E ardhmja e zhvillimit ekonomik në Shqipëri po merr formë përmes energjisë, pasionit dhe ideve të reja që po vijnë nga brezi i ri i sipërmarrësve. Për të dytin vit radhazi, ASDO sjell në vendin tonë garën më emocionuese dhe novatore për startup-et — Get in the Ring Albania 2025, një aktivitet që vendos Shqipërinë në hartën e inovacionit global.
Ky event i veçantë do të mbahet më 18 shtator në Protik Innovation Hub në Tiranë, dhe do të mbledhë nën një çati startup-e premtuese nga e gjithë Shqipëria dhe rajoni shqipfolës, të cilat do të prezantojnë projektet e tyre para një jurie ekspertësh, mentorësh dhe investitorësh potencialë. Në një format unik dhe dinamik, përballje “si në ring”, pjesëmarrësit do të sfidojnë njëri-tjetrin jo me forcë, por me ide, vizion dhe guxim për të ndërtuar të ardhmen. “Me Get in the Ring Albania 2025 ne synojmë të krijojmë një ekosistem të gjallë dhe bashkëpunues për startup-et shqiptare, një hapësirë ku të rinjtë me ide të guximshme ndihen të mbështetur, të motivuar dhe të fuqizuar për të ndërtuar të ardhmen e tyre këtu, në Shqipëri. Kjo garë nuk është thjesht një konkurs, por një pikënisje për shumë prej tyre drejt tregut, investimeve dhe rrjeteve ndërkombëtare,” shprehet Ada Ilia, Drejtore Ekzekutive e ASDO.
Një platformë për të ndërtuar të ardhmen
Get in the Ring është një nga garat më të njohura ndërkombëtare të startup-eve, që zhvillohet në dhjetëra vende dhe lidh sipërmarrës të rinj me investitorë, partnerë dhe mentorë nga e gjithë bota. Tani, Shqipëria është pjesë e kësaj lëvizjeje globale për të dytin vit me radhë — një dëshmi e rritjes së ekosistemit tonë të inovacionit dhe sipërmarrjes. Startup-et që marrin pjesë në këtë garë përfitojnë ekspozim të lartë, mentorim të dedikuar, mundësi rrjetëzimi me aktorë ndërkombëtarë dhe mbi të gjitha, shansin për të përfaqësuar Shqipërinë në Get in the Ring Global — faza përfundimtare botërore e garës. Fituesi do të ketë mundësinë të prezantojë idenë e tij para një audience globale dhe të konkurrojë për investime reale që mund të shndërrojnë vizionin në biznes.
Lexo edhe: “Get in the Ring Albania 2024”: Duke festuar për inovacionin dhe sipërmarrjen
Pse është e rëndësishme për Shqipërinë
Mbështetja e startup-eve është më shumë se një çështje zhvillimi ekonomik, është një investim në kapitalin njerëzor të vendit. Startup-et janë krijues të vendeve të reja të punës, burim inovacioni dhe teknologjie, si dhe shembuj frymëzues për të rinjtë që duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri. Përmes kësaj gare, të rinjtë marrin një mesazh të qartë: idetë e tyre vlejnë, dhe ka struktura që besojnë tek ata dhe janë gati t’i mbështesin.
Një partneritet për të rinjtë
Get in the Ring Albania organizohet nga ASDO, me mbështetjen e RisiAlbania, një projekt i Swiss Agency for Development and Cooperation (SDC), i zbatuar nga Helvetas, në partneritet të ngushtë me:
Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit — që po krijon politika dhe mjedis të favorshëm për zhvillimin e startup-eve;
Protik Innovation Center — si qendër mikpritëse dhe mbështetëse e ekosistemit të inovacionit;
Junior Achievement Albania — që nxit edukimin sipërmarrës tek të rinjtë;
Business Mag dhe aktorë të tjerë lokalë të ekosistemit të inovacionit.
Ky rrjet partnerësh kombëtarë dhe ndërkombëtarë e kthen garën në një platformë të fuqishme për të nxitur kulturën e sipërmarrjes, për të mbështetur talentin e ri dhe për të krijuar ura bashkëpunimi mes të rinjve dhe tregut të punës.
Aplikoni këtu deri më 15 Shtator 2025
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto