Kompanitë shqiptare të IT tërheqin vëmendjen e investitorëve të huaj - Business Magazine Albania

Kompanitë shqiptare të IT tërheqin vëmendjen e investitorëve të huaj


Teknologjia e informacionit është sektori që me punë të zgjuar nga kompanitë dhe qeveria, mund të tërheqë investime strategjike dhe të bëhet fusha që mund të udhëheqë zhvillimin e ekonomisë së vendit. Njëkohësisht, ky sektor mund të ndalë emigracionin dhe të rrisë eksportet e shërbimeve. Zhvillimi ekonomik është vend numëro këtë vit (me rritje ekonomike rreth 2%, aq sa inflacioni vjetor), ndërsa disa prej kompanive të teknologjisë po ecin me hapa galopantë.

Në fakt, edhe pse shkollat e universitetet nuk nxjerrin inxhinierë në fushën e Inteligjencës Artificiale apo adminstrimit të Big Data, të rinjtë shqiptarë shfaqin talent në këtë drejtim. Shumë të rinj po punojnë në kompani ndërkombëtare në SHBA, apo Europë. Por, ka edhe invesitorë të rinj në këtë fushë, njohës të teknologjisë, që kanë arritur që vetëm në pak vite punë t’u japin kompanive të tyre emra ndërkombëtarë. Flasim për biznese, që lindën dhe po zhvillohen në Shqipëri. Ato kanë shtrirë shërbimin në nivel global, duke u blerë pjesërisht apo plotësisht nga investitorë të huaj.

Artikulli u publikua më parë në faqen 58 të numrit 22 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 22 të saj.

Ne ju sjellim 3 kompanitë që kemi njohur përvojën e tyre dhe historitë e suksesit. Ato mund të shihen si model nga kompani të tjera IT, apo edhe të shërbejnë si frymëzim për institucionet publike, të ndërmarrin nisma për të zhvilluar formimin e të rinjve në këtë drejtim.

division5 me invesitorë gjermanë

Një investitor mund të të ndihmojë të fuqizohesh, e të paraqitesh më i rritur dhe më i fortë para klientit. Kjo ka ndodhur me Unitech sh.p.k. e cila është ribranduar plotësisht pas marrëveshjes së investimit me kompaninë gjermane PIRATE Global. Tashmë ajo quhet division5.co.

Engjëll Rraklli, drejtues i division5.co thotë se, “objektiv i përbashkët me investitorin është të ngremë agjencinë më të mirë të software dhe vendin më të mirë për të punuar”. division5 kthehet kështu në një kompani shqiptaro-gjermane.

E regjistruar në Maj të vitit 2015, kompania filloi me disa klientë të parë të gjetur me referenca apo në platforma freelancing. Shërbimi cilësor solli klientë të tjerë aq sa biznesi ecte vetë dhe nuk kishte nevojë për financim nga ortakët.

Rraklli thotë se, “maturimi nuk është diçka që ndodh në një çast specifik. Ne jemi ende duke përmirësuar proceset tona sikundër dhe personat brenda division5 janë në proces të vazhduar përmirësimi individual dhe profesional”.

Përmirësimi duhet të prekë procese të brendshme dhe të jashtme të kompanisë. Sipërmarrja ka një qasje të drejtuar nga vlerat, me objektiv t’u shtojë vlerë klientëve. “Kur qasja drejtohet nga fitimi tek vlerat, atëherë një kompani mund të thuhet se ka evoluar në një stad tjetër. Ky lloj tranzicioni duhet të vijë fillimisht nga drejtuesit e kompanisë. Drejtuesit injektojnë vlerat e tyre në kompani që më pas ndiqen nga personat që i bashkohen kompanisë në rrugëtimin e saj”, thotë Rrakli.

Sot ka hapësira investimi, por sipas tij, në Shqipëri mungojnë sipërmarrësit dhe kompanitë e investueshme. Ëngjëll Rraklli thotë se, “Të rinjtë duhet të ëndërrojnë dhe të ndërtojnë gjëra guximtare dhe inovative. Kjo është diçka që mungon sot. Hapësira si AI, AR dhe VR janë gjithmonë në rritje dhe aspak të lëvruara në vend. Pjesa tjetër që sipërmarrësit duhet të kuptojnë, janë vlerat që sipërmarrësit mbartin personalisht. Askush nuk do të investojë tek dikush që nuk është një njeri i mirë, i drejtë dhe i besueshëm. Këto duken vlera që të gjithë i kanë, por realisht janë të vështira për t’u gjetur”.

Pas kalimit në një fazë tjetër, kompanitë duhet të vazhdojnë të përmirësohen me ritme të shpejta. Tregjet ndërkombëtare janë kërkuese dhe cilësia nuk është diçka që mund të negociohet.

“Nëse në kalim nuk është përthithur mendësia e duhur, atëherë shpejt këto kompani do të hasin probleme që do të jenë komplekse për t’u zgjidhur. Gabimi më i madh është të mendohet se gjërat do të bëhen të lehta. Përkundrazi, gjërat vështirësohen dhe në atë moment kompania duhet të tregojë vlerat e saj”, thotë Rraklli.

Till Ohrmann, përfaqësues i PIRATE thotë se, edhe pse tregu shqiptar është ende në fillesa ka grupe të rëndësishme të talentuarish e të uritur për sukses.

Softics bëhet Cardo

Sigurisht që themeluesit vetëm një vit më parë të Softics, janë të kënaqur me rezultatet. Zyrat e para u ngritën në Milano dhe Tiranë dhe mes tre krijuesve të kompanisë, dy prej tyre ishin nga Shqipëria: Altini dhe Euroni. Pas analizës fillestare të biznesit dhe mbështetjes nga Business Angels, kompania arriti të krijojë versionin MVP (minimum viable product) të platformës për të tërhequr vëmendjen e klientëve potencialë. Ekipi në Milano nis të zgjerohet dhe fokusi kalon tek proceset operacionale në Tiranë, në teknologji dhe data science, duke arritur në 11 profesionistë. Së fundi, kompania ka krijuar një zyrë shitjesh në Londër, ku ndodhet edhe tregu i targetuar i platformës.

Momenti më i rëndësishëm i kësaj kompanie është nënshkrimi i kontratës 5 vjeçare me fondin më të madh të investimeve alternative në Londër, UK. “Kjo kontratë na dha mundësinë e vërtetësimit të idesë dhe konceptit që sollëm në treg dhe sigurinë e ecurisë së kompanisë për 5 vitet e ardhshme, duke përfshirë strategjinë e rritjes që kemi parashikuar në biznes plan”, thotë Altini.

Vëmendjen e investitorëve të huaj dhe klientëve ndërkombëtarë e tërhoqi teknologjia e avancuar dhe menaxhimi i të dhënave që kryhen në platformën, CARDO AI. Teknologji, e cila në vitin e fundit ka arritur disa çmime ndërkombëtare si: Vendin e parë në Cerved Data Competition (Janar 2019) në Milano, Itali. Në konkurs morën pjesë 45 kompani, me objektivin për të modeluar 6.1 milionë të dhëna të kompanive të vogla e të mesme italiane. “Ne arritëm të marrim vendin e parë për modelin statistikor të implementuar në platformën tonë Cardo AI, model i cili llogarit me saktësinë më të lartë, vonesat në pagesat e kredive të kompanive SME Italiane”, thotë Altini.

Lexo: Elis Lulja shqiptari që bëhet pjesë e gjigantit botëror të teknologjisë

Kompania fitoi edhe Top 15 startups në Europë (Qershor 2019) në fushën e financës teknologjike në konferencën ndërkombëtare Money 20/20 në Amsterdam, Hollandë.

Në shtator të këtij viti, u rendit edhe mes Top 8 startups në Europë në fushën e financës alternative në konferencën më të madhe të kredisë alternative në Lendit 2019, në Londër, UK.

Po në shtator kompania zë vendin e parë në TechItalia Startup competition, Global Startup, program të financuar nga qeveria italiane, në Londër, UK.

Në Tetor, zë vendin e parë Auriga Fintech Awards në konferencën e Sallonit të pagesave, në Milano, Itali.

 

Sipërmarrësit e saj thonë se kompanitë shqiptare kanë një avantazh të madh në rajon, për shkak të mungesës së ofertës së zhvilluesve të talentuar në tregjet europiane. “Në këtë moment jemi vetëm në fillim të rritjes së kësaj kërkese dhe për 5-10 vitet e ardhshme do të kemi gjithmonë e më shume rritje”, thotë Altini.

Kompanitë vendase duhet të ndihmojnë rritjen e tregut dhe të mos shohin interesat afatshkurtër personalë. Cilësia e lartë e zhvilluesve është e vetmja rrugë përpara, sipas Altinit, dhe si e tillë duhet të krijohet në nivel sektori. Vetëm duke ndihmuar njëri – tjetrin Shqipëria mund të krijojë një reputacion të cilësisë së punës në tregjet ndërkombëtare. Altini, e kupton se dëshira për të fituar shpejt dhe shumë krijon distorcione si në zhvillimin e talentit ashtu dhe në akomodimin e projekteve jo cilësore. “Ky sektor nuk duhet të bjerë në grackën e replikimit të call center-ve dhe duhet të fokusohet në zgjidhjet dhe teknologjitë më cilësore që kërkon tregu ndërkombëtar. Shqipëria ka një mundësi të artë të krijuar, një hub të teknologjive të avancuara në Europë, por kjo varet vetëm nga ne dhe nga aftësia për të parë larg në një periudhë afatgjatë”, thotë ai.

Softmogul lulëzon në SHBA

Ende pa i mbushur të 30-at, Albi Zhulali është një ndër sipërmarrësit e rinj më të suksesshëm shqiptar. Themelues dhe drejtor ekzekutiv i Softmogul, platforma e parë e lëvizshme për menaxhimin e një hoteli.

Softmogul, kompania e tij që ka kapërcyer oqeanin, po ofron zgjidhje të dobishme për menaxhimin e hoteleve në Amerikë dhe tregje të tjera. Pak vite pune, Softmogul numëron rreth 30 të punësuar, me zyra në Shqipëri, Itali dhe SHBA.

Platforma e Softmogul i lejon grupit menaxherial të konfigurojë tipat e dhomave, numrat e dhomave, çmimet, ndërlidhjen e të gjithë kanaleve të shitjes si Booking.com, Expedia etj, krijimin e paketave të ndryshme për të personalizuar qëndrimin e çdo klienti si dhe raporte të detajuara lidhur me perfomancën e hotelit.

Gjithashtu, me anë të Softmogul, recepsioni mund të bëjë check-in, check-out, si dhe të pranojë të gjitha metodat e pagesave nga një iPad.

Lexo: Softmogul, një platformë jo vetëm për menaxhimin e hoteleve

Në Shqipëri Albi e ofron platformën e tij falas për të gjitha hotelet.

Kompania e tij është bërë pjesë e një prej akseleratorëve më të mëdhenj të botës në Silicon Valley “Plug & Play”. Pjesë e Alumni të Plug and Play janë kompani si, Google, Dropbox, PayPal dhe shumë gjigantë të tjerë të teknologjisë. Ai mori gjithashtu një investim prej 2 milionë dollarë nga një investitor izraelit, i cili ka besuar në idenë e tij dhe ka parë potencial në zhvillim.

Me pasion teknologjinë Albi Zhulali, bëri disa kërkime dhe doli në përfundimin se industria e turizmit ishte e ardhmja e Shqipërisë. Ndaj krijoi stayinalbania.com, sot Softmogul.

I nisur nga pyetja nëse “hotelet që po paguanin Booking, a do ta përdornin platformën e tij?”, ai arrin të zgjerojë biznesin e madje ta zhvillojë më së shumti në Amerikë.

Një ide e vogël solli rezultate të mëdha. Sot Softmogul ka zyra në Tiranë, New York dhe Romë.

Artikulli u publikua më parë në faqen 58 të numrit 22 të revistës Business Magazine AlbaniaBusiness Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 22 të saj.

 

 

 

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0