Nxitja e investimeve të huaja direkte, domosdoshmëri. Ku dhe si mund të nxiten? - Business Magazine Albania

Nxitja e investimeve të huaja direkte, domosdoshmëri. Ku dhe si mund të nxiten?


Shkruar nga Zhaklina RIRA

Investimet e Huaja Direkte (IHD), janë motori në përshpejtimin e zhvillimit dhe rritjes ekonomike të vendit tonë. Vendet në zhvillim, mbështeten në IHD, për të nxitur ekonominë e tyre.

Për ta thjeshtësuar mendimin, nëse Shqipëria do të ishte biznes, por jo “biznesi i shefit” por i yni, cila do të ishte strategjia që do të ndërtonim, për të qenë ky biznes i suksesshëm? Si mund të rriteshin “shitjet në treg të huaj” pra të tërhiqeshin investimet? Si fillim, do të identifikonim cili do të ishte targeti ynë/ose tregjet, klientela që do të synonim për të tërhequr vëmendjen e tyre. Ku ka nevojë kompania të investohet, kush janë sektorët dhe si mund të përmirësoheshin strukturat e brendshme të kompanisë, për t’ju përgjigjur shpejt dhe me cilësinë e duhur të shërbimit që klientela e përthithur të mos kthehet mbrapsht për shkak të pengesave të ndryshme rrugës.

Lexoni: Prodhimi?! Ende shfrytëzojmë pak investimet dhe njohuritë

Do e filloja me faktin se cilat janë vendet, të cilat do të ishin optimale për të investuar në Shqipëri, pra targeti? Pavarësisht se Greqia dhe Italia, me territore janë më afër Shqipërisë, nuk do e shihja target kryesor, për shkak të “halleve të tyre të brendshme” dhe janë konkuruese të drejtpërdrejta të Shqipërisë. Si të tilla ato kanë tendencën “më shumë të marrin se sa të japin”. Shtetet si Franca, Gjermania, Amerika, janë vende “të ngopura”, të konsoliduara, të ndërtuara me themele të forta dhe “kanë luksin dhe kohën” të sjellin jo vetëm investimet e tyre të fuqishme, por dhe ekspertizën dhe standardet e tyre. Këto vende tek ne do të sillnin jo vetëm zhvillim më të qëndrueshëm, ulje të papunësisë, por do të ndihmonin në zhvillim të burimeve njerëzore, një kulturë pune, për të cilën ne kemi nevojë të huazojme eksperienca pozitive.

E dyta do të ishte orientimi i këtyre investimeve. Cilët janë segmentet? Ku është e rëndësishme për vendin tonë të përthithen investimet? Ku kemi ne potencial të pashfrytëzuar, që është lënë të flejë, por është i domosdoshëm për ekonominë vendase dhe nuk ka pasur inestime të mira që mund të ofrojnë ciklin e plotë të shërbimit apo produktit?

Turizmi, por ai i luksit. Është një segment, i cili do të sillte jo vetëm të ardhura marramendëse për vendin tonë, por dhe vëmendje të jashtëzakonshme, tek ata që vërtetë kanë mundësi për të investuar. Si? Përgjigja është Marina, porte jahtesh dhe mundësisht jo të jahteve 8-10 metra, por ato 30 metra e sipër. Sepse, ato që i kanë këto mjete luksi, kanë jetën, mundësinë dhe buxhetin për të na parë si një vend interesant, për të investuar, i cili ofron bukuri natyrore shumë herë më të bukura se Greqia, por Shqipëria nuk ofron një vend “për të parkuar”.

Një shembull i thjeshtë: Përse duhet që turisti që bën itenerarin Kroaci-Greqi ose Kroaci-Itali, të ndalojë në Mal të Zi për t’u furnizuar me karburant? Në fakt, ai nuk do të ndalojë aty, se është tepër afër dhe shpejt me Kroacinë për t’u furnizuar, por kjo mundësi nuk i ofrohet në Shqipëri. Çfarë vlere mund të fitonim ne si vend? Të bëjmë një llogari të vogël, vetëm për qëndrime të shkurtra deri në 6 orë në një port jahtesh, pa llogaritur këtu shumë pluse të tjera. Jahti më i thjeshtë, ka nevojë për një sasi karburanti minimumi 500 Euro (në moment furnizimi), plus ka nevojë për furnizim me ujë, energji dhe vlerë parkimi rreth 200 Euro, një drekë, furnizime, apo blerje të ndryshme në qytet, minimumi 200 Euro. Pra flasim 900 Euro shpenzim për një jaht të vogël ose mesatar. Një port jahtesh prej 500 vende (mesatar), do të sillte një vlerë prej 450.000 Euro në 6 orë. Në një ditë-natë 1.8 milionë Euro. Në vit 657 milonë Euro. Këtu nuk janë llogaritur turistët që rrinë me ditë të tëra, as nevoja shtesë të një jahti 20-30 metra, as ata të cilët mund ta shohin Shqipërinë si vend parkimi gjatë periudhës së dimrit. Të gjithë ata që sot parkojnë në Itali dhe Greqi, nesër mund të parkojnë në Shqipëri, për shkak të kostove të mirëmbajtjes së ulët që ne mund të ofrojmë.

Me 365 km vijë bregdetare, numri i gjinjve bregdetarë, drejtimet e erërave të buta dhe diell thuajse 6 muaj të vitit, ne mund të ofrojmë këtë produkt më mirë dhe më lehtë se vendet fqinje. Kjo do të sjellë më vonë dhe një kërkesë shumë të lartë për resorte luksi, të cilat do të kompletonin këtë segment të ekonomisë. Sot dhe sikur të ndërtonim rezorte luksi, nuk do e kishim të garantuar klientelën që shpenzon vlera të larta. Gjatë sezonit të verës, këta vizitorë duan të vijnë me jahtet e tyre dhe ne akoma nuk e ofrojmë këtë mundësi.

Sipas numrave të Fondit të Trashëgimisë, Shqipëria ka thithur vetëm 10% të fondeve që vijnë për Ballkanin Perëndimor, për këtë kryeministri Z. Rama thotë: “Eshtë një e dhjeta, sepse ne nuk kemi qenë në gjendje të krijojmë një rrugë të qëndrueshme për të rritur IHD-në në turizëm, ku kemi dhe potencialin më të madh. IHD në turizëm ka qenë shumë e ulët dhe në vënd të kësaj energjia ka qenë më e rëndësishme.”  Pra gjithashtu, është në vëmendje të qeverisë turizmi, por pse jo ai i luksit, pastaj të gjithë të tjerët do të ishin të mirëpritur.

Lexoni: Investimet e huaja në Shqipëri, ja si janë të pozicionuara shtetet dhe kompanitë

Bujqësia. Imagjinoni çfarë impakti do të kishte investimi në bujqësi, kur ky sektor punëson 47.8% të popullsisë dhe zë rreth 24.31% të tokës dhe kontribuon në 18.9% të PBB-së së vendit. Si pjesë e para-procesit për pranim të Shqipërisë për në BE, fermerët janë duke u ndihmuar përmes fondeve IPA për të përmirësuar standardet e bujqësisë shqiptare. Por si mund t’i vijmë në ndihmë që të përthithim investime në këtë sektor dhe ku mund të përmirësonim? Do të filloja me investim në trajnim të personelit dhe rritjen e efiçencës së tyre, sidomos ekstesionistëve, të cilët orientojnë zhvillimin e bujqësisë, sjellin cilësi më të lartë të produktit dhe duhet të rrisin rrugët e komunikimit me fermerët. Ka nevojë që tregu të mos prodhojë vetëm domate, ose vetëm shalqi dhe të sjellë mbingarkesë të një produkti, por të orientohet në mënyrën e duhur, për të sjellë diversifikim të produktit dhe kontrollit të tij. Këta “këshilltarë të tregut të bujqësisë”, duhet të jenë të lidhur ngushtë me laboratorë bujqësie.

Drejtimi i dytë ku duhet të orientojmë investimet e huaja në këtë sektor, për të kuptuar sa vërtetë një tokë prodhon një produkt të caktuar, janë pikërisht laboratorët modernë.

Drejtimi i tretë është që të papunët në fshat, duhen konsideruar të gjithë ata që nuk prodhojnë për të tretë. Të papunët e fshatit, duhet të regjistrohen dhe të kenë po ato të drejta që kanë të papunët e qytetit.

Drejtimi i katërt, është financimi i drejtpërdrejtë i investitorëve të huaj për prodhimet, që punësojnë mbi 30 vetë. Caktohet një masë subvencioni nga buxheti i shtetit dhe i jepet investitorit përveç lehtësive doganore për makineritë dhe pajisjet që importon.

Energjia. Sapo është miratuar ligji në lidhje me investimet në HEC-e, kapaciteti i të cilave nuk duhet të jetë nën 2 MË, kjo është pozitive për faktin që do të ketë diversifikim të tregut dhe do të ndihmojë zhvillimin e ekonomisë vendase. Në tremujorin e parë, mbi 185 milionë euro shënojnë investimet e huaja direkte në sektorin e energjisë dhe industrinë nxjerrëse në Shqipëri, shifër që tregon që ky sektor ka investime dhe kërkesa është në rritje. Ndërkohë, parqet e turbinave me erë, janë akoma të paprekur dhe duhet të orientohen investime.

E treta do të ishin ndryshimet në lehtësimin e procedurave se si mund të përmirësojmë disa pika në ligj. Sondazhi Doing Business, nga Banka Botërore, e vendos Shqiperinë të 63-të nga 190 vendet për lehtësinë e të bërit biznes, sidoqoftë duhet të tejkalohen akoma disa barriera në letësimin e disa procedurave, e cila mendoj kërkon një reformë të plotë (jo të pjesshme) në procesin e fillimit të hapjes së një biznesi, që do të thotë:

  • Vlerë më e ulët minimale për hapjen e një shpk apo sha. Vlera totale e investimit nuk është e rëndësishme për IHD në momentin e hapjes së biznesit. Nuk kemi pse kushtëzojmë hapjen e tij me vlera 25.000 – 30.000 Euro. E mira është që vlera fillestare të jetë e pakushtëzuar pasi investimi real është ai që vjen dhe më mbrapa, pas hapjes së certifikatës së biznesit. Kjo metodë e përthith më shpejt investimin. Të marr një shembull; Po të lejojmë një investitor të regjistrojë një biznes me 1000 Euro. Pas hapjes së biznesit (jo më shumë se 1 muaj), për vetëm procedura të biznesit atij do i duhet të sjellë dhe për shembull 10,000 euro për arredim zyrash ose dyqanesh dhe 5000 euro për paga stafi më vonë dhe 50,000 euro për marketing dhe 20,000 euro për produkt. Pra lehtësisht kemi përthithur kështu një investim 86,000 Euro, por që hapet vetëm me 1000 Euro në momentin e regjistrimit dhe kjo nuk dëmton as investitorin as vetë institucionin.
  • Sistemi i hapjes së një kompanie 3-5 ditë. Kjo mund të arrihet në një kohë dhe me të shkurtër, nëse punohet që sistemi të jetë online. Mjafton të ngrihet një sistem për regjistrimin e biznesit si pjesë e faqes së QKR, tek i cili gjen gati jo vetëm dokumentacionin (i cili gjithashtu mund të shkurtohet, të mjaftojnë vetëm ID dhe statusi i kompanisë), por dhe drafti ligjor i dokumentave, sidomos statuti të jetë i gatshëm në sistem. Kjo bën që vetë stafi, të jetë i njohur me draftin dhe bizneset të jenë të detyruar të punojnë të gjithë njësoj me të njëjtin draft, ku mbeten për t’u zëvendësuar vetëm emrat e aksionerëve, vlera e investimit, fushat e aktivitetit. Pasi plotësohen, çdo gjë skanohet dhe ngarkohet online. Stafi i QKR, që tashmë e njeh draftin, e ka më të shpejtë dhe të lehtë vendimarrjen. Bën analizën e duhur dhe njofton investitorin, vetëm kur kartoni i certifikatës së biznesit të jetë gati. Gjithashtu hapja e një llogarie bankare nuk ka pse të jetë e detyrueshme në këtë fazë. Ajo le të jetë e detyrueshme në një fazë të dytë, pasi për procedura vetë biznesi do të jetë i detyruar ta hapë si për kalimin e pagave, faturave etj. Nga ana tjetër kjo nuk e dëmton institucionin, vetëm e pasuron dhe shton numrin e bizneseve.

Një kompani nuk duhet të paguajë tatime kur certifikata është e hapur dhe nuk ushtron aktivitet. Kjo e bën investitorin ta mendojë dy herë hapjen e biznesit.

Ka hapësirë të përmirësohet tatimi, i cili është 15%. Mund të bëhet i përshkallëzuar duke lehtësuar vitet e para, psh 0% vitin e parë 8% vitin e dytë dhe 15% vitin e tretë.

Sidomos në bujqësi është i nevojshëm ndryshimi kategorizimit të ligjit, sipas llojit të investimit. Kjo do të thotë që bujqësia është pak më specifike. Nëse investohet në mbjelljen e 5000 rrënjëve ulli, kjo pemë i sjell frytet e saj pas katër vjetësh. Nuk mund të përfshihet në tatim dhe taksa njësoj si bizneset e tjera, pasi të ardhurat gjenerohen vetëm pas vitit të katërt.

Trajnimet. Ligji per nxitjen e punësimit parashikon lekë për trajnime. Po për profesione “të veëanta”? Kur shqiptarët i ëon kompania jasht shtetit ose dërgon dikë këtu për t’i trajnuar? Duhet parashikuar bileta dhe dieta.

E katërta dhe e fundit është që pavarësisht potencialit dhe mundësive që ofron Shqipëria, e gjitha do të ishte një produkt në magazine, që klientët nuk dinë qe ekziston, nëse nuk promovohet siç duhet. Nuk mund të “ulemi të presim” të shohim kush po vjen. Është e nevojshme të ngrihet ekip prej 20 vetash, me ekspertizën e duhur në marketing global, (shembull Korporata Shqiptare e Zhvillimit Ekonomik ose tjetër emër) si pjesë e ministrisë së jashtme, i cili harton një strategji 3-5 vjeçare për promovimin dhe tërheqjen e IHD-ve. Dhe nëse do ishte e pamundur ngritja e kësaj strukture, është e rëndësishme që promovimi të bëhet në mënyrën e duhur. Mesazhet shumë të përgjithshme bëjnë që marketingu të shkojë në vesh të shurdhët, pasi humbet vëmendjen e tyre, sepse fushata është shumë e përgjithshme dhe nuk kuptohet, kujt dhe për çfarë i drejtohet. Akoma më efikase do të ishte krijimi i psh 10 projekteve kyçe, në sektorë të ndryshëm dhe të promovohej investimi në to. Psh nuk do të ishte e përshtatshme thirrja: Investoni në Shqipëri! Por specifike: Investoni në Marinat e para në Shqipëri! Dhe e dimë mirë që “e para” do të thotë shumë për një investitor…Kjo do të lehtësonte të kuptuarit se si segmeti specifik i kompanisë, ka nevoja dhe potencial, gjithashtu si funksionon vërtet dhe do ta bënte më të lehtë vendimarrjen, për të kapërcyer kështu direkt tek “hapi i tretë” në investim. E njëjta strukturë, luan rolin e “kujdesit ndaj klientit” ose kujdesi pas investimit në Shqipëri, në mënyrë që investitori jo vetëm, të mos largohet kurrë, por të ketë dëshirë të investojë në sektorë të tjerë. Thirret në zyrë dhe ndihmon në zhvillimin më tutje të biznesit të investitorit.

Lexoni: Samiti i Turizmit: jo më fshatra turistikë. Hotelet kusht për investime strategjike

Në një intervistë dhënë për Global FDI, Kryeministri Z. Rama shprehet: “Në fundin e 2018 rritja ishte 4.5%, por numrat janë akoma duke u vlerësuar. Ne duam të mbajmë rritjen mbi 4%. Kemi pasur gjithashtu një ulje të papunësisë nga 18.7 në 12.3%. Qëllimi ynë është të shkojmë drejt 8%. Nuk do të jetë e lehtë, por është e mundur.”

Sigurisht që është një target i arritshëm, e rëndësishme është që qeveria të përqëndrohet në fuqizimin e nivelit të rritjes së investimeve, të promovojë stabilitetin politik në ekonomi dhe të realizojë disa ndryshime të vogla, por të domosdoshme, për të sjellë më shumë hyrje të IHD-ve në vend.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0