Kriza nga COVID-19, Banka e Shqipërisë ul normën bazë të interesit


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, njoftoi uljen e normës bazë të interesit në 0.5% nga 1 % që ishte.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të lehtësojë më tej qëndrimin e politikës monetare dhe kushtet monetare e financiare në vend. Më konkretisht, Këshilli Mbikëqyrës vendosi:

  • Të ulë normën bazë të interesit, nga 1.0% në 0.5%;
  • Të ulë normën e interesit të kredisë njëditore, nga 1.9% në 0.9%;
  • Të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 0.1%.

Përhapja e pandemisë COVID-19 në Shqipëri përbën një sfidë për ekonominë dhe sektorin tonë financiar.” Masat e nevojshme të kujdesit, të marra nga autoritetet publike dhe private për të kufizuar përhapjen e virusit COVID-19 në popullsi, do të kenë ndikim të dyfishtë në aktivitetin ekonomik”, tha guvernatori Sejko.

Nga njëra anë, reduktimi i përkohshëm i prodhimit dhe punësimit sjell uljen e ofertës së mallrave e shërbimeve në treg dhe reduktimin e të ardhurave të familjeve. Nga ana tjetër, distancimi social sjell rënien e kërkesës, si dhe tkurrjen e shitjeve, të të ardhurave dhe të likuiditetit të bizneseve.

Në gjykimin e Këshillit Mbikëqyrës, ulja e normës bazë të interesit është një masë e nevojshme për reduktimin e kostos së huamarrjes së re, për reduktimin e kostos së shërbimit të borxhit ekzistues dhe për lehtësimin e qarkullimit të likuiditetit në bizneset dhe familjet shqiptare. Ajo ndihmon funksionimin sa më normal të mekanizmit të transmetimit të politikës monetare si dhe lehtëson presionin mbi bilancet financiare të operatorëve ekonomikë, duke iu dhënë atyre më shumë kohë, hapësirë dhe frymëmarrje për përballimin e goditjes.

Ky vendim i sotëm plotëson masat e tjera që janë marrë për minimizimin e efekteve të pandemisë. Gjatë ditëve të fundit:

  • Banka e Shqipërisë ka rritur kapacitetet operacionale për të garantuar furnizimin e ekonomisë me monedhë dhe kartëmonedhë, si dhe për të garantuar funksionimin normal të sistemit të pagesave elektronike. Brenda kufizimit orar të lëvizjes të vendosur nga autoritetet publike, të gjithë operatorët ekonomikë duhet të jenë të vetëdijshëm se sistemi i pagesave do të funksionojë normalisht.
  • Banka e Shqipërisë ka adoptuar strategjinë operacionale të injektimit të pakufizuar të likuiditetit në sektorin bankar. Ky sektor, dhe nëpërmjet tij bizneset, familjet dhe sektori publik, do të kenë mundësi të tërheqin pranë Bankës së Shqipërisë të gjithë likuiditetin e nevojshëm dhe të kërkuar prej tyre.
  • Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të lehtësojë procedurat e shtyrjes me një tremujor të pagesës së kësteve të kredisë për bizneset dhe familjet e prekura nga kriza, duke i ofruar sektorit bankar hapësirat e nevojshme rregullatore për ta bërë këtë.

 “Këto masa që ne kemi marrë, brenda fushës sonë të kompetencës, mundësojnë dhe plotësojnë paketën fiskale të shpallur nga qeveria shqiptare, e cila synon të zhvendosë një pjesë të faturës financiare të përballimit të krizës nga sektori privat në sektorin publik”, u shpreh guvernatori.

 Këshilli Mbikëqyrës mbetet në monitorim të vazhdueshëm të situatës. Në linjë me masat e marra nga bankat e tjera qendrore dhe në varësi të evoluimit të situatës, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të përdorë të gjitha instrumentet operacionale dhe hapësirën rregullatore që disponon për të minimizuar pasojat e pandemisë në ekonominë dhe sistemin financiar shqiptar.

“Masat tona monetare, rregullatore dhe institucionale, do të qëndrojnë në fuqi për sa kohë do të jetë e nevojshme”, shtoi Sejko.

Në këtë kontekst, Këshilli Mbikëqyrës vëren se minimizimi i pasojave afatgjata të pandemisë kërkon përpjekje serioze, të koordinuara dhe të harmonizuara, nga të gjitha autoritetet publike dhe private në vend.

“Do te kemi një stabilitet të çmimeve në periudhë afatgjatë dhe afatmesme. Mesazhet që kemi dhënë për shëndetin e ekonomik dhe financiar janë të vlefshme edhe tani. Bankat dhe ekonomia janë të shëndetshme, me likuiditete të bollshme”, deklaroi Sejko.

 

Must watch
Business Mag Nr. #23 - Qershor 2020

Të gjitha planet tuaja për këtë vit, si individë apo sipërmarrës mund të jenë përmbysur. Mbërritja e Coronavirusit në Shqipëri paralizoi gjithçka, ashtu si kudo. Në mënyrë të papritur na vuri në kushte tërësisht të tjera pune, na shtoi pasigurinë e shqetësimin për të ardhmen.

Sipërmarrjet, kryesisht në fushën e IT u përshtatën më shpejt, duke angazhuar punonjësit nga shtëpia. Ato zhvilluan dhe më tej mundësitë për të punuar në distancë, ndërkohë që shumë kompani të tjera u mbyllën plotësisht.

Kjo është një periudhë sprove, për individin, drejtuesit dhe liderin. Kjo është lufta që po zhvillohet në spitale dhe fronti i parë i saj janë mjekë, infermierë e sanitarë. Historia e ekonomisë k a treguar se gjithmonë pas një situatë të vështirë ka një ringritje. Dhe ne besojmë se kështu do të jetë.

Deri atëhërë ajo çka na mbetet të bëjmë është respektimi i rregullave të kërkuara, marrja e përgjegjësive ndaj të tretëve për aq sa mundemi, e të interesohemi për të pamundurit, të ndajmë diçka për ta.

Solidariteti nuk ka munguar e nuk do të na mungojë as kësaj radhe. Ajo çfarë doli në pah krahas solidaritetit ishte varfëria: e shtetit, e kompanive dhe e vetë individëve.

Një ditë pas dërgimit të 30 bluzave të bardha në Itali, The Guardian na vlerësoi në artikullin e saj si zemërgjerë edhe pse Ky numër ishte planifikuar të botohej në Prill 2020, por procesi u shty për shkak të masave të ndërmarra si pasojë e shpërthimit të Covid-19. Edhe pse në kohë vështirësish, jemi …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale