Lindita Komani: "Secilit analist portalin e tij?" - Business Magazine Albania

Lindita Komani: “Secilit analist portalin e tij?”


Çoroditjes së plotë që vërehet në vend, nuk i ka shpëtuar as tregu mediatik shqiptar. Mund të ketë shumë arsye për këtë, por ndoshta ato që janë të përfolura më shumë janë: në media aktualisht fjala krejtësisht e lirë e analistëve/ gazetarëve kufizohet, si dhe ka aq shumë para në qarkullim sa çdokush që e ka këtë para e do të ketë zë në shoqëri, “kap rob” një analist dhe krijon portalin e tij dhe analisti për arsye racionale vendos të identifikohet me portalin e ta drejtojë atë, deri diku me dorë të lirë.

Po si po ndikon ky zhvillim?

Media në fund të fundit bëhet për njerëzit. A janë njerëzit më mirë e më saktë të informuar se më parë? A janë ata në gjendje që të marrin më mirë vendim në fusha të ndryshme, psh: a janë ata më të sensibilizuar nga ana politike për të kuptuar si është situata në vend dhe të japin kontributin e tyre për ta ndryshuar atë? A e njohin ata më mirë gjendjen ekonomike në vend, problemet e bizneseve, të rejat nga bizneset? A njohin ata më mirë vlerën në kulturën që bëhet këtu nga llumi që promovohet si vlerë? A u plaset atyre para syve më shumë apo më pak pornografi se zakonisht në mediat tona? A e ka aftësinë secili portal që të mbushë me lajme çdo rubrikë që paraqet në krye se do të jetë në gjendje të mbulojë?

Apo thjesht kopjon, madje pa bërë më të voglin kontroll për vërtetësinë e lajmit, atë që ka sjellë portali X? Sa gazetarë ka secili prej tyre në dispozicion?

Dhe përtej këtyre, ndoshta pyetja më e rëndësishme: a kanë ata veç e veç më shumë forcë ndikuese si pushtet i katërt sesa po të mblidheshin e të krijonin një apo ndoshta dy apo ndoshta edhe tre media të reja? E po kështu, kjo pyetje vlen edhe për financuesit e portaleve. A kanë ata më shumë forcë ndikuese mbi opinionin duke qëndruar veç e veç, apo do t’ia vlente më shumë të bashkonin kapitalin e të krijonin një, apo ndoshta dy, apo ndoshta edhe tre media të reja?

Decentralizimi dhe centralizimi i lajmëdhënies alternative (përmes portaleve)

Nuk është e qartë se kush financon cilin portal lajmesh dhe çfarë qëllimesh afatshkurtra apo afatgjata kanë dhe aq më pak mund të dihet se nga burojnë këto para. Mund të jenë edhe para të llojit që nuk vrasin kënd që po harxhohen, sepse burimi i tyre mund të jetë gjelbërimi që ka pushtuar malet e fushat e Shqipërisë. Por cilido qoftë burimi e cilëtdo qofshin këta njerëz pas portaleve e cilido qoftë burimi i financimit, mund të jetë më e arsyeshme që të investohet në blogje të llojit kolektiv – që mbledhin shumë zëra analistësh për të gravituar në një forcë më të madhe zëri dhe orientimi më cilësor. Ose nga redaksitë (analisti/gazetari që ka marrë përsipër të jetë koka drejtuese) të merret vendim për t’u fokusuar në një temë të caktuar për të cilën analisti e gazetarët që e ndihmojnë për të mbledhur informacion, kanë më shumë ekspertizë.

Oferta dhe kërkesa larg e më larg

Në kushte normale, sikur të ishte një çështje ofertë e kërkesë, pra e një tregu normal, mbase nuk kishte fare nevojë për të shkruar, sepse kjo nuk do të ishte as temë. Mbase do të mjaftonte një takim mes kurbës së ofertës dhe asaj të kërkesës, diku në një tabelë të zezë, ku me shkumës po pasqyrohej gjendja aktuale në një grafik sqarues.

Por në kushtet kur paraja në treg krijon një ofertë të tepruar e çoroditëse për publikun, kjo është një temë. Sepse, publiku shqiptar që përbën anën e kërkesës, vërtet që ka nevojë për lajmëdhënie më cilësore, më të vërtetë, më orientuese, më të lirë, përmbushjen e misionit bazik për vetë ekzistencën e mediave.

*Artikull nga Lindita Komani për Business Magazine

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #35 - Qershor 2024

Ja si sipërmarrës të guximshëm përmes inovacionit ndikojnë industri të tëra!

 

Ky numër i revistës mund të quhet numri i dedikuar sipërmarrësve, nismëtarëve dhe inovatorëve. Atyre të cilët me guxim, këmbëngulje dhe me risi nxisin transformimin e industrive me ndikim në jetët tona. Këto përvoja, sfida, ide të reja, aplikime dhe bashkëpunime të tyre, vijnë nëpërmjet Business Mag Albania, nr. 35. 

Për ty, që po e mban në dorë këtë revistë, kemi diçka të re! Tani mund të dëgjosh me zë artikujt që lexon tek BusinessMag. 

Në partneritet me Nullius in Verba, sjellim një mënyrë revolucionare për të konsumuar përmbajtjen. Falë teknologjisë së avancuar të AI, tani mund të dëgjoni me zë artikujt tuaj të preferuar në çdo kohë dhe vend, duke ju lejuar të informoheni ndërsa jeni në lëvizje. Ky bashkëpunim inovativ pasqyron përkushtimin tonë për të mbështetur sipërmarrjen dhe zhvillimin e modeleve të suksesshme, duke sjellë përvojë të re dhe vlerë të shtuar për ju si lexues. Skano kodet QR në çdo artikull dhe shijo nga kudo që të jesh një format të ri, mundësuar nga Inteligjenca Artificiale, aplikuar nga një …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0