Nevila Dudaj, sipërmarrësja që drejton biznese në dy kontinente - Business Magazine Albania

Nevila Dudaj, sipërmarrësja që drejton biznese në dy kontinente

Nevila Dudaj

Mes Shqipërisë dhe Amerikës, Nevila Dudaj flet gjuhën e biznesit. Sipëmarrësja e Adriatik Hotel është një ambasadore e turizmit shqiptar në botë, veçanërisht në SHBA. Znj. Dudaj, ka hapur prej disa vitesh në SHBA agjensinë turistike, Adriatik Tours, me të cilën punon për promovimin e Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit, si destinacion turistik. 

Si një grua që i ka ngjitur shkallët e karrierës një nga një, edhe pse në biznesin e saj familjar, është një model për çdo grua sipërmarrëse, për vlerat që e përfaqësojnë. Në punën e saj, Dudaj dallon për qëndrueshmërinë, kujdesin ndaj klientit, kontributin në shoqëri, fuqizimin e grave, krijimin e networkut dhe mbështetjen e të rinjve. 

 

Nevila Dudaj

 

Ajo është bërë pikë referimi për diasporën në Shqipëri, jo vetëm me hotelin bregdetar, por edhe me këshillat e saj në zhvillimin e biznesit. Pjesë e shumë organizatave të biznesit ndërkombëtar dhe vendase, po punon fort për të nxitur investimet e huaja dhe të diasporës në tregun shqiptar, duke dhënë këshillat e duhura dhe duke qenë mentore e tyre. Së fundi, përmes konsulencës së saj, disa sipërmarrje shqiptare, po shohin mundësinë e zgjerimit të tregut edhe jashtë Shqipërisë. 

Në fushën e turizmit, ku prej vitesh është faktor, si drejtuese, por edhe si njohëse e mirë e turizmit, ajo ka nisur podcastin Travel2Albania, krahas revistës me të njëjtin emër dedikuar turizmit.

Me role të rëndësishme fillimisht në Dhomën Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, ajo sot është anëtare e disa organizatave dhe institucioneve të huaja. Ajo është anëtare bordi në disa institucione, mes të cilave Advisory Board Member në New Haven University si edhe Anëtare e Forbes Business Council. Ajo është zgjedhur njëkohësisht edhe si një nga zërat e New Era of Leaders. 

Në fushën e artit, për shkak të mbështetjes që u jep projekteve artistike ndërkombëtare, znj. Dudaj është shpallur Presidente Nderi e Life&Music Concept, drejtuar nga Kledis Rexho. Ajo po mbështet edhe ngritjen e Akademisë së Operas në Durrës, drejtuar nga Gëzim Myshketa.

Në këtë intervistë ne ju kemi sjellë rrugëtimin e saj si sipërmarrëse dhe humaniste.

Artikulli u publikua më parë në faqen 37 të numrit 35 të revistës Business Magazine AlbaniaBusiness Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 35 të saj.

 

Ju shohim të menaxhoni bizneset tuaja në fushën e turizmit të ndara në dy kontinente, por me fokus turizmin shqiptar. Por, para se të flasim për këtë, si ka nisur angazhimi juaj në sipërmarrje? Cili është formimi juaj, cilët janë hapat e parë? 

Formimi im është ekonomik dhe juridik. Kam filluar të punoj në menaxhimin, me punën time të parë në hotel Adriatik, kur u privatizua. Fillova punë në back office për të bërë planin e zhvillimit, me sa yje do të bëhej hoteli, për të llogaritur kthimin e investimit, etj. Isha më e reja në ekipin, i cili përbëhej nga vjehrri im, bashkëshorti dhe kunati. 

Kam nisur duke punuar shumë fort me e-maile për kërkime skuadrash pune, të cilat i kemi gjetur në Turqi. Në vitin 2000-2003 ishte e vështirë të gjeje në Shqipëri skuadra për punimet e ajrit të kondicionuar, pishina etj. Studio që morëm kishte bërë shumë resorte në Turqi. Duke mos pasur përvojë në menaxhim, kam punuar për përzgjedhjen dhe për të gjetur një menaxher të huaj, ndërsa ndoqa një program menaxhimi si General Manager në vitin 2002. Aty mësova shumë rreth vlerave që duheshin për të qenë një Menaxhere e Përgjithshme. Gjatë rekrutimit për General Manager, aplikuan mbi 60 menaxherë dhe Peter Bartman u përshtatej kërkesave tona. Kam mësuar shumë nga ai, dhe mbi të gjitha, nga vjehrri im sipërmarrës. Mësova si negocionte dhe si zgjidhte situata të caktuara. Isha drejtore Ekzekutive dhe më duhej të ndiqja të gjitha detajet. Mendoj se kam qenë e vetmja femër aktive në fushën e turizmit në atë kohë. Në  vitin 2003 u bë lançimi i hotel Adriatik me 5 yje, që plotësonte kushtet me standardet europiane.

Ju gjithashtu keni sjellë një Franchise të Real Estate në Shqipëri në 2007 dhe keni investuar e menaxhuar një biznes në fushën e estetikës. Si kanë qenë eksperiencat tuaja në këto fusha?

Përvojat e mia, si me sjelljen e Franchise Century 21 dhe me menaxhimin e biznesit tim, i cili u hap në 2005, Vip Line Center, më kanë rritur profesionalisht. Fokusi im ishte tek shërbimi i klientit. Para 20 vitesh kishte një mungesë të theksuar të shërbimit të klientit, si për nga cilësia edhe për protokollet. Vip Line Center ishte një histori suksesi dhe vazhdon edhe sot në zonën e ish Bllokut. Ishte vendi ku secila kishte hapësirën dhe kujdesin maksimal, pa asnjë dallim. Këtë rregull kam ndjekur tek çdo biznes dhe i ka dhënë frytet e veta.

Vendimi për të sjellë Century 21 në vitin 2007, lidhej me nevojat e tregut shqiptar. Amerikanët kërkonin prona në Shqipëri dhe nuk ndiheshin të sigurt për transaksionet. Ishte një nevojë e momentit që zyrtarizoi Century 21. Jam shumë e lumtur që kemi qenë pionerë, duke vënë norma në këto fusha.

A mund të ndani ndonjë moment të rëndësishëm që ju ka sfiduar, por njëkohësisht ju ka formësuar si sipërmarrëse?

Momente sfiduese ka plot dhe vazhdojnë edhe sot. Në fillim, pengesa më e vogël më dukej shumë e madhe, pasi si detajiste, doja që çdo gjë të ishte në perfeksion. Kur diçka del papritur, është momenti që të bën të mendosh nëse do të ecësh përpara, do të ndalosh apo të kthehesh mbrapa. Çdo sipërmarrës do ketë momente të tilla gjatë jetës. Gjithmonë ka një zgjidhje, edhe pse ka raste kur biznesi nuk vazhdon dot më tej dhe duhet të tërhiqesh. 

Në marrëdhënien tuaj me klientët, komunitetin, kemi parë një qasje bashkëpunimi. Pra, një klient nuk e trajtoni vetëm si klient, por edhe sugjeroni, në njëfarë mënyrë i asistoni falas në planet e tyre të zhvillimit, në projekte. Kemi parasysh këtu Life & Music Concept dhe me siguri do të ketë edhe nisma të tilla të ngjashme. Kjo qasje ju ka marrë apo ju ka dhënë më shumë? 

Marrëdhënien me klientët e bëj pjesë të network-ut tim dhe besoj shumë në Powered Network

2 karakteristikat që një sipërmarrës të ecë janë: 

Të krijojë një brand të fortë dhe të besueshëm. Sa më i fortë të jetë ky brand, aq më shumë sukses do të ketë. 

E dyta, networku është i rëndësishëm dhe krijohet natyrshëm. Është shumë e rëndësishme që klientët të jenë bashkëpunëtorë në të ardhmen. Kam lexuar një libër që më bëri përshtypje. Fliste për konceptin “banka e favoreve”, një koncept shumë i bukur, pasi e shikoja veten aty. Gjyshja ime nga ana mamit ndihmonte njerëz, mamaja ime po ashtu. E tillë jam dhe unë. Nuk mund të rri indiferente kur kam mundësi të zgjidh probleme. Kam marrë një telefonatë nga Kledis Rexho para 3 vitesh, pasi kemi qenë aktivë në mbështetjen e artistëve të rinj të qytetit të Durrësit. Të tilla janë realizimet me mjeshtrin Florian Vlashi, apo ekspozita të ndryshme të artit, publikimet e librave të Bashkim Hoxhës dhe mjeshtrit Gëzim Domi. Kledisi kërkoi ta mbështesnim dhe të gjenim violinist të rinj në Shqipëri. Nuk e refuzova. I thashë po, pasi hoteli më i vjetër në Durrës, 67 vjeçar është i hapur për të gjithë artistët. Ndihma që Kledisi po u ofron artistëve të rinj është e vlefshme dhe ne ia dhamë mundësinë për këtë projekt. Ne kemi qenë shumë të angazhuar për të ngritur përgjegjësinë sociale. Nuk besoj që një biznes funksionon nëse nuk u japim mundësi atyre që duhen të zhvillohen. Lidhjet e network-ut bëhen më të mëdha. Talentet e reja në Shqipëri, në art sidomos, janë lënë disi mënjanë, të abuzuar ose të kërcënuar nga drejtuesit e tyre. Çdo përpjekje e artistëve si Ermonela Jaho apo Kledis Rexho, Genc Tukici, Florian Vlashi dhe së fundmi Gëzim Myshketa, që do ndërtojë një opera, janë pozitive për të ndihmuar talentet e reja. Ato sjellin atmosferë pozitive dhe plot mundësi.

Sipërmarrja në fushën e turizmit është sfiduese. Duhet të merreni me shumë shërbime dhe të kujdeseni që stafi të ofrojë më të mirën në çdo shërbim. Si e realizoni këtë, kur shumicën e kohës jeni në distancë dhe me rreth 6 orë diferencë në kohë?

Kjo është e vërtetë! U bë që prej vitit 2016 që drejtoj hotel Adriatikun, duke e ndarë kohën mes Shqipërisë dhe Amerikës. Kam arritur ta realizoj këtë, pasi arrita të vendos bazamentet në vitin 2016. Realizuam rinovimin e hotelit në tërësi dhe morëm punonjës që kishin dëshirë e pasion të mësonin. Çdo departament është plotësuar në mënyrë të tillë që ne i menaxhojmë si entitete më vete, pra çdo departament ka menaxherin dhe supervizorin përkatës. Në këtë mënyrë kam arritur të menaxhoj në efiçencë, duke drejtuar remote. Ka qenë e vështirë, pasi edhe fizikisht është e vështirë. Duhet të ngrihesh herët në Amerikë që të ndjekësh oraret e Shqipërisë. Njihesha me të gjitha detajet që më çonin menaxherët përkatës, të secilit departament, menaxherja e eventeve, menaxheri i burimeve njerëzore, housekeeping, kuzhina, ushqimi dhe pijet, financa, SPA-ja e kështu me rradhë. Pra, të gjitha departamentet raportonin me e-maile, me WhatsApp, me telefon. Ishim vazhdimisht në kontakt. Kemi gjetur mënyra të ndryshme komunikimi. Kur ka pasur diçka për t’u konfirmuar, verifikuar apo për të dhënë shembull këmbenim foto, mesazhe, mesazhe zanore, telefonata të gjata deri sa të shpjegohesha deri në fund çfarë kuptoja me diçka, apo se çfarë duhet të bëja me atë rast. 

Artikulli u publikua më parë në numrin 35 të revistës Business Magazine AlbaniaBusiness Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 35 të saj. 

 

Për të lexuar artikullin e plotë abonohu në një nga paketat tona.
Kliko këtu për t'u abonuar.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0