Microsoft bleu start up-in e tij për 100 milionë $ dhe më pas ky sipërmarrës mbeti tejet i pakënaqur - Business Magazine Albania

Microsoft bleu start up-in e tij për 100 milionë $ dhe më pas ky sipërmarrës mbeti tejet i pakënaqur

Në vitin 2015, Microsoft bleu aplikacionin e listës së detyrave të Christian Reber, Wunderlist, për një shumë që u raportua të ishte midis 100 dhe 200 milionë dollarëve.

Ishte një shumë e konsiderueshme parash dhe një moment i rëndësishëm në jetën e Reber, por kjo eksperiencë nuk e la atë të ndjehej siç mund të pritej.

“Mendoj se shitja e Wunderlist ishte një përvojë e çuditshme për mua,” tha sipërmarrësi nga Berlin për CNBC.

“Ndihesha sikur humba një fëmijë në një farë mënyre dhe si baba i dy fëmijëve, ndihem sikur mund ta them këtë,” shtoi ai. “U ndjeva sikur isha në depresion. U ndjeva vërtet i pakënaqur.”

Wunderlist ishte një aplikacion i thjeshtë që grumbulloi rreth 16 milionë përdorues. Një nga pikat e tij më të forta të shitjes në atë kohë ishte se përdoruesit mund ta përdornin atë në telefonin e tyre, si dhe në kompjuterin e tyre.

Ishte një pjesë e rëndësishme e jetës së Reberit dhe shitja e tij nuk ishte e lehtë.

“Ndihesha sikur u shkëputa plotësisht nga ekipi im dhe nga kompania që kisha krijuar,” tha ai.

Kur iu kërkua të shpjegonte më tej ndjenjat e tij në atë kohë, Reber u përgjigj: “Duhet të pyesni terapistin tim.”

Reber tani beson se ai nuk ishte i përgatitur mendërisht për të shitur Wunderlist, të cilin ai ishte përpjekur ta rriste sa më shumë të ishte e mundur për pesë vjet.

“Shitja krejt papritur mu duk krejtësisht e pahijshme,” tha ai.

Lexo edhe: Marrëveshja e Microsoft, më e madhja në teknologji e shënuar ndonjëherë

Kur Microsoft erdhi me ofertën, partnerja e Reber, Charlette Prevot, ishte shtatzënë. Prevot bashkëthemeloi Wunderlist me Reber dhe katër persona të tjerë.

“Zgjedhja që duhej të bëja si themelues ishte që ose ta ktheja në një biznes fitimprurës, ose ta shisja për një shumë parash shumë fitimprurëse dhe familja ime fiton pavarësinë.”

Reber dhe Prevot përfundimisht vendosën të largoheshin nga opsioni i parë, i cili pothuajse çdo herë i kishte çuar drejt rrëzimit të biznesit të tyre.

“Isha shumë i lodhur dhe ndjeva se ishte vendimi më i mirë për të gjithë që të shisja kompaninë,” tha Reber.

“Kur e shita, nuk festova kurrë, nuk bëra festë, nuk shkova për darkë. Thjesht mbylla çdo email dhe u ndjeva i trishtuar. Nuk bëj shaka. Kishte momente kur mbaja fëmijën tim në krahë dhe i kërkoja gruas sime ta merrte sepse ndihesha aq i trishtuar sa nuk doja që ai ta shihte babain e tij aq të mërzitur.”

Reber tha se atij iu deshën një ose dy vjet që të fillonte të pranonte shitjen.

“U bëra i pavarur financiarisht, gjë që është fantastike,” tha ai. “Ndërtova diçka që ka pasur një ndikim vërtet pozitiv. Njerëzit do ta mbajnë mend gjithmonë Wunderlist. Ishte një produkt i mrekullueshëm dhe shumë njerëz të shkëlqyer gjetën punë të mrekullueshme në Microsoft. Pra, nuk ka vërtet asnjë arsye për t’u mërzitur.”

Ajo që ndodhi me Wunderlist-in disa vite pasi Reber e shiti, ishte ende e vështirë për të për t’a pranuar.

Në vitin 2019, Microsoft njoftoi se planifikonte të mbyllte Wunderlist dhe ta zëvendësonte atë me Microsoft To Do.

Në shtator të atij viti, Reber bëri një ofertë për të blerë nga Microsoft, aplikacionin në të cilin kishte investuar aq shumë nga koha e tij.

Lexo edhe: Start up-et të cilat mundësojnë mësimin në distancë për komunitetet e varfra

“Ende i trishtuar që Microsoft dëshiron të mbyllë Wunderlist, edhe pse njerëzit ende e duan dhe e përdorin atë,” shkroi Reber në Twitter në shtator të 2019-ës.

“Ju lutem më lejoni ta blej përsëri,” shtoi ai, duke ia drejtuar lutjen e tij drejtpërsëdrejti CEO të Microsoft Satya Nadella dhe Marcus Ash, zëvendëspresident i produktit dhe inxhinierisë në Microsoft.

Oferta e tij ishte e pasuksesshme dhe Microsoft e mbylli Wunderlist në 2020-ën.

Megjithatë, Reber nuk ishte gati të dorëzohej.

Në vitin 2021, ai themeloi një aplikacion të ri të listës së detyrave të quajtur Superlist, të cilin ai e përshkruan si “pasardhës jozyrtar i Wunderlist”.

Deri më tani, kompania punëson rreth 20 njerëz dhe ka mbledhur 3 milionë dollarë, me një raund tjetër financimi së shpejti.

cnbc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0