Nikola Kedhi: ja si e shoh platformën e Hysni Sharrës për Vlorën - Business Magazine Albania

Nikola Kedhi: ja si e shoh platformën e Hysni Sharrës për Vlorën

Hysni Sharra

Shkruar nga Nikola Kedhi -ekspert ekonomik, konsulent financiar dhe kontribuues në media të ndryshme si FoxNews, DailySignal, Newsweek e Il Giornale. Kedhi është dhe një nga hartuesit e Kushtetutës së Vlerave të Djathta.

Nikola Kedhi, ka zhvilluar analiza të politikave ekonomike edhe të personaliteteve ndërkombëtare të politikës, si Donald Trump. Pak muaj më parë ai kontribuoi në hartimin e Kushtetutës së Vlerave të Djathta. Në rastin e fundit, Kedhi sjell shembullin e një kandidati për zgjedhjet lokale, dalë nga komuniteti lokal i Vlorës. Kedhi i mëshon faktit se cdo kandidat duhet të votohet për atë që ofron.

Përgjatë dekadës së fundit, të paktë kanë qenë kandidatët për deputetë, këshilla bashkiakë apo kryetarë bashkie që kanë dalë nga e djathta e që më kanë entuziazmuar. Vija re një boshllëk mendimi, mungesë idesh, propozimesh, vizioni e alternative, dhe një tepricë panatyrshmërie, artificialiteti e ngurtësie.  E ishte normale deri diku pasi vetë kryetari i asokohshëm i Partisë Demokratike rrezatonte këto karakteristika, të cilat kanalizoheshin në të tërë kapilarët e këtij grupimi politik, duke ndikuar dhe kandidatin më të mirë.

Procesi i primareve – me të gjithë problematikat që ka shfaqur si çdo proces që kryhet për herë të parë – ka nxjerrë mjaft kandidatë të mirë. Një shembull i tillë është kandidati demokrat i koalicionit Bashkë Fitojmë, Hysni Sharra. Nëse votuesit e bashkisë së Vlorës kërkojnë të përfaqësohen nga një individ i dalë nga komuniteti i tyre, i cili ndan të njëjtat shqetësime e probleme me ta, që ka integritet, seriozitet, ndershmëri, qartësi ideologjike, vizion, program konkret, e që mund të shërbejë si administratori e avokati i tyre, mendoj se zgjedhjen e kanë mjaft të thjeshtë me zotin Sharra.

Rrallë ndodh që në Shqipëri të merrem me programin e ndonjë kandidati për çfarëdo zgjedhje të jenë, më së shumti sepse ose nuk kanë program, ose është një program i parealizueshëm, pa ndonjë koherence e qartësi. Programi i Hysni Sharrës për Bashkinë Vlorë – të gjithë bashkinë, në çdo centimetër të saj, e jo thjesht për rrugën Vlorë-Skelë – është i thjeshtë, i realizueshëm, dhe ndikon për mirë çdo individ që jeton në të dhe ja vlen për ta analizuar e për ta sjellë në vëmendjen e votuesit vlonjat por dhe më tej. Një ndër qëllimet e këtij shkrimi është dhe për t’u mësuar me idenë se kandidati, përtej integritetit dhe karakteristikave personale, duhet gjykuar e votuar për atë që ofron.

Në takimet elektorale që ka kryer apo dhe në daljet e tij mediatike, turizmi i qëndrueshëm dhe cilësor ka qenë kryefjalë. Zgjatja në kohë e periudhës turistike me një kombinim të turizmit detar, malor, kulturor, historik është tejet i rëndësishëm e një domosdoshmëri madje, në një bashki që e ka të tërë potencialin me burimet natyrore dhe historinë që ka. Kjo do të çonte në një zhvillim të qenësishëm jo vetëm në zonën e qytetit, dhe atë bregdetare, por sidomos në zonën rurale, për të incentivuar krijimin e agroturizmit e fermave. Fshatra me një potencial të jashtëzakonshëm janë lenë në harresë, me një infrastrukturë të shkatërruar, pa perspektivë zhvillimi dhe me banorë që vuajnë mungesën e elementeve më bazikë të jetesës. A duan këta banorë të jetojnë në kushtet më minimale të mbijetesës, apo janë gati për të guxuar për të ardhmen e tyre? Unë jam i sigurt që ata mendojnë dhe janë gati të zgjedhin këtë të dytën, për më shumë dinjitet nëpërmjet punësimit e zhvillimit të tokës e pasurive të tyre.

“Vlora, një qytet turistik në periudhën më të madhe të vitit” realizohet duke përmirësuar si fillim shërbimin. Nevojitet një forcë punëtore e specializuar për këtë, si kudo në botë, dhe e aftë për të përballuar fluksin e turistëve dhe në periudhën më të ngarkuar të vitit. Vlora ka një Universitet, i cili mund të fokusohet te sektori i hotelerisë dhe turizmit – një fushë studimi dhe ekspertize me një treg të gatshëm pune. Dhe Sharra premton një shtysë dhe një bashkëpunim mes bashkisë dhe universitetit për te përgatitur studentët për këtë treg pune që ekziston.

Natyrisht, mjedisi, si karakteristikë e konservatorizmit, nuk mund të mos kishte një rol primar në program. Nuk mjafton vetëm mbjellja e pemëve në kohë fushate. Mbajtja pastër e ujerave, e vijës bregdetare, evitimi i derdhjes së ujerave të zeza aty ku nuk duhen, do të duhet të jenë veprimet e para në Bashki. Infrastruktura është e bërë që prej vitit 2004. Duhet thjesht finalizuar, gjë qe nuk është bere në këto dy dekada. Nevojitet një fokus më i madh për pastërtinë e qytetit në çdo lagje dhe cep të tij. Një administratë efikase, e mirë-menaxhuar nuk mund të lejojë në asnjë qytet, e aq më pak në një vend turistik, plehra rrugëve.

Keqpërdorimi i pasurive natyrore dhe ndotja e mjedisit, shpesh e toleruar për hir të interesave të ndryshme personale dhe politike, duhet ndaluar. Prandaj përdorimi i pasurive natyrore duhet bërë në mënyrë etike sipas standardeve dhe teknologjisë bashkëkohore, me përgjegjësi, duke mos shkaktuar ndotje apo dëme. Në këtë aspekt, plani i zotit Sharra për pastërtinë dhe mjedisin është në linjë jo vetëm me Kushtetutën e Vlerave të djathta të PD, por dhe me nevojat dhe kërkesat e çdo votuesi e qytetari vlonjat.

Infrastruktura lokale, për të përmirësuar çdo lagje dhe të gjithë lëvizshmërinë në bashki, duket se do të ketë një fokus të rëndësishëm në një qeverisje të mundshme të bashkisë nga kandidati i djathtë i Bashkë Fitojmë. Lagje të tëra të lëna në errësirë, me siguri të ulët veçanërisht natën, dhe me rrugë të pashtruara hasen rëndom nëpër territorin e bashkisë. Kjo duhet të marrë fund. Harxhohen taksa pafund për të bërë të njëjtat rrugë, apo vepra disa herë, ndërkohë shumica e lagjeve janë të pashtruara. Nuk mund të kemi banorë të dorës së parë dhe të dorës së dytë. Të gjithë banorët e bashkisë Vlorë janë të barabartë dhe meritojnë të njëjtën cilësi të lartë shërbimesh. Në programin e Hysni Sharrës vërejta pikërisht këtë përqëndrim në gjërat e thjeshta por të rëndësishme dhe që prekin jetën e çdonjërit që banon në bashki.

Gjithashtu, ka një përqëndrim te forcimi i identitetit të qytetit, jo duke prishur sheshin, apo vepra të tjera sërish, por duke i përmirësuar ato, për të ndërtuar dhe nxjerrë në pah veçoritë më të mira të qytetit të Vlorës, të traditave, historisë e kulturës së saj ishte në programin e kandidatit demokrat të Bashkë Fitojmë.

Bujqësia dhe investimi për të nxjerrë produktet lokale me markën Made in Vlora është gjithashtu një propozim i rëndësishëm. Sharra propozon një marketing të shtuar nga ana e Bashkisë dhe institucioneve që varen prej saj për produktet lokale. Nëse nuk ka mjaftueshëm treg të brendshëm, ekziston dhe tregu i jashtëm, apo përpunimi i produkteve lokale, për të evituar hedhjen poshtë dhe për shndërruar tërësisht ekonominë vlonjate e për ta kthyer në shembull për Shqipërinë.

Në Kushtetutën e Vlerave të Djathta ne kemi vendosur theksin te nevoja therrëse e ekonomisë shqiptare për të ndryshuar model, nga thjesht një importuese neto, konsumatore dhe e shërbimeve, në prodhuese dhe eksportuese të prodhimeve vendase.  Në funksion të kësaj, sektori i bujqësisë dhe  turizmit janë pika të forta të ekonomisë shqiptare, të mbështetura nga tradita, njohuritë dhe aftësitë tona në dhjetëvjeçarë e shekuj, burimet natyrore dhe njerëzore dhe përparësia konkurruese e mundshme me vendet e rajonit.

Bujqësia nuk shihet si një industri e mirëfilltë dhe motor zhvillimi. Me Sharrën në Bashki, jepet mundësia për një përqasje të re ndaj fermave bujqësore dhe blegtorale, si ndërmarrje të vërteta rurale, një zhvillim i industrisë së agro-përpunimit, agroturizmit, përdorimi i teknologjive të kohës që sjell prodhimin me kosto të ulët dhe përballjen me konkurrentët në rajon, qëndrojnë në themel të zhvillimit të qëndrueshëm të Vlorës rurale. Këto arrihen nga ndërmarrjet private që do të afrohen në Vlorë nga vizioni i një udhëheqje të re të bashkisë. Patjetër që ulja e kostove dhe rritja e mbështetjeve për zhvillimin e sektorit bujqësor do të rrisë konkurueshmërinë e produktit prodhimit vendas në krahasim me vendet e tjera të rajonit.

Ky zhvillim i individëve, familjeve vlonjate dhe sipërmarrjeve të vjetra e të reja, do të ndihmohet nga ulja e taksave lokale me 30 përqind, kufiri ligjor, zero taksa për ndërmarrjet e reja në 3 vitet e para dhe reduktim ne masën 50 përqind i tarifës së zënies së hapësirave publike nga operatoret turistike, të cilët e paguajnë për 6 muaj kur në fakt sezoni turistik është më i shkurtër.

Lexo: Samsung ndalon përdorimin e ChatGPT mes punonjësve pas rrjedhjes së kodit sensitiv

Sipas një analize të shpalosur nga A2CNN, Vlora është një nga Bashkitë me borxhin më të lartë në vend. Mirë menaxhimi i fondeve ishte një ndër pikat që pashë në programin e zotit Sharra. Borxhi i madh i qytetit duhet ulur. Duke ulur taksat, rritet baza e tatimpaguesve pasi njerëzit kane me shume incentiva për të paguar, ulet evazioni, dhe rriten të ardhurat e bashkisë. Gjithashtu, me barrën fiskale te ulur kompanitë kanë më shumë para për të rritur pagat e punonjësve apo për të investuar e për t’u rritur. Kjo rrit ekonominë lokale. Nga ana tjetër duke ulur shpenzimet operative për rregullime zyrash apo shpenzime që nuk ndikojnë ne jetën e qytetarit, duke menaxhuar pra më mirë të ardhurat qe vijnë nga taksapaguesit, arrihet të ulet borxhi i lartë. Është mundësia për ta kthyer Vlorën në ekonominë lokale më të fortë në vend me më shumë punësim, zhvillim e rroga më të larta.

Një nga propozimet që mu duk më interesante ishte zgjedhja me vote e administratorit ne rajonet e bashkisë. Kjo rrit demokracinë në qytet, inkurajon llogaridhënien në çdo hallkë, dhe është një hap konkret drejt decentralizimit, që çon në rritjen e fuqisë së qytetarit. Ky është dhe koncepti i përfaqësimit, dhe komunitetit që Partia Demokratike e Rithemeluar shpjegon në Kushtetutën e Vlerave.

Hysni Sharra është një individ që vjen nga një familje e vjetër, patriotike vlonjate, që njeh nga afër qytetin dhe problematikat e tij. Nuk ka lëvizur asnjëherë nga qyteti, e ka kontribuar përherë për të, ashtu si familja e tij. Me karrierën që ka bërë si në sektorin privat, dhe brenda Partisë Demokratike, më është dukur përherë shembull i provuar i meritokracisë. Duke qenë se është produkt i meritokracisë, rriten shanset që të inkurajojë të njëjtën gjë në bashki. Meritokracia sjell mandej dhe rritjen e transparencës, dhe uljen e korrupsionit.

Gati tre dekada me një qeverisje, patjetër qe krijojnë nevojën për ndryshim. Mendoj se çdo votues i Vlorës është i vetëdijshëm për këtë dhe e pranon domosdoshmërinë për ndryshim. Vetë Partia Socialiste ka shprehur pakënaqësinë me kryetarët e fundit të Bashkisë Vlorë të zgjedhur nga vetë ajo. A nuk është kjo një arsye më tepër për të zgjedhur dikë tjetër, aq me tepër një individ të dalë nga komuniteti i Vlorës e që jeton aty pa ndërprerje, dhe që dukshëm është në lartësinë e detyrës dhe me propozime konkrete për probleme të dala nga vetë qytetarët? Çfarë mund të kenë qytetarët e Vlorës për të humbur duke zgjedhur dikë ndryshe, të cilin nëse nuk i përmbush pritshmëritë mund ta heqin sërish më lehtë pas katër vitesh? Vetë zoti Sharra ka thënë se do të bashkëpunojë me çdokënd që do të punojë për të mirën e Vlorës. Nëse dhe qeveria është e prirur të punojë në këtë drejtim edhe me Hysni Sharrën në drejtim të Bashkisë, qytetarët e Vlorës dalin të fituar. Nga ana tjetër ata balancojnë pushtetin, dhe rrisin fuqinë e tyre negociuese si me Qeverinë dhe me Bashkinë.

Vlonjatët në momente te caktuara të historisë kane ditur të ngrihen në lartësinë e sfidave të kohës dhe të bëjnë ndryshimin. Janë sërish ne një moment të tillë, ku pritet që të marrin në dorë fatin dhe vendimmarrjen e bashkisë së tyre, për t’u bërë kryefjalë e këtyre zgjedhjeve dhe për t’i dhënë Shqipërisë një leksion demokracie, qytetarie dhe patriotizmi.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0