“Mendo ndryshe”, thuhej në reklamën e famshme të Apple në vitin 1997. Këshilla të shkëlqyera, padyshim, për të gjithë krijuesit, inovatorët dhe sipërmarrësit. Por, së bashku me të menduarit ndryshe me qëllim që të krijoni ide apo produkte të reja revolucionare, duhet edhe të shihni ndryshe. Krijuesit, inovatorët dhe sipërmarrësit e shkëlqyer e shikojnë botën në mënyra të ndryshme nga shumë prej nesh. Kjo është arsyeja pse ata shohin mundësi që njerëzit e tjerë i humbasin.
Historia e Velcro është tepër e njohur. Një inxhinier zviceran, George de Mestral, vendosi të shikonte më nga afër burrs (farat e bimëve) që ai i gjeti të kapura pas veshjeve të tij gjatë një shëtitjeje në pyll. Ai nxori mikroskopin dhe pa që natyra kishte krijuar grepa në fara, të cilat më pas ishin bashkuar me fijet e fibrave në veshjen e tij. Kështu lindi alternativa e famshme e zinxhirit, nën emrin Velcro. (Sot, ekziston një fushë e tërë, e quajtur biomimetikë, kushtuar imitimit të natyrës për të zgjidhur problemet njerëzore.)
Lexo: “Mendësia për sukses”. Intervistë me Anila Bashllarin për programin e saj më të ri të zhvillimit
Më pak e njohur, por me po aq meritë për famë, është historia e Softsoap. Një sipërmarrës amerikan, Robert Taylor, vendosi të shikonte më nga afër se si copëzat e sapunit në të vërtetë shfaqeshin pas përdorimit në banjo. Duke zmadhuar pjatën me sapun në një mjedis të pastër, ai pa një pellg të pakëndshëm lagështire. Ai vendosi që përgjigjia do të ishte sapun i lëngshëm i hedhur në një shishe me vrimë nxjerrëse dhe kështu lindi Softsoap, i cili ndryshoi të gjithë industrinë e sapunit.
Dy sipërmarrës të shkëlqyer që i panë gjërat ndryshe. Qoftë përmes një mikroskopi apo një lente zmadhimi dhe qoftë në kuptimin e parë apo në mënyrë metaforike, ata morën hapin kryesor për të parë të njohurën në një mënyrë të panjohur. Matematikani i madh francez Blaise Pascal tha: “Mendjet e vogla shqetësohen për gjërat e jashtëzakonshme, mendjet e mëdha, shqetësohen për ato të zakonshmet”. Duket se ai kishte në mendje diçka të ngjashme: Shikoni atë që është përpara jush, por shikojeni në një mënyrë që u shpëton shumicës së njerëzve.
Ekziston një fjalë për këtë aktivitet: de-familjarizimi. Një teoricien letrar rus i quajtur Viktor Shklovsky, i cili punonte në shekullin XX, vuri në dukje se si Tolstoy arriti një efekt të shtuar në shkrimet e tij përmes teknikave të tilla si përshkrimi i objekteve nga një perspektivë e shtrembëruar dhe refuzimi i përdorimit të emrave të zakonshëm për objektet dhe duke bërë atë që është e njohur, të çuditshme. Më vonë, regjisori i madh francez Jean-Luc Godard revolucionarizoi kinemanë me përdorimin e pjesëve të prera skenike në Breathless. Edhe pse sot merret si e mirëqenë, kjo risi duhet të ketë habitur shumë njerëz në atë kohë. Deri në atë kohë, ishin bërë përpjekje të mëdha për krijimin e një filmi të qetë, të vazhdueshëm në ekran. Mbi të gjitha, kjo është mënyra se si truri ynë i sheh gjërat, në një rrjedhë të vazhdueshme. Kjo është e njohura. Por Godard vendosi ta prishte këtë rrjedhë për të na detyruar të largohemi nga supozimet tona të zakonshme dhe t’i shohim personazhet e tij si të shpërndarë dhe të shkëputur. Tani, ne i kuptojmë ndjenjat e izolimit të përjetuara nga personazhet e tij dhe gjithashtu përpjekjet e tyre si të pasuksesshme dhe tragjike, për t’u lidhur me njëri-tjetrin. Godard ngriti teknikën e de-familjarizimit nga faqja në ekran.
Lexo: Keni dëgjuar për TUMO Tirana, qendrën më inovatore për teknologji krijuese?
Shembujt e këtyre artistëve të shkëlqyer u japin të gjithëve, përfshirë edhe sipërmarrësve, disa këshilla se si të ndalojnë së pari botën në mënyrë të njohur dhe të fillojnë ta shohin atë në mënyra të panjohura dhe vetëprodhuese. Kur shikojmë botën, nuk duhet thjesht të shqyrtojmë, por të shqyrtojmë me një perspektivë qëllimisht të ndryshme. Jo vetëm emërtoni ato që janë përreth jush, por krijoni emra të rinj. Mos u përqëndroni në tërësi, por ndajini gjërat në copëza. Këto teknika mund të na ndihmojnë të shohim rrugën tonë për tek e reja dhe revolucionarja, qoftë në art apo në biznes.
Sherlock Holmes i tha dikur Watson: “Ju shihni, por nuk vëzhgoni. Dallimi është i qartë”. Më shumë këshilla se si të depërtoni në të njohurën dhe në vend të saj të vëzhgoni, të vëzhgoni me të vërtetë, vijnë nga psikologia dhe shkrimtarja Maria Konnikova, në librin e saj Mastermind: How to Think Like Sherlock Holmes. Ajo shkruan: “Për të vëzhguar, duhet të mësosh ta ndash situatën nga interpretimi, vetveten nga ajo që po sheh”. Si një teknikë për të përmirësuar aftësinë tonë për të vepruar në këtë mënyrë, Konnikova sugjeron të përshkruani një situatë me interes me zë të lartë ose me shkrim për një mik. Siç vëren ajo, Holmes e përdori Watson në këtë mënyrë për të treguar vëzhgimet e tij kur hetonte një rast dhe shpesh, përmes këtij ushtrimi bëheshin të dukshme pikat kyçe të çështjes. Kjo është një teknikë tjetër për artistët dhe sipërmarrësit aspirues dhe këdo.
Truri ynë është krijuar për të na ndaluar t’u kushtojmë shumë vëmendje gjërave. Kjo provohet më së miri nga iluzioni optik i quajtur “Troxler fading” (emëruar pas mjekut zviceran të shekullit të nëntëmbëdhjetë i cili zbuloi efektin). Nëse na paraqitet një imazh i qëndrueshëm në zonën e vizionit tonë periferik, ne në fakt nuk arrijmë ta shohim më pas një kohe. Ky fenomen, termi i përgjithshëm neuroshkencor është zakon, tregon për një mënyrë efikase në të cilën funksionon truri. Neuronët ndalojnë së dërguari stimuj pasi të kenë informacion të mjaftueshëm për një stimul të pandryshueshëm. Por kjo nuk do të thotë që ky zakon është gjithmonë në favorin tonë.
Lexo: Si ndikon të qënurit proaktiv në suksesin tonë
Ne mundemi, jo vetëm të mendojmë ndryshe, por edhe të shohim ndryshe, si një mënyrë për t’iu kundërvënë prirjes sonë të integruar për të krijuar zakone, për t’u zhytur në mënyrën e njohur të të parit dhe të përjetuarit. Një mënyrë në të cilën artistë, sipërmarrës dhe krijues të mëdhenj të të gjitha llojeve vijnë me njohuritë që u mundësojnë atyre të ndryshojnë botën është se ata nuk i shohin gjërat në mënyrën që i shohin shumica prej nesh. Metodat e tyre na mësojnë se duke parë ndryshe, ne mund të përfundojmë duke parë atë që askush tjetër nuk ka parë akoma. Kështu ndërtohet e ardhmja.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.