Pikark, destinacioni i duhur për çdo ambjent të bukur - Business Magazine Albania

Pikark, destinacioni i duhur për çdo ambjent të bukur


Një platformë e realizuar, me punime të ndryshme në fushën e arkitekturës dhe dizajnit është ajo që i mungonte tregut shqiptar. Ngjyra, hapësirë, kombinime, stil, e thënë ndryshe një art i personalizuar është ajo çfarë ju ofron Pikark.

Pikark, jo vetëm që është destinacioni i duhur për çdo ambjent të bukur, por gjithashtu është një urë lidhëse midis çdo arkitekti të talentuar me konsumatorin shqiptar.

BusinessMag pati kënaqësinë të intervistonte dy ideatoret që i dhanë jetë këtij projekti. Njihuni me Pikark:

BM: Çfarë bën PikArk? Si iu lindi idea e krijimit të tij?

“Pik ark” është platforma e parë online totalisht dedikuar arkitekturës dhe dizajnit Made in Albania. Duke qënë profesionistë në fushën e arkitekturës, prej kohësh kishim vënë re mungesën e informacionit të përmbledhur në lidhje me projektet, profesionistët, materialet e produkteve që operojnë në tregun tonë. Shumë shpesh të njohurit na pyesnin në mënyrë informale dhe krejt sporadike rreth trendeve, produkteve, materialeve, artizanëve, marangozëve, showroome-ve e shumë informacione të tjera në lidhje me arkitekturën dhe interieret. Jo vetëm njerëzit e thjeshtë, por edhe arkitektët kanë nevojë të vazhdueshme për të gjitha këto informacione në mënyrë që të realizojnë projektet e tyre sa më mirë.

Për të lehtësuar punën kërkimore, vendosem të sillnim Pikark, si nje urë lidhëse midis projektimit dhe realizimit të projekteve. Për më tepër, në Shqipëri po shikonim projekte shumë të arrira si në projektim ashtu dhe në realizim, për të cilat nuk kemi asnjë infomacion. Ideja ishte që të krijonim jo vetëm një hapësirë për të promovuar arkitekturën cilësore të krijuar në Shqipëri, por edhe një burim informacioni dhe frymëzimi për profesionistët dhe çdokënd të interesuar në arkitekturë, dizajn, interiere dhe arredim.

BM: Përse keni zgjedhur këtë emër? Cili është kuptimi i tij?

“Pik Ark” është një lojë midis dy gjuhëve shqip dhe anglisht. Duke u nisur nga dëshira për të krijuar një ekspozitë dixhitale të arkitektëve nga ku gjithsecili mundet lehtësisht të përzgjedhi (pick = zgjidh) atë profesionist që i përshtatet stilit, shijeve dhe mbi të gjitha buxhetit në dispozicion.

Ndërkohë, Pik në gjuhën tonë është pikë, origjina e dizajinit, sepse çdo krijim ose vepër fillon nga një pikë e vetme.

pikark-destinacioni-i-duhur-per-cdo-ambjent-te-bukur-businessmag

BM: Kush është ekipi që po kujdeset për mbarëvajtjen e këtij projekti?

Në momentin që flasim, jemi dy arkitekte Nesila Hajdini dhe Elda Dalipi që po e çojmë përpara projektin si dhe fotografët Bora Dervishi dhe Ervin Berxolli, që na ndihmojnë për të realizuar setet profesionale të fotografive.

Jemi në kërkim të një profesionisti në fushën e IT, në mënyrë që të realizojmë objektivat që kemi për zhvillimin e mëtejshëm të Pik Ark. Gjatë rrugëtimit, kemi patur shumë mbështetje nga profesionistë të fushave të ndryshme si marketing, financë, IT, grafik dizajner, etj, të cilët na kanë këshilluar vazhdimisht dhe vazhdojnë të na përkrahin në çdo vendimarrje.

BM: Sa kohë ka që është funksional ky website? Çfarë u ofron ai përdoruesve?

www.pikark.al, ka pothuaj dy muaj që është funksional. Si fillim ne po ofrojmë informacion të detajuar mbi projekte të përzgjedhura të realizuara nga arkitektë shqiptarë por edhe të huaj që punojnë në Shqipëri. Jemi duke punuar për të krijuar komunitetin tonë dhe aktualisht kemi filluar bisedime me showroom-e të produkteve dhe mobiljeve për të filluar bashkëpunimin me ta.

BM: Si funksionon shitja e produkteve?

Shitja e produkteve nuk ka filluar akoma, pasi webi është duke u pasuruar me informacion. Mendojmë që ky shërbim do të ofrohet së shpejti .

BM: Sa bashkëpunime ka bërë PikArk? Si lidheni me klientët tuaj?

Disa nga punët e ekspozuara ne web, janë të realizuara nga fotografët tanë. Studiot e arkitekturës dhe arkitektët janë bashkëpunëtorët tanë kryesorë dhe deri tani kemi një numër të madh të cilët po na përkrahin dhe furnizojnë me materiale, pa të cilët nuk do të kishim këtë nivel projektesh të ekspozuara.

BM: Sa e vështirë është të gjesh arkitekt në tregun shqiptar?

Nuk është e vështirë të gjesh arkitektë në tregun tonë , pasi është i saturuar nga numri i madh i arkitektëve. E rëndësishme është që gjithëkush të gjej informacionin e duhur përpara se të vendosi se më kë do të bashkëpunojë, si klientët ashtu dhe vetë profesionistët.

pikark-destinacioni-i-duhur-per-cdo-ambjent-te-bukur-businessmag

BM: Sa u shërben të rinjve në fushën e arkitekturës ky projekt?

Si fillim Pik Ark, është një ditar i zhvillimit të arkitekturës shqiptare, nga ku të rinjtë mund të kuptojnë se në çfarë niveli projektohet. Mundet të gjejnë informacione mbi studiot dhe arkitektët me të cilët do të dëshironin të punonin.

Gjithashtu ne synojmë të krijojmë një hapësirë të posaçme për studentët si dhe me arkitektët e rinj, ku mundet të postojnë punimet e tyre dhe të kenë mundësi të gjejne klientë ose bashkëpunëtorë.

BM: A keni pasur mbështetje për të arritur deri këtu ku jeni sot? Cilët kanë qenë partnerët kryesorë?

Pik Ark, ka patur dy mbështetës kryesorë, Ofiçina dhe Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë. Idea jonë për PikArk, ka qenë pjesë e sezonit të parë të Ofiçinës për vitin 2016-2017, i cili është akseleratori i parë i biznesit. Programi i Ofiçinës na ofroi mentorim, leksionet mbi marketingun, financën, prezantimin (pitching) të cilat na ndihmuan tejmase të materializojmë këtë ide dhe ta prezantojmë përprara klientëve, bashkëpunëtorëve dhe investitorëve potencialë.

Kemi pasur edhe përkrahjen e Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë, të cilët na kanë sugjeruar projekte dhe na kanë mundësuar kontaktet me arkitektët që i kanë realizuar këto vepra.

BM: A ka konkurentë të ngjashëm me ju në treg? Nëse po, çfarë iu diferencon nga ata?

Për momentin, mundet të themi se jemi te vetmit, për nga mënyra se si funksionon webi. Pjesa më e madhe e webe-ve (blogjeve) mbi arkitekturën kryesisht janë te fokusuara në projektet të realizuara jashtë, ose janë te fokusuara në fushën e ndërtimit.

“Pik Ark” kujdeset që të përzgjedh projektet më të mira duke i dokumentuar me anë të fotografive profesionale dhe me informacione të detajuara mbi konceptin, frymëzimin, stilin në mënyrë që të përcillet cilësia reale e projektimit dhe realizimit.

BM: Cila është strategjia e marketingut që keni ndjekur për promovimin e website-it tuaj?

Strategjia jonë përfshin të gjitha kanalet e komunikimit të rrjeteve sociale dixhitale dhe media.
Në kohët e sotme përdorimi i rrjeteve sociale si Instagram dhe Facebook është një mënyrë shumë efektive për të depërtuar direkt te klientët që punojnë në fushën e arkitekturës dhe interierit si edhe ata të cilët janë të interesuar në këto fusha. Po promovojmë Pik Ark në emisione radiofonike dhe hapi tjetër është televizioni.

Ndërkohë ne përpiqemi që nëpërmjet rrjeteve profesionale si Shoqata e Arkitektëve si dhe komuniteteve në universitete që ofrojnë studime në degën arkitekturës.

BM: Çfarë synoni të arrini pas gjashtë muajsh?

Në 6 muaj, synojmë të jemi pika e referimit për këdo që kërkon një arkitekt apo profesionist në fushën e arkitekturës. Qëllimi është: të krijojmë një databazë të mirëfilltë për projektet dhe çdo informacioni në lidhje me to, nga projektuesit, zbatuesit, artizanët deri te materialet e produktet e përdora për realizimin e këtyre projekteve. Pas një viti synojmë të kemi filluar shitjen e produkteve online si dhe realizimin e produkteve të dizejnuara nga arkitektët.

BM: A mund të na jepni një këshillë për bashkëmoshatarët tuaj, të cilët duan të ndjekin të njëjtën rrugë si ju?

Nëse në profesionin tuaj apo atje ku pasioni juaj ju drejton, shikoni një problem, një mangësi mundohuni që të gjeni një mënyrë thjeshtë për ta përmisuar, rregulluar apo përmbushur atë hapsirë. Mjafton një ide e vogël, një ngacmim dhe nëse filloni të punoni, kërkoni, pyesni atëherë ideja do të zhvillohet, përpunohet derisa të marrë trajtat e një biznesi. Nuk është aspak e lehtë por emocioni dhe kënaqësia që merr kur sheh që ditë pas dite, muaj pas muaji ideja jote nuk është më thjesht një ide por realitet, është e papërshkrueshme.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0