Ndalimi i telefonave në shkolla po ndryshon drastikisht sjelljen e nxënësve - Business Magazine Albania

Ndalimi i telefonave në shkolla po ndryshon drastikisht sjelljen e nxënësve

Ndalimi i telefonave në shkolla po ndryshon drastikisht sjelljen e nxënësve

Gjatë viteve të fundit, një numër i madh shkollash në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën kanë ndaluar përdorimin e telefonave gjatë orarit shkollor. Është një temë që ngre debate, dhe efektet e saj sapo kanë filluar të shfaqen. Mjafton të shohim rastin e shtetit të Nju Jorkut, ku guvernatorja Kathy Hochul dhe ligjvënësit përfshinë një ndalim të telefonave në buxhetin e shtetit pranverën e kaluar, me qëllim t’i krijonin nxënësve një mjedis pa shpërqendrime gjatë shkollës.

Portali Gothamist foli me disa nxënës për eksperiencën e tyre, dhe konkluzioni kryesor nuk lidhej me temat e nxehta si varësia nga rrjetet sociale apo ngacmimet online. Përkundrazi, ndalimi i telefonave i ka detyruar nxënësit të komunikojnë sërish me njëri-tjetrin “në jetë reale” — dhe kjo po i bën shkollat shumë më të zhurmshme, për mirë a për keq. “Herë pas here flija në mensë, por tani nuk mundem më nga zhurma,” tha për Gothamist Jimena Garcia, një nxënëse 15-vjeçare nga Queens. “Por është argëtuese.” Ky është një kontrast i fortë, shkruan Gothamist, me semestrat e kaluar ku nxënësit rrinin në heshtje mbi telefonat e tyre, duke krijuar një ambient ku “mund të dëgjoje edhe gjilpërën të binte”.

Lexo edhe: Analiza e Eurostat 2025: Shqiptarët paguajnë më shumë se rajoni për energjinë elektrike

“Më pëlqen si ky ndalim i telefonave po i lejon nxënësit të lidhen mes tyre, të krijojnë miqësi të reja,” tha Alyssa Ko, 17 vjeç, presidente e klasës në të njëjtën shkollë. “Sepse disa njerëz e përdorin telefonin si mënyrë për t’u fshehur.” Me disa përjashtime për nxënës me aftësi të kufizuara ose për ata që mësojnë anglisht dhe kanë nevojë për aplikacione përkthimi, ndalimi përfshin të gjitha pajisjet me akses interneti gjatë gjithë ditës shkollore. Deri tani, të paktën 31 shtete dhe Uashington D.C. kanë vendosur kufizime të ndryshme për përdorimin e telefonave në shkolla.

Prindërit kanë kundërshtuar për arsye të ndryshme, nga shqetësimi për të kontaktuar fëmijët në emergjencë deri te “prindërimi helikopter”, por mësuesit në përgjithësi e mbështesin masën, duke thënë se telefonat janë shndërruar në një shpërqendrim të vazhdueshëm në mjedisin arsimor. Kur mësuesit u pyetën nga Unioni i Mësuesve të Shtetit të Nju Jorkut, rezultatet ishin inkurajuese: 89% thanë se politikat e reja e kanë përmirësuar mjedisin e shkollës, 76% raportuan rritje të pjesëmarrjes në klasë, dhe 77% vunë re më shumë ndërveprime pozitive si në klasë ashtu edhe në korridore. “Tani, kur përdorim kompjuterët, duhet të bëj kërkim të vërtetë në vend që të kaloj direkt te AI,” tha një tjetër nxënës nga Nju Jorku.

Natyrisht, jo të gjithë nxënësit janë dakord. Enakshi Barua, 14 vjeç, e kundërshton ndalimin parimisht. “Më duket sikur mungon besimi mes nxënësve dhe mësuesve,” tha ajo për Gothamist. “Ndaj mendoj se duhet të ndërtohet së pari ai besim, në vend që të ndalohen telefonat.” Ndoshta ndryshimi më i ëmbël i gjithë kësaj: rikthimi i aktiviteteve analoge, si shkëmbimi i shënimeve gjatë mësimit, shkrimi i kartolinave për simpatitë, dhe shkrepja e fotove me Polaroid. “Ka kaq shumë kujtime që krijojmë gjatë gjimnazit dhe duam t’i ruajmë,” tha Ko. “Unë kam plot Polaroid në mur.”

futurism

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0