Nga Kosova në tregun e Amerikës me kompani multi-milionëshe $. Historia e jashtëzakonshme e Ornis Malës - Business Magazine Albania

Nga Kosova në tregun e Amerikës me kompani multi-milionëshe $. Historia e jashtëzakonshme e Ornis Malës

Nga Ardian Pllana

Ornis Mala është një sipërmarrës i ri nga Kosova, por që suksesin duket se e ka gjetur në tokën e ëndrrave, në Amerikë. Ornis pas përfundimit të studimeve atje ka punuar në kompani të ndryshme teksa më pas ka nisur sipërmarrjet e tij duke themeluar një seri kompanish që sot kapin një vlerë tregu në miliona dollarë. Suksesi i sipërmarrjeve të tij është rezultat i përkushtimit  në punë, vizionit, por sigurisht edhe talentit të padiskutueshëm. Në këtë rrëfim ekskluziv për BM, Ornisi na tregon më tej për themelet e kompanive të tij, rrugëtimin nga Kosova në Amerikë, balancën mes punës dhe familjes si edhe ndan me ne disa këshilla tejet me vlerë për secilin ndërmarrës të ri i cili dëshiron t’i bashkohet botës sfiduese të biznesit.

Kush është Ornis Mala dhe si lindi ideja për krijimin e kompanive tuaja, përmendim ndër to: “The Social Plus” dhe “Kore.co” ? 

Unë jam Ornis Mala, një sipërmarrës i apasionuar nga teknologjia dhe inovacioni. Jam lindur dhe jam rritur në Kosovë, por kam pasur mundësinë të studioj në universitete prestigjioze në Amerikë, ku kam fituar njohuri të thella në menaxhim dhe zhvillim produktesh. Ideja për krijimin e kompanive tona lindi nga dëshira për të krijuar zgjidhje që adresojnë nevojat e tregut dhe që sjellin një ndikim pozitiv në të gjithë llojet e bizneseve, ku menaxhmenti të fokusohet në zhvillimin e tregut brenda kompanisë e jo pandërprerë të investojë në përmirësimin dhe integrimin e operacioneve brenda bizneseve të tyre. 

“The Social Plus” u fokusua në ndihmën e bizneseve për të rritur angazhimin e tyre me klientët përmes platformave të personalizuara sipas kërkesave të tyre. Ndërsa “Kore.co” u orientua drejt ofrimit të zgjidhjeve teknologjike të integruara në një platform, me një kosto më se të përballueshme për cfarëdo biznesi, dhe që përmbush të gjitha nevojat e të gjitha operacioneve që nevojiten brenda një biznesi, nga procesimi i kartelave bankare, faturimi, CRM, raporte dhe analizë e të gjitha reviews online përmes inteligjencës artificiale, sistemi i telefonit, marketingut me SMS dhe Email, dizajnit, e shumë shërbime të tjera. 

Sot, këto dy kompani janë vlerësuar në miliona dollarë, dhe jemi krenarë për arritjet dhe ndikimin tonë në tregun ndërkombëtarë, posaçërisht në atë në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, i cili vazhdon të rritet çdo ditë.

Si një i ri i shkolluar në universitete ndër më prestigjiozet në Amerikë, cilat ishin sfidat kryesore që u përballët gjatë fillimit të sipërmarrjeve tuaja?

Gjatë fazës fillestare, përballja me sfida ishte një pjesë e natyrshme e procesit. Një nga pengesat kryesore në “The Social Plus” ishte mungesa e burimeve financiare për të mbështetur zhvillimin e produkteve dhe marketingun. Përveç kësaj, edukimi i tregut për zgjidhjet tona kërkonte kohë dhe përpjekje të konsiderueshme. Ne arritëm t’i tejkalojmë këto sfida përmes ndërtimit të marrëdhënieve të forta me klientët dhe duke investuar në marketing të strategjive të duhura. Krijimi i një rrjeti mbështetës nga profesionistë të tjerë na ndihmoi të rrisim besimin dhe të promovojmë produktet tona brenda “The Social Plus”. 

Kurse një strategji të cilën tani më e ndjekim pa ndalur është ajo që një kompani e jona të financojë një kompani tjetër brenda grupit tonë deri në suksesin e rradhës dhe kështu të krijojmë një seri të kompanive të suksesshme brenda “The Social Plus Holding”. Kjo ndodh pasi që nuk kemi nevojë që të shkojmë nëpër të gjitha ato sfida që njëherë i kemi tejkaluar në fillim me “The Social Plus”.

Për shembull, me “The Social Plus” financojmë një kompani tjetër, po ashtu e jona, që quhet “SmartBox”, për një kohë të gjatë, deri sa ajo arriti që produktet e “SmartBox” të përdorën në të gjitha kontinentet e botës, deri ne Australinë e largët. 

Pasi që “SmartBox” ka arritur një stabilitet, kemi filluar ne vitin 2020 me “Kore.co”, ku me ato fonde kemi krijuar, siç e ceka edhe me lartë, një ekosistem platformash për të gjitha operacionet e cfarëdo lloj biznesi. Tani “Kore.co” ka filluar të marr një formë të vetën e të suportojë qindra biznese ku pretendojmë që për një kohë të shkurtër të dalim IPO në bursën e New York-ut.

Të njejtën strategji e kemi ndjekur edhe për “The Social Plus Unlimited”; “Kids Art and Café”, “Closers Estate”, etj.

Ky artikull është publikuar në numrin 37 të revistës Businessmag

Abonohu për të lexuar artikujt e BM!

Duke marrë parasysh përparimet në inteligjencën artificiale dhe teknologjitë e reja, si mendoni se do të evoluojnë bizneset tuaja dhe bizneset në përgjithësi në të ardhmen?

Duke marrë parasysh përparimet në inteligjencën artificiale dhe teknologjitë e reja, besoj se do të shohim një evolucion të dukshëm në mënyrën se si funksionojnë bizneset, duke përfshirë edhe kompaninë tonë. Inteligjenca artificiale do të ketë një ndikim revolucionar, duke na ofruar mundësi të reja për të analizuar të dhënat dhe për të optimizuar shërbimet që ofrojmë.

Mendimi im është se inteligjenca artificiale do të mundësojë analiza të avancuara të të dhënave, duke na ndihmuar të kuptojmë më mirë nevojat e klientëve tanë. Kjo do të lejojë që ne të ofrojmë zgjidhje më të personalizuara dhe më të efektshme, duke përmirësuar përvojën e klientëve. Automatizimi i proceseve do të sjellë efikasitet më të madh dhe do të ulë kostot, duke na lejuar të fokusojmë burimet tona në inovacion dhe zhvillim.

Një shembull konkret i kësaj është platforma jonë “iReview”, e cila menaxhon rishikimet online. Kemi integruar inteligjencën artificiale për të kryer analiza dhe raporte se si qendron një biznes i caktuar, bazuar në atë që thonë klientët në rishikimet e tyre. E gjithë kjo realizohet nga algoritme të avancuara që na ofrojnë një pasqyrë të qartë mbi performancën e markës  në treg.

Përveç kësaj, iReview gjithashtu përfshin inteligjencën artificiale për të automatizuar përgjigjet ndaj rishikimeve të klientëve. Kjo na lejon të jemi reaktivë dhe të adresojmë shqetësimet e klientëve në kohë reale, duke forcuar kështu marrëdhënien tonë me ta.

Një tjetër sistem që kemi zhvilluar brenda ekosistemit “Kore.co” është “Designed.co”. Ky sistem është projektuar për automatizimin e të gjitha kërkesave të klientëve në lidhje me dizajnin, përfshirë brendimin, dizajnin e prezentimeve, paketimin dhe më shumë. Të gjitha këto procese realizohen përmes inteligjencës artificiale, duke na lejuar të ofrojmë shërbime më të shpejta dhe më efikase.

Përveç këtyre, kemi implementuar inteligjencën artificiale edhe në sistemin “Sendbat”, i cili automatizon bisedat e telefonit dhe SMS për marketingun me klientët. Kjo na ndihmon të arrijmë klientët tanë me mesazhe të personalizuara dhe në kohë, duke rritur ndjeshëm angazhimin dhe konvertimin.

Në përgjithësi, angazhimi ynë për të përfshirë inteligjencën artificiale në produktet tona është një hap i rëndësishëm drejt rritjes dhe përmirësimit të shërbimeve. Besoj se këto teknologji do të na ndihmojnë të evoluojmë në përputhje me ndryshimet e tregut dhe të përmbushim nevojat në zhvillim të klientëve tanë. Kështu, ne do të jemi në gjendje të krijojmë një avantazh të qëndrueshëm konkurues dhe të ofrojmë vlera të reja në çdo hap të rrugës.

Si e shihni ekosistemin e startup-eve në Kosovë dhe Shqipëri dhe çfarë ndryshimesh do të donit të shihnit në mënyrë që më shumë inovatorë dhe ndërmarrës të kishin sukses?

Duke e parë ekosistemin e startup-eve në Kosovë dhe Shqipëri, mendoj se kemi një potencial të jashtëzakonshëm, por gjithashtu përballë disa sfidave. Një nga aspektet më pozitive është rritja e numrit të sipërmarrësve dhe inovatorëve që po përpiqen të sjellin ide të reja dhe zgjidhje të avancuara në treg. Ka një energji të freskët dhe një dëshirë për të ndryshuar gjërat, që është shumë inkurajuese.

Megjithatë, ndjej se ka ende disa pengesa që e vështirësojnë zhvillimin e mëtejshëm të këtij ekosistemi. Një nga këto është mungesa e mbështetjes financiare dhe investimeve për startup-et. Duhet të krijohen mundësi më të mira për financim, duke përfshirë fonde private, siq janë ato PE (Private Equity) apo VCs (Venture Capitalist), grante dhe mundësi për investitorë të huaj që të investojnë në projekte lokale. Kjo do t’i ndihmonte shumë inovatorët të realizonin idetë e tyre dhe të kalonin nga faza e konceptit në implementim. Është esenciale që qeveritë të krijojnë kushte sa më parë për involvimin e tyre në tregun e Shqipërisë dhe Kosovës.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm është edukimi dhe trajnimi i fuqisë punëtore. Ndërmarrësit e rinj shpesh përballen me sfida në lidhje me menaxhimin e biznesit, marketingun dhe përdorimin e teknologjive të reja. Duhet të ketë më shumë programe trajnimi dhe mentorimi që të ndihmojnë në zhvillimin e aftësive të nevojshme për të drejtuar një biznes të suksesshëm.

Gjithashtu, nxitja e bashkëpunimeve mes kompanive, universitetet dhe institucionet e tjera është thelbësore. Këto marrëdhënie do të lejojnë ndarjen e njohurive dhe burimeve, si dhe do të krijojnë mundësi për inovacion të përbashkët. Iniciativa të tilla do të ndihmonin për të krijuar një komunitet më të fortë dhe më të bashkuar.

Në përfundim, besoj se, nëse adresohen këto çështje, ne do të shohim një rritje të ndjeshme të numrit të startup-eve të suksesshme në Kosovë dhe Shqipëri. Kjo do të kontribuonte në krijimin e një ekosistemi më të shëndetshëm për inovatorët dhe ndërmarrësit, duke sjellë kështu përfitime të mëdha për ekonominë lokale dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit.

 

Nga Kosova në Amerikë; si e shihni të ardhmen dhe shtrirjen e bizneseve tuaja mes këtyre dy vendeve?

Të ardhmen e bizneseve tona e shohim me shumë optimizëm. Kosova ofron një bazë të fortë për inovacion dhe për atë do vazhdojmë rritjen e kapaciteteve në Kosovë, ndërsa Amerika është një treg i madh me mundësi të shumta zhvillimi, ku gjithashtu po vazhdojmë me rritjen e numrit të ekipit me fokus në shitje dhe marketing. Ne synojmë të shfrytëzojmë përfitimet nga të dy ambientet për të zgjeruar ndikimin tonë në tregun global.

Në cilat projekte të reja teknologjike apo sipërmarrje inovative jeni duke punuar aktualisht dhe çfarë synoni të arrini me to?

Aktualisht, jemi duke punuar në disa projekte të reja që lidhen me automatizimin e proceseve të pagesave, faturimit dhe përmirësimin e përvojës së përdoruesve në systemin e shitjeve online dhe integrimin me POS të ndryshëm në treg. Disa prej këtyre projekteve fokusohen në përdorimin e inteligjencës artificiale për të ofruar zgjidhje më të mençura dhe më efikase për klientët tanë. Synojmë të sjellim produkte që jo vetëm plotësojnë nevojat e tregut, por gjithashtu rrisin standardet e industrisë, siç është edhe një sistem tjetër i ri për “clock in” (regjistrimi ditor në punë) përmes inteligjencës artificiale dhe njohjes së fytyrës në mënyrë automatike, e shumë të tjera.

Mes punës dhe familjes, cila është këshilla juaj për sipërmarrësit, cila është balanca e vërtetë për të pasur sukses në punë dhe shtëpi?

Balancimi i punës dhe familjes është një sfidë e madhe për çdo ndërmarrës dhe besoj se është thelbësor për arritjen e suksesit në të dyja fushat. Këshilla ime e parë është të vendosni qëllime dhe prioritete (goals and priorities) të qarta. Përcaktoni se cilat janë objektivat tuaja profesionale dhe familjare dhe krijoni një plan që i përshtatet atyre.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm është menaxhimi i kohës. Përdorni mjete dhe teknologji që ju ndihmojnë të organizoni ditën tuaj dhe të optimizoni aktivitetet tuaja. Kjo mund t’ju ndihmojë të bëni më shumë në më pak kohë, duke lënë hapësirë për familjen.

Një këshillë e rëndësishme është të krijoni kufij të qartë midis punës dhe jetës personale. Mundohuni të shmangni punën jashtë orarit dhe të dedikoni kohë të cilësisë për familjen. Kjo jo vetëm që do t’ju ndihmojë të ruani energjinë dhe motivimin, por gjithashtu do të forcojë marrëdhëniet me ata që i doni.

Gjithashtu, është e rëndësishme të kujdeseni për veten. Praktikoni aktivitete që ju ndihmojnë të relaksoheni dhe të rimbushni energjinë tuaj, siç janë sporti, meditimi ose thjesht kalimi i kohës me diçka që të bënë të lumtur. Kur jeni në gjendje të mirë, jeni më të përgatitur për të përballuar sfidat në punë dhe për të qënë të pranishëm në jetën tuaj personale.

Në fund, mos harroni se është në rregull të kërkoni ndihmë. Krijimi i një rrjeti mbështetjeje, qoftë nga kolegët, miqtë ose familja, mund të bëjë diferencën. Kështu, duke ndjekur këto parime, besoj se çdo ndërmarrës mund të arrijë një balancë të shëndetshëm në mes punës dhe jetës familjare, duke kontribuar në suksesin e përgjithshëm.

Cilat janë disa nga këshillat tuaja për sipërmarrësit e rinj që kërkojnë të zhvillojnë teknologji inovative në tregun shqiptar dhe ndërkombëtar?

Këshillat e mia për sipërmarrësit e rinj janë që të fillojnë duke ndërtuar si fillim një baze të fortë dhe të qëndrueshme për iniciativat e tyre afatgjate. Gjatë përvojës sonë me “The Social Plus” dhe “Kore.co” dhe kompanitë e tjera, kemi mësuar se sfidat janë një pjesë e natyrshme e procesit. Ja edhe disa strategji që kam vlerësuar shumë:

  1. Investoni në marrëdhënie: Ndërtimi i marrëdhënieve të forta me klientët dhe partnerët është thelbësor. Kjo jo vetëm që ndihmon në edukimin e tregut për zgjidhjet tuaja, por gjithashtu krijon një bazë besimi që është e nevojshme për të rritur angazhimin dhe suksesin.
  2. Financimi strategjik: Konsideroni mundësinë që një kompani e juaja të financojë një tjetër brenda grupit tuaj. Kjo strategji na ka ndihmuar të krijojmë një seri kompanish të suksesshme pa kaluar nëpër të gjitha sfidat e fillimit për çdo projekt të ri. Për shembull, SmartBox mori mbështetje për t’u bërë një produkt i njohur globalisht para se të fillonim Kore.co.
  3. Të mësuarit nga dështimet: Çdo pengesë është një mundësi për të mësuar. Të jeni të gatshëm të pranoni dështimet dhe të nxirrni mësime nga to. Ky është një proces i vazhdueshëm që ndihmon në rritjen e qëndrueshmërisë suaj si sipërmarrës.
  4. Përdorimi i teknologjisë: Shfrytëzoni teknologjitë më të avancuara, si inteligjenca artificiale, për të përmirësuar produktet dhe shërbimet tuaja. Kjo do t’ju ndihmojë të qëndroni konkurrues dhe të ofroni zgjidhje më efikase për klientët tuaj.
  5. Edukimi dhe mentorimi: Investoni në zhvillimin e vetes dhe të ekipit tuaj. Kërkoni mentorë dhe mundësi trajnimi që mund të ju ndihmojnë të zhvilloni aftësi të reja dhe të përmirësoni strategjitë tuaja.
  6. Bashkëpunimi: Nxisni bashkëpunimin midis sipërmarrësve, institucioneve arsimore dhe organizatave të tjera. Kjo do të krijojë një ekosistem më të fortë për inovacion dhe zhvillim.

Në përfundim, besoj se duke ndjekur këto këshilla dhe duke përdorur strategjitë që ne kemi implementuar, sipërmarrësit e rinj mund të krijojnë një ndikim të madh në tregun shqiptar dhe ndërkombëtar. Këmbëngulja, kreativiteti dhe gatishmëria për të mësuar janë çelësat për suksesin në këtë udhëtim. 

Ky artikull është publikuar në numrin 37 të revistës Businessmag

Abonohu për të lexuar artikujt e BM!

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0