Përfundon me sukses edicioni i IV-ët i Albanian Skills Week 2018

Përfundon me sukses edicioni i IV-ët i Albanian Skills Week 2018


Në datat 7 deri në 12 Maj u zhvillua edicioni i IV-të i Albanian Skills, një iniciativë e pavarur shqiptaro-zvicerane që synon promovimin e aftësive profesionale dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës. Ndryshe nga tre edicionet paraardhëse këtë vit, aktivitetet e Albanian Skills u zhvilluan përgjatë një jave të plotë, “Albanian Skills Week 2018”. Në kuadër të kësaj jave u zhvilluan 20 aktivitete ku hapen dyert mbi 15 kompani të fushave të ndryshme dhe u zhvilluan 8 konkurse në drejtimet profesionale si kopshtaria, instalime elektrike, media sociale, hoteleri-turizëm, dizajn grafik, zhvillim faqeje, programim dhe fotografi.

Partnerët në këtë edicion të katërt ishin të shumtë, duke përmendur kompanitë si Lindner Group & Tirana Business Park, Schneider Electric, ITE Group, Albesol. Urmet, A BI ESSE, EuroElectra dhe Communication Progress të cilët hapen dyert për të rinjtë shqiptarë duke ofruar sesione praktike trajnimi. Gjithashtu bashkëpunëtorë të rëndësishëm ishin dhe institucionet arsimore si Universiteti Politeknik i Tiranës dhe shkollat e mesme profesionale, Shkolla Elektrike“Gjergji Canco” Tiranë dhe Qendra Shumë Funksionale e Arsimit dhe Formimit Profesional, Kamëz.

Dita e parë nisi me hapjen zyrtare të Albanian Skills Week 2018 në Tirana Business Park, nisja e aktivitetit “Projekti më i mirë”- Mendo, Puno dhe Jeto Gjelbert – iniciuar për herë të parë, trajnime praktike nga kompanitë Schneider Electric & A BI ESSE dhe leksion i hapur në Communication Progress. Java vazhdoi me seminare dhe trajnime praktike nga kompanitë Schneider Electric, A BI ESSE& Urmet, ITE Group dhe Albesol për nxënësit e mësuesit e praktikave profesionale të shkollave profesionale dhe studentëve te Elektronikës dhe Elektrike, të cilët u njohën me shumë nga risitë më të fundit në fushat e elektroteknikës, elektronikës, energjisë së rinovueshme, teknologjisë së komunikimit dhe informacionit, etj. Qëllimi i kompanive ishte që t’ju jepnin mundësinë profesionistave të rinj të njiheshin më shumë për zgjidhjet inovative në fushat e industrisë dhe automatizimit por edhe të krijoheshin kontaktet e nevojshme midis shkollave dhe biznesit.

Dita e katërt u përmbyll me një takim ndërmjet organizatave të cilat kanë në fokus punën e tyre me persona me aftësi të kufizuara, drejtuar nga aktivisti i “Special Olympics”, Bert Evers. Qëllimi i tij ishte evidentimi dhe nxitja e zgjidhjeve të të mësuarit praktik, gjithëpërfshirës mes të rinjve të këtyre grupeve.

Në ditën e pestë u organizuan disa seminare nga kompani si Gjeo-Vjosa Sh.p.k. për fushën e gjeo-hapësirës dhe Vado in Albania, për fushën e turizmit, Lindner Grouo Albania për fushën e strukturave akustike te godinave. Gjithashtu, grupi i vullnetarëve pati një takim shkëmbyes me Mirko Lehnherr- ekspert i arsimit profesional dhe marrëdhënie me publikun, i cili i njohu vullnetarët me eksperiencat e konkurseve profesionale ndërkombëtare. Gjatë kësaj dite u organizua për të dytin vit tashmë edhe Forumi i Aftësive – Skills Forum, ku të ftuar në panele ishin përfaqësues nga kompani të ndryshme në vend, përfaqësues të shoqërisë civile dhe gjithashtu partnerë nga institucionet arsimore. Gjatë forumit u diskutua gjerësisht mbi mundësitë e të rinjve në ditët e sotme dhe cilat janë sfidat me të cilat ato përballen. Tematika që u trajtuan kishin të bënin me përfshirjen e të rinjve në tregun e punës dhe sa janë të përgatitur ata në një kohë kur çdo fushë po shkon drejt dixhitalizimit. Gjatë forumit, morën pjesë edhe ekspertë zviceriane të arsimit profesional të cilët ndanë me të pranishmit eksperiencën dhe këshillat e tyre.

Dita e gjashtë dhe e fundit u finalizua me konkurset për Hotel & Restaurant Service, Graphic Design, Photography, Software Development, Social Media Marketing dhe Web Development, ku konkuruan 40 të rinj të moshave 16-25 vjeç të seleksionuar nga juritë përkatëse gjatë disa raundeve. Gjithashtu në kuadër të kësaj jave u organizua për herë të parë në Shqipëri, Future Gigs – Children Tech Championship, ku morën pjesë fëmijë nga mosha 10-14 vjeç.

Gjatë kësaj dite finale, të rinjtë shqiptarë patën mundësinë të merrnin pjesë edhe në trajnimet për sipërmarrjen, lidershipin, zhvillimin personal nga ekspertë ndërkombëtare të mirënjohur si Bert Evers, nga Evers-Exellence nga Zvicra dhe Angelo Bianchi nga Italia.

Në fund të konkurseve u bë edhe shpallja e fituesve të tre vendeve të para për secilën kategori, si dhe u dhanë certifikata për të gjithë pjesëmarrësit. Ndryshe nga çmimet monetare të zakonshmë të dalësh fitues në konkurset e Albanian Skills do të thotë të shpërblehesh me një vend praktike, pune në një kompani apo vizite studimore. Organizatorët e kësaj nisme, të rrallë në natyrën e saj, besojnë që ekonomia e një vendi domosdoshmërisht ka nevojë për profesionistë të kualifikuar, të cilët mund të ndërtohen mbi një sistem të fortë arsimi dhe formimi profesional por mbi të gjitha me bashkëpunimin e kompanive të sektorit privat.

Business Magazine, si media partner për të dytin vit radhazi tashmë, ka mbuluar shumë aktivitete të Albanian Skills përgjatë rrugëtimit të këtyre viteve.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0