Pse burrat ndaluan së veshuri taka?.................................................. - Business Magazine Albania

Pse burrat ndaluan së veshuri taka?

Teksa shohim Javën e Modës në Paris, një nga momentet më ikonike të kujtdo që ka pasion modën, parakalojnë burra me taka në pasarela dhe evente. Automatikisht na shtrohet një pyetje ‘‘Pse dikur një simbol statusi mashkullor u bë ekskluzivisht femëror?

Në fakt, historia e takave është më komplekse sesa mund të duket, duke reflektuar ndryshime të thella kulturore dhe shoqërore.

Nga simbol fuqie tek aksesor mode

Në fillimet e tyre, takat nuk kishin të bënin me estetikën e këmbëve të holla apo bukurinë delikate. Ato u shfaqën në Azinë Perëndimore rreth shekullit të 10-të si një zgjidhje praktike për kalorësit, duke ndihmuar në mbajtjen e këmbëve në shalë. Nga aty, përmes tregtisë me Perandorinë Persiane në shekullin e 16-të, ato u bënë pjesë e modës europiane, ku burrat e pasur i adoptuan si shenjë statusi dhe fuqie.

Në shekullin e 17-të, aristokratët europianë mbanin dy lloje takash, ato prej lëkure të grumbulluar, të përdorura për qëllime praktike si në çizmet e kalorësve, dhe ato të mbuluara me lëkurë të hollë, të cilat u shndërruan në një simbol luksi. Mbreti Luigji XIV i Francës, një ndër figurat më ikonike që veshi taka, madje kufizoi përdorimin e tyre të kuqe vetëm për fisnikët e oborrit të tij.

Zhdukja e takave nga moda mashkullore

Pavarësisht fuqisë simbolike që kishin, takat gradualisht u zhdukën nga veshja mashkullore në fund të shekullit të 18-të. Me ardhjen e Iluminizmit, konceptet e reja mbi racionalitetin dhe rolin e burrave dhe grave në shoqëri ndanë qartë modën mes gjinive. Burrat nisën të visheshin më praktikisht dhe seriozisht, duke braktisur ngjyrat e ndezura, pëlhurat luksoze dhe aksesorët dekorativë, një ndryshim i njohur si Great Male Renunciation. Ndërkohë, gratë përqafuan takat si një mënyrë për të përmbushur standardin e ri të bukurisë, ku këmbët e vogla ishin më të dëshiruara.

Takat në kohët modern, rikthim apo thyerje e normave?

Në shekujt që pasuan, burrat që donin të dukeshin më të gjatë zgjodhën metoda të fshehura, si insertet në këpucë ose, në raste ekstreme, operacionet për zgjatjen e këmbëve. Ndërkohë, takat u bënë simbol i feminilitetit dhe, njëkohësisht, një objekt diskutimi për fuqinë dhe pabarazinë gjinore.

Megjithatë, në dekadat e fundit, figura të famshme si Prince, Jared Leto, Billy Porter dhe Lil Nas X kanë sfiduar normat, duke rikthyer takat në modën mashkullore, veçanërisht në skenën e muzikës dhe artit.

Kështu, rikthimi i takave për burrat nuk është domosdoshmërisht një thyerje e rregullave të modës, por më shumë një rikthim në origjinë, një rikthim në një epokë kur ato ishin simbol i pushtetit dhe stilit, pavarësisht gjinisë.

CNN

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0