Njeriu që shpiku shitblerjen e librave

Njeriu që shpiku shitblerjen e librave

shitblerjen e librave

Pak njerëz ka të ngjarë ta kujtojnë sot James Lackingtonin (1746–1815) dhe librarinë e tij dikur të famshme në Londër, “Tempulli i Muzës”, por nëse ka të ngjarë që si klient të keni blerë ndonjëherë një libër me çmim shumë të lirë, keni përshkuar mendueshëm rreshtat e rafteve të mbingarkuara të një librarie të madhe, ose keni kaluar një pasdite në zonën e leximit të një librarie thjesht për qejf (pa blerë asgjë!), atëherë i keni përjetuar tashmë disa nga mënyrat me të cilat Lackingtoni ndryshoi shitblerjen e librave në fund të shekullit XVIII.

Dhe, nëse jeni shitës librash, atëherë ka gjasë që t’i keni hasur tashmë strategjitë e marketingut dhe trysninë e konkurrencës që e ka zanafillën në dyqanin e librave të Lackingtonit.

Në tregun e shekullit XXI, ngjallet nganjëherë dëshira për një epokë më të hershme, më të thjeshtë, por tensioni i ankthshëm mes të mëdhenjve të shitblerjes dhe shitësve me pakicë duket se ka qenë i përhershëm që nga fillimi. “Tempulli i Muzës”, një nga libraritë e para moderne, ishte një sipërmarrje gjigande, deri tani libraria më e madhe në Angli, me inventar prej mbi 500 mijë vëllimesh, shitje vjetore të 100 mijë librave dhe të ardhura vjetore 5.000 paundë (afërsisht vlera e 700 mijë dollarëve sot). Të gjitha këto e bënë Lackingtonin shumë të pasur, të admiruar nga disa dhe të përbuzur nga të tjerë, por librashitësi më i madh në Londër e nisi karrierën pa lavdi, si një këpucar i pashkollë.

Duke qenë pjesëtar i një familjeje me 11 fëmijë, djaloshi Lackington shkoi tek një këpucar për të mësuar zanatin. Nuk kishte arsimim zyrtar, por që në moshë të hershme kuptoi vlerën e librave dhe bashkë me shokët viheshin në kërkim të tregjeve ku shiteshin botime me çmim të lirë të poezive, dramave, dhe të letërsisë klasike të përkthyer, me qëllim që të mësonin në mënyrë autodidakte të lexuarit dhe të zgjeronin njohuritë për botën. Më vonë u zhvendos si këpucar në ,Londër me bashkëshorten Nancy, dhe vite më vonë përshkroi në kujtimet e tij se si me të mbërritur në qytet, e harxhoi një gjysmë korone të mbetur për të blerë librin me poezi “Mendimet e natës” të Edward Young: “Sepse po të blija ushqime për darkën që do ta hanim të nesërmen, kënaqësia e saj do të harrohej shpejt, por nëse do të jetonim edhe pesëdhjetë vjet të tjera, duhej të kishim ‘Mendimet e natës’ për t’i shijuar edhe atëherë.” Jo shumë kohë më pas, në vitin 1774, Lackingtoni mundi të merrte me qira një dyqan dhe filloi të shiste edhe këpucë edhe libra.

Fundi i shekullit XVIII ishte kohë e ndryshimeve të mëdha shoqërore për Londrën. Më shumë njerëz po mësonin të lexonin dhe shtimi i kohës së lirë për klasën punëtore dhe të mesme do të thoshte rritje e kërkesës për libra. Por, librat ishin akoma artikull i shtrenjtë luksi, kurse libraritë mund të ishin vende ku ndjeheshe në siklet.

Në atë kohë, nuk nxitej thjesht të kaluarit e kohës në librari apo qoftë edhe shfletimi i librave. Lackingtoni donte të gjente një mënyrë për t’i bërë librat më të përballueshëm financiarisht dhe libraritë hapësira që vizitoheshin, duke qenë sërish aktivitete me fitim dhe me këtë në mendje, ai filloi të ndryshoj tregtinë e librave në të paktën katër mënyra.

Risia e parë ishte zhdukja e elementit kryesor të jetës tregtare të shekullit XVIII: pagesës me listë. Ai drejtoi një biznes ku paguhej vetëm me para në dorë, gjë që fillimisht i tronditi rivalët e tij dhe u quajt fyerje prej disa klientëve, por ai arsyetoi që nëse shiste me para në dorë, po kështu mund të blinte me para në dorë në vend që të merrte hua të kushtueshme. Në këtë mënyrë shmangte tarifat e interesit si dhe humbjet nga klientët që nuk paguanin dot borxhet.

Risia e tij e dytë kishte të bënte me menaxhimin e librave të pashitur. Ishte praktikë standarde që shitësit e librave blinin sasi të mëdha librash, i shkatërronin më pas më shumë se tre të katërtat e tyre për të rritur kësisoj çmimet. Por, Lackingtoni bleu sasi shumë të mëdha, ndonjëherë biblioteka të tëra, dhe pastaj uli në mënyrë drastike çmimet e të gjithë librave në mënyrë që t’i shiste në sasi të mëdha. Në këtë mënyrë i mbante në qarkullim, i bënte të përballueshme financiarisht për një gamë më të gjerë blerësish dhe në të njëjtën kohë kishte të ardhura të mëdha.

Risia e tretë e Lackingtonit është e njohur për këdo që i pëlqen të bëj pazar: ai i bindi klientët që tashmë kishin një ofertë mëse të leverdishme dhe nuk pranoi të debatohej për çmimet. Vendosi në dyqan këtë tabelë: “Çdo libër ka çmimin më të ulët dhe nuk ka ulje çmimi për asnjë artikull”.

Deri më 1794, ai kishte grumbulluar sasi kaq të madhe librash, sa vendosi që bashkë me ortakun Robert Allen të zhvendosej në një librari në “Finsbury Square”. E quajti librarinë “Tempulli i Muzave” dhe sipër hyrjes vendosi një tabelë ku me guxim lajmëronte: “Libraria më e lirë në botë”. “Tempulli i Muzave” u bë një vend tërheqës për turistët dhe kjo ishte risia e katërt e Lackingtonit: madhësia e pazakontë e librarisë, me pamje spektakolare që i bënte të dukeshin të vogla të gjitha libraritë e tjera të kohës, duke u kthyer në një destinacion në vetvete.

Me një hyrje 42 metra të gjatë, në mes të hollitë të madh ishte një banak rrethor me aq hapësirë sa mund të kalonte një karrocë postare me gjashtë kuaj. Mbi këtë banak, një shkallë të çonte tek “dhomat e leximit” ku klientët mund të lexonin poshtë galerive me raftet e mbushura me libra në plot katër kate. Kat pas kati, klientët gjenin libra më të përdorur dhe më të lirë. Poeti John Keats kaloi shumë orë duke lexuar falas në “dhomat e leximit” dhe pikërisht atje u takua me botuesit e tij të parë, “Taylor and Hessey”, të cilët punonin në dyqan.

Siç ishte e zakonshme në atë kohë, shumë shitës librash ishin gjithashtu edhe botues, dhe Lackingtoni herë pas here bëhej pjesë e sipërmarrje të tjera botuese. Më e rëndësishmja, më 1818, Lackingtoni u bashkua me shtëpinë “Hughes, Harding, Mavor & Jones” për të botuar një numër shumë të vogël (500 kopje të pamjaftueshme!) të një romani të pazakontë nga një emër i panjohur, Mary Shelley. Romani, natyrisht, ishte “Frankeshtajni”.

Teksa një shitës librash u kthye në botues, Lackingtoni botoi dhe ribotoi shumë herë autobiografinë e tij, deri-diku sepse ishte mëse i vetëdijshëm që emri i mirë kishte në rrezik t’i cenohej, pasi suksesi i tij ngjalli kritika nga shitësit e tjerë të librave. Disa nga kundërshtarët argumentonin se katalogët e librave e tepronin me cilësinë e librave, kurse të tjerë këmbëngulnin se pasurinë duhej ta kishte vënë nga ndonjë lotari e fituar sepse dukej e pamundur që ta kishte krijuar vetëm nga shitjet e librave.

Të tjerë e akuzuan për konkurrencë të pandershme; ata thoshin se ai kontrollonte një pjesë të madhe të tregut dhe duhet të “tërhiqej” pasi e kishte krijuar tashmë pasurinë e vet.

Një argument i ngjashëm mund të dëgjohet edhe sot: tani që “Amazon” ka filluar hapjen e librarive të konceptuara si godina të ndërtuara me tulla dhe llaç (e para u hap në Seattle në nëntor 2015, një tjetër në San Diego) disa kanë shtuar pyetjen nëse kjo është e nevojshme apo gjë e mirë, pasi shitësi online tashmë kontrollon më shumë se 60 për qind të tregut të librave. Dhe, ashtu si Jeff Bezosi i Amazonit, edhe Lackingtoni u bë shumë popullor.

Një flamur ngrihej sipër “Tempulli i Muzave” për të njoftuar klientët kur ishte i pranishëm në librari, kurse përshkonte rrugët e Londrës në një karrocë që kishte të shkruar me moton e tij: “Fitimet e vogla bëjnë gjëra të mëdha.” Ai madje krijoi emblema me imazhin e vet, të cilat mund të përdoreshin si kompensim për pagesën e blerjeve në dyqan. Katalogu i librave që gjendeshin në librari shtypej rregullisht dhe bëheshin porosi nga klientë të largët deri në Amerikë.

Lackingtoni përfundimisht ia shiti librarinë një kushëriri në vitin 1798 dhe u tërhoq në fshat për t’u aktivizuar me kohë të pjesshme si predikues i Kishës Metodiste. Mjerisht, “Tempulli i Muzave” u shkrumbua nga zjarri në vitin 1841 dhe nuk u rindërtua kurrë.

Megjithëse libraria gjigande nuk ishte pjesë e një zinxhiri librarish, ky zinxhir modern librarish do të krijohej vetëm një dekadë më vonë kur “A&P Supermarket” hapi dyert e saj në Amerikë, ndërsa risitë e Lackingtonit dhe praktika e tij e diskutueshme për të shmangur konkurrencën duke shitur me sasi të mëdha dhe me çmime shumë të ulëta, vazhdojnë të jenë pjesë e modelit të biznesit për zinxhirët e librarive të mëdha dhe shitësit në internet si “Barnes & Noble” dhe “Amazon” edhe sot. /Arratisje.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0