Aftësitë digjitale, pika e dobët e të rinjve shqiptarë – sinjal alarmi nga Eurostat - Business Magazine Albania

Aftësitë digjitale, pika e dobët e të rinjve shqiptarë – sinjal alarmi nga Eurostat

Nga Fatima Gorezi – Të rinjtë shqiptarë (mosha 16-29 vjeç)  renditen në vendet e fundit në Europë përsa i përket zotërimit të aftësive digjitale. Kjo është tabloja shqetësuese që paraqet raporti i fundit i Eurostat për vitin 2024, i cili analizon përdorimin e internetit dhe zotërimin e aftësive digjitale në vendet evropiane, përfshirë edhe Shqipërinë.

Çfarë do të thotë të zotërosh ”aftësi digjitale”

Sipas përkufizimit të përdorur nga Eurostat, aftësitë digjitale përfshijnë një gamë të gjerë njohurish dhe kompetencash që lidhen me përdorimin e teknologjisë së informacionit dhe internetit në jetën e përditshme, në arsim, në punë dhe në shoqëri.

Eurostat i ndan aftësitë digjitale në disa fusha kryesore, duke përfshirë:

  • Aftësi për informim dhe të dhëna – përfshin aftësinë për të kërkuar, përzgjedhur, organizuar dhe vlerësuar informacionin në internet.
  • Komunikim dhe bashkëpunim digjital – lidhet me përdorimin e mjeteve digjitale për të komunikuar, për të ndarë përmbajtje dhe për të punuar me të tjerët në mënyrë efektive.
  • Krijim i përmbajtjes digjitale – përfshin shkrimin e tekstit, redaktimin e dokumenteve, krijimin e prezantimeve apo përmbajtjeve multimediale, si dhe kuptimin e bazave të programimit.
  • Siguri digjitale dhe mbrojtja e të dhënave – aftësia për të mbrojtur pajisjet, të dhënat personale dhe privatësinë në mjedisin online.
  • Zgjidhja e problemeve – aftësia për të përdorur teknologjinë për të zgjidhur probleme të përditshme, për të instaluar softuerë apo për të konfiguruar pajisje digjitale.

Sipas Eurostat vetëm 1 në 2 të rinj shqiptarë kanë aftësi digjitale minimalisht bazike (49%) dhe përdorimi duket më shumë i përqendruar në aktivitete sipërfaqësore, si rrjetet sociale apo përmbajtje argëtuese, sesa në zhvillimin e aftësive të dobishme. Ndërsa Shqipëria përballet me sfida të mëdha në arsim dhe teknologji, ky raport i Eurostat vë në dukje një boshllëk kritik që mund të kushtojë shtrenjtë në tregun e ardhshëm të punës dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Lexo edhe: Nga një aksion i Microsoft në moshën 16-vjeçare te menaxhimi i milionave: Si Endrit Çela po ndryshon mënyrën si mendojmë për paranë!

Igli Gjelishti, themelues i dev.al e sheh këtë panoramë ndryshe. ”Puna e përditshme në dev.al më vë në kontakt me shumë të rinj që punojnë në sektorin e teknologjisë dhe inovacionit, por edhe më shumë punonjës biznesesh dhe institucionesh që përdorin zgjidhjet tona. Te punonjësit ose te ata që aspirojnë një karrierë ne ICT, krahasuar edhe me nivelin në vende më të zhvilluara të Europës e me tej, nuk vihet re ndonjë diferencë domethënëse. Sigurisht ne nuk jemi as Gjermania e as Shtetet e Bashkuara, e nuk i kemi kushtet as për të bërë shpikje e as për të ngritur unicorns, por personalisht jam i kënaqur me cilësinë dhe aftesitë e të rinjve tanë.” – thotë ai.

Gjelishti nënvizon edhe një tregues tjetër të rëndësishëm që duhet marr në konsideratë, faktin që Shqipëria ka digjitalizuar një sërë shërbimesh duke i zhvendosur zyrat e administratës online, ndërsa është edhe pararojë në këtë drejtim në rajon e më gjerë. ”Për sa i përket përdoruesve, të mos harrojmë që ne jemi një vend që sot ofron mbi 95% të shërbimeve publike vetëm online, që prej gati 15 vjetësh të gjitha deklarimet tatimore i ka vetëm online, që lëshimin e faturave e bën vetëm online dhe sado vështirësi që mund të ketë pasur tranzicioni ndonjëherë edhe pak i dhunshëm nga zgjidhjet analoge në ato digjitale, nuk na rezulton të ketë mbetur dikush pa punë apo të ketë dalë jashtë tregut për ketë arsye. Prandaj, pa dashur të vë në dyshim metodologjinë e studimit, rezultati 23.32% dhe akoma më tepër rënia nga 2021 në 2023 më duken pak të vështira për t’u besuar.

 

 

Raporti për aftësitë digjitale
Aksesi në Internet

Sektori publik vs sektori privat

Raporti nuk vë në dukje të dhëna mbi demografinë, apo tregues të tjerë si arsimimi, puna, gjinia etj sa i përket analizimit të të dhënave, por në Shqipëri është fakt që sektori publik ka ecur përpara me digjitalizimin, duke kryesuar me shërbimet e gjeneruara nga e-albania.

Në kontrast nga sektori publik, ku pothuajse çdo gjë është e digjitalizuar, biznesi ecën me ritme shumë më të ulëta në inovacion. Për shembull, pavarësisht fluksit të jashtëzakonshem të turistëve, kemi ende hotele që mbajnë rezervimet me regjistra letre ose me tabela excel-i, kemi një përdorim ende shumë të ulët të pagesave elektronike, ndërsa platformat kryesore të shitjeve online vazhdojnë të mbeten rrjetet sociale dhe pagesa bëhet me cash-on-delivery. Në këtë drejtim mendoj që mund dhe duhet të bëhet më shumë.” – thotë Gjelishti.

Ky kontrast mes sektorit publik dhe privat nënvizon nevojën për një qasje më të balancuar dhe gjithëpërfshirëse në edukimin digjital: të rinjtë duhet të përgatiten për një treg pune që nuk kërkon thjesht konsumues teknologjie, por përdorues aktivë, krijues dhe të ndërgjegjshëm.

Zhvillimi digjital si avantazh konkurrues

Në një treg global ku kompanitë po kërkojnë gjithnjë e më shumë punonjës me aftësi teknologjike, zotërimi i kompetencave digjitale nuk është më luks, por nevojë bazike. Mungesa e aftësive digjitale nuk është vetëm një pengesë ekonomike, por edhe një formë e re përjashtimi social, veçanërisht për komunitetet rurale, ku aksesi ndaj trajnimeve është më i kufizuar. Nëse Shqipëria dëshiron të tërheqë investime të huaja dhe të mbajë të rinjtë e kualifikuar në vend, atëherë sistemi arsimor duhet të përshtatet me kërkesat e kohës, duke futur më herët në kurrikulë edukimin teknologjik dhe programimin. Kjo do të ndihmonte jo vetëm punësimin, por edhe zhvillimin e sipërmarrjes inovative.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0