Shkruar nga Odisea Gora, kontributor në BusinessMag Albania
Ndoshta do të qeshni sërish nëse do t’ju pyesja për historinë e famshme mes breshkës dhe lepurit se: Kush vrapon më shpejt?
Përgjigjja ime e parë, ishe si e gjithë klasa: Lepuri mësuese. Epo në jetë nuk është kështu. Nëse do të më pyesin sot, përgjigjia ime do të jetë me plot gojë: Breshka.
Duke u rritur kuptojmë se jeta nuk është një pistë vrapimi, por një udhëtim ku për të mbërritur larg duhet ecur ngadalë.
Mendësia e shumëfishimit në jetën tonë
Le ta bëjmë shpejt! Të lutem nxito sepse nuk kemi kohë! Jepi, forca vazhdo kështu, mos e humb ritmin! Dua ta bëj edhe këtë, do punoj pak më shumë sot! Do të stërvitem çdo ditë! Do ta vazhdoj këtë që nisa! Nuk kam për të hequr dorë! Këto janë premtimet që dëgjoj në pjesën më të madhe të kohës, të cilat nuk zgjatin më shumë se pesë javë.
Nuk mund të bëhesh drejtor brenda natës! – thotë populli.
Mendësia e shumëfishimit ka të bëjë me mënyrën se si ne zgjedhim t’i shohim gjërat në harkun tonë kohor të jetës. Ne duhet të kuptojmë se nuk ka asnjë formulë të fshehtë, e cila do t’ju bëjë të pasur. Ti nuk mund të humbësh pesëmbëdhjetë kliogram në një javë, nuk mund të fshehësh vitet në lëkurë falë ndonjë kremi magjik apo të rregullosh jetën dashurore falë një pilule të cilën mund ta blije në ndonjë farmaci aty afër lagjes tuaj.
“Korrim çfarë mbjellim; dhe nuk mund të marrim nga jeta atë që brenda vetes nuk duam ta japim.”
Pra e vërteta për mendësinë e shumëfishimit nuk është diçka e re, por një e vjetër e moçme. Gjyshi im gjithmonë më thotë se: “Suksesi në jetë është një proces i ngadalët dhe i vështirë. Mos prit që pa dhimbje të kesh fitim. E fshehta qëndron në punën e palodhur, disiplinën, shprehitë e tua dhe rutinën tënde ditore.”
Më lejoni t’ju tregoj një shembull:
Duke e njohur këtë botëkuptim vendosa që t’i shtoj planit tim ditor pak kohë stërvitje përpos ecjes që më pëlqen ta bëj shpesh. Ditët kalonin dhe teksa isha duke ecur takoj një mikun tim të cilin e shoh teksa vraponte me vrull dhe plot energji. U përshëndetëm dhe folëm pak rreth jetës në përgjithësi. Miku im më tregoi se ka filluar edhe ai të stërvitet fort dhe me shumë pasion. Më ftoi në maratonën e tij edhe me kënaqësi e pranova. Ditët kaloni dhe ne stërviteshim bashkë, unë lodhesha dhe nuk mund ta ndiqja atë, kështu i thoja: vrapo ti se unë po vij me ecje. Miku im stërvitej çdo ditë ndërsa unë bëja herë pas here pushime gjatë javës, vrapoja më pak por ecja më gjatë. Sot kanë kaluar dymbëdhjetë javë që ai e ka ndërprerë stërvitjen ndërsa unë vazhdoj të stërvitem po me atë ritmin e ngadaltë. Pra qëllimi nuk është të stërvitemi fort, por gjatë.
Shprehitë
Ka një histori për një burrë që kalëron, me trok të shpejtë. Duket sikur ai po vete në ndonjë vend shumë të rëndësishëm. Një burrë që ndodhet aty anash rrugës bërtet: “Ku po shkon? – Kalorësi i përgjigjet: Nuk e di. Pyete kalin!”
“D.Hardy”
Kjo është historia e jetës së shumicës së njerëzve; ata kalërojnë kalin e shprehive të tyre pa pasur asnjë ide se ku po shkojnë.
- Kujdesuni për shprehitë tuaja.
- Hartoni një plan ditor.
- Analizoni gjërat që bëni çdo ditë.
- Pasuroni rutinën tuaj me asete plot vlera.
“Ne jemi ajo çfarë bëjmë në mënyrë të përsëritur.” – Aristoteli
Mendësia e shumëfishimit varet nga ju
Të gjithë vijmë në këtë botë njëlloj: të zhveshur, të trembur dhe injorantë. Pas hyrjes madhështore, plot të qeshura dhe ti duke qarë, jeta që bëjmë është e gjitha produkti i zgjedhjeve tona. Zgjedhjet tona mund të jenë miku ynë më i mirë, ose armiku ynë më i keq. Ato mund të na orientojnë drejt suksesit, ose shkatërrimit. Mendojeni njëherë! Gjithçka në jetën tuaj ekziston pasi fillimisht patët bërë një zgjedhje të caktuar për diçka. Zgjedhjet janë rrënja e çdo rezultati në jetën tonë. Çdo zgjedhje nis një sjellje që me kalimin e kohës bëhet shprehi. Nëse ne bëjmë një zgjedhje të mirë, kemi krijuar një shkak, i cili do të sjellë një pasojë të mirë. Por, nëse nuk zgjidhni fare, atëherë kemi zgjedhur që dallgët e jetës të na përplasin nga kudo që shkojmë. Thelbësisht, zgjedhjet tona i bëjmë vetë, e pas kësaj zgjedhjet tona na bëjnë çfarë ne jemi. Pra, çdo zgjedhje ka mendësinë e shumëfishimit në jetën tonë.
Pra, nëse t’i do të vendosësh të përmirësosh veten me një përqind për çdo ditë, një përqind ndoshta nuk është shumë, por mendo pak se kush mund të jesh ti pas pesë vitesh.
Kjo është mendësia e shumëfishimit!
Lexoni edhe: Strategjia mbi menaxhimin e buxhetit personal dhe krijimi i kapitalit tuaj
Një vështrim mbi Inxhinierinë Sociale
Të shesim me plan dhe jo me fat
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.