Nafie Shehu: “OSCAL e hapur për të gjithë ata që duan të mësojnë për lirinë e teknologjisë”


Konferenca e parë vjetore ndërkombëtare në Shqipëri, Open Source Conference Albania, dedikuar teknologjisë së lirë me burim të hapur (free open source), programeve të aksesueshme nga të gjithë, domein-it publik, si dhe kulturës dhe dijes së lire do të zhvillohet në datat 13 & 14 Maj 2017 pranë ambienteve të OFIÇINA dhe “Harry Fultz” nga Open Labs Hackerspace, komuniteti që ka qëllime dhe ideologji të përbashkëta me konferencën.

Nafie Shehu, një nga organizatoret e konferencës “Open Source Conference Albania” vjen në një intervistë ekskluzivisht për Business Magazine Albania.

BM: Shkurtimisht, kush është Nafie Shehu për ata që nuk e njohin?

N: Unë jam studente në degën “Teknologji Informacioni dhe Komunikimi” në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Jam pjesëtare e ekipit organizues të “OSCAL 2017” dhe kontribuese në projekte open source si “OpenStreetMap”, “Wikipedia” dhe “Wiki Loves Maps”.

BM: Cili është roli juaj në organizimin e OSCAL?

N: Në organizimin e OSCAL unë jam pjesë e menanxhimit dhe promovimit të konferencës në mediat sociale dhe pjesë e “funding” e cila u jep mundësi të gjithëve atyre të cilët kanë deshirë të mbështesin konferencën financiarisht ta bëjnë këtë me anë të blerjes së njërës prej biletave tona mbështetëse të cilat përfshijnë edhe marrjen e një kujtimi nga OSCAL 2017. Më shumë informacione për biletat gjeni në: https://oscal.openlabs.cc/registrations-for-oscal-2017-are-now-open/

BM: Për të gjithë ata që nuk e njohin OSCAL, çfarë synon të arrijë kjo konferencë? Cili është ekipi organizator i këtij eventi relativisht të madh?

N: OSCAL do të zhvillohet për të katërtin vit radhazi me synimin që të promovojë në një masë më të gjerë frymën e kulturës së njohurisë së hapur, programet me kod burimor të hapur dhe lirinë e teknologjisë në tërësi. Synimi i konferencës është që të ndërgjegjësojë dhe të rritë numrin e personave që ndajnë idenë se software-i duhet të jetë i lirë dhe i hapur për komunitetin lokal dhe qeverinë, që ta zhvillojë dhe ta rregullojë sipas nevojave të saj; pasi dituria është një pronë e përbashkët, e lirë dhe e hapur për të gjithë.

Misioni ynë është edukimi i të rinjve shqiptarë dhe jo vetëm, rreth software-it të hapur dhe të lirë, ideologjinë dhe komunitetin e madh pas saj.

OSCAL organizohet në datat 13 & 14 Maj 2017 pranë ambienteve të OFIÇINA dhe Harry Fultz nga Open Labs Hackerspace, komuniteti që ka qëllime dhe ideologji të përbashkëta me konferencën.

BM: Cila është risia që do të sjellë OSCAL këtë vit?

N: OSCAL si çdo vit tjetër edhe këtë vit vjen me më shumë projekte me kod burim të hapur, punëtori dhe stenda informuese të reja të cilat nuk kanë qenë të pranishme në edicionet e kaluara, por përveç këtyre këtë vit do të kemi edhe një panel me përfaqësues të Bashkimit Europian dhe me përfaqësues lokal për të diskutuar rreth përparësive dhe si mund të avancohet në këtë aspekt në Shqipëri.

BM: Sa është numri i folësve të OSCAL’17? Si përzgjidhen ata?

N: Vitin e kaluar patëm rreth 70 ligjërues, shumica nga Europa. Këtë vit presim të kemi më shumë por thirjet për ligjërues janë akoma të hapura kështu që nuk mund të themi një numër të saktë. Organizuesit mundohen që të pranojnë të gjithë të interesuarit që duan të ndajnë dijen dhe eksperiencën e tyre në këtë fushë. Ne jemi mëse të lumtur të pranojmë personat të cilët kanë dëshirë të ndajnë dijen e tyre për një temë e cila i përshtatet ideologjisë së konferencës, i cili është edhe kushti kryesor që një temë të pranohet.

BM: Po përsa i përket pjesëmarrësve, kush mund të marrë pjesë? Vetëm të apasionuarit e teknologjisë apo edhe të tjerë jashtë fushës? Çfarë përfitojnë ata?

N: Kushdo që ka dëshirë të jetë pjesë e Open Source Conference Albania mund të marrë pjesë, jo vetëm të apasionuarit ndaj teknologjisë por edhe personat që kanë deshirë të mesojnë më shumë për lirinë e teknologjisë në tërësi. Larmishmëria e prezantimeve dhe punëtorive ofrojnë mundësi që si personat me dije teknike ashtu edhe ata të cilët nuk kanë dije teknike të kenë mundësi të gjejnë prezantime që u pëlqejnë dhe u përshtaten.

Gjithashtu të dëgjojnë prezantime interesante nga ligjërues me eksperiencë si edhe për çdo lloj pyetje që mund të kenë, të marrin pjesë në punëtori ku do kenë mundësi të mësojnë gjëra teknike me ndihmen e ligjëruesit dhe gjithashtu do të kenë mundësi që të marrin të gjithë informacionin e duhur për t’u përfshirë në projektet me burim të lirë dhe të hapur tek stendat përkatëse të cilat do të jenë të pranishme gjatë të dy ditëve të konferencës.

Pjesëmarrja në konferencë është falas dhe gjithmonë do jetë e hapur për të gjithë, por në qoftë se dikush ka dëshirë të mbeshtesë konferencën financiarisht mund ta bëjë duke marrë një nga biletat e përmendura më sipër.

BM: Cilat janë pritshmëritë e OSCAL për këtë vit?

N: Fundjava e 13-14 Majit pritet të grumbullojë dhe frymëzojë mbi 400 entuziastë të teknologjisë, zhvillues, agjenci si edhe profesionistë të kulturës free open source; të gjithë me besimin në një realitet ku informacioni ndahet në mënyrë të hapur dhe të lirë. OSCAL jo vetëm ofron mundësi për çdo person që ka dëshirë për të ndarë njohuritë apo eksperiencat e veta me pjesëmarrësit, por nëpërmjet tij frymëzon dhjetëra të tjerë.

Për më shumë informacione mud të vizitoni website-in: https://oscal.openlabs.cc/. Dhe gjithashtu edhe në rrjetet tona:

Facebook: Open Labs Hackerspace dhe Facebook event: OSCAL Open Source Conference Albania
Twitter: @OSCALconf
Instagram: @oscalconf
Hashtag: #OSCAL2017

BM: Faleminderit për intervistën. Ju urojmë shumë suksese !

Must watch
Business Mag Nr. #23 - Qershor 2020

Të gjitha planet tuaja për këtë vit, si individë apo sipërmarrës mund të jenë përmbysur. Mbërritja e Coronavirusit në Shqipëri paralizoi gjithçka, ashtu si kudo. Në mënyrë të papritur na vuri në kushte tërësisht të tjera pune, na shtoi pasigurinë e shqetësimin për të ardhmen.

Sipërmarrjet, kryesisht në fushën e IT u përshtatën më shpejt, duke angazhuar punonjësit nga shtëpia. Ato zhvilluan dhe më tej mundësitë për të punuar në distancë, ndërkohë që shumë kompani të tjera u mbyllën plotësisht.

Kjo është një periudhë sprove, për individin, drejtuesit dhe liderin. Kjo është lufta që po zhvillohet në spitale dhe fronti i parë i saj janë mjekë, infermierë e sanitarë. Historia e ekonomisë k a treguar se gjithmonë pas një situatë të vështirë ka një ringritje. Dhe ne besojmë se kështu do të jetë.

Deri atëhërë ajo çka na mbetet të bëjmë është respektimi i rregullave të kërkuara, marrja e përgjegjësive ndaj të tretëve për aq sa mundemi, e të interesohemi për të pamundurit, të ndajmë diçka për ta.

Solidariteti nuk ka munguar e nuk do të na mungojë as kësaj radhe. Ajo çfarë doli në pah krahas solidaritetit ishte varfëria: e shtetit, e kompanive dhe e vetë individëve.

Një ditë pas dërgimit të 30 bluzave të bardha në Itali, The Guardian na vlerësoi në artikullin e saj si zemërgjerë edhe pse Ky numër ishte planifikuar të botohej në Prill 2020, por procesi u shty për shkak të masave të ndërmarra si pasojë e shpërthimit të Covid-19. Edhe pse në kohë vështirësish, jemi …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale