Kompanitë italiane call center fillojnë të tërhiqen nga Shqipëria - Business Magazine Albania

Kompanitë italiane call center fillojnë të tërhiqen nga Shqipëria


Nën presionin e qeverisë italiane dhe në pritje të hyrjes në fuqi të ndryshimeve të reja ligjore për sektorin e call center, kompanitë e mëdha italiane kanë filluar që të reduktojnë kontratat në Shqipëri. Telecom Italia Mobile (TIM), platforma televizive me pagesë Sky dhe Fastweb (fibra optike), të cilat kanë kontraktuar operatorë shqiptarë për shërbimet e call center, po tërhiqen gradualisht.

Agron Shehaj i Intercom Data Service (IDS), operatori më i madh call center në Shqipëri, sipas numrit të punonjësve, thotë se për momentin ai nuk po ndien ndonjë efekt, por në treg kanë filluar të duken pasojat. Disa kompani po mbyllin fushatat nga Italia (Fastweb, Sky, TIM), ndërsa disa operatorë shqiptarë janë trembur.

Në muajin Prill hyn në fuqi ligji i ri i delokalizimit në Itali, i miratuar nga qeveria italiane në Dhjetor të vitit të kaluar, që tenton të forcojë masat ndaj fenomenit ‘dumping’ në sektorin e call center, që ka sjellë krizë në punësim dhe një rënie të vazhdueshme të marzhit të fitimit në Italia, ku një pjesë e madhe e vendeve të punës është transferuar në Shqipëri për shkak të avantazhit të kostos së fuqisë punëtore dhe njohjes së gjuhës italiane.

Ligji vendos sanksione deri në 150 mijë euro për shkelje si: mosdeklarimi i origjinës nga bëhet telefonata, mosruajtja e të dhënave, mosnjoftimi i delokalizimit, mosdeklarimi i numrit të punonjësve, transferimi i punonjësve etj.

Ines Muçostepa, drejtore ekzekutive e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe administratore e Alba Call, operatorit më të madh call center në Shqipëri, sipas xhiros vjetore, pohoi se kompania ka plotësuar në kohë të gjithë dokumentacionin e kërkuar ne Itali. Ajo shton se pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri mendohet që sektori outbound (i thirrjeve dalëse) do reduktohet. Pavarësisht kësaj ajo është optimiste për kontratat e reja.

Vetëm në Shqipëri llogariten nga tatimet të ketë 25 mijë të punësuar në sektorin e call center nga 804 kompani. Dekadën e fundit, Shqipëria ka qenë një magnet për të nënkontraktuar shërbimet e call center nga Italia për shkak të pagave shumë më të ulëta se në Itali dhe njohjes së mirë të gjuhës italiane nga të rinjtë.

Në të kundërt, Italia pa një reduktim të vendeve të punës në këtë sektor. Çdo vend i ri pune i hapur në Shqipëri ishte një punonjës më pak në Itali. Vetëm në dhjetor, Almaviva, operatori më i madh italian i call center mbylli degën e Romës, duke pushuar nga puna rreth 1700 punonjës. Punonjësit e saj kanë protestuar vazhdimisht dhe qeveria italiane është detyruar të subvencionojë humbjen e vendeve të punës, për shkak të ndjeshmërisë së madhe që ka marrë kjo çështje .

Burimi: monitor.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0