Kur një njeri vendos të sfidojë sistemin, si Programi.al po bëhet një busull për studentët shqiptarë - Business Magazine Albania

Kur një njeri vendos të sfidojë sistemin, si Programi.al po bëhet një busull për studentët shqiptarë

Nga Fatima Gorezi – Në Shqipëri, mungesa e informacionit të besueshëm shpesh vret jo vetëm mundësitë, por edhe ëndrrat. Mijëra të rinj çdo vit përballen me një vendim jetik, cilin universitet të zgjedhin, pa pasur një hartë reale për tu orientuar. Në këtë terr informativ, Programi.al tenton të mbushë një boshllëk në sistemin arsimor shqiptar, duke i ndihmuar maturantët të zgjedhin drejt dhe me vetëdije, ndërsa përdorin të dhëna reale dhe renditje objektive.Themeluesi i platformës, Idlir Sulstarova nuk është thjesht një sipërmarrës digjital, por një idealist praktik, që pasi pa nga brenda boshllëqet e sistemit arsimor, vendosi ta ndërtojë vetë atë çfarë duhej të kishte qenë prej kohësh. Jo për madhështi, as për fitim, por sepse ndonjëherë sikundër thotë vetë ai duke perifrazuar John Rawls: ‘Nëse dikush ka kapacitetin të bëhet intelektual publik, ka detyrën të bëhet një i tillë.

Çfarë ju shtyu konkretisht të ndërmerrni nismën për krijimin e Programi.al? Ishte një nxitje personale apo një boshllëk që e patë në sistem?

Është një vazhdimësi natyrale e asaj që kam qenë gjithmonë. Gjatë shtatë viteve të mia në Ministrinë e Arsimit (specialist në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor), kolegët e mi do t’ju thonë se herë pas here lançoja iniciativa që ndonjëherë nuk kishin asgjë të përbashkët me detyrat e mia zyrtare, thjesht sepse shihja një problem që mund ta zgjidhja. Mund t’ju jap shembuj pa fund…
Programi.al përfaqëson të njëjtën frymë, thjesht të shprehur jashtë mureve të një institucioni shtetëror. Pas vitesh duke u pyetur pse nuk ka një renditje gjithëpërfshirëse dhe profesionale të universiteteve në Shqipëri, vendosa ta krijoj vetë. Nuk ishte një llogaritje biznesi, por një detyrim i brendshëm. Besoj se ekselenca kërkon shprehje, pavarësisht nga fitimi i mundshëm. Madje mund të argumentosh se përqëndrimi në fitime apo përfitime e përlyen shprehjen e saj që në krye të herës. E shoh si një detyrë themelore të shpreh aftësitë e mia pavarësisht nga fitimi apo humbja, qoftë edhe me sakrifica e kosto personale.
John Rawls ka thënë se nëse dikush ka kapacitetin të bëhet intelektual publik, ka detyrën të bëhet një i tillë. Ndonëse të gjithëve na pëlqen ta “gënjejmë” veten se kemi kapacitete që edhe Njutoni do i kishte zili, një gjë është e sigurte : secili prej nesh ka talente apo aftësi të caktuara që spikasin dhe unë besoj që e kemi detyrim ndaj shoqërisë dhe të paktën ndaj vetes që t’i shprehim ato.

Mungesa e një renditjeje profesionale dhe të pavarur të universiteteve në Shqipëri e deritanishme, ç’pasoja mendoni se ka sjellë?

Mungesa e një standardizimi transparent të performancës së institucioneve të arsimit të lartë ka krijuar shtrembërime të tregut me efekte zinxhir:
• Për studentët dhe familjet: Asimetria e informacionit ka çuar në vendime jo-optimale të nxitura nga marketingu në vend të meritës. Kjo krijon humbje të vërteta ekonomike: tarifa shkollimi të shpenzuara kot, kosto oportune dhe mospërputhje në karrierë që grumbullohen gjatë gjithë jetës.
Për IAL-të: Pa tregues transparente konkurrence, ka pasur një garë të fortë në shpenzimet e marketingut në vend të përmirësimit të cilësisë. Institucionet me performancë të lartë nuk mund të diferencohen, ndërsa ato mediokre nuk përballen me presionin e tregut për t’u përmirësuar.
• Për ekosistemin sipërmarrës: Mungesa e të dhënave të besueshme mbi rezultatet e arsimit e bën të pamundur për punëdhënësit, investitorët apo politikëbërësit që të marrin vendime të bazuara në prova për zhvillimin e kapitalit njerëzor. Ky dështim i tregut kërkonte një zgjidhje sipërmarrëse: dikë të gatshëm të investonte në krijimin e infrastrukturës që duhej të ekzistonte vite më parë.

Idlir Sulstarova – Themelues i Programi.al

Na shpjegoni pak më shumë për algoritmin që përdorni për orientimin akademik, si funksionon dhe pse e konsideroni më të avancuarin në vend?

Mjeti i përputhjes së studentëve “Gjej Programin Tënd” kombinon precizionin sasior me intuitën cilësore të drejtuar nga inteligjenca artificiale (IA) në tre faza:
Së pari, studentët fusin notat e tyre, lëndët e preferuara, dhe ambiciet e karrierës, por në mënyrë vendimtare, ata mund të rregullojnë peshën e çdo faktori. Kjo krijon përputhje plotësisht të personalizuar në vend të udhëzimeve shabllon.
Së dyti, algoritmi ynë matematikor krahason profilin e tyre unik me bazën tonë gjithëpërfshirëse të të dhënave të programeve të studimit, duke llogaritur rezultate precize përputhshmërie.
Së treti, programet me rezultat më të lartë analizohen nga IA e sofistikuar që vepron si një këshilltar virtual karriere, duke gjeneruar analizë narative në shqip të qartë me rrugë konkrete karriere dhe rekomandime të zbatueshme.
Është mjeti më i avancuar i disponueshëm për studentët shqiptarë (në këtë segment) sepse kombinon rezultatin sasior të personalizueshëm nga përdoruesi me narrativën cilësore të fuqizuar nga IA. Asgjë tjetër në vend, për sa kam hulumtuar, nuk ofron këtë nivel personalizimi dhe sofistikimi. Sigurisht ka ende shumë punë për të bërë për ta shndërruar në këshilltarin më të besueshëm gjatë procesit të zgjedhjes së programit të studimit, por kjo do të kërkojë domosdoshmërisht kohë dhe përdorim në masë të gjerë.

Lexo edhe: Aftësitë digjitale, pika e dobët e të rinjve shqiptarë – sinjal alarmi nga Eurostat

Realisht nuk e kam reklamuar shumë mjetin e përputhjes së studentëve sepse nuk dua që të sfumoj ofertat kryesore publike (renditjen e universiteteve dhe veglën e akreditimit). Ajo (Gjej programin ideal) është atje për ata që janë të interesuar, madje aktualisht falas për përdoruesit deri në njëfarë pike, por eventualisht do të jetë me pagesë sepse merr burime të konsiderueshme për t’u administruar, mirëmbajtur dhe përmirësuar.
Në këtë pikë ndoshta nuk jam personi tipik i biznesit. Ndonëse e pranoj se paratë janë një mjet i rëndësishëm që të jep më shumë liri dhe të përmirëson mundësitë e ardhshme, ato nuk janë motivimi im primar. Besoj se ekselenca në vetvete mbart një detyrim të pashkruar për shprehjen e saj, pavarësisht nga fitimi i mundshëm.
Edhe pse mishëroj në thelb frymën e një sipërmarrësi, “neglizhenca” ime relative e fitimit më vë në kundërshtim me urtësinë konvencionale të biznesit.

Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha gjatë mbledhjes, verifikimit dhe përpunimit të të dhënave publike nga institucionet shqiptare?

Sfidat ndahen në tre kategori, dhe ato në fakt janë pikërisht një nga arsyet kryesore se pse kjo platformë ishte kaq e nevojshme:
– Disponueshmëria e kufizuar: shumë pika kyçe të dhënash thjesht nuk publikohen nga institucionet (punësimi i të diplomuarve, statistika mbi stafet akademike, etj).
Mungesa e standardizimit: të dhënat ekzistuese janë të shpërndara nëpër faqe interneti në formate jo konsistente: dokumente të shpërndara ose inekzistente, imazhe, tekst i pastrukturuar, etj. Kjo kërkon volum të madh pune manuale. Për t’ju dhënë një shembull shumë ilustrues: edhe të dhënat mbi tarifat e studimit janë vështire për t’u gjetur në shumë raste, ndërkohë që ato janë një nga të dhënat më të rëndësishme për studentin e ardhshëm.
– Informacioni i vjetëruar: shpesh, të dhënat e publikuara nuk janë aktuale, që është arsyeja pse ndërhyrja jonë thekson përfshirjen e datave “të përditësuara së fundi”.
Këto sfida në një farë mënyre shpjegojnë ndoshta edhe se pse askush nuk e kishte marrë këtë nisme më parë. Por besoj se kur ke kapacitetin të zgjidhësh një problem sistematik, ke përgjegjësinë ta bësh, pavarësisht nga vështirësitë që mund të hasësh rrugës.

Si reagon zakonisht një universitet kur renditet më poshtë se ç’pret? A ka pasur presione apo përpjekje për të ndikuar transparencën e platformës?

Kjo pyetje prek thelbin e modelit tonë të integritetit dhe qëndrueshmërisë afatgjatë të biznesit.
Aktualisht, jemi në një fazë të hershme të kontaktimit. U kam dërguar ftesa formale për bashkëpunim të 14 universiteteve publike, ku njëri ka kërkuar sqarime dhe të tjerët ende nuk janë përgjigjur, megjithëse unë jam besim plotë se eventualisht oferta bashkëpunim do të pranohet dhe së bashku do të përmirësojmë dhe garantojmë një sistem të drejtë, transparent dhe të qendrueshëm të arsimit të lartë në Shqipëri. Gjithsesi tani që flasim reagimet institucionale ndaj renditjeve mbeten kryesisht hipotetike.

Transparenca nuk është vetëm metodologjia jonë, është filozofia jonë. Për të nënvizuar zotimin tim për transparencë, shtova një faqe ku publikoj dhe përditësoj të gjitha burimet (kohë, para, gjithçka) të derdhura në platformë. Gjithashtu shtova një funksion donacioni ku çdo kontribut publikohet në një seksion specifik, edhe në mënyrë anonime nëse donatorët preferojnë. Platforma u ndërtua 100% në mënyrë të pavarur. Deri në këtë moment, zero fonde të jashtme.

Sa për presionin: për të qenë korrekt ka pasur zero tentativa për të ndikuar në platformë deri tani. Por kam një pozicion të qartë dhe të pakompromis gati: nja nga shtyllat kryesore të kësaj platforme është besueshmëria e saj. Momenti që kjo komprometohet për çfarëdo arsyeje, i gjithë projekti bëhet i pavlefshëm. Metodologjia është publike, të dhënat janë të verifikueshme, dhe rregullat janë të njëjta për të gjithë.
E pranoj se bashkëpunimi me ministrinë, universitetet, dhe palët e tjera të interesit është themelor për të arritur potencialin tonë të plotë. Të gjithë duam përmirësim të arsimit të lartë. Megjithatë, integriteti dhe transparenca janë shtylla jo-negociueshme, pavarësisht nga bashkëpunimet e mundshme.

Çfarë ndikimi konkret keni vërejtur deri më tani te studentët apo familjet që përdorin platformën? A ka histori suksesi që mund ta ndani?
Si sipërmarrës, jam i disiplinuar në dallimin mes treguesve të hershëm dhe ndikimit të vërtetuar. Platforma është në fazën e saj të rritjes, kështu që po të pretendoja sukses transformues që në këtë fazë do të kompromentoja ndershmërinë intelektuale të panegociueshme që qëndron në thelb (timin dhe të platformës). Në këtë fazë, pavarësisht sinjaleve premtuese, jemi të detyruar që mos të publikojmë përfundime të nxjerra nga një kampjon shumë i vogël, por të presim deri në momentin kur të jetë krijuar një masë kritike e mjaftueshme për t’u shprehur dhe ndoshta edhe për rivlerësim të qasjes tonë nëse nuk përputhet me synimet e vendosura.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen e Programi.al? A do ta zgjeroni për të përfshirë edhe universitetet private, tregun e punës, apo orientimin pasuniversitar?

Absolutisht, të gjitha ato. Vizioni im shtrihet shumë përtej platformës aktuale: e shoh Programi.al si një katalizator për ndryshim në nivel sistemi.
Së fundmi kam aktivizuar edhe veglën e kontrollit të akreditimit, që u lejon qytetarëve të verifikojnë akreditimin institucional dhe të programit të studimit pothuajse në mënyrë të menjëhershme. Sigurisht të gjithë mund të marrin të njëjtin informacion në faqen zyrtare të ASCAL, por nëpërmjet një procesi manual, të vështirë dhe që merr kohë. Tani bëhet në sekonda. Kjo është plotësisht falas.
Për institucionet private, një opsion (në negociata e sipër) është pjesëmarrja e tyre në renditje përmes një modeli bazuar në pagesë për të siguruar qëndrueshmëri afatgjatë pa kompromentuar shërbimet falas për universitetet publike.
Vizioni afatgjatë përfshin lidhjen me tregun e punës për të ofruar të dhëna të sakta të të dhënave të punësimit të të diplomuarve.
Treguesi përfundimtar i suksesit nuk do të jetë numri i përdoruesve apo të ardhurat, por nëse kemi ndihmuar të krijojmë një sistem që i shërben vërtet studentëve dhe shoqërisë shqiptare. Ky është vizioni që udhëheq gjithçka që bëjmë.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Vazhdo të ecësh. Mund të pengohesh, por mos qëndro ulur.”
— Charles Kettering
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0