Kritikat nuk kanë fund për Jeff Bezos! Festoi lançimin e fluturimit hapësinor para se të reagonte për tragjedinë në magazinën e Amazon - Business Magazine Albania

Kritikat nuk kanë fund për Jeff Bezos! Festoi lançimin e fluturimit hapësinor para se të reagonte për tragjedinë në magazinën e Amazon

Jeff Bezos ka marrë një lum kritikash për një reagim të vonuar ndaj shembjes vdekjeprurëse të magazinës së Amazon që ndodhi të premten në mbrëmje për shkak të kushteve të rënduara të motit.

Gjashtë punëtorë humbën jetën dhe një numër i panjohur janë zhdukur pas incidentit në Edwardsville, Illinois.

Ndërsa tragjedia po ndodhte, Bezos po festonte lançimin e tretë të fluturimit hapësinor të Blue Origin, i cili dërgoi dhe ktheu me sukses gjashtë pasagjerë në hapësirë.

Bezos postoi një foto në Instagram të ekuipazhit prej gjashtë anëtarësh, të cilët ishin duke buzëqeshur para se të fluturonin në hapësirë. “Ekuipazhi i lumtur këtë mëngjes në qendrën stërvitore…” ka shkruar Bezos në mbishkrimin e postimit.

Disa orë më vonë, themeluesi i Amazon shkroi në Twitter: “Lajmi nga Edwardsville është tragjik. Jemi zemërthyer për humbjen e shokëve tanë atje dhe mendimet e lutjet tona janë me familjet dhe të dashurit e tyre.”

Lexoni: Amazon përballet me një presion të ri mbi mbrojtjen nga COVID-19 në magazinat e saj

Ai shtoi: “I gjithë Edwardsville duhet të dijë se ekipi i Amazon është i përkushtuar t’i mbështesë ata dhe do të jetë pranë tyre gjatë kësaj krize.”

Por, duket se menjëherë pas postimeve të Bezos, shumë komentues shprehën zemërim për reagimin e tij.

“TURP PËR JEFF BEZOS! Ai ishte sot në West TEXAS! Punonjësit e tij humbën jetën”, shkruante një person në Twitter.

Një tjetër përdorues i Twitter tha: “Po luftoj të përmbaj zemërimin tim me Jeff Bezos i cili  lëshoi raketën e tij ndotëse me karbon këtë mëngjes, pasi punëtorët e Amazon vdiqën në një tornado të rrallë dhjetori mbrëmë.”

Të paktën 70 persona dyshohet se kanë vdekur në Kentaki, pas tornados gjatë natës. Numri i të vdekurve nga moti ekstrem mund të kalojë 100 persona, tha guvernatori i Kentakit, Andy Beshear, gjatë një konference për shtyp të shtunën në mëngjes.

/nypost

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0