Qeveria miraton ndërtimin e një centrali fotovoltaik 95 MW në Kavajë - Business Magazine Albania

Qeveria miraton ndërtimin e një centrali fotovoltaik 95 MW në Kavajë

Këshilli i Ministrave ka miratuar ndërtimin e një centrali gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike me kapacitet të instaluar 95 MW në fshatin Rrakull, njësia administrative Synej, Bashkia Kavajë. Projekti do të realizohet nga shoqëria “SELECT ENERGY” sh.p.k. dhe nuk është objekt koncesioni, as nuk përfiton nga masa mbështetëse shtetërore.

Vendimi është marrë në mbështetje të Kushtetutës dhe ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike”, me propozim të Zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë. Sipas tij, impianti fotovoltaik dhe veprat ndihmëse do të ndërtohen në zonën kadastrale 3204 dhe pritet të vihen në punë brenda 36 muajve nga hyrja në fuqi e vendimit, përfshirë edhe pajisjen me leje ndërtimi.

Centrali do të operojë për një periudhë 49-vjeçare, ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, së bashku me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, do të ushtrojnë mbikëqyrje periodike çdo tre muaj gjatë fazës së ndërtimit, vënies në punë dhe operimit, për të garantuar përputhjen me projektin dhe standardet teknike.

Shoqëria “SELECT ENERGY” ka detyrimin të raportojë çdo tre muaj mbi ecurinë e punimeve, të respektojë kushtet mjedisore dhe licencat përkatëse, si dhe të depozitojë një sigurim kontrate në vlerën jo më pak se 5% të investimit. Po ashtu, kompania do t’i japë falas shtetit, në formë royalty, 2% të prodhimit vjetor të energjisë elektrike ose vlerën monetare përkatëse, e cila do të derdhet në buxhetin e shtetit.

Lexo edhe: Krijohet Agjencia “Innovation4Albania”, nxitje inovacionit dhe startup-eve

Vendimi parashikon gjithashtu që, sipas legjislacionit në fuqi, një pjesë e prodhimit të energjisë mund t’i shitet furnizuesit publik. Zbatimi i vendimit i është ngarkuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqërisë “SELECT ENERGY”, pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi i plotë: 

MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË ZONËN KADASTRALE 3204, FSHATI RRAKULL, NJËSIA ADMINISTRATIVE SYNEJ, BASHKIA KAVAJË, QARKU TIRANË, NGA SHOQËRIA “SELECT ENERGY”, SH.P.K.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të  ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në zonën kadastrale 3204, fshati Rrakull, njësia administrative Synej, Bashkia Kavajë, Qarku Tiranë, nga shoqëria “SELECT ENERGY”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:
a) Emri i aplikuesit: Shoqëria “SELECT ENERGY”, sh.p.k.;
b) NIPT/NUIS: M22415014G;
c) Tipi i centralit: Fotovoltaik;
ç)  Kapaciteti i instaluar: 95 MW;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi: Koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: në zonën kadastrale 3204, fshati Rrakull, njësia administrative Synej, Bashkia Kavajë, Qarku Tiranë;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës dhe planvendosja, sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;
g) Shoqëria “SELECT ENERGY”, sh.p.k., ka detyrimin që:
i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj), pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, informacion mbi ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet shoqërisë “SELECT ENERGY”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2% të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “SELECT ENERGY”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0