Liberalizimi i pagesave. Më shumë mundësi, me kosto më të ulët. Intervistë me Ledia Bregun - Business Magazine Albania

Liberalizimi i pagesave. Më shumë mundësi, me kosto më të ulët. Intervistë me Ledia Bregun

Me miratimin e ligjit të ri për shërbimin e pagesave pritet të kemi më shumë mundësi për transaksione me kosto më të ulëta.  Përmes normave që mundësojnë një treg më të decentralizuar, shërbimi i pagesave online mundësohet edhe nga institucione financiare jobanka.

Ne kemi zhvilluar një intervistë me Ledia Bregu, Drejtore e Departamentit të Sistemit të Pagesave, Kontabilitetit dhe Financave, Banka e Shqipërisë.

 

Cili është objektivi kryesor i këtij ligji dhe rrjedhimisht cilat prisni të jenë rezultatet?

Ligji krijon kuadrin për funksionimin e shërbimeve të pagesave në Republikën e Shqipërisë, duke krijuar kushte dhe rregulla për krijimin, licencimin, organizimin, veprimtarinë dhe mbikëqyrjen e institucioneve të pagesave. Synimi kryesor është:

  • (i)të sigurojë paanshmëri dhe proporcionalitet në licencimin dhe rregullimin e ofruesve të shërbimit të pagesave;
  • (ii)të mundësojë modele inovative të biznesit, të cilat lehtësojnë përdorimin për palët e treta (për shembull, shërbime agjenti) dhe burime nga jashtë;
  • (iii)të forcojë bazën ligjore mbikëqyrëse të BSH-së për shërbimet e pagesave;
  • (iv) të krijojë një kuadër për mbrojtjen e konsumatorit, përfshirë mekanizmat monitorues dhe detyrues, si dhe duke zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë efektive, rregulla këto që do kontribuojnë në rritjen e efektivitetit të shërbimeve të ofruara dhe me kosto të ulta.

Objektivi i këtij ligji është promovimi i përfshirjes financiare të popullsisë dhe nxitja e përdorimit të instrumenteve elektronikë të pagesave.

Lexo: Kriza nga COVID-19, Banka e Shqipërisë ul normën bazë të interesit

2- Çfarë risish sjell për përfituesit/përdoruesit?

Risitë e ndikimet nga vënia në zbatim e ligjit pritet të jenë:

  1. Një ndikim i drejtpërdrejtë në nxitjen e konkurrencës dhe inovacionit në fushën e pagesave me vlerë të vogël, duke promovuar kështu efikasitetin e tyre dhe reduktimin e kostove, të cilat mbart përdorimi i tyre.
  2. Shërbimet inovative të promovuara nga ky ligj janë shërbimet e inicimit të pagesave dhe institucionet për shërbimin e informimit mbi llogarinë. Për shërbimet e parashikuara në ligj përcaktohet koncepti i shërbimit të llogarisë (tipikisht është një bankë që zotëron llogaritë e klientëve dhe duhet të japë informacion, pas autorizimit të klientit për ofruesit e shërbimeve të sipërcituara). Ky shërbim krijon konceptin themelor të open banking, duke detyruar bankat të ndajnë informacion mbi llogarinë e klientit me palë të treta të licencuara nga BSH (institucionet e shërbimit të inicimit të pagesës dhe institucionet për shërbimin e informimit mbi llogarinë).
  3. Synon të balancojë hapësirat për ofrimin e shërbimeve të pagesave midis bankave dhe institucioneve financiare jobanka, duke lejuar këto të fundit të hapin llogari pagese dhe emetojnë instrumente elektronike të pagesave. Në kuadër të ndërveprimit midis bankave dhe jo bankave ligji parashikon disa dispozita që synojnë eliminimin e praktikave bllokuese ndaj institucioneve financiare jo banka për arsye konkurrence, lidhur me:
  4. Sanksionimin e të drejtës së institucioneve të pagesave për të hapur llogaripranë një banke dhe për ofrimin e shërbimeve përkatëse. Në rast refuzimi banka duhet të raportojë me shkrim pranë Bankës së Shqipërisë për arsyet e refuzimit. Kjo dispozitë synon të eliminojë praktikat abuzive të ndjekura nga bankat në kuadër të derisking.
  5. Sanksionimin e të drejtës së institucioneve të pagesave për të marrë pjesë në sistemet e pagesave (direkt kur këto sisteme nuk janë me rëndësi sistemike dhe indirekt nëpërmjet një banke kur ato janë me rëndësi sistemike si në rastin e AIPS).
  6. Do të rrisë transparencën në shërbimet e ofruara nga tregu dhe të krijijojë një kuadër të konsoliduar për mbrojtjen e konsumatorit. Parashikon krijimin e njësive brenda institucioneve për adresimin e mbrojtjes së përdoruesve të shërbimeve të pagesave (të ngjashme me atë të kredisë konsumatore)si dhe një njësi të posaçme për zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve brenda Bankës së Shqipërisë.
  7. Nga pikëpamja e përfshirjes financiare dhe zgjerimit të shërbimeve të ofruara ligji synon të zgjerojëprezencën e shërbimeve të ofruara nga bankat në të gjithë territorin (përfshirë dhe zonat rurale) nëpërmjet prezantimit dhe rregullimit të modelit “të bankave, të cilat ofrojnë shërbime pagesash nëpërmjet agjentëve”.
  8. Ligji si dhe nisma të tjera rregullative të parashikuara në planin e veprimit të strategjisë “Për pagesat me vlerë të vogël”të synuara nga Banka e Shqipërisë, vlerësohet se kontribuojnë në krijimin e institucioneve financiare me një qeverisje të mirërregulluar dhe struktura për administrimin e rrezikut, duke ndihmuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në nxitjen e sigurisë dhe efikasitetit në tregun e shërbimeve të pagesave. Zbatimi i këtyre praktikave evropiane ndikon dhe në rritjen e besimit ndaj institucioneve shqiptare të pagesave në rrafshin ndërkufitar.

3- Kush janë përfituesit e drejtpërdrejtë?

Institucionet e Pagesave dhe ofruesit e shërbimeve të pagesave në tërësinë e tyre, përfshirë dhe bankat (në varësi të përqasjes strategjike për zbatimin e ligjit) të cilët do të mund të licensohen dhe të ushtrojnë aktivitetet e reja të parashikuara në ligj, i cili krijon një shtrat ligjor e rregullativ të shëndetshëm edhe për operimin e kompanive të ashtuquajtura fintech, që do të ofrojnë këto shërbime.

Përfituesi fundor i risive që mbështet ligji sigurisht që janë individët, të cilët minimalisht do të kenë një gamë më të gjerë alternativash për përftimin e shërbimeve të pagesave, do të përjetojnë një konkurrencë më të madhe midis Institucioneve të Pagesave, e cila do të sjellë kosto më të ulëta të shërbimeve, efikasitet më të madh dhe për herë të parë një kuadër transparence të plotë e mbështetur nga një mbrojtje konsumatori të konsoliduar.

4- Si vlerësohet të realizohet aplikimi i tij? A mendoni se është mjaftueshëm e përgatitur infrastruktura?

Angazhimet e Bankës së Shqipërisë dhe aktorëve të tregut nuk përfundojnë me miratimin e ligjit, përkundrazi, sapo kanë nisur. Banka e Shqipërisë ka detyrimin të hartojë të gjitha aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji, të cilat plotësojnë kuadrin dhe detajojnë nga ana teknike kriteret për t’u përmbushur nga Institucionet e Pagesave dhe ofruesit e shërbimeve të pagesave që dëshirojnë të aplikojnë për një licensë të tillë. Nga ana tjetër Institucionet Financiare Banka në kuadër të Open Banking do të duhet të bëjnë zhvillime në sistemet e tyre me qëllim mundësimin e aksesit të informacionit për qëllime shërbime pagesash nga ato Institucione Pagesash të licensuara nga Banka e Shqipërisë.

Lexo: Shtyhen pagesat e Tatim Fitimit për bizneset e mëdha. Për bizneset e vogla anulohen

Infrastruktura e sistemeve të pagesave të operuara nga Banka e Shqipërisë nuk ka nevojë për ndryshime infrastrukturore për akomodimin e pjesëmarrësve të rinj, direkt apo indirekt sikurse parashkon ligji, pasi janë infrastruktura të krijuara dhe përditësuara vazhdimisht me standardet ndërkombëtare të pranueshme të pagesave.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, përtej përgatitjes rregullative dhe infrastrukturore, përgatitja në nivel edukimi financiar është po aq e rëndësishme sa dy hallkat e para. Zhvillimet dhe alternativat e reja të shërbimeve financiare kanë nevojën e domosdoshmërinë të shoqërohen me edukimin e duhur financiar të të gjithë popullatës për kuptueshmërinë, mirëpritjen dhe përdorimin e sigurt të inovacioneve që sjell teknologjia në fushën e pagesave.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0