Nga Reid Hoffman – Bashkëthemelues i LinkedIn, Manas AI & Inflection AI; pjesë e ekipit themelues të PayPal; autor i “Superagency”; drejtues i podkasteve “Possible” dhe “Masters of Scale”
Kur flasim për inteligjencën artificiale, shpesh ndeshemi me dy emocione të forta që bashkëjetojnë tek njerëzit: frika dhe dyshimi. Frika se mos AI do të marrë vendet e punës, do të cenojë privatësinë apo do të shkaktojë gabime të rrezikshme. Dhe dyshimi se kjo teknologji nuk do të sjellë asnjë përmirësim real në jetën e tyre, se është një revolucion që po ndodh diku tjetër, për dikë tjetër. Reid Hoffman, bashkëthemelues i LinkedIn dhe një prej mendjeve më me ndikim në industrinë e teknologjisë, beson se ky skepticizëm do të zbehet vetëm kur njerëzit të fillojnë të shohin dhe të ndjejnë konkretisht përfitimet e një shoqërie të fuqizuar nga AI. Mirëpo, këto përfitime nuk vijnë vetvetiu. Ato kërkojnë teknologë që ndërtojnë mjete që e forcojnë shoqërinë dhe qevëi që nuk i bllokon, por i mundëson.
Lexo edhe: Ndalimi i telefonave në shkolla po ndryshon drastikisht sjelljen e nxënësve
Hoffman thekson se sot, në shumë shtete amerikane, ligjet reaksionare po ngadalësojnë një transformim që mund të reduktojë realisht vuajtjet njerëzore. Ai sjell shembullin e krizës së shëndetit mendor: miliona njerëz nuk e përballojnë dot terapinë, jo për shkak të mungesës së dëshirës, por për arsye të thjeshta ekonomike dhe logjistike. AI mund të jetë një ndihmë thelbësore në këtë drejtim. Një asistent i qetë dhe gjithmonë i gatshëm, i trajnuar për të udhëzuar përdoruesit në teknika të menaxhimit të ankthit, të çrregullimeve emocionale apo të sulmeve të panikut, mund të shërbejë si një mbështetje e vlefshme, jo si zëvendësim i terapistëve, por si mënyrë për të zgjeruar aksesin në kujdes.
Megjithatë, disa rregullime e ndalojnë përdorimin e këtyre mjeteve, duke e ngatërruar qëndrimin në vend me sigurinë. Për Hoffmann, koncepti i “AI safety” nuk duhet të reduktohet vetëm te shmangia e dëmit. Siguria e vërtetë nënkupton edhe mundësimin e ndihmës. Një qasje më inteligjente do të ishte ajo e certifikimit, jo ndalimit. Ashtu siç licencojmë mjekë, pilotë apo profesionistë të tjerë, edhe AI mund të vlerësohet sipas performancës. Nëse një sistem AI kryen më mirë se mesatarja e një profesionisti njerëzor në një detyrë të caktuar, atëherë duhet të lejohet për përdorim, gjithmonë me transparencë për përdoruesin.
Ky është modeli me të cilin kanë avancuar të gjitha fushat e tjera kritike, duke sjellë ndikim të jashtëzakonshëm për shoqërinë. Dhe ashtu si çdo teknologji që përmirësohet me përdorim, edhe AI bëhet më e saktë dhe më e dobishme sa më shumë të zbatohet në situata reale. Për këtë arsye, Hoffman argumenton se qeveritë nuk duhet të frenojnë transformimin, por ta udhëheqin atë në mënyrë të mençur. Shumë prej mjeteve që mund të sjellin të mira të menjëhershme, si një asistent mjekësor falas në çdo smartphone, i aftë të udhëheqë përdoruesit në situata të pasigurta kur mjeku nuk është i aksesueshëm, nuk janë rrezik, por një mekanizëm sigurie për miliona njerëz.
Qeverisja e mirë, thekson ai, nuk do të thotë të ngadalësosh gjithçka. Do të thotë të përdorësh njëkohësisht gazin dhe timonin: të mundësosh inovacionin dhe ta udhëzosh atë drejt sigurisë. Vetëm kështu krijohet besimi publik. Sepse besimi nuk ndërtohet me teori, por me përvoja reale. Në momentin kur dikush përjeton ndihmën konkrete që një mjet AI mund t’i sjellë atij apo dikujt të afërt, debati transformohet. Pyetja nuk është më: “A duhet ta ndalojmë?” Por: “Si mund të sigurohemi që kjo teknologji të funksionojë për të gjithë?”
Në vizionin e Hoffman, kjo është rruga drejt një shoqërie më të fortë, më të barabartë dhe më të aftë për të përballuar sfidat e së ardhmes. Dhe është një thirrje për qeveritë e botës që të mos jenë pengesa, por partnerë të teknologjisë që sjell përfitime reale për njerëzit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.