Micky Haxhiislami: Si po zhvilloj biznes në diasporë - Business Magazine Albania

Micky Haxhiislami: Si po zhvilloj biznes në diasporë

Micky Haxhiislami

Micky-Mithati është themeluesi i Intermedico Japan Co., Ltd., kompani kryesisht e fokusuar në produkte për kujdes shëndetësor dhe ato kozmetike. Micky themeloi Intermedico Japan Co., Ltd., më 21 shkurt të vitit 2003, një muaj pasi u zhvendos nga Londra në Tokio. Në Londër ai merrej me pronat e patundshme, menaxhimin dhe lëshimin e shtëpive me qira.

Në një intervistë për BusinessMag Micky na tregon se gjatë vizitës të tij të parë në Tokio në vitin 1998, ai hasi në disa produkte që e zgjuan jashtëzakonisht kureshtjen e tij. Bëhet fjalë për fashat për ngrohje (heating patches) si dhe ato për ftohje (cooling patches). Këto produkte në atë kohë pothuajse ishin totalisht të panjohura në tregun global. Edhe pse fashat për ngrohje si dhe ato për ftohje ndodheshin në shitje në tregun japonez pikërisht për këto përfitime (ngrohje dhe ftohje të trupit), Micky menjëherë filloi të mendojë më thellë për përfitimet e tyre në aspektin mjekësorë-kujdesin shëndetësor dhe kështu nisi t’i studiojë ato, duke i thënë vetes, nëse në të ardhmen do ndërmerrte një sfidë, definitivisht do të ishin këto produkte. Dhe ashtu edhe ndodhi në vitin 2002, kur ishte ende në Londër.

Pati dy shkaqe kryesore pse u largua nga Londra për në Tokio:

“E para ishte familja. Në Londër u takova me një vajzë japoneze, me të cilën u martova dhe së bashku kemi një djalë, i cili së shpejti do të mbushë 24 vjet. Bashkëshortja dhe une ishim të brengosur se ku do mbështetet djali ynë me dy prindërit e huaj, babain shqiptar dhe nënën japoneze. Edhe pse isha me nënshtetësi britanike, nuk ishte e lehtë në një shoqëri, siç është Anglia me ndarje të madhe klasore. E dyta, ishte bindja ime se kishte ardhur koha për sfidën e radhës. Kisha dëshirë ta ndërmarr këtë sfidë para se t’i mbushja të dyzetat.”

Por, me lëvizjen në një vend të huaj, vijnë edhe sfida të shumta.

Micky thotë se sfidat kanë filluar që nga mosnjohja e gjuhës japoneze, ballafaqimi me një kulturë pune krejtësisht tjetër në krahasim me vendet perëndimore. Kishte një hezitim të jashtëzakonshëm të prodhuesve japonezë për produktet në fjalë, për bashkëpunim në tregun global. Ata ishin skeptikë, pasi mendonin se këto produkte ishin pjesë e kulturës së tyre dhe do të ishte pothuajse e pamundur të pranoheshin në tregun ndërkombëtar, veçanërisht në tregjet jashtë Azisë.

“Që të ma vështirësonin punën edhe më shumë, ata i frynin çmimet dhe rrisnin sasitë minimale të porosive,” na tregon Micky.

Sidoqoftë, me këmbënguljen dhe punën e palodhur ai vendosi që prodhimin e këtyre produkteve ta zhvendosë në Kinë, duke dërguar atje lënden e parë, makinerinë, njohurinë dhe grupin e menaxhimit nga Japonia. Madje ai shkoi edhe vetë.

Në Kinë kaloi shumë kohë gjatë viteve 2004-2010, duke u marrë me trajnimin e punëtorëve atje me qëllim që të punonin sa më afër standardeve japoneze. Në fund ia arrin qëllimit. Sot produktet tregtohen pothuajse në të gjitha kontinentet e botës dhe cilësia e tyre është shumë e lartë ndërsa çmimet e arsyeshme.

“Mua, si edhe sigurisht shumë të tjerë, gjithmonë më ka brengosur përdorimi i barnave pa kontroll. Një dhimbje koke apo trupi, dhe menjëherë përdorimi i qetësuesve për dhimbje, siç është ibuprofeni për shembull. Një temperaturë e lartë dhe menjëherë përdorimi i paracetamolit! Në të gjitha këto raste fatkeqësisht askush nuk mendon më thellë se çfarë dëmshe apo efekte anësore mund të shkaktojnë këto barna/tableta në organizmin e tyre, duke filluar nga organet digjestive, stomaku, mëlçia, etj. Produktet tona janë alternativa më e mirë për trajtimin e këtyre rasteve, pa pasur nevojë të përdoren barnat/tabletat,” tregon për konkurrencën Micky.

Sa i përket dhimbjeve në trup, ato kryesisht janë si rrjedhojë e mosqarkullimit të lirë të gjakut, ndërsa ‘ngrohja’ është terapia më e vjetër në botë, dhe shumë efektive ndaj sëmundjeve reumatike, dhimbjeve të muskujve dhe gjatë ciklit menstrual të femrave, pasi ndihmon qarkullimin e lirë të gjakut. Këtu hyjnë në përdorim fashat e tyre për ngrohje (heating patches), të cilat gjenerojnë natyrshëm nxehtësi duke oksiduar hekurin. Në paketim ndodhet një përzierje e hekurit, ujit, karbonit dhe kripës. Kur mbështjellja e paketimit hapet, hekuri ekspozohet natyrshëm ndaj oksigjenit, oksidohet dhe kështu fillon të çlirojë nxehtësi. Kripa e përshpejton këtë proces, ndërsa karboni e përsos shpërndarjen e nxehtësisë, duke gjeneruar shpërndarje të barabartë dhe ngrohje konstante nga 8 deri në 12 orë. Ky reagim i thjeshtë është i njohur nga budistët në Japoni që nga fundi i shekullit XIX. Mirëpo fashat për ngrohje janë komercializuar në formën, siç ofrohen tani, në vitin 1972. Ato nuk përfshijnë burime elektrike, bateri, djegie, flakë ose kimikate toksike. Përbërësit janë plotësisht natyralë, jo toksikë, të biodegradueshëm dhe të sigurtë.

Ndërkohë, fashat për ftohje, ose “kompresa freskuese” (cooling patches), janë mënyra ideale për ta ulur temperaturën e lartë të trupit apo larguar dhimbjen e kokës dhe migrenën, pa pasur nevojë të përdorni barna/tableta. Kompresat freskuese përmbajnë një përqindje të lartë uji, i cili funksionon me sistemin ftohës natyral të trupit, duke ndihmuar kështu në ftohjen e tij. Me rritjen e temperaturës, nxehtësia e lëkurës shkakton avullimin e ujit që gjendet brenda xhelit dhe si rezultat ajo ul temperaturën e lëkurës. Aftësia e shkëlqyer e transferimit të nxehtësisë mundësohet nga struktura unike e xhelit, e cila shpërndan nxehtësinë lirisht dhe ruan një efekt ftohës konstant dhe të qëndrueshëm që zgjat deri në 8 orë.

Micky thotë se vitet e fundit, “ballafaqohemi me konkurrencë të madhe sidomos nga Kina dhe Turqia, por ne nuk brengosemi për këtë gjë, pasi burimi i këtyre produkteve është i ndërlidhur drejtpërdrejt me pronarët e fabrikave tona në Japoni, të cilët janë edhe vetë zbuluesit e këtyre produkteve. Kështu që njohuria jonë për produktet në fjalë dhe njëkohësisht edhe cilësia e tyre është shumë më e lartë se ato të konkurrentëve tanë. Për më tepër, qëllimi ynë kryesor ishte dhe vazhdon të mbetet ndërrimi i kulturës në tregun global, nga përdorimi i tabletave në raste të panevojshme, në përdorimin e produkteve tona si alternativë, çka edhe është një mision aspak i lehtë, ndihma e prodhuesve të tjerë në këte drejtim, gjithmonë ka qenë dhe ende mbet mjaft e nevojshme.”

Lexo: Studimi tregon se koha e shpenzuar duke luajtur video lojëra nuk ka gjasa të ndikojë në mirëqenien tuaj

Pas një punë të palodhshme 20 vjeçare, janë bindur shumë kompani të mëdha nga industria farmaceutike së fashat për ngrohje dhe kompresat freskuese janë më të dobishme se barnat/tabletat e tyre, dhe falë kësaj tani i prodhojnë këto produkte (si fabrikë kontraktuese), në emër të markave private të njohura globalisht.

Sot produktet e Intermedico ndodhen në shitje në më shumë se 40 shtete të botës, por tregjet kryesore janë në Azi dhe Lindje të Mesme, pastaj vijnë Europa dhe SHBA-të.

Përveç fashave për ngrohje (heat patches) dhe kompresave freskuese (cooling poatches), Intermedico ofron edhe shumë produkte të tjera, siç janë: maska për sy me avull ngrohës (steam eye mask warmers), maska për sy me ftohje (cooling eye masks), maska për fytyrë me akullxhel (icegel face masks), fletëza për sy me akullxhel (icegel eye patches), fasha për thembra me hidroxhel (hydrogel heel patches), maska për reduktimin e mjekrës së dyfishtë (double chin reducer masks), fasha për lehtësimin e dhimbjeve (pain relief patches), fasha për dobësim (slim patches), etj.

Rrugëtimi individual

Micky ka lindur në Pejë më 7 qershor 1964. është fëmija më i vogël nga 5 fëmijët nga çifti Islam Haxhiislami nga Peja dhe Nanije (Lleshi) Haxhiislami nga Gjakova. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje kurse të mesmen në Prishtinë -shkolla e mesme e mjekësisë -drejtimi ‘teknik i dhëmbëve’. Pas shërbimit të detyruar ushtarak u regjistrua pranë fakultetit të mjekësisë- dega e stomatologjisë. Me përkeqësimin e situatës në Kosovë – në vitin 1989 iu drejtua Londrës, ku jetoi dhe punoi deri në fund të vitit 2002. Aty pati një periudhë të suksesshme dhe isha i sistemuar mjaft mirë edhe me pune. Fillimisht si edhe shumica e shqiptarëve në migrim, në pamundësi të vazhdimit të sudimeve për shkak të kostove jashtëzakonisht të larta, ka punuar në restorante dhe bare.

Më pas, në vitin 1992 nisi rrugëtimi i tij në pronat e patundshme, ku pati në mbikëqyrje disa apartamente, të cilat ishin në pronë të një familje të pasur Angleze. Pas një viti, mori përsipër menaxhimin dhe lëshimin me qira të të gjitha apartmaneve që ishin në pronë të kësaj familje dhe miqëve të saj. Ishin gjithesej 150 apartmane nën menaxhimin e tij në fillim. Ky numër u ngrit në mbi 1500, në fund të vitit 2002, kur edhe u largua nga Londra. Në janar të vitit 2003 u vendos në Tokio, ku jeton dhe punon aktualisht.

Ndërkohë sot Micky viziton shpesh Kosovën-Shqipërinë. “Është një fjalë që unë e përdor shpesh: Mund të ndërrosh edhe planetin, por rrënjëve s’ke ku ju ik”.

Ai rregullisht viziton Kosovën dhe Shqipërinë, që nga viti 1996, pasi ka familjarë dhe miq të shumtë në të dy vendet.

Në nëntor të vitit 2019, ka hapur kompaninë simotër në Prishtinë, me emrin Intermedico Japan Europe LLC, e cila kujdeset për distribuimin dhe shitjen e produkteve, jo vetëm në tregjet shqiptare, por edhe në vendet tjera të Evropës. Për momentin ofrojnë 3 produktet më të suksesshme.

Mesazhi i tij për të gjithë të rinjtë sipërmarrës e profesionistë është se, “Të rinjtë sipërmarrës dhe profesionistë duhet të kenë durim dhe të mos dorëzohen asnjëherë kur nisin diçka. Jam fatlum që jetoj në Japoni, ku populli i saj është i mirënjohur botërisht për durimin. Fatkeqësisht shqiptarët në përgjithësi nuk qëndrojnë mirë me këtë virtyt. Shumë nga ta dëshirojnë t’i arrijnë gjërat brenda natës. Sukseset e shëndosha dhe afatgjata marrin kohë dhe punë të pandalshme. Mua personalisht më janë dashur plot 10 vite për t’i shijuar frutet e para. Kohëve të fundit, si edhe shumë biznese tjera, po ballafaqohemi me sfida të ndryshme, totalisht jashtë kontrollit tonë, siç janë; pandemia, kriza energjetike-e cila i ngriti kostot e logjistikës 300-400%, luftërat, etj. Kështu që, çmimi i suksesit të mirëfilltë në realitet është shumë i lartë. Dikujt ndoshta i nevojiten më pak vite e dikujt më shumë, por gjithsesi duhet të llogarisni një periudhë të gjatë para se të filloni t’i shijoni frutet e suksesit. Prandaj ju them që të keni durim, të jeni të fokusuar në punën tuaj, këmbëngulës dhe kurrë mos u dorëzoni. Anjëherë nuk është vonë për ta shijuar jetën në maksimum, prandaj vetëm durim, sepse suksesi herët a vonë do vijë.”

Ndërsa i kërkuam një mesazh për diasporën, për qeveritë e dy vendeve në raport me diasporën, pasi ka një diasporë të gjerë shqiptare kudo nëpër botë, një pjesë e të cilëve duan të punojnë në Shqipëri.

“Jam i bindur se ndryshimet e mirëfillta në Kosovë dhe Shqipëri kurrë nuk mund të ndodhin pa bashkëpunimin apo ndihmën e Diasporës. Diaspora është motorri i shqiptarisë, prandaj edhe qeveritë e dy vendeve, dhe jo vetëm, duhet t’i kushtojnë rëndësi shumë të madhe asaj. Ato duhet ta bëjnë të pamundurën për t’i gjetur shqiptarët e suksesshëm kudo në botë dhe t’ju kërkojnë ndihmë si për qeverisje, ashtu edhe për menaxhimin e kompanive publike (pse jo edhe atyre private), si dhe gjithë atyre që janë të interesuar të investojnë, t’ju largojnë çfarëdo barriere dhe t’ju ofrojnë kushtet më të mira.

Jam i sigurt, thotë ai, se shumë shqiptarë të suksesshëm anë e mbanë botës kanë qenë, janë dhe gjithmonë do jenë të gatshëm t’i përgjigjen thirrjes së atdheut për ndihmë.

Nga ana tjetër, kur i dëgjon udhëheqësit tanë, njeriu mendon se Kosova dhe Shqipëria janë parajsë e vërtetë për investime, mirëpo fatkeqësisht në realitet nuk është kështu. Këtë gjë e vërejnë shumë mirë gjithashtu edhe investitorët e huaj, prandaj edhe investimet e tyre janë minimale në Kosovë dhe Shqipëri, në krahasim me vendet e rajonit.

“Ç’ka është edhe më keq, qeveritë tona nuk janë duke ditur si ta shfrytëzojnë situatën aktuale të brishtë politike dhe ekonomike në botë që po mbretëron pas pandemisë dhe sulmit ushtarak të Rusisë në Ukrainë. Këto dy gjëra e kanë ndryshuar rregullin botëror përgjithmonë. Nuk ka më Globalizim. Në të ardhmen shtetet do fokusohen plotësisht në ekonomitë e tyre kombëtare dhe ato mes shteteve mike”. Edhe ne, Intermedico Japan Co., Ltd., si një kompani relativisht e vogël, vetëm jemi duke bërë plane që në vitet në vijim ta kthejmë prodhimin e gjitha produkteve tona nga Kina në Japoni.

Fatmirësisht ne shqiptarët, për herë të parë në historinë tonë, jemi renditur në anën e miqve të duhur, por tani është koha për t’i bindur ata që të investojnë seriozisht në vendet tona, pasi potenciali ekziston. Prandaj qeveritë tona duhet të punojnë 24/7 që t’ju ofrojnë çdo mundësi dhe lehtësojnë maksimalisht punën invesitorëve të huaj nga shtetet tona mike, duke përfshirë këtu edhe Japoninë, që ata të fillojnë me investimet e tyre në vitet dhe dekadat në vijim.”

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #35 - Qershor 2024

Ja si sipërmarrës të guximshëm përmes inovacionit ndikojnë industri të tëra!

 

Ky numër i revistës mund të quhet numri i dedikuar sipërmarrësve, nismëtarëve dhe inovatorëve. Atyre të cilët me guxim, këmbëngulje dhe me risi nxisin transformimin e industrive me ndikim në jetët tona. Këto përvoja, sfida, ide të reja, aplikime dhe bashkëpunime të tyre, vijnë nëpërmjet Business Mag Albania, nr. 35. 

Për ty, që po e mban në dorë këtë revistë, kemi diçka të re! Tani mund të dëgjosh me zë artikujt që lexon tek BusinessMag. 

Në partneritet me Nullius in Verba, sjellim një mënyrë revolucionare për të konsumuar përmbajtjen. Falë teknologjisë së avancuar të AI, tani mund të dëgjoni me zë artikujt tuaj të preferuar në çdo kohë dhe vend, duke ju lejuar të informoheni ndërsa jeni në lëvizje. Ky bashkëpunim inovativ pasqyron përkushtimin tonë për të mbështetur sipërmarrjen dhe zhvillimin e modeleve të suksesshme, duke sjellë përvojë të re dhe vlerë të shtuar për ju si lexues. Skano kodet QR në çdo artikull dhe shijo nga kudo që të jesh një format të ri, mundësuar nga Inteligjenca Artificiale, aplikuar nga një …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0