Potenciali i bashkëpunimit mes FinTech dhe sektorit të sigurimeve - Business Magazine Albania

Potenciali i bashkëpunimit mes FinTech dhe sektorit të sigurimeve

FinTech

Inovacioni nëpërmjet teknologjisë është një faktor kyç në ndryshimet që po ndodhin në sektorin financiar, i cili ka sjellë njëherazi rritje të eficencës së operacioneve, sfida dhe pasiguri.  Duke qenë se shërbimet financiare janë produkte të paprekshme, ofrimi i tyre nëpërmjet teknologjive të inovacionit pritet të sjellë ulje të kostove të transaksioneve dhe shpejtësi në dërgimin e shërbimit. Me gjithë këtë zhvillim në historinë e financës, përhapja e linjës së internetit, përhapja e përdorimit të kompjuterave dhe pajisjeve digjitale, si edhe zhvillimet e aplikacioneve, kanë çuar në uljen e barrierave të hyrjes në treg dhe shtrimin e rrugës për konkurrencë në industrinë financiare. 

Pandemia e krijuar nga Covid 19 vuri në lëvizje të gjithë sektorin e biznesit, përfshirë këtu edhe atë të siguracioneve, për të identifikuar mënyra novatore në zgjidhjen e sfidave të krijuara. Në ditët e sotme, përveç revolucionit të madh të FinTech, një trend i ri në botë është edhe InsureTech. InsureTech është ndërlidhja e tregut të sigurimeve (automjete, prona, jetë) me sektorin e teknologjisë.

Artikulli u publikua më parë në faqen 42 të numrit 25 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Siguroni këtu nr. 25 të saj.

Edhe vendi ynë, falë revolucionit teknologjik që ka përfshirë mbarë botën, është drejtuar tashmë drejt kësaj rruge, por pyetja që natyrshëm shtrohet është: Sa larg jemi nga niveli që kanë arritur shtetet e zhvilluara sot në këtë sektor?

Çfarë po ndodh në botë dhe kush janë këto zhvillime mbresëlënëse?

Në tre vitet e fundit, financimi i insurtech është rritur me 60% në SH.B.A, nga 1.46 miliardë dollarë në 2.44 miliardë dollarë (CB Insights, 2020). Ndërsa në Azi këto shifra janë më shumë se trefishuar (nga 140 milion në 506 milion dollarë). Kompanitë vazhdimisht po mundohen të modernizojnë sistemet e komplikuara të trashëguara nga e shkuara dhe të zhvillojnë mënyra të reja të punës (me një fokus më të fortë tek klienti fundor). Në këtë fushë, lojtarët e rinj dhe kompanitë që vijnë nga ekonomitë në zhvillim, janë në një avantazh; ata mund të zhvillojnë infrastrukturën e tyre duke përfshirë teknologjitë më të reja digjitale, që nga fillimi i veprimtarive!

Disa nga teknologjitë dhe qasjet që po përdoren aktualisht në botë për të shkuar drejt InsureTech, janë:

  1. Pajisje që mbledhin të dhëna telematike, p.sh. makinat e sotme kanë pajisje të tilla të përfshira nga prodhuesi, që grumbullojnë të dhëna mbi stilin e jetesës apo sjelljen e drejtuesit të mjetit. Nëse këto të dhëna mund t’i kalojnë shoqërisë së sigurimit, do ishte e mundur të vlerësohej risku në nivel personal dhe të rregullohej sjellja e shoferëve, si dhe tarifimi të bëhej sipas profilit të riskut.
  2. Mediat sociale, ndihmojnë shoqëritë e sigurimeve për të arritur e ndërvepruar me klientin, për të zhvilluar sondazhe dhe prezantuar aktivitetet e tyre, për të dhënë në kohë reale ofertat e fundit, etj.
  3. Automatizimet e proceseve. Shumë procese, siç mund të jetë aplikimi për një dëm, dërgimi i fotove të vendit të ngjarjes së sigurimit apo verifikimet e të dhënave në rast aksidenti, mund të zëvëndësohen shumë mirë nga procese të automatizuara.
  4. Intelingjenca artificiale Nga pikëpamja e biznesit, Inteligjenca Artificiale mund të përdoret që proceset të kryhen më shpejt, më saktë dhe me më pak kosto. Nëpërmjet saj mund të analizohen të dhëna mbi klientët dhe në këtë mënyrë të krijohen projeksione mbi sjelljen e klientëve si në nevoja për sigurime, ashtu edhe në mundësinë e ndodhjes së dëmeve. Kështu, kompanitë mund të krijojnë produkte që janë më afër nevojave të klientëve, me kosto të optimizuara. 
  5. Përdorimi i BlockChain si një strukturë e re për ruajtjen e të dhënave do të rezultojë shumë efektive. Në sajë të këtij opsioni, procesi do të jetë më i shpejtë, më transparent dhe më pak i kushtueshëm. 
  6. IOT (Internet of Things), marrja e të dhënave nëpërmjet pajisjeve të lidhura ne rrjet. Kjo qasje është tepër interesante në InsureTech dhe do të ndryshojë totalisht mënyrën sesi funksionon tregu i InsureTech. 
  7. Drone, iniciativa të ndryshme startup-esh po përdorim zgjidhje me drones, ku një shoqëri për të bërë ekspertizën e një dëmi të ndodhur, dërgon një dron për të parë gjendjen e shtëpisë, apo të një makine të aksidentuar. 

Vështrim në tregun shqiptar

Ndërkohë që InsureTech është ende larg realitetit tonë, sektori i FinTech (Financial technology) ka pësuar zhvillim të shpejtë gjatë viteve të fundit, duke hyrë se fundmi dhe në sektorin e sigurimeve. Kjo industri, me shumë gjasa, do të vijojë fuqizimin e pozicionit të saj në treg si pasojë situatës që pandemia solli – duke qenë se shumë institucione dhe biznese po zhvendosen edhe online. Konvenienca dhe përshtashmëria janë dy avantazhet kryesore të kësaj industrie, të cilat duket se janë esenciale në këtë situatë pasigurie ekonomike.  

Lexo: Tregu i FinTech në vitin e pandemisë

Sektori FinTech në Shqipëri kryesohet nga EasyPay, e cila menaxhon një platformë elektronike nëpërmjet të cilës ofron shërbime digjitale financiare në të gjithë territorin shqiptar. Pagesat elektronike kanë ulur ndjeshëm kostot dhe kohën! Prej 10 vitesh tashmë, EasyPay ofron një portofol të kombinuar shërbimesh (sic janë pagesat e faturave, telefoni, gjobat, taksat, kopshtet e çerdhet, e-commerce, dhe së fundi edhe siguracionet), dhe një rrjet të gjerë prej +460 agjentësh në të gjithë vendin tonë, të cilët për të qenë më pranë konsumatorit, kryejnë vepritmtaritë e tyre në çdo ditë të javës nga ora 8:00 deri në 21:00.

Konkurrenca e viteve të fundit, ndryshimet në sistemin rregullator të sektorit, prezantimi në treg i teknologjive të reja, por edhe nevoja për të qenë sa më pranë konsumatorit vendas, bëjnë që kompani lider në tregun e sigurimeve në Shqipëri, siç është Sigma Interalbanian Vienna Insurance Group, të shtojnë rishtasi në rrjetin e tyre të agjentëve edhe një agjent të ri digjital, siç është Easy Pay.  

Dhe ka disa arsye përse kompanitë e sigurimeve shohin potencial nga ky bashkëpunim:

  • Kërkojnë të kapërcejnë sfidat që ka sjellë tregu i ditëve të sotme. 
  • Duan të jenë eficientë dhe efektivç në përcjelljen e shërbimeve të tyre.
  • Përmirësimi i eksperiencës së shërbimit të konsumatorit final është një ndër prioritetet e këtij sektori. 
  • Akses në një bazë të dhënash më të gjerë dhe përdorimi i tyre në mënyrë strategjike. 
  • Kërkojnë të freskojnë imazhin e tyre në treg si novator në teknologji. 
  • Synojnë zgjerimin e territorit në të cilin janë prezent me shërbimet e tyre dhe me orare të zgjatura. 

AMF (Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare), si i vetmi institucion lincesues dhe rregullues në Shqipëri, nëpërmjet strategjisë, politikave dhe rregullimit të kuadrit ligjor, mund të përshtasë terrenin për të ngritur edhe në vendin tonë një ekosistem për zhvillimin e Insuretech. Ndoshta, ka ardhur koha për një “direktive PSD2” edhe në tregun e sigurimeve, ashtu siç po ndodh tanimë në sektorin e pagesave në vend. Rritja e sektorit InsureTech i kombinuar me sektorin e FinTech, do të sillte një ndërveprim tepër të suksesshëm, gati-gati një katalizator për zhvillimin e industrisë në vend, dhe pse jo nga një vend si i joni të mund të dalin modele të suksesshme edhe në nivel rajonal apo më gjerë. 

Shkruar nga:

Jonida Këllezi, Drejtore Marketingu në EasyPay

Dorinela Ndrejaj, Drejtore Marketingu në Sigma Interalbanian Vienna Insurance Group

Artikulli u publikua më parë në faqen 42 të numrit 25 të revistës Business Magazine AlbaniaBusiness Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Siguroni këtu nr. 25 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #35 - Qershor 2024

Ja si sipërmarrës të guximshëm përmes inovacionit ndikojnë industri të tëra!

 

Ky numër i revistës mund të quhet numri i dedikuar sipërmarrësve, nismëtarëve dhe inovatorëve. Atyre të cilët me guxim, këmbëngulje dhe me risi nxisin transformimin e industrive me ndikim në jetët tona. Këto përvoja, sfida, ide të reja, aplikime dhe bashkëpunime të tyre, vijnë nëpërmjet Business Mag Albania, nr. 35. 

Për ty, që po e mban në dorë këtë revistë, kemi diçka të re! Tani mund të dëgjosh me zë artikujt që lexon tek BusinessMag. 

Në partneritet me Nullius in Verba, sjellim një mënyrë revolucionare për të konsumuar përmbajtjen. Falë teknologjisë së avancuar të AI, tani mund të dëgjoni me zë artikujt tuaj të preferuar në çdo kohë dhe vend, duke ju lejuar të informoheni ndërsa jeni në lëvizje. Ky bashkëpunim inovativ pasqyron përkushtimin tonë për të mbështetur sipërmarrjen dhe zhvillimin e modeleve të suksesshme, duke sjellë përvojë të re dhe vlerë të shtuar për ju si lexues. Skano kodet QR në çdo artikull dhe shijo nga kudo që të jesh një format të ri, mundësuar nga Inteligjenca Artificiale, aplikuar nga një …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0