Lovable: Startupi më i ri "unicorn" në Europë! - Business Magazine Albania

Lovable: Startupi më i ri “unicorn” në Europë!

Lovable: Startupi i më i ri "unicorn" në Europë!

Lovable, startup-i më i ri në Europë që ka arritur vlerësimin “unicorn”, vjen nga Suedia dhe operon në fushën e inteligjencës artificiale. Vetëm tetë muaj pas themelimit, kompania ka siguruar një investim prej 200 milionë dollarësh në raundin Series A, i udhëhequr nga Accel, duke u vlerësuar në 1.8 miliardë dollarë.

I ngjashëm me platforma si Cursor që ndihmojnë zhvilluesit të shkruajnë kod dhe të ndërtojnë aplikacione përmes fuqisë së modeleve të mëdha gjuhësore, Lovable, me qendër në Stokholm,  lejon përdoruesit të krijojnë faqe interneti dhe aplikacione duke përdorur vetëm gjuhën natyrore. Deri tani, kompania ka ndjekur një trajektore të jashtëzakonshme, duke deklaruar se numëron mbi 2.3 milionë përdorues aktivë.

Edhe pse shumica e këtyre përdoruesve e përdorin shërbimin falas, CEO i kompanisë, Anton Osika, gjatë një prezantimi të fundit tha se tashmë Lovable ka mbi 180,000 abonentë me pagesë dhe ka arritur një të ardhur vjetore të përsëritur (ARR) prej 75 milionë dollarësh brenda shtatë muajve. Ky sukses ka qenë pa dyshim faktor kyç në tërheqjen e këtij investimi të madh në raundin Series A. Përveç Accel, në këtë raund morën pjesë edhe investitorët ekzistues si 20VC, byFounders, Creandum, Hummingbird dhe Visionaries Club. Kujtojmë se në muajin shkurt, Creandum kishte udhëhequr një raund pre-Series A prej 15 milionë dollarësh për Lovable, kur kompania raportonte 30,000 klientë me pagesë dhe një ARR prej 17 milionë dollarësh, me vetëm 2 milionë dollarë të shpenzuara deri atëherë.

Lexo edhe:Clust, aplikacioni që lindi nga lodhja me kaosin e përditshëm të transportit!

Lovable e ka arritur këtë rritje të vrullshme me një ekip të vogël prej vetëm 45 punonjës me kohë të plotë, një numër pothuajse i barabartë me atë të investitorëve të profilit të lartë që morën pjesë në raundin e fundit, si CEO i Klarna Sebastian Siemiatkowski, CEO i Remote Job van der Voort, bashkëthemeluesi i Slack Stewart Butterfield dhe bashkëthemeluesi i HubSpot Dharmesh Shah. Pjesa më e madhe e përdoruesve të Lovable duket se janë individë pa prapavijë teknike, të cilët e përdorin platformën për të krijuar prototipe që më pas i zhvillojnë më tej së bashku me zhvillues. Kjo kategori përbën ndoshta edhe shumicën e 10 milionë projekteve të krijuara deri më tani në platformë, sipas një deklarate zyrtare të kompanisë. Megjithatë, ambiciet e Lovable janë më të mëdha.

Lovable team (Rights: Anton Osika)Kompania synon të bëhet një mjet i aftë për të ndërtuar aplikacione të nivelit profesional, mbi të cilat mund të ngrihen biznese të plota. “Çdo ditë, themelues dhe operatorë të shkëlqyer me ide transformuese përballen me të njëjtën pengesë: nuk kanë një zhvillues që t’i ndihmojë të realizojnë vizionin e tyre lehtë dhe shpejt,” deklaroi Osika. Së fundmi, Osika publikoi në X se ka investuar si angel investor në një startup software-i që është ndërtuar me Lovable. Duke gjykuar nga disa indicie në postim, startup-i në fjalë duket të jetë platforma për testimin e reklamave, Stardust, megjithatë konfirmimi nga vetë themeluesi i Stardust ende mungon. Në një tjetër rast, Osika tregoi se një kompani braziliane e teknologjisë edukative kishte krijuar një aplikacion me Lovable dhe kishte gjeneruar 3 milionë dollarë të ardhura brenda 48 orëve. Kjo mund të jetë një tjetër drejtim zhvillimi për Lovable, që tashmë ka siguruar klientë enterprise, mes tyre edhe gjigandët si Klarna dhe HubSpot.

techcrunch

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0