edhe transparenca, që nuk ka munguar në asnjë moment. Zgjerimi mesatar i sasive të shitura është luhatur në 5-10% dhe thuajse në të njëjtën tendencë, kanë ecuri edhe të ardhurat, me përjashtim të periudhës 2014-2015, kur çmimet ishin në rënie. Në vitin 2019, të ardhurat e “Rejsi Farma” arritën në nivelin më të lartë që nga nisja e aktivitetit, në 4 miliardë lekë.
Gjatë viteve 2014-2019 u rritën edhe shpenzimet operative, me synim kryesor, përmirësimin e cilësisë së shërbimit të kryer, duke sakrifikuar edhe fitimet e kompanisë. Ky objektiv pune pasqyrohet edhe te norma e fitimit (fitimi neto para taksave), e cila është luhatur në 4-5% vitet e fundit, nga 10% që ishte përpara vitit 2013.
Fake News: Keqinformim i mediave nga konkurrenca e pandershme
“Rejsi Farma”, kompania lider prej 23 vitesh në tregun e farmaceutikës në vend, së fundi ka hasur sulme të paprecedenta, të pabazuara nga disa portale mediatike, që kanë synuar të dëmtojnë reputacionin e kompanisë. Ndërsa kjo kompani nderon sot Shqipërinë (sepse funksionon si një “ambasadore e vërtetë” në arenën ndërkombëtare), është për të ardhur keq, që sulmohet një sipërmarrje model, që nuk ka bërë asnjëherë kompromis me cilësinë dhe sigurinë e barnave, që në nisje të aktivitetit, kur tregu jo vetëm që ishte i parregulluar, por ku kishte informalitet të lartë.
Sistemi i kontrollit të brendshëm që ka “Rejsi Farma” mundëson mirëqeverisje, sepse kompania standardizon zbatimin e rregullave dhe procedurave të sakta në çdo hap të aktivitetit dhe me miradministrimin e burimeve, ndihmojnë në arritjen e synimit final: ofrimin e shërbimeve dhe produkteve cilësore nëpërmjet një transparence maksimale. Në sajë të këtij sistemi, “Rejsi Farma” ka qenë gjithnjë korrekte në likuidimin e taksave dhe nuk ka pasur asnjëherë probleme gjatë kontrolleve tatimore.
Standardet e vendosura nga “Rejsi Farma” zbatohen në çdo hallkë të aktivitetit. Një pjesë e rëndësishme e punës lidhet me pjesëmarrjen në tenderët e Ministrisë së Shëndetësisë për produkte të ndryshme farmaceutike. “Rejsi Farma” ka marrë pjesë në garën e hapur zyrtarisht, duke konkurruar denjësisht me çmime dhe duke ofruar standardet dhe cilësinë e shërbimeve, që karakterizojnë që në nisje gjithë aktivitetin.
Drejtuesja e kompanisë, Merita Sheqi, shpjegon ecurinë e pjesëmarrjes në tenderët e zhvilluar gjatë vitit 2020:
“Vetëm në vitin 2020, ‘Rejsi Farma’ mori pjesë në 27 procedura prokurimi, si dhe në 3 të tjera, që i ka pasur si bashkim operatorësh. Në 14 prej këtyre procedurave kanë ofertuar disa operatorë ekonomikë. Në 13 prej procedurave, ‘Rejsi Farma’ ka qenë pjesëmarrës i vetëm, për faktin se barnat e kërkuara distribuohen në Shqipëri vetëm nga ‘Rejsi Farma’. Ky fakt nuk e bën këtë kompani shkelës të ligjit të prokurimit publik, siç është aluduar së fundmi në disa portale mediatike. Pjesa më e madhe e këtyre barnave, duke iu referuar Regjistrit të Barnave, janë regjistrime të vetme, që nënkupton se nuk ka kompani të tjera, të cilat i kanë këto barna në portofolat e tyre. Kjo është arsyeja e vetme që ‘Rejsi Farma’ ka qenë konkurruesi i vetëm.
Ndaj dhe si pasojë e mungesës së ofertuesve, boshllëkun e ka plotësuar pikërisht ‘Rejsi Farma’ dhe aspak prania e ndonjë monopoli artificial, sikurse aludohet në disa ‘Fake news’. Si rrjedhojë e çmimeve të ulëta të ofertuara dhe faktit që një pjesë e tenderëve kishin kërkesa specifike për produkte që i shpërndan vetëm ‘Rejsi Farma’, nga 30 procedura prokurimi (përfshirë dhe 3 ku kemi hyrë si bashkime operatorësh), në 18 prej tyre, kompania është shpallur fituese, duke përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara në DST (Dokumentet Standarde të Tenderit), si dhe duke ofruar çmime më të ulëta se konkurrentët.
Në 9 prej tyre, ‘Rejsi Farma’ është shpallur humbës, edhe pse i kemi përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara në DST, përveç kriterit të çmimit më të ulët të ofruar, pasi konkurrentët ofruan çmime më të ulëta se ne. Gjithashtu nuk kemi fituar as në 3 tenderët ku hymë si bashkim operatorësh”.
Në të gjithë tenderët, kompania nuk ka marrë asnjë njoftim/shkresë zyrtare nga MSH, apo ndonjë autoritet tjetër për shkelje të rregullave të prokurimit publik, apo shkelje të konkurrencës së drejtë. Të gjitha spekulimet se kompania ka fituar tenderë pa të drejtë, janë krejtësisht të pabaza. Kompania është e hapur ndaj cilitdo që është i interesuar, që t’i vërë në dispozicion të gjitha dokumentet e nevojshme, të cilat nuk do të provojnë veçse korrektesën maksimale të ndjekur nga stafi profesional i “Rejsi Farma” në çdo procedurë prokurimi.
Merita Sheqi shpjegon praktikat që ndiqen nga “Rejsi Farma” në pjesëmarrjet në tenderët publikë: “Tenderët nuk janë koncesione! Tenderët janë online, zhvillohen me garë, ku mund të marrë pjesë cilado kompani. Duke qenë aplikime online, edhe fituesi shpallet po online, ndaj nuk ka hapësira për asnjë lloj hapësire komprometimi. Për më tepër, pjesëmarrja në tenderë bëhet në bashkëpunim të plotë me partnerin brand global, i cili ka ‘zero tolerancë’ për korrupsione dhe audite shumë të rrepta. Edhe sikur ta lejonin diçka të tillë autoritetet tona, nuk do të na e lejonin kurrë partnerët tanë”.
“Një fushë për përmirësim është se ne do të duhet të rivlerësojmë çmimet farmaceutike në të ardhmen e afërt. Ne jemi të njohur për çmimet tona të ulëta. Sidoqoftë, kostoja e prodhimit ndryshon ndër vite, por ato ndryshime nuk reflektohen në çmime. Qeveria duhet të përshtatet dhe të jetë më fleksibël dhe ne duhet të bëjmë një vlerësim dhe referencë në shumë vende për të krahasuar çmimet. Kryesorja është që markat ndërkombëtare të mos e lënë tregun shqiptar, sepse çmimi nuk është konkurrues. Ne duam të sigurojmë jo vetëm që kompanitë të jenë të pranishme ne këtë treg, por që kompani të tjera të reja të vazhdojnë të vijnë. Qëllimi ynë është t’u japim qytetarëve shqiptarë të njëjtin akses si qytetarët e BE-së ndaj barnave cilësore”, shpjegon Merita Sheqi.
Drejtuesja e “Rejsi Farma” ndihet e lënduar nga sulme dashakeqe dhe të gënjeshtra, por aspak e thyer, ndaj kërkon, duke inkurajuar gjithë organet ligjzbatuese, të hetojnë kompaninë për çdo pikë që e akuzojnë pa të drejtë disa portale mediatike dhe shumë dashakqëse.
“Ne do të vazhdojmë të ushtrojmë aktivitetin siç kemi bërë gjithmonë, pa bërë asnjëherë kompromis për standardet e cilësisë dhe të transparencës dhe mbi të gjitha, duke mos rënë pre e spekulimeve të ndryshme, të nxitura nga kushdo me interesa të fshehta. Në asnjë moment, ‘Rejsi Farma’ nuk do të lejojë cenimin e integritetit të aksionerëve Merita Sheqi dhe Nexhat Sheqi. Për më tepër, edhe të dy fëmijëve të tyre, Rejdi dhe Nensi, të cilët, pas shkollimit në universitetet më të mira të Europës dhe Amerikës, zgjodhën të kthehen në atdhe, duke sjellë përvojën e tyre, por duke dhënë edhe një mesazh pozitiv, se e ardhmja e brezit të ri e ka vendin në atdhe”, thotë Merita Sheqi.
“Ne kemi qenë gjithmonë të orientuar drejt Europës dhe duhet vetëm të na jepet një shans për ta provuar atë”, shprehet gruaja, që përfaqëson një prej pak sipërmarrëse nga më të fuqishme të Shqipërisë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.