Tragjedia e gabimeve të Trump! - Business Magazine Albania

Tragjedia e gabimeve të Trump!

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Nga Joseph E. Stiglitz* — Është e vërtetë, siç ka thënë dikur Alexander Pope, se të gabosh është njerëzore. Por, ndonëse të gjithë janë të gabueshëm, disa njerëz janë më të prirur për gabime se të tjerët. Kjo është një nga arsyet që justifikon demokracinë, vendimet që prekin një numër të madh njerëzish duhet t’i nënshtrohen proceseve deliberative, me mekanizma kontrolli dhe balancash. Historia e regjimeve autoritare dhe absolutiste është e mbushur me figura, gabimet e të cilëve rezultuan katastrofike jo vetëm për ta, por edhe për shoqëritë që qeverisnin.

Asnjë vendim nuk është më i rëndësishëm sesa shpallja e luftës kundër një vendi tjetër. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara kanë bërë pikërisht këtë, pa respektuar as sistemin e tyre të kontrollit dhe balancave dhe as procesin e arsyetuar të vendimmarrjes. Si mbretërit e dikurshëm, presidenti impulsiv dhe mashtrues i Amerikës, Donald Trump, mbetet i pakontrolluar nga legjislativi dhe i rrethuar nga servilë që i thonë vetëm atë që dëshiron të dëgjojë. Rezultati katastrofik tashmë është i qartë: Amerika është sërish e përfshirë në një luftë në Lindjen e Mesme, e cila tashmë ka kushtuar mijëra jetë, kryesisht civilë dhe në të cilën ka shumë gjasa që janë kryer disa krime lufte.

Askush nuk e di se sa do të zgjasë lufta me Iran, sa krime të tjera lufte do të kryhen, apo sa të pafajshëm të tjerë do të vriten. Por amerikanët duket se janë aq të mpirë nga shkeljet e të drejtave të njeriut dhe të shtetit ligjor nga ana e Trump, dhe aq të mbingarkuar nga fluksi i vazhdueshëm i lajmeve të fundit, sa mezi kanë ngritur zërin në protestë. Edhe në universitete, zakonisht qendra të protestës dhe kundërshtimit, sundon frika. Si në çdo regjim represiv, kërcënimi i pasojave ekonomike apo edhe më të rënda: humbja e vizës, dëbimi nga vendi apo hetimi penal po arrin efektin e synuar.

Si ekonomist, më pyesin shpesh se çfarë do të thotë lufta e zgjedhur nga Trump kundër Iranit për ekonominë amerikane dhe atë globale. Përgjigjja e shkurtër është se sa më gjatë të zgjasë, aq më i madh do të jetë dëmi. Por edhe nëse lufta përfundon shpejt, efektet do të zgjasin. Në fund të fundit, zinxhirët kritikë të furnizimit tashmë janë ndërprerë dhe objektet e prodhimit të naftës dhe gazit janë shkatërruar. Shumica e vlerësimeve sugjerojnë se riparimet do të zgjasin vite.

Për më tepër, nuk janë vetëm furnizimet me naftë dhe gaz që janë vënë në rrezik. Ndryshe nga embargot e naftës të viteve 1970, edhe prodhimi i plehrave kimike, nga i cili varen sistemet globale ushqimore, është cenuar. Kjo krizë vjen menjëherë pas tronditjeve të tjera të mëdha ekonomike globale nga pandemia COVID-19 dhe pushtimi i Ukrainës nga Rusia, te lufta globale e tarifave e Trump dhe shkatërrimi i sistemit ndërkombëtar të tregtisë të bazuar në rregulla të gjitha këto kanë kontribuar në rritjen e inflacionit dhe thellimin e krizës së përballueshmërisë.

Para rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë, inflacioni ishte në rënie, ndonëse ende mbi objektivin e preferuar 2% të bankave qendrore. Por tarifat e ngadalësuan ndjeshëm këtë trend dhe inflacioni u rrit sërish në nivel global. Me shumë vende, përfshirë SHBA-në, që tashmë përballen me krizë përballueshmërie të përkeqësuar nga politikat amerikane, rreziku tani është që bankat qendrore të rrisin normat e interesit ose të paktën të ngadalësojnë uljen e tyre.

Lexo edhe: Shqipëria në epokën Gigabit, ligji që synon t’i japë fund kaosit kabllor

Kjo, nga ana tjetër, do ta përkeqësojë më tej krizën e përballueshmërisë sepse blerja e një shtëpie apo shlyerja e borxheve do të bëhet më e vështirë dhe do të ngadalësojë ekonominë amerikane, tashmë të tronditur nga politikat e paqëndrueshme të Trump në tregti, emigracion dhe financa publike. Po të mos ishte për shpenzimet masive në qendrat e të dhënave të inteligjencës artificiale — që mbështesin rreth një të tretën e rritjes ekonomike në SHBA ekonomia amerikane do të ishte realisht e dobët. Dhe me uljet regresive të taksave për miliarderët dhe korporatat tashmë në fuqi, SHBA ka më pak hapësirë fiskale për të amortizuar goditjet që ai vetë ka shkaktuar, si dhe ato që mund të sjellë AI nga humbja e vendeve të punës te shpërthimi i flluskës teknologjike.

Pretendimi i Trump se SHBA do të përfitojë si eksportues neto i naftës është i pabazë. Po, kompani si Exxon do të përfitojnë, por konsumatorët amerikanë paguajnë çmime të përcaktuara globalisht — dhe ato janë rritur ndjeshëm. Në kushte të tilla, SHBA duhet të vendosë një taksë mbi fitimet e jashtëzakonshme. Por kjo nuk do të ndodhë nën një administratë kaq të kapur nga industria e karburanteve fosile.

Aleatët e dikurshëm të Amerikës në Europë po goditen gjithashtu nga rritja e çmimeve të energjisë dhe mungesat në furnizim të nxitura nga politikat e Trump. Nëse politikëbërësit europianë lidhin çmimet e energjisë elektrike me ato të gazit (siç bënë në fillim të luftës në Ukrainë), situata mund të përkeqësohet më tej. Por nëse Europa ndjek një strategji për të rikthyer sovranitetin duke reduktuar varësinë nga teknologjia dhe mbrojtja amerikane, ajo mund të forcojë pozicionin e saj në afat të shkurtër dhe të gjatë.

Pavarësisht sa do të zgjasë lufta dhe kushtet aktuale stagflacionare, pasojat afatgjata të këtij episodi do të jenë të thella. Shpresa është që bota të kuptojë se “paqëndrueshmëria” e energjisë diellore dhe asaj të erës është shumë më e menaxhueshme sesa varësia nga karburantet fosile, të cilat janë të ekspozuara ndaj kapriçove të figurave autoritare si Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin. Nëse lufta e Trump përshpejton tranzicionin e gjelbër globalisht, kjo do të ishte një anë pozitive e rëndësishme.

Në çdo rast, një tjetër gozhdë i është shtuar arkivolit të botës paqësore dhe pa kufij që pararendësit tanë u përpoqën të ndërtonin pas Luftës së Dytë Botërore. Nën drejtimin e Trump, vendi që hodhi themelet e asaj bote po e çmonton atë. Mes një lufte të re të ftohtë me Kinën dhe mungesës së qëndrueshmërisë së zinxhirëve globalë të furnizimit, ka pak arsye për optimizëm. Dhe me demokracinë në SHBA në një gjendje kaq të dobësuar, gabimet njerëzore dhe pasojat e tyre po grumbullohen me shpejtësi.

*Joseph E. Stiglitz, laureat i Çmimit Nobel në ekonomi, ka qenë ish-ekonomist kryesor i Bankës Botërore, ish-kryetar i Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë të Presidentit të SHBA-së, profesor në Universitetin Columbia dhe autor, së fundmi, i librit ‘The Road to Freedom: Economics and the Good Society (2024).’

Copyright: Project Syndicate, 2026.
www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0