Nga Instagram-i në dhomën e fëmijës, psikologu shqiptar ngre alarmin për ndikimin e LaBubu - Business Magazine Albania

Nga Instagram-i në dhomën e fëmijës, psikologu shqiptar ngre alarmin për ndikimin e LaBubu

Nga Fatima Gorezi – LaBubu është shembulli se si një ide e veçantë dhe e sinqertë mund të shndërrohet në një fenomen global në aspekte të markës, marketingut dhe shitjes. Por përtej popullaritetit që ka fituar nga Azia në Amerikë duke e ngjitur prodhuesin e saj në kategorinë e milionerëve, kukulla LaBubu ka ndezur edhe debate në lëmin e psikologëve dhe prindërve të cilët kanë shprehur shqetësimin sesi ndikon një lodër e tillë, e cila në pamje të parë duket agresive ( dhëmbët e mprehtë, sytë e mëdhenj dhe një buzëqeshje misterioze.), në psikologjinë e fëmijës dhe zhvillimin e tij kognetiv.Gjenerata Z e adhuron për vetë estetikën e “ëmbël-frikshme”, ndërsa të tjerët pyesin veten se çfarë qendron pas magjisë së kësaj lodre kaq jo të zakonshme, e cila nuk shoqërohet as nga ndonjë serial, nuk ka as zë, as histori, nuk ka një narrativë të qartë, por veç një pamje misterioze

Si lindi LaBubu?
LaBubu është një personazh i krijuar nga artisti Kasing Lung, i lindur në Hong Kong dhe i rritur në Holandë. Ai është pjesë e serisë së lodrave të dizajnuara të quajtura “The Monsters”, të cilat u prezantuan për herë të parë në vitin 2015. Që në fillim, qëllimi i Lung ishte të ndërtonte personazhe që ishin njëkohësisht të frikshëm dhe të dashur, një reflektim i ndërlikimeve të ndjenjave njerëzore, sidomos gjatë fëmijërisë.

Nga Instagram-i në fenomen global
Edhe pse LaBubu kishte filluar të tërhiqte vëmendje, momenti që e ktheu në një fenomen global ndodhi në prill të vitit 2024, kur Lisa, anëtarja tajlandeze e grupit të famshëm K-pop Blackpink, postoi në Instagram një foto me LaBubu-n. Efekti ishte i menjëhershëm. Brenda pak ditësh, raftet në Tajlandë u boshatisën. Fansat e saj filluan të kërkonin të gjitha versionet e mundshme të LaBubu-t, duke nxitur një çmenduri koleksionistësh që shpejt u përhap në të gjithë Azinë dhe më pas në Perëndim. Ky ishte shembulli i përkryer se si ndikimi i një ylli global mund të ndryshojë fatin e një marke me një postim të vetëm.

Lexo edhe: Jo vetëm lodra! Markat kineze po lulëzojnë kudo në botë

A po i nënshtrohemi presionit social edhe në botën e lodrave?

Businessmag bisedoi me Visar Sadikun, psikolog klinik, themelues i “Institutit për shërbime psikologjike-sociale” Visar Sadiku” dhe një qytetar i angazhuar në mjaft çështje me ndjeshmëri sociale ku preken fëmijët dhe të rinjtë. Sadiku ka qënë një ndër zerat publikë që ka folur rreth kujdesit që duhet të kenë prindërit kur u blejnë lodra fëmijëve, duke qenë të vëmendshëm ndaj emocioneve dhe simbolikave që ato transmetojnë.

Z. Sadiku, a po e zëvendësojnë lodrat “cool” të rrjeteve sociale, si “La Bubu”, vlerat themelore (emocionale dhe simblike) për fëmijët e vegjël?

Lodrat kanë rëndësi të veçantë në zhvillimin emocional, kognicionin dhe ndërveprimin social të fëmijës, duke pasur ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin e gjithëmbarshëm psikologjik. Lodrat kanë simbolikën e tyre, mund të kenë karakter regjional, duke portretizuar karakteristikat specifike, që do të thotë se përmes lojës, fëmijët kuptojnë për identitetin e tyre (qoftë gjinor, kombëtar) ndërkohë që përveç pjesës informative, fëmijët mësojnë edhe vetërregullimin emocional dhe të sjelljes. E tëra kjo mbështetur në mënyrën se si fëmija ndërvepron me lodrën, mund të jetë indikator të kuptojë se si të tjerët ndërveprojnë me të, që do të thotë se arketipet e sjelljes po ashtu vendosen, mirëmbahen dhe kultivohen edhe në lojë.
Lojërat e tilla si “LaBubu” nuk përfaqësojnë vlera të tilla. Lodrat të cilat nuk kanë shprehje pro-sociale faciale (buzëqeshja karakteristike e lodrës) siç është “LaBubu”, hap një dimension të ri dhe socialisht jo adekuat për një repertor sjelljeje të keqpërshtatur që ndërkohë ky sistem i sjelljes mund të fuqizohet nga përvojat e fëmijës.
Pjesë më e rëndësishme të zhvillimit të fëmijëve tanë, po ua besojmë trendeve boshe, të pa kuptimta, ndërkohë që formën e zhvillimit të fëmijëve tanë po ua lëmë trendeve të rrjeteve sociale, duke e humbur kuptimin që lodra e ka, duke e kthyer atë në një objekt të pavlerë konsumi, duke zbehur lidhjen emocionale që një fëmijë mund të zhvillojë me lodrën e që më vonë do të avancojë në një atashim të shëndetshëm me karakter të kohezionit familjar.

Si mund të ndikojnë në zhvillimin emocional dhe psiko- social tek një fëmije në moshë të hershme lodrat me pamje agresive?

Përmes hulumtimeve të ndryshme, është kuptuar se përmes lodrave fëmija i zhvillon kapacitetet për të dalluar simbolikën nga realiteti, e që më vonë do t’i shërbejë për të ndërvepruar në rrethana të ndryshme gjatë jetës. E pse lodra “La Bubu” nuk i kontribuon pozitivisht këtij zhvillimi?
Sepse fëmijët e vegjël ende nuk kanë shkathtësitë njohëse në nivel për të kuptuar mirë figurat agresive, dhe se ato emocionet e tyre nuk i lidhin me situatat reale. Ndërkohë që fëmijët atashohen me lodrat e tyre, e një atashim me “La Bubu” do të krijojë asocacione përmes së cilave fëmijët kanë mundësi të atashohen me lodra të tjera me karakteristika agresive (imazheria atipike dhe atribuimi social) që mund të stimulojë sjellje të dhunshme. Në këto rrethana ekspozimi ndaj një figure me mimika agresive, do ta normalizojë përdorimin e tyre dhe me këtë do të aplikohet edhe sjellja që e shoqëron mimikat e aplikuara, duke krijuar një potencial për sjellje delinkuente. Është e dobishme të shmanget përdorimi i lodrave atipike pasi ato mund të ndikojnë thellësisht në dinamikat e zhvillimit të fëmijës, ndërkohë që për të evituar këtë efekt, duhet mbikëqyrje e vazhdueshme e prindit, apo kujdes më i shtuar në zgjedhjen e lodrës.

Në një botë të dominuar nga teknologjia, mediat sociale, informacioni i bollshëm (konfuzues), duket sikur herë pas here gjykimi ynë ‘tronditet’ nga trendet , dinamikat e momentit. Përse po e lejojmë tregun e lodrave për të rritur të depërtojë në dhomat e fëmijëve tanë dhe a e kuptojnë prindërit realisht rrezikun që kjo sjell?

Sepse ky është shembulli më i bukur i asaj që njihet me emrin “impakti i trendit” ku një trend mund të jetë tërësisht i gabuar, por për shkak të presionit social, njeriu konformohet – uniformim socialisht i dëmshëm. Marketingu është ai që në vazhdimësi servon pa u kujdesur për ndikimin, mirëqenien, apo dëmet potenciale, ndërkohë që tregu është ai që bie pre si rrjedhojë e mungesës së informimit të duhur dhe presionit social.
Prindërit është e natyrshme të ndjehen nën presionin e vazhdueshëm të ofrojnë atë që fëmijët kërkojnë, e veçmas kur bashkëmoshatarët e tyre posedojnë një lodër të tillë, por shpeshherë mungon rruga e duhur e komunikimit për të adresuar përgjigjet negative apo ndalesat. Në këto rrethana fëmija e rrit presionin ndërkohë që prindi dorëzohet, që do të thotë se në familjet tona, shpeshherë nga dëshira për t’i mbrojtur fëmijët nga emocionet negative, biem nën kthetrat e marketingut të gabuar.
Në rrethanat e krahasimit social, lodra merr formën e “statusit” më tepër se të “atashimit të prindit” që do t’i kontribuonte pozitivisht zhvillimit të fëmijës. Lodrat të cilat do të duhej të ofronin një ambient të ngrohtë, stimulues të imagjinatës, empatisë dhe ndërveprimit të shëndetshëm, si rrjedhojë e një filtri të gabuar, përfundojnë duke nxitur agresivitet, dhunë dhe potencialisht delinkuencë në të ardhmen. Shpeshherë rreziku nga një lodër e gabuar minimizohet, mirëpo ato me shumë lehtësi mund të promovojnë sjellje atipike, zhvillim të interesave atipike apo edhe të shkaktojnë konfuzion emocional.
Prindi është figura parësore dhe më e rëndësishme e kujdesit për fëmijën dhe një komunikim i shëndetshëm padyshim që i kontribuon një raporti të shëndetshëm, andaj të mos kemi frikë t’u themi “Jo” trendeve të dëmshme. Një komunikim i shëndetshëm ka edhe ndalesa, e që më vonë do të stimulojë disiplinën pozitive dhe efektin shkak-pasojë, duke siguruar një stil prindërimi autoritativ (jo autoritar) dhe një fëmijëri të shëndetshme për fëmijën.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Vazhdo të ecësh. Mund të pengohesh, por mos qëndro ulur.”
— Charles Kettering
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0